Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Të dëmshme dhe të padobishme”, rreth 1,100 hidrocentrale mbi lumenjtë e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës

Nga: Arbjona Cibuku | Citizens Channel |  Shqipëri
Semira DEGIRMENDŽIĆ | Focus.ba | Bosnje dhe Hercegovinë

Komunitetet lokale të lidhura ngushtë me ujin dhe natyrën po vuajnë pasojat e hidrocentraleve të vogla në të gjithë Ballkanin. 

Vitet e fundit, numri i hidrocentraleve (HEC) të vegjël nga 1 deri në 10 megavat është rritur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Në Bosnje-Hercegovinë, këto vepra u ndaluan me ligj në gusht të vitit 2021, por problemet vijuan.

Ekspertët vlerësojnë se lumenjtë në zonën midis Sllovenisë dhe Shqipërisë, konsiderohen si qendra më e rrezikuar për diversitetin biologjik të ujërave të ëmbla në Evropë, pasi gjashtëdhjetë e nëntë specie që jetojnë në këta lumenj nuk gjenden në asnjë vend tjetër në botë.

Fakti që ndërtimi i HEC-eve ka një ndikim negativ në mjedis dhe ndryshimet klimatike, nuk i pengoi autoritetet shqiptare të japin leje për ndërtimin e 371 HEC-eve të reja në lumenj dhe nuk i shtyu as qeveritarët në Bosnjë dhe Hercegovinë të marrin parasysh dëmet që shkaktojnë hidrocentralet e ndërtuara tashmë.

Pavarësisht ndalimit me ligj të hidrocentraleve në Bosnje-Hercegovinë (BiH), koncensionarëve që kanë kontrata aktive iu dha kohë tre vjet për të përfunduar “shkresat”, çka rrezikon të sjellë një vrull ndëtimesh në këtë periudhë. 

“Ndërtimi i HEC-eve nuk ndalet” 

Aktivistët mjedisorë në BiH arritën të detyrojnë qeverinë të miratojë një moratorium për ndërtimin e HEC-eve të vogla, në Shqipëri nuk ka një ligj të tillë dhe parashikohet të ndërtohen 371 HEC-e të tjera të vogla, përpos 275 HEC-eve që janë ndërtuar tashmë, referuar të dhënave të Riverwatch.

Te dhenat per numrin e hidrocentraleve ne Shqiperi nga raporti i Riverwatch “Hidrocentralet ne Ballkan”

Sipas të njejtit burim, 12 hidrocentrale të vegjël janë aktualisht në proces ndërtimi.

Raporti i Riverwatch tregon se në Bosnjë dhe Hercegovinë janë planifikuar 308 hidrocentrale të vegjël, teksa 133 janë aktualisht duke prodhuar energji. I njejti raport tregon se 29 hidrocentrale të vogla (nga 0.1-10 megavat) janë në proces ndërtimi.

Te dhenat mbi hidrocentralet e vogla ne Bosnje dhe Hercegovine nga raporti i Riverwatch “Hidrocentralet ne Ballkan”

Që prej 2007 ka një trend në rritje të ndërtimit të hidrocentraleve private në Shqipëri. Pavarësisht efikasitetit të ulët në prodhimin e energjisë, rreziqeve për komunitetin dhe dëmeve mjedisore, numri ka ardhur duke u rritur.

Sipas të dhënave të sigurara nga Enti Rregullator i Energjisë, hidrocentralet e vogla gjatë 9 mujorit të 2021 mbuluan vetëm 19.5% të kërkesës kombëtare për energji elektrike. Në të njejtën periudhë në vitin 2022 kjo shifër ishte 24.3%.

Te dhenat e siguruara nga Enti Rregullato i Energjise per prdhimin e HEC-eve te vogla gjate 2021 dhe 2022

Ekspertët shqiptarë dhe ata në Bosnjë dhe Hercegovinë paralajmërojnë se dëmi i shkaktuar nga HEC-et për natyrën dhe komunitetin vendas është i pamatshëm.

Edhe pse në vitin 2019 kryeministri Edi Rama pranoi se hidrocentralet e vegjël janë të dëmshëm dhe të padobishëm, qeveria shqiptare vazhdoi të jepte leje ndërtimi, madje numri erdhi duke u rritur.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Energjisë, “nga viti 2005 deri në vitin 2022 janë nënshkruar në total 282 kontrata për ndertimin e 621 HEC-eve, nga të cilat 25 kontrata për ndërtimin e 128 HEC-eve janë ndërprerë”.

Pergjigje nga Ministria e Energjise dhe Infrastruktures, Agjencia Kombetare e Burimeve Natyrore

Sipas të njëjtit burim, aktualisht janë 257 kontrata aktive, për ndërtimin e 493 HEC-eve të mëdhenj dhe të vegjël, të nënshkruara në periudhën 2005-2022.

“Korrupsioni politik po shkatërron natyrën”

Përfshirja e emrave të përveçëm të politikës edhe në çështjen e ndërtimit të HEC-eve në Bosnje dhe Hercegovinë është tepër evidente, teksa në Shqipëri kjo mbetet më e zbehur, por rastet nuk mungojnë.

I tillë është rasti i Madheshit në Mat, një fshat me rreth 200 banorë i cili ndodhet përballë rrezikut të tharjes së lumit Lunre nga ndërtimi i hidrocentralit “HEC Madhesh”.

Banorët janë ngritur në protesta të vazhdueshme për ta kundërshtuar projektin. Aktualisht nuk ka nisur puna në terren e shoqërisë private “A.R.M shpk”, pasi licenca trevjeçare për shfrytëzimin e burimeve ujore ka skaduar në vitin 2020. 

Banorët e Madheshit protestojnë kundër hidrocentraleve/ Foto: Entenela Ndrevataj

Kompania “A.R.M Albania” është në pronësi të Fatos Malajt, vëllait të kryebashkiakut të Matit Agron Malaj, dhe kjo jua ka vështirësuar banorëve përballjen me të.

Firma private nuk ka mundur të nisë punimet pasi Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) nuk ka miratuar ende lejen e ndërtimit për këtë HEC. Si pasojë e mospajisjes me leje ndërtimi brenda afatit dyvjeçar për fillimin e punimeve, “A.R.M sh.p.k” i është nënshtruar nga fillimi procedurës së Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM).

HEC Madhesh ka shfaqur probleme në zbatimin e procedurave ligjore, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Gjithashtu vlerëson se institucionet kanë shkelur ligjin duke mos rishikuar kushtet e lejeve.

Komuniteti proteston kundër ndërttimit të hidrocentralit në Madhesh, Mat/ Foto: Entenela Ndrevataj

Ndalimi i ujit për vaditje si pasojë e ndërtimit të HEC-it është i paralajmëruar.  “Ujë që do të lihet për vaditje nuk ka, sepse nuk ka kërkesa për vaditje në ketë zonë“, shkruhet në dokumentin jo teknik për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) të këtij hidrocentrali.

Banorët e Madheshit e kanë kundërshtuar projektin dhe çështja është në gjykatë. Artan Miza, banori i zonës, thotë se ka marrë kërcënime nga kompania që qëndron pas projektit, pasi ka qenë një nga kundërshtarët më të zëshëm.

Artan Miza, banor i Madheshit

“Po na morrën ujin na kanë marrë jetën”, thotë ai teksa shton se banorët duan ta kthejnë zonën në një atraksion turistik, por nëse u marrin ujin kjo duket e pamundur për t’u arritur.

Një situatë pak më e ndryshme është me banorët e Zall Gjocajt, ku kompania “Seka Hydropower” ka ndërtuar hidrocentralin “Zais”, që gjithashtu është kundërshtuar nga banorët në rrugë ligjore dhe me protesta.

Banorët varin banderolen “I paligjshëm” afër digës në Zall-Gjoçaj

Lufta e tyre me kompaninë nisi në pranverën e vitit 2020. Kompania “Seka Hydropower” u padit nga komuniteti vendas, duke kërkuar heqjen e licencës. Banorët fituan në Gjykatën Administrative, si në vendimin e shkallës së parë ashtu edhe në atë pas ankimimit.

Së fundi, Gjykata e Lartë ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Apelit, duke i dhënë të drejtë komunitetit. Kompanisë iu hoq licenca për prodhimin e energjisë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, duke ndaluar kështu hidrocentralin “Zais” që prek lumin Flim në Mat.

Banorët e Zall-Gjoçaj dhe aktivistë në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë

Ndërsa ndërhyrja e politikës në çështjet e pronësisë së hidrocentraleve në Bosnjë dhe Hercegovinë paraqitet edhe më e komplikuar.

“Në Bosnje-Hercegovinë hidrocentralet i kanë politikanët” 

Pas një lufte shumëvejçare të aktivistëve, qeveria miratoi moratoriumin për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla, por autoritetet vazhduan të mbështesnin investitorët në ndërtimin e tyre. Shumë prej këtyre investitorëve ishin politikanë të partive në pushtet gjatë asaj kohe.

Në Bosnje dhe Hercegovinë 121 HEC-e janë ndërtuar përgjatë lumenjve gjatë viteve të fundit / FOTO: ekoakcija.org

Të parët që e kuptuan që ndërtimi i hidrocentraleve ishite një biznes fitimprurës, ishin qeveritarët që kishin rolet kyçe në institucionet e sektorit të energjisë.

Një emër tepër i lakuar është Edhem Biçakçiq, ish-president i qeverisë boshnjake dhe ish-drejtor i hidrocentraelit “Elektroprivreda BiH”, një kompani që blen energji elektrike nga pronarët e HEC-eve të tjera me çmime të privilegjuara. 

Hidrocentral ne Bih ne pronesi te Salko Selman i ndertuar ne zonen e lumit Biloj/ Foto: Focus ba

Salko Selman, ish-president i njësisë administrative qendrore të Bosnjës, njëherësh ish-drejtor i Bankës për Zhvillim të BiH-së, ka gjithashtu dy HEC-e në pronësi.

Amer Jerlagić, ish-drejtor i “Elektroprivrede BiH” dhe ish-kryetar i Partisë për BiH, është gjithashtu pronar i një HEC-i. 

Të ardhurat e individëve që zotërojnë HEC-e financohen nga taksat e qytetarëve në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, përmes faturave të energjisë elektrike.

Investitorët në BiH kanë garanci nga shteti për të shitur të gjithë energjinë elektrike që prodhojnë me çmime të larta dhe preferenciale.

Në disa raste impakti që këto hidrocentrale kanë në komunitet është i drejtpërdrejtë. E tillë është historia e Salko Hodžić, një banor i Kaćun-it në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kompania private e ka ndërtuar hidrocentralin vetëm 12 metra larg dhomës së tij të gjumit, duke ia pamundësuar jetesën, për shkak të zhurmës. Më herët, gjykata e kishte ndaluar ndërtimin e këtij hidrocentrali të vogël, por Hodžić thotë se puna ka vazhduar pasi qeveria lokale ka mbrojtur investitorin.

“Është njësoj sikur të kesh një fshesë me korrent që punon pa pushim në shtëpinë tënde. Lufta ime filloi në 2015 dhe vazhdon ende”, thotë ai.

Ai shton se nga ndërtimi i HEC-it nuk është prekur vetëm ai dhe familja e tij, por i gjithë komuniteti. “Nuk ka më peshk në këtë lumë. Të gjithë peshkatarët e dinë”, thotë Hodžić.

Hodžić  ngre dyshime se ndërtimi i hidrocentralit u bë pas një marrëveshje me para nën dorë me kryetarin e komunës dhe shoqatën e peshkatarëve: “Shihni gypat që janë vendosur në këtë rrjedhë uji. Këtu peshkatarët kapnin troftë dy-tre kilogramë, sot nuk ka asgjë. Ata po prishin ligjet e Zotit dhe ato natyrore”, përmbyll banori.

Ndikimi i HEC-eve në natyrë dhe ngrohja globale

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, konsumatorët shqiptarë i kanë paguar më shumë se 118 milionë euro hidrocentraleve të vogla në vitin 2021.

Sasia e energjisë së prodhuar në vitin 2021 është 1,452,754 kilovat, teksa në vitin 2022 kjo sasi ka rënë në 1,224,025 kilovat.

Megjithëse Shqipëria ka një numër kaq të lartë hidrocentralesh të vogla në të gjithë lumenjtë e vendit, ato nuk e mbulojnë nevojën kombëtare për energji, duke i bërë këto hidrocentrale përveçse të dëmshme dhe të padobishme, sipas ekspertëve.

Aleko Miho, ekspert mjedisi

Eksperti i mjedisit Aleko Miho thotë se “ndërhyrjet jo miqësore të HEC-eve në lumenj kanë një sërë ndikimesh në natyrë”.  Dëmet, thotë Miho, vijnë nga ndërtimi i digave, tuneleve, ndërtimi i rrugëve të reja, kanaleve, përdorimi i lëndëve plasëse, si dhe transmetimi. Dëmet që ato zakonisht shkaktojnë janë erozioni, ndryshimi i biokorridoreve përgjatë përroit, ndikimi në cilësinë e ujit dhe tharja e shtratit që prek drejtpërdrejt komunitetin.

Miho thotë se Shqipëria ka nevojë për energjinë e prodhuar nga hidrocentralet “pasi konsiderohet energji e pastër, e nuk derdh mbetje në mjedis”. Ai në parim nuk flet kundër ndërtimit të HEC-eve, por përmend se duhet kontrolli i tyre.

Rreth 80 HEC-e të vegjël janë në rrjedhat e lumenjve brenda zonave të mbrojtura ose në marrëdhënie ekologjike me to (Valbonë, Lurë, Shebenik-Jablanicë, Hotovë-Dangëlli e gjetkë) dhe në lumenj me vlera natyrore ndërkombëtare, siç është lumi Vjosë”, thotë ai.

Diga në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj

Sipas ekspertit “shfrytëzimi i tillë i pakufizuar i lumenjve bie ndesh me konceptin e përdorimit të qëndrueshëm të burimeve tona natyrore”. Ai sugjeron që në vend që të përdorim lumenjtë në çdo skaj për HEC-et, të mendojmë për burime të tjera energjie.

Mbi 2100 kh/m2/vit energji na vjen falas nga dielli në Shqipëri – kjo do të thotë më shumë se 300 ditë me diell në vit; pse të mos shohim edhe mundësinë për investime në përdorimin e energjisë diellore, veçanërisht në zonat rurale. zona”, thotë Miho.

Eksperti i mjedisit Mihallaq Qirjo shpjegon se hidrocentralet e vegjël zhvillohen kryesisht në prurjet fillestare të lumenjve.

Mihallaq Qirjo, ekspert mjedisi

Ndërhyrja në pjesën e sipërme të gjithë shtratit të lumit në kuotën e lartë të tij dhe në terrenin kodrinor të pjerrët ka një kosto relativisht të lartë në raport me prodhimin që do të gjenerohet duke qenë se jemi në terren të vështirë kodrinor”, thotë Qirjo. 

Ai shton më tej se ngrohja globale me efektet e thatësirës së zgjatur e bën këtë proces edhe më të vështirë.

Dy treguesit kryesorë që kërkon një hidrocentral për të prodhuar energji janë prurja dhe lartësia e rënies së ujit. Eksperti shpjegon se prodhuesit e energjisë priren të marrin maksimumin e këtyre dy treguesve.

Uji që hyn në tub për të prodhuar energji devijohet nga rrjedha e tij natyrore për të krijuar një diferencë lartësie që përdoret si energji potenciale për prodhim.

Punimet për të ndërtuar hidrocentralet në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj/ Foto: Entenela Ndrevataj

Eksperti Qirjo sqaron se “në këtë segment ku uji kalon përmes tubacionit shtrati i tij natyror thuajse thahet, sepse këtu nis një nga shkeljet që bëjnë subjektet ndërtuese të HEC-eve, pasi priren të marrin jo maksimumin, por ndoshta e gjithë sasia e ujit që është në rrjedhën e tij natyrore”.

Tuba që të shërbejnë për marrjen e ujit/ Foto: Entenela Ndrevataj

Në anën tjetër, Safet Sarajlić, pjesë e Koalicionit për Mbrojtjen e Lumenjve të Bosnjës dhe Hercegovinës, thotë se sipas vlerësimeve të Koalicionit, në dhjetë vitet e fundit pronarëve të HEC-eve u janë paguar më shumë se 100 milionë marka (51 Milionë Euro).

Safet Sarajlić / FOTO: Fokus.ba

Gjithashtu, Sarajlić thekson se pronarët kanë pasur një fitim të madh nga shitja e energjisë me çmime të privilegjuara për “Elektroprivreda BiH”.

Sipas Sarajlic hidrocentralet po eksportojnë energji elektrike në tregun botëror, ku është edhe më e shtrenjtë, dhe në këtë mënyrë këta individë po pasusohen nga burimet natyrore të Bosnjes dhe Hercegovinës.

Megjithatë, aktivistët mjedisorë besojnë se dëmi i shkaktuar nga HEC-et në lumenjtë e BiH nuk mund të matet me pëfitimet e investitorëve. 

Robert Oroz, aktivist i shoqatës Eko “Gotuša” nga Fojnica, së bashku me ekipin e “Fokus ba”, vizitoi lumenjtë Kozica dhe Bila në njësinë administrative qendrore të Bosnjës, ku ka rreth 38hidrocentrale të vegjël.

Robert Oroz, aktivist i shoqatës Eko “Gotuša”/ Foto: Fokus.ba

Njëri prej tyre është në pronësi të Amer Jerlagić, në fshatin Kaćuni në komunën e Busovač-ës. Oroz sqaron se thjesht gërmimi i tubacionit shkakton dëme të mëdha dhe “imagjinoni se çfarë ndodh kur shtrati të thahet plotësisht”. 

Kemi pronarë të papërgjegjshëm që vendosin dërrasa në shtigjet e peshkimit dhe bllokojnë plotësisht rrjedhën e ujit, shpesh ndodh që të gjejmë një shtrat lumi krejtësisht të tharë, aty nuk ka më jetë”, thotë Oroz duke shtuar se pas kësaj duhet shumë kohë që të rikuperohet.

Oroz sqaron pse rastet në BiH nuk mund të krahasohen me vendet europiane.

“Përmendet shpesh se ka shumë hidrocentrale të vogla në Zvicër dhe Gjermani, por problemi është se asnjë nga vendbanimet tona nuk ka kolektorë të ujërave të zeza, kështu që gjithë ato ujëra të zeza përfundojnë në lumenj”, thotë ai.

“Këto janë vetëm një sërë problemesh të shkaktuara nga këto hidrocentrale të vogla” – thotë Oroz, duke konfirmuar se në të gjitha këto dëmtime, përfshirë edhe shpyllëzimin, kontribuojnë ndryshimet klimatike, të cilat sjellin edhe përmbytje dhe fenomene të tjera negative.

Sakaq, shqetësues mbetet fakti që nga institucionet në Bosnje nuk ka informacion mbi hicdrocentralet që do të ndërtohen ne vijim. Aktivistët mjedisorë thonë se askush nuk e di se sa investitorë janë në proces të marrjes së dokumenteve të nevojshme dhe se sa HEC-e do të “mbijnë” në të ardhmen.

Robert Oroz, shprehet se është e vështirë të zbulohet se sa njerëz kanë marrë koncesione, sepse nuk ka asnjë regjistër të projekteve të ndërtimit të HEC-eve, të cilat janë në proces ndërtimi apo proces për marrjen e lejes.

“Nuk kemi regjistër. Unë kam qenë në terren dhe duhet të jenë rreth njëzet të tillë në ndërtim”, thotë Oroz. Institucionet e kontaktuara nga Focus.ba nuk iu përgjigjën kërkesave për informacion.

Vendimet e qeverisë i hapin rrugë shkatërrimit të mjedisit

Në bazë të VKM-së të miratuar për ndryshimin e kufijve të zonave të mbrojtura, parkut kombëtar “Lurë Mali i Dejës” i janë hequr 954 ha, duke favorizuar ndërtimin e hidrocentralit “Zais”. Me ndryshimin e kufijve, qeveria ka “legalizuar” ndërtimin e këtij hidrocentrali.

Banorët dhe aktivistët në Zall-Gjoçaj kanë më shumë se dy vjet që mbrojnë lumenjtë Flim dhe Urakë, të cilët do të preken nga HEC-et “Sekë” dhe “Zais”.

Avokatja e çështjes Dorina Ndreka, u shpreh gjatë një interviste në tetor, se problemi kryesor i kontratave është se ato janë lidhur në kohën e gabuar.

Kontrata lidhet përpara vlerësimit mjedisor, vlerësimit të kushteve që lidhen me mundësitë e burimeve ujore për të përballuar ndërtimin e një HEC-i, përpara verifikimit nëse zona është zonë e mbrojtur mjedisore, apo nëse pengesa të tjera”, thotë Ndreka.

Dorina Ndreka, avokate

Ajo sqaron se kjo formë e lidhjes së kontratës nënkupton se ndërtuesi ka mbrojtje ligjore.

Kështu që edhe nëse projekti nuk realizohet, mund të kërkojë dëmshpërblim nga shteti shqiptar për pamundësinë e realizimit të HEC-it, pasi autoritete të ndryshme publike nuk kanë miratuar një akt administrativ, apo sepse gjykata e ka rrëzuar atë akt. Pra, në çdo rasti, subjekti ka garanci”, shton avokatja. Ajo apelon për ndryshimin e ligjit dhe sugjeron që kontrata të lidhet vetëm pasi të jenë plotësuar të gjitha parakushtet ligjore.

Ndreka ka ndjekur ligjërisht edhe komunitetet e tjera që përballen me një situatë të ngjashme dhe thotë se komunitetet kanë shumë sfida.

“Ndër të parët është nevoja për organizim dhe mbështetje financiare”, thotë ajo, duke shtuar se problem tjetër është zgjatja dhe zvarritja e proceseve.

Problemi kryesor që ka aktualisht sistemi gjyqësor në vend është vonesa në shqyrtimin e dosjeve në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë, kjo do të thotë se edhe në ato raste kur procesi është pozitiv dhe në favor të banorëve, subjekti gjen një zgjidhje tjetër për të arritur objektivin afatgjatë”, thotë Ndreka.

Aurora Leka, aktiviste e grupimit në mbrojtje të Parkut Kombëtar Zall Gjocaj tregon se gjatë zbatimit, kontratat e kompanive private kanë shkelur shumë nga parashikimet ligjore.

Aurora Leka, aktiviste/ Foto: Arbjona Çibuku

“Ne besojmë se perderisa ka shkelje dhe parregullsi të tilla mund të ketë dyshime për kontrata të lidhura në mënyrë korruptive”, thotë Leka.

Sfidat e komuniteteve janë të shumta, që nga largësia e zonave në të cilat ndërtohen HEC-et dhe tek përballja me gjyqësorin.

“Zall Gjocaj është një zonë e thellë malore e aksesueshme me shumë veshtirësi”, thotë Leka e cila shton se në zonë nuk ka as organizata që ushtrojnë aktivitet, kështu që për banorët ka qenë tepër e vështirë për të çuar përpara betejën e tyre.

Ndaj banorët nuk kanë gjetur rrugë tjetër veçse të kontaktojnë më aktivistë të tjerë jashtë qytetit të tyre. Pra largësia me terrenin ku zhvilloheshin ngjarjet ka qenë një ndër vështirësitë kryesore”, shprehet Leka.

Rezistenca e komuniteteve ka nisur të japë rezultatet e para falë besimit të krijuar mes aktivistëve, banorëve dhe avokatëve.

“Kemi një komunitet me shumë pak mjete në dorë që ka përballë gjigandë të sipërmarrjes të cilët përdorin metoda të sofistikuara për përçarjen e aktivistëve, ndikimin në vendimmarrje apo edhe në proceset gjyqësore”, përmbyll aktivistja Aurora Leka.

Ky material është publikuar në kuadër të projektit “Going Environmental” i menaxhuar nga n-ost dhe BIRN dhe financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). BMZ nuk është në asnjë mënyrë përgjegjëse për informacionet apo këndvështrimet e shprehura në kuadër të projektit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *