Raporti i fundit për Lirinë e Medias tregoi se Shqipëria ka shënuar një rritje të rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve gjatë vitit 2022.

Vitin e kaluar u regjistruan 813 shkelje të lirisë së medias në shtetet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate, ku janë përfshirë 1,339 individë ose media. Rastet shënuan një rritje të konsiderueshme krahasuar me 2021, megjithëse duhet theksuar se Ukraina dhe Moldavia nuk ishin përfshirë në analizën e vitit të kaluar.

Sipas hartëzimit të rasteve të dhunës, Shqipëria ka 17 alarme drejt 30 personave, teksa një vit më parë kishte 14.

Numri i sulmeve ndaj gazetareve/ Burimi: MFRR

Edhe raporti i Këshillit të Europës për vitin 2021 dhe fillimin e 2022, tregoi se janë rritur kërcënimet ndaj gazetarëve. 

“Dhuna fizike dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve ishin kërcënimet më të rënda për lirinë e shtypit në Shqipëri në vitin 2022. Veçanërisht shqetësues ishte numri i incidenteve të dhunës së policisë ndaj gazetarëve, 7 nga 17 shkelje vinin nga policia”, thuhet në raportin e MFRR.

Për Shqipërinë, raporti ngre si shqetësim edhe retorikën e përdorur nga kryeministri Edi Rama ndaj gazetarëve. 

Këtu përmenden rastet e dënimit të gazetarëve që kanë bërë pyetje kritike. Reagimi i Kryeministrit u prit edhe me protesta në Shqipëri nga gazetarët, të cilët e cilësuan si një cenim të lirisë së fjalës.

“Në përgjithësi, mjedisi për gazetari të pavarur dhe mbikëqyrëse apo pluralizmi mediatik mbetet sfidues”, vlerëson raporti.

“Policia ushtruese e dhunës në 41.2% të rasteve”

Rezultatet e raportit kanë zbuluar se policia ka qenë agresori i dhunës në 41.2% të rasteve të raportuara.

Policia ka sulmuar gazetarët në shumë raste kur ata kanë qenë duke raportuar në protesta.

Në janar, Ledio Guni nga kanali Fax News u shtrua në spital pasi u sulmua nga oficerët e policisë teksa po filmonte një protestë në Tiranë. 

Gjithashtu gazetari Simon Shkreli u pengua me forcë nga policia teksa filmonte një operacion të forcave speciale në Shkodër.

Në Tiranë fotoreporteri Gent Shkullaku u përball me policinë, e cila i konfiskoi kamerën dhe e urdhëroi të fshinte fotografitë që e tifozëve që po përplaseshin me policinë, me argumentin se këto foto dëmtonin e imazhin e vendit.

Një tjetër rast u regjistrua në nëntor, ku gazetari i Report Tv  Adriatik Doçi, u sulmua fizikisht nga persona të paidentifikuar. 

“Doçi është ndjekur nga disa persona të cilët mësohet se e kanë goditur nga pas me sende të forta pranë banesës së tij në kryeqytetin shqiptar”, thotë raporti. 

Një gazetar tjetër u kërcënua nga një burrë që dyshohet se kishte lidhje me krimin e organizuar.

Ndër të tjera raporit përmend edhe sulmet kibernetike ndaj mediave online në janar të viti 2022, duke theksuar se këto ndohën pasi këto media publikuan një kasetë ku ishte i përfshirë kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj duke folur ashpër me zyrtarët lokalë të futbollit në një skandal të supozuar zgjedhor.

Po ashtu përmendet rasti i Prokurorisë së Tiranës, e cila u kërkoi gazetarëve të mos publikonin të dhënat e dala nga hakerat iranianë.

“Prokuroria e Tiranës ndaloi mediat të publikojnë çdo të dhënë apo informacion nga dosjet e hakuara gjatë sulmeve kibernetike, duke kërcënuar me sanksione penale dhe bllokim të faqeve të internetit për ata që shkelin kufizimin”, thuhet në raport. 

Edhe rasti i kryeprokurores Elizabeta Imerajt dhe gazetarëve që mbulojnë sektorin e gjyqësorit përcillet në raport. 

Raporti përmend se gazetarët që raportuan procesin e vetingut për Elizabeta Imerajn u përballën me kërcënime dhe fushata shpifjes.

“Gazetarët në Shqipëri punojnë në një klimë kufizuese për marrjen e informacionit nga burime qeveritare dhe gazetarëve që konsiderohen si përfaqësues të mediave “opozitare” iu mohua akreditimi ose u ndalua të bënin pyetje në konferenca shtypi”, thuhet në raport. 

Dy raste të tjera të regjustruara si cënim i lirisë së medias gjatës 2022 janë ato të gazetarit Klevin Muka në A2 CNN dhe Ambrozia Meta nga Syri Tv, të cilët u dërguan “në riedukim” nga kryeministri Edi Rama.

“Ndryshimet e propozuara në ligjin për Lirinë e Informacionit (FOI) të botuara në tetor u kritikuan nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias”, përmbyll raporti për Shqipërinë.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu