Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“S’ka Vjosë pa Nartë”, ambientalistët marshojnë kundër dëmeve mjedisore të aeroportit të Vlorës

Një grup aktivistësh mjedisorë protestuan të shtunën përballë kantierit të ndërtimit të aeroportit të Vlorës.

Ambientalistët përsëritën kërkesat për ndalimin e projektit, në mënyrë që të shpëtohet një ndër habitatet më të rëndësishme natyrore në Shqipëri.

Vjosë-Narta është pjesë e korridorit të shtegtimit të Adriatikut dhe habitat për mbi 200 lloje shpendësh. “Në këtë rast Vjosë-Narta shërben si zonë strehimi apo pushimi, zonë ushqimi për shume shpendë shtegtues të cilët mund të vijnë nga vendet të ndryshme të botës”, – liston si argument kundër ndërtimit të aeroportit për Citizens Channel biologia Ledi Selgjekaj nga PPNEA.

Shumë prej llojeve që janë të pranishëm në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë janë lloje me status ruajtjeje, janë pjesë të konventave të ndryshme”, – thotë në vijim Selgjekaj.

Një ndër Konventat të cilat Shqipëria ka ratifikuar është ajo e Bernës, përfaqësuesit e së cilës në dhjetor të vitit të shkuar kërkuan ndalim të menjëhershëm të punimeve për shkak të situatës emergjente në terren.

Zona Vjosë-Nartë është zonë Emerald e Konventës së Berne-s, të cilën vetë qeveria shqiptare e ka propozuar si zonë me rëndësi që duhet ruajtur dhe është po qeveria shqiptare që po e shkatërron”, – shpjegon Aleksandër Trajçe nga PPNEA.

Qeveria shqiptare duhej t’i përgjigjej konventës së Berne-s dhe të merrte masa për implementimin e kërkesës për ndalimin e punimeve deri në 15 janar, por pala shqiptare nuk ka kthyer përgjigje, ndërsa punimet në terren vazhdojnë.

Ky është një precedent tejet i rrezikshëm”, – thotë me tej Trajçe. “Nëse në sytë e gjithë komunitetit evropian dhe ndërkombëtar shkelin ligjin dhe ndërtojnë pa leje, atëherë çfarë mund t’i ndalë autoritet që të njëjtën gjë ta bëjnë në Divjakë, në Dajt, në Theth, në Valbonë, në Butrint?”, -përfundon ai.

Aktivistët mbollën pisha në Vjosë-Nartë dhe bënë disa aksione pastrimi para se të zhvillohej marshim-protesta përballë kantierit të ndërtimit.

Më shumë për Vjosë-Nartën  

Vjosë-Narta prej vitit 2004 mbarti statusin “Peizazh i Mbrojtur”, ku përfshihej dhe Akernia, që sot është hequr nga territori i zonës së mbrojtur. Tashmë, aty po ndërtohet aeroporti i Vlorës.

Ndryshimi i territorit të zonës së mbrojtur pas rizonimit të zonave të mbrojtura

Më 26 nëntor të vitit 2022 u mor vendimi i ndryshimit të sipërfaqes së Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe krijimi i një zonë të re, të quajtur “Peizazh i Mbrojtur Pishë Poro-Nartë”, një territor i krijuar nga bashkimi i dy njësive të mëparshme: Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe Rezervat Natyror i Menaxhuar/Park Natyror Pishë Poro. Një territor prej 310 ha u hoq nga zona e mbrojtur.

Aktualisht, leja për fillimin e punimeve nuk është bërë ende publike.

Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe Shoqëria Ornitologjike Shqiptare (AOS) kanë paditur në Gjykatën Administrative institucionet qeveritare për projektin e aeroportit të Vlorës ku u kërkua pavlefshmëria e kontratës së aeroportit të Vlorës.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi të mos e shqyrtojë padinë e ngritur dhe tashmë ky vendim është apeluar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *