Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mungesa e ndriçimit në Qytetin Studenti rrit pasigurinë për vajzat

“Nuk është se ndihemi të sigurta kur kthehemi natën, pasi mungon ndriçimi në këtë zonë”, shprehet Borana Jaçaj, studente dhe banuese në Qytetin Studenti.

Prej dy vitesh Borana jeton në Qytetin Studenti. Ajo tregon se këtë zgjedhje e ka bërë për arsye ekonomike por dhe për shkak se zona aty shihet si një zonë studentore dhe prindërit e shohin si më të sigurt.

Por Borana shprehet se nuk e ka gjetur këtë siguri në Qytetin Studenti, pasi kur kthehet vonë dhe është errësirë ajo ndihet e pasigurt. 

Borana Jaçaj, studente

“Këtu në QS kanë akses të pakufizuar edhe pse supozohet të jetë zonë për studentë, qytetarë të të gjitha background-eve”, thotë Borana për Citizens Channel teksa shton se nuk ka monitorim të mjaftueshëm nga efektivët e policisë.

Rrugët e pandriçuara në zonën e Qytetit Studenti, zonë e cila nuk banohet vetëm nga studentët, është kthyer në një problematikë për vazjat që banojnë aty.

Problemin e Boranës e ndajnë dhe shumë studente të tjera, të cilat kanë denoncuar rastet e tyre tek Lëvizja për Universitetin LPU. Aktivistët e LPU-së mbajtën një protestë të shtunën përballë drejtorisë së konvikteve për të denoncuar këtë problematikë dhe i bënë thirrje institucioneve të reagojnë.

Studente dhe aktivistë të Lëvizjes për Universitetin gjatë aksionit për denoncimin e rasteve te ngacmimeve seksuale në QS

Sot, është momenti t’i kërkojmë llogari Drejtorisë së Konvikteve dhe Rajonit të Policisë, për faktin që në orët e vona të natës nuk sigurojnë mbrojtje për vajzat”, u shpreh aktivistja Loreta Koleci. Aktivistët gjithashtu i kërkuan llogari Bashkisë Tiranë për mungesën e ndriçimit.

Pamje e Qytetin Studentit natën në zonën qendrore të tij

“Të pasigurta në errësirë, studentet kërkojnë reagim nga institucionet”

Borana ndau me Citizens Channel një rast personal ku ajo ishte përballur me një ngacmim seksual në rrugët e Qytetin Studentit, rast të cilin e ka denoncuar në polici.

“Kam vajtur tek policia për të raportuar një rast krimi edhe nga policia domethënë efektivi i policisë më është përgjigjur me ngacmim seksual dhe unë mendoj se kjo është komplet e papranueshme”, tregon Borana dhe shprehet se kjo është e papranueshme.

“Përgjigja që pritet nga efektivi i policisë është një përgjigje e cila e mbështet viktimën, nuk e stigmatizon atë”, thotë Borana.

Gresimelda Sula është një tjetër studente, banuese në Qytetin Studenti tregon se e ka përjetuar pasigurinë kur i duhej të kthehej vonë pas pune.

Gresimelda Sula, studente

“Kam punuar për arsye ekonomike dhe kthehem shumë vonë, dhe jam ndjerë e pasigurt, rrugët janë pa ndriçim dhe e shton edhe më tepër rrezikun”, thotë ajo për Citizens Channel.

Gresmileda ngre si shqetësim faktin që në Qyteti Studenti ka akses çdo individ dhe për të kjo e bënë edhe më të pasigurt zonën. Sipas saj Qyteti Studenti nuk i ngjason aspak një kampusi universitar.

“Shikon djem ose burra, që kalojnë këtu me makina dhe jo vetëm edhe në këmbë dhe është e pasigurt. Arsyeja pse ndodh kjo  gjëja është sepse Qyteti Studenti është një zonë e hapur domethënë hyn dhe del kushdo pa u kontrolluar dhe kjo gjëja është problem”, shprehet Gresimelda.

Sabina Duka studente në Fakultetin e Gjuhëve të huaja ka zgjedhur të jetoj në konviktet e Qytetit Studenti edhe për shkak të afërsisë me fakultetin ku studion.

Një nga rrugicat në qendër të Qytetin Studentit

Sabina ndan me Citizen Channel eksperiencën e saj mbi sigurinë në këtë zonë.

“Unë kam dy vite që jetoj në Qytetin Studenti, dhe kjo pasiguria për t’u kthyer natën në konvikt, dhe e kam ndjerë pasigruinë çdo ditë aty”, thotë Sabina.

Ajo tregon se popullimi i zonës me biznese private dhe me banorë që nuk janë studentë e bënë zonën të pasigurt për studentet.

“Është dhe stigma, fakti që në shohin si “konviktore” dhe ajo zonë shihet si një zonë ku djemtë mund të vijnë dhe të ngacmojnë”, shprehet Sabina.

Edhe Sabina i bashkohet thirrjeve të studenteve të tjera për më shumë prani të policisë në zonë dhe për ndriçimin.

“Kampusi universitar një premtim i pambajtur”

Kampusi studentor mbetet një premtim i pambajtur prej vitesh. Sikruse studentet u shprehen ideja e kampusit dhe popullimi i zonës vetëm nga studentë do e bënte zonën më të sigurt për to.

Kampusi parashikonte të ofronte ambiente të reja për studentët, si laboratorë krijues, Opera Studio, mensa, terrene sportive, biblioteka dhe një sërë hapsirash në funksion te jetës studentore. Po ashtu, kampusi parashikohet të zerë një sipërfaqe prej 110 metrash katrorë dhe 11 godina shtesë.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e ka premtuar disa herë ndërtimin e kampusit universitar.

“Brenda pak kohësh, studentët do të kenë një kamp universitar me 11 godina të reja, salla leximi dhe mjedise moderne”, – shkruhet në një postim në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë. 

Ky premtim erdhi në janar të vitit 2019, fill pas shpërthimit të protestave studentore përballë Ministrisë së Arsimit.

Qeveria garantoi se kampusi universitar do të përfundojë brenda mandatit tjetër të kryetarit të Bashkisë, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Projekti per Kampusin Universitar ne Qytetin Studenti

Punimet priteshin të fillonin në vitin 2020, premtim i cili ishte bërë edhe më herët në vitin 2015. Sipas Kryeministrit Edi Rama këto premtime nuk u mbajtën sepse Qyteti Studenti ishte zaptuar nga politikanët për interesa private.

Në Qytetin Studenti ka ndodhur vetëm rikonstruksioni i godinave ekzistenve, i cili nuk ka përfunduar plotësisht, teksa 11 godinat e reja të premtuara për ndërtim si pjesë e kampusit nuk janë bërë ende, edhe pse afati i garantuar ka kaluar.

Edhe rikonstruksioni ka shfaqur problematika pasi në disa godina është ndryshuar vetëm fasada, duke i lënë konviktet në brendësi të amortizuara.

Përpos mungesës së cilësisë në konvikte ka një mungesë të theksuar edhe të kapaciteteve. Tirana strehon vetëm 7% të studentëve me konvikte, teksa pjesa tjetër i drejtohen shtëpive me qera, çmimet e të cilave po bëhen të papërballueshme për studentët.

Citizens Channel i ka dërguar një kërkesë Bashkisë Tiranë mbi ecurinë e punimeve dhe arsyen e vonesës për ndërtimin e kampusit, por nuk ka marrë ende një përgjigje.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *