Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Liqeni i Ohrit rrezikon të humbasë statusin “Pasuri Botërore” e UNESCO

Liqeni i Ohrit rrezikon të humbasë statusin “Pasuri Botërore” e UNESCO-s si pasojë e mosrespektimit të vazhdueshëm të rekomandimeve për mbrojtjen nga ndërtimet, shkarkimin e ujërave dhe ndotjen minerare.

Liqeni është pasuri ndërkufitare që ndahet mes Maqedonisë së Veriut (pjesë e UNESCO prej vitit 1979) ndërsa pjesa shqiptare iu bashkua UNESCO-s në 2019.

Një vit pas dhënies së statusit, përfaqësues të UNESCO-s kryen një misionin monitorimi në terren mbi zbatimin e rekomandimeve, ku listuan një sërë shqetësimesh dhe e klasifikuan progresin drejt zgjidhjes si “të ngadaltë dhe të pamjaftueshëm”.

Vëzhgimi në terren dhe biseda me ekspertë të mjedisit tregon se pushteti lokal dhe qendror në Shqipëri ka vijuar të neglizhojë marrjen e masave për rreziqet që i kanosen liqenit.

UNESCO kërkon ndalimin e aktiviteteve minerare; Shqipëria jep leje shfrytëzimi

Një ndër kërkesat e vazhdueshme të UNESCO-s është ndalimi dhe mbyllja e aktiviteteve minerare afër liqenit, si pasojë e ndotjes që shkaktojnë.

Zonat e papastruara dhe të ndotura nga ish-aktiviteti minerar (p.sh. hekur-nikeli, kromi) në Shqipëri do të ndikojnë më tej në të gjithë rajonin nëse lihen të pakontrolluara”, – shkruhet në raportin e vitit 2020 të UNESCO-s.

Eva Kushova nga organizata DMO (Organizata e Menaxhimit të Destinacionit) shpjegon se dampat minerare vijojnë të shfrytëzohen.

Në kohë me shi, të gjitha këto materiale rrjedhin në liqen dhe këto kimikate përfundojnë edhe si ushqim peshqit të cilët janë endemik, të rrallë”, shtjellon më tej Kushova, e cila pohon se një vit pasi Shqipëria mori statusin nga UNESCO, në vitin 2020 iu dha leje firmës “Alarup shpk” për aktivitet minerar qymyrguri në afërsi të zonës së mbrojtur.

Ministria e Mjedisit pohoi se leja është dhënë para krijimit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), dhe institucioni nuk mund ta rishikojë pasi nuk është kompetencë e tij.

Më tej, në përgjigjen zyrtare, Ministria e Mjedisit shkruan se në fazën e dëgjesave publike të zhvilluara nga firma “Alarup shpk” të bëra në vitin 2020, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura janë shprehur kundër këtij aktiviteti.

Një nga këto argumente ka qenë se ky aktivitet bie në zonën buferike te zonës UNESCO dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në liqen”, – shkruhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit.

Pesë prej lejeve për shfrytëzim minerar në zonën e Pogradecit mbarojnë gjatë viteve 2025-2027.

Ujërat e ndotur vijojnë të derdhen në liqen

Një ndër rekomandimet e UNESCO  është që të trajtohen ujërat e zeza që shkarkohen në liqen. Sipas një vëzhgimi nga eksperti i mjedisit Arian Meroli, në liqen derdhen ujera me përmbajtje të dëmshme për speciet endemike që janë të rrezikuara edhe nga mbipeshkimi dhe speciet aliene.

Fakti që këtu ka prezencë të madhe shkume tregon që përmbajtja e fosforit është e lartë. Fakti që cilësia e ujërave, tejdukshmëria e ujërave nuk është e pastër, tregon që ka edhe përmbajtje organike”, – sqaron Metolli.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, 90% e kanalizimeve të qytetit të Pogradecit dhe të Njësisë Administrative Bucimas janë realizar. “Mbeten për t’u realizuar punimet në njësinë Administrative Udënisht”, – shkruhet në përgjigjen zyrtare.

Rekomandimet për ndërhyrjet në Drilon bien në vesh të shurdhët

Fondi Amerikan i Zhvillimit (AADF) është duke zhvilluar punimet në Drilon, ndonëse UNESCO ka shfaqur kundërshti rreth këtij projekti i cili “duket i tepruar dhe i planifikuar në zonat që duhet të mbeten të pazhvilluara”.

Në raportin e vitit 2020, theksohet se “Parku Ujor Tushemisht-Drilon”, nëse implementohet sipas projektit, rrezikon vlerat universale për të cilat liqeni i Ohrit ka marrë statusin “Pasuri Botërore”.

Driloni në vetvete është një uetland (ligatinë) dhe uetlandet-et kanë shumë specifika. Shumë elementë të këtij uetland-i humbasin me rritjen e densitetit, kthimin e saj në një pikë turistike intensive”, – thotë në vijim eksperti i mjedisit Arian Meroli.

Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës pohojnë se UNESCO është vënë në dijeni rreth këtij projekti në vazhdimësi dhe se “roli i UNESCO-s është këshillimor nëpërmjet rekomandimeve të trupave këshillimore dhe jo konfirmues”.

Pasuria Natyrore dhe Kulturore e Pogradecit

Froseda Tola, përgjegjëse e sektorit të trashëgimisë kulturore në Bashkinë e Pogradecit, shpjegon se pjesa shqiptare është përfshirë në UNESCO pasi plotëson kriteret kryesore sa i përket vlerave kulturore.

Nuk është vetëm bazilika e Linit. Gjithsej janë rreth dhjetë monumente kulture që janë të shpallura dhe të mbrojtura nga ligjet shqiptare të cilat kanë vlera të jashtëzakonshme universale në atë që përfaqëson”.

Tola shpjegon se deri në vitin 2021, gërmimet për palafitet kanë qenë në ujë, ndërsa tani fillojnë po vijojnë në tokë. “Nga katër kritere që plotëson e gjithë zona këtu për t’u përfshirë në UNESCO, tre janë kritere të kulturës”, – shpjegon ajo.

Ruajtja e statusit “Pasuri Botërore” është shumë e rëndësishme vijon Froseda Tola, pasi do të frenonte ndërtimet dhe do të nxisë ruajtjen e pasurive kulturore.

Duke parë periudhën përpara përfshirjes në UNESCO të liqenit, kur bëhej përgatitja e dosjes, shumë ndërtime të paligjshme u hoqën”, – shpjegon ajo. “Mungesën e vëmendjes do t’i shtynte njerëzit që të ndërtonin më shumë”.

Duket sikur nuk është zhvillim në aspektin jetësor futja në UNESCO, por përkundrazi, në aspektin afatgjatë për mua është zhvillim”, – përfundon Froseda Tola.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *