Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“25 vite pa referendum”, nismat qytetare për ndryshimin e ligjeve pengohen nga politika

Referendumi cilësohet si një nga format që zhvendos fuqinë për vendimmarrje nga partitë politike drejtpërsëdrejti te qytetarët.

Në Shqipëri kjo e drejtë rrjedh nga kushtetuta, por mbetet ende një mekanizëm i papërdorur nga qytetarët. Neni 150, pika 1 përcakton se “nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, populli ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë”.

Ndërsa kuvendi, sipas pikës dy të nenit 150 me propozimin e jo më pak se një të pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.

Ishte vitit 1998 kur shqiptarët për herë të fundit votuan në një referendum; për miratimin e Kushtetutës, ligjit më të lartë e mbi ligjet e tjera.

Nismat për miratimin e një ligji për referendumet

Përpos faktit se Kushtetuta parashikon mbajtjen e referendumeve, mungesa e një ligji që qartëson procedurat e bën të pamundur mbajtjen e referendumeve në nivelin qendror dhe lokal.

Për të propozuar apo ndryshuar një ligj në Shqipëri, kërkohet që nisma të propozohet nga të paktën 20,000 qytetarë, ose nga të paktën një prej deputetëve të Kuvendit.

Në vitin 2015 Kuvendi miratoi ligjin 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ku adreson edhe mbajtjen e referendumeve në nenin 18 të paragrafit të dytë. Mirëpo ky ligj nuk detajon procedurat e mbajtjes dhe organizimit të referendumeve.

Në vitin 2018 u bë i mundur draftimi i projektligjit “për Referendumet” nga INFOÇIP (Qendra për Çështjet e Informimit Publik) duke përcaktuar qartazi procedurat për mbajtjen e referendumeve qoftë në nivelin e përgjithshëm, por edhe në nivelin e qeverisjes vendore.

Mirëpo, ky projektligj i depozituar në Kuvend nga deputetja Rudina Hajdari nuk arriti të kalonte në fazën e diskutimit në Kuvend.

Sipas juristit Ilir Aliaj, ka pasur vetëm një iniciativë që është dorëzuar në Kuvend në fund të legjislaturës së shkuar, e cila nuk ka kaluar në shqyrtim.

Rregullorja e Kuvendit thotë që nëse një projektligj vjen në fund të legjislaturës, duke mos i dhënë kohë Kuvendit që ta shqyrtojë apo nëse ky draft nuk hyn në axhendën e Kuvendit për arsye të ndryshme, kjo bie poshtë automatikisht dhe nuk kalon në legjislaturën tjetër”.

Bashkë me kolegë të tjerë, Aliaj ka hartuar dhe depozituar në Kuvend një tjetër draft-ligj, i cili momentalisht është në axhendën e Kuvendit.

“Axhenda e Kuvendit e kishte parashikuar që të diskutohej në tetor-nëntor 2022, por fatkeqësisht akoma nuk po diskutohet”,-tha për Citizens Channel juristi Aliaj mbi iniciativën që është mbështetur dhe dorëzuar në Kuvend nga deputeti Dashamir Shehi.

Sipas Aliajt, nevoja për një nismë të tillë vjen në kushtet kur qytetarët shqiptarë janë të pa përfaqësuar.

“Ndryshimet kushtetuese i kanë shkëputur deputetët nga llogaridhënia te qytetarët. Qytetarët thirren vetëm njëherë në 4 vjet për votime dhe kaq, ndërkohë vendimet merren pa i pyetur gjatë 4 viteve. Ndërsa po të kenë mekanizmin e referendumit, qytetarët mund të marrin pjesërisht fatet e tyre në dorë”,-argumenton Aliaj.

Sipas Erida Skëndaj drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit kjo mungesë ligjore është konstatuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

“Vakumi ligjor për referendumin është konstatuar nga Komisioni i Venecias dhe ODIHR që në vitin 2004, pra afro 23 vite më parë dhe ne vijojmë në një status-quo të dëmshëm që privon shtetasit nga e drejta për ta ushtruar drejtpërsëdrejti sovranitetin dhe jo me anë të përfaqësuesve në Kuvend”.

Sipas Skëndajt deri më tani mungon vullneti politik për të plotësuar këtë vakum.

“Ka pasur dhe nisma për një ligj për referendumet, por nuk ka vullnet politik për ti përmirësuar apo ndryshuar ato e për të jetësuar një ligj të domosdoshëm që konkretizon instrumentin e referendumit, mjet i pastër i demokracisë direkte”,-përfundon Erida Skëndaj.

“Importi i plehrave-Referendum në tentativë”

Menjëherë pas ardhjes në pushtet të Kryeministrit Rama në vitin 2013, nisi një debat që lidhej me importin e plehrave në Shqipëri. Çështja kulmoi me protesta që mbushën sheshin para Kryeministrisë deri në heqjen dorë të qeverisë nga vendimi.

Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP), një grupim qytetarësh që kundërshtonte nismën, fitoi të drejtën e mbajtjes së një referendumi.

“Gjykata kushtetuese na dha të drejtën e referendumit për importin e plehrave. Presidenti na caktoi datën, por referendumi nuk u zhvillua, pasi Rama kur erdhi në pushtet shfuqizoi ligjin për importin e plehrave, kështu që ra objekti”,-shprehet Andi Tepelena, aktivist i AKIP.

Tepelena shton se ky ligj u propozua sërish nga kryeministri Rama mandatin e dytë:“AKIP e kundërshtoi sërish dhe pas protestave ligji për importin nuk kaloi”.

janar të vitit 2021, një grup qytetarësh e aktivistësh ndërmorën nismën për mbledhjen e 20 mijë firmave për të propozuar një ligj të ri për referendumet. Mirëpo, kjo nismë nuk rezultoi e suksesshme.

“Nuk ja dolëm dot ti mbidhnim brenda afatit të parashikuar nga ligji 20 mijë firma”,-tha Andi Tepelena.

Peticionet si nevojë për vendimmarrje lokale 

Shumë nevoja të pazgjidhura nga të vendimarrësit lokalë janë adresuar nga qytetarët dhe aktivistët përmes peticioneve.

Qëndresa Qytetare, një organizatë që advokon për edukimin dhe të rinjtë ka hartuar dhe ndërmarrë 12 peticione në katër vitet e fundit.

“Rreth 12-13 mijë qytetarë kanë nënshkruar në këto peticione ose iniciativa qytetare duke shfrytëzuar ligjin për vetëqeverisje vendore. Por sigurisht që një pjesë e tyre kanë marrë përgjigje ose kanë vënë në lëvizje këshillat bashkiakë”, -shprehet Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.

Xhemollari mendon se qytetarët janë gati të përfshihen në vendimmarrje.

“Unë do të hiqja një paralele mes referendumeve dhe peticioneve apo iniciativave, duke thënë që qytetarët shqiptarë mendoj që janë gati dhe mendoj që përfshihen në peticione dhe janë të gatshëm për të nënshkruar ose për tu bërë pjesë e qeverisjes në qoftë se mekanizmat ekzistojnë,-argumenton Xhemollari.

Organizata Politike (OP) është një tjetër grupim aktivistësh, e cili ka hartuar pesë peticione.

“Prej vitesh jemi angazhuar në shumë kauza, ndaj të cilave kemi reaguar në shumë forma, si tryeza diskutimi, protesta, greva, por gjithashtu një nga format e reagimit ka qenë dhe ndërmarrja e peticioneve, kryesisht: Kundër Ligjit të Arsimit të Lartë; Rikthimit të Abonesë së Përgjithshme; Mbrojtjes së hapësirave publike te zona e ish-Parkut të Autobusëve; Miratimi i Statusit të minatorit; Miratimi i minimumit jetik me ligj (21.000 nënshkrime)”,-tregon Viki Çipi, përfaqësuese Organizatës Politike  e cila ndryshoi emrin pas themelimit të partisë në Lëvizja Bashkë.

Megjithatë, përgjigja institucionale ka munguar.

“Në pjesën më të madhe të rasteve, peticionet kanë rënë në vesh të shurdhër, ku institucionet kanë bërë “ping-pongje” mes vetes, duke deleguar përgjegjësinë nga institucioni në institucion, por në disa raste as nuk kanë kthyer përgjigje”,-shprehet Çipi.

“Politika faktor pengues për referendumet”

Aktivistët e shohin shumë të rëndësishëm ekzistencën e referendumeve, veçanërisht për çështje lokale.

“Ka pasur protesta, ku një referendum lokal mund ti kishte zgjidhur shumë kollaj, siç është çështja e teatrit, pra prishjes së teatrit apo çështje të tjera që lidhen me urbanizimin, mbrojtjet e objekteve në qytete të ndryshme”,-argumenton Rigels Xhemollari.

Për Viki Cipin ligji për referendumet është një domosdoshmëri.

“Një nga objektivat tona është edhe përpjekja për t’u siguruar qytetarëve të drejtën e iniciativës ligjvënëse me referendum dhe lehtësimi i organizimit të refendumeve, në të kundërt nuk mund të kemi një demokraci pjesëmarrëse”.

Aktivistët theksojnë se politika ka qenë një faktor pengues për të çuar përpara një ligj që do të lehtësonte mbajtjen e referendumeve.

“Qeveritarët që na kanë keq-qeverisur ndër vite, të cilët nuk kanë miratuar një ligj të aplikueshëm për referendumet, duke marrë parasysh pragun e  nënshkrimeve qytetare për një referendum, afatet kohore, mbledhja e nënshkrimeve si dhe mbështetja financiare shtetërore për të gjithë procesin e mbledhjes së nënshkrimeve nga grupet nismëtare”,-sqaron Viki Çipi nga Lëvizja Bashkë.

“Me pak fjalë deri tani janë vetëm fjalë, nisma që kanë mbetur në sirtar, asgjë konkrete pasi klasa politike nuk është e interesuar për një ligj efikas për referendume, sepse do të vihej para presionit të referendumeve dhe do të humbte privilegjin e dominimit politik. Kjo është një nga betejat më të rëndësishme për demokracinë për të cilën ja vlen ti shkohet deri në fund”,-argumenton Andi Tepelena.

Për Rigels Xhemollarin në këto vite ka munguar dëshira e mirë e politikanëve për të pasur një formë tjetër dëgjimi të qytetarëve.

“Nuk ka pasur një vullnet as nga opozita, as nga pozita që këto iniciativa që janë tashmë në kuvend, që janë edhe projektligje që mjafton të ketë vetëm një votim dhe një vullnet të përbashkët të kthehen në ligje dhe më pas në mundësi për qytetarët. Madje ka pasur pengesa nga politika dhe kur qytetarët u bënë gati për një referendum referuar kushtetutës për sa i përket Aleancës Kundër Importit të Plehrave. Edhe atje politika u tregua e kujdesshme që referendum të mos shkonte në fund, të mos vendosej si precedent, por e zgjidhi këtë çështjen përpara se qytetarët të shkonin në një referendum”-argumenton Rigels Xhemollari.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *