Instituti i Statistikave (INSTAT) njoftoi se në 18 shtator 2023 do të nisë Censi i Popullsisë dhe Banesave. Numërimi do të zgjasë gjashtë javë, dhe grupet do të mbledhin të dhënat duke trokitur derë më derë, deri në fund të muajit tetor.

Ky cens pritet të sjellë disa risi.

“Përdorimi i pajisjeve elektronike (tabletë), të cilat do të zëvendësojnë pyetësorët letër për procesin e mbledhjes së të dhënave në terren; Modernizimi i Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS) – mbledhja, monitorimi, analiza dhe shpërndarja e të dhënave; Censi do të shërbejë si bazë për konceptimin dhe krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë banuese, ndërtesave dhe banesave”,- thuhet në faqen zyrtare të INSTAT.

Censi është cilësuar si mjeti i organizimit të përgjithshëm të shtetit, për aq kohë sa ofron të dhëna zyrtare për numrin e popullsisë si dhe karakteristika demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë si dhe të dhëna për pronat, banesat dhe karakteristikat e tyre.

Ky cens do të jetë censi i 12-të që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, teksa më 1923 u krye censi i parë.

“Një numërim i vonuar”

Realizimi i censit është shtyrë disa herë prej lajmërimit për t’u mbajtur në tetor të vitit 2020. Për shkak të pandemisë dhe virusit Corona, censi u shty duke vendosur një afat të ri që ishte tetori i vitit 2022.

Mirëpo kjo datë u shty sërish. Në mars të vitit 2022, INSAT hapi një tender për të blerë tableta me një vlerë prej 233 milionë lekë, por tenderi u bllokua.

Censi i fundit i realizuar në Shqipëri është ai i vitit 2011, ku u vu re se popullsia ishte zvogëluar me 6.3% krahasuar me regjistrimin e vitit 2001.

Përgjatë periudhës komuniste, ky proces numërimi quhej “regjistrimi i popullsisë”. Në vitin 2001 u quajt “Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banseave”, ndërsa në vitin 2011 u quajt “Censusi”. Për regjistrimin që do të mbahet në shtator të këtij viti, regjistrimi do të quhet “Censi”.

Popullsia sipas censit ndër vite

Censi i parë u realizua në vitin 1923, kur në pushtet ishte qeveria e Fan Nolit. Sipas këtij censi në Shqipëri banonin 823 mijë banorë.

Më 1930, kur vendi drejtohej nga mbreti Zog, popullsia rezultoi 833,600 banorë, duke pasur një shtim prej 2.4% krahasuar me vitin 1923.

30 shtator 1945, kur u zhvillua censi i radhës popullsia ishte 1 milion e 122 mijë banorë, me një rritje 34.6% nga regjistrimi i vitit 1930.

Në regjistrimin e vitit 1950 popullsia shënoi 1 milion e 218 mijë banorë.

Në regjistrimin e vitit 1960, popullsia u rrit me 33.4% duke shkuar në 1 milion e 626 mijë e 300 banorë.

Në regjistrimin e vitit 1979 popullsia shkoi në 2 milionë e 590 mijë e 600 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1989 kur u bë dhe regjistrimi i fundit në sistemin komunist, popullsia arriti në 3 milionë e 182 mijë e 400 banorë.

Pas rënies së regjimit komunist regjistrimi i popullsisë është kryer vetëm dy herë, përkatësisht në vitin 2001 dhe në vitit 2011. Në regjistrimin e vitit 2001, popullsia ishte 3 milionë e 23 mijë e 734 banorë, ndërsa ajo e vitit 2011 u ul në 2 milionë e 831 mijë e 741 banorë.

Sipas të dhënave të INSTAT, ky trend pritet të shoqërojë edhe censusin e këtij vitit, pasi më 1 janar 2022 popullsia e Shqipërisë ishte 2.8 milionë banorë, duke pësuar një tkurrje me 14% prej vitit 1990.

 

 

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu