Tirana shënoi rekordin e radhës për sipërfaqen e ndërtimit. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2022 kryeqytetit iu shtuan 1.8 milionë metër katror ndërtime.

Vetëm gjatë tremujorit të parë të 2022, në Tiranë u miratuan 800 mijë metër katror leje ndërtimi.

Krahasuar me qytetet e tjera të vendit, Tirana vijon të mbajë rekord, duke mbajtur kështu dhe peshën më të madhe të sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit. Në 2022, në Tirana u dha rreth 68% e totalit të lejeve që jepen në të gjithë vendin.

68% e lejeve të dhëna në Shqipëri i përkasin Tiranës, që prej vitesh vijon të jetë qyteti ku ngrihen pjesa dërrmuese e ndërtimeve të reja.

Edhe numri i lejeve u rrit me 37 %, duke thyer kështu tendencën e rënies në 4 vitet e fundit. Gjatë 2022 në Tiranë u dhanë 368 leje për ndërtime të reja, duke iu afruar kështu vitit 2018, ku lejet e dhëna shënuan vlerën më të lartë (388).

 Vlera e lejeve të ndërtimit, sipas INSTAT gjatë 2022 ishte afërsisht 113 miliardë lekë, për punime inxhinierike dhe ndërtesa. Në 2021 kjo vlerë ishte 99.2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 14%.

Në një analizë të Citizens Channel u pa se rritja e numrit të lejeve të ndërtimit nuk korrespondon me numrin e popullsisë, pasi që edhe pse ndër vite popullsia e Tiranës është rritur, rritja vjetore e numrit të popullsisë ka qenë në ulje. Por kjo  nuk ka ndodhur me sipërfaqet e lejeve të ndërtimit.

Procesi i ndërtimit në kryeqytet është parë nga ekspertët si një formë e pastrimit të parave. E gjitha kjo në kurriz të trashëgimisë së Tiranës dhe hapësirave të gjelbra.

Po ashtu në vëmendje të kritikës së ekspërtëve ka qenë dhe qendra e Tiranës,e  cila është rrethuar me kulla shumëkatëshe dhe sikurse të dhënat tregojnë ndërtimet vijnë duke u rritur. Në tetor 2022 u prezantua plani për një tjetër kullë shumëkatëshe në qendër të kryeqytetit.

I gjithë procesi i ndërtimit ka sjellë pasoja dhe në trashëgiminë dhe identitetin e qytetit.

Një investigim i Citizens Channel, publikuar në maj të 2021 shpjegon si Bashkia e Tiranës dhe qeveria shqiptare po zëvendësojnë godinat historike me kulla shumëkatëshe, duke anashkaluar një sërë procedurash ligjore.

“Tërmeti si mjet për të ndërtuar”

Pas 3 vitesh që nga tërmeti i 2019, qeveria ka përdorur argumentin e dëmtimit nga tërmeti për të shembur pallate dhe ndërtuar në zona të caktuara, si rasti i Kombinatit në kryeqytet.

Në Kombinat 67 pallate kanë marrë miratimin për t’u shembur nga bashkia Tiranë si pasojë e tërmetit, përmes vendimeve të Këshillit Bashkiak. Janë zbatuar 28 vendime deri më tani.

Sakaq, banorët e zonës e kanë kundërshtuar shembjen, duke e konsideruar procesin e verifikimit të pavërtetë.

banorët kanë ngritur 15 padi ndaj bashkisë Tiranë dhe deri më tani Gjykata Administrative ka vendosur të shfuqizojë 9 prej vendimeve për shembje, duke provuar se nuk kanë shkallë të lartë dëmtimi dhe nuk duhet të shemben.

Sipas nenit  34 të aktit normativ numër 9/2019 të miratuar për përballimin e pasojave të tërmetit, nëse ndërhyrjet për riparimin e strukturës së godinës kushtojnë më shumë se 70% e kostos së rindërtimit nga e para të godinës, atëherë autoriteti përgjegjës vendos shembjen e detyruara të këtij objekti.

Prej tërmetit një pjesë e banorëve të Kombinatit janë zhvendosur nga lagjja e tyre duke përfituar bonusin e qirasë. Në mars 2022 ata protestuan për të kërkuar ndërtimin e pallateve aty ku ishin dhe sa më shpejt nga ana e bashkisë.Ndërkohë një vendim i bërë publik nga “Scan Tv”, sipas të cilit të gjithë objektet, që kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar do të duhet t’i nënshtrohen auditimit teknik.

Pra të gjitha këto objekte do të kalojnë në një ekspërtizë të thelluar e cila do të vlerësojë gjendjen teknike të objekteve.

Në rast se objekti nuk i përmbush kushtet teknike, i hapet rrugë riparimit ose prishjet.

 

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu