Tri gra u vranë dhe tri u plagosën sot në Paskuqan, Kamëz dhe Astir.

Sipas Policisë së Shtetit, autori Dan Hutra ka qëlluar me armë kundrejt të gjithë familjes së ish- bashkëjetueses së tij dhe për pasojë janë plagosur ish-bashkëjetuesja dhe nëna e saj dhe kanë humbur jetën motra dhe kunata e saj.

Autori ka qenë i dënuar në vitin 2007 për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe më 2022 është arrestuar për dhunë në familje.

Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kamëz ku është vrarë në oborrin e shtëpisë me armë zjarri Etleva Kurti, 31 vjeçare.

Pak më herët nga ngjarjet më sipër, u plagos me thikë 40-vjeçarja Marjana Gurakuqi në Astir. Policia ende nuk ka zbardhur detajet, ndërsa dyshohet se autori i të tre ngjarjeve është i njëjtë.

Përgjatë vitit 2022 janë vrarë nëntë gra nga bashkëshortët apo bashkëjetuesit e tyre, ndërsa po në këtë vit ka pasur 4000 denoncime të dhunës në familje. Në 10 vjeçarin e fundit në Shqipëri janë vrarë 150 vajza.

Jetlira Elezi, u vra nga bashkëjetuesi i saj gjatë natës së 30 korrikut 2022 në Elbasan. Vrasja dyshohet se ka ndodhur për shkaqe xhelozie, ndërkohë që Jetlira kishte marrë urdhër mbrojtjeje pak ditë më përpara.

Valdete Manaj, u vra nga bashkëshorti i saj me thikë në zemër më 8 shkurt 2022 në Fier. “Po, unë e vrava, e bëra për xhelozi”,-tha bashkëshorti në polici.

Vitore Pacuku, u vra nga bashkëshorti i saj në orën 6 të mëngjesit në Mirditë. Bashkëshorti pretendoi se vrasja u krye nga pakujdesia teksa pastronte armën, ndërsa familja e viktimës nuk hapi dyert e mortit duke pretenduar se burri e vrau me dashje.

Kristjana Brakaj u vra nga bashkëjetuesi i saj në Greqi. “I erdhi një mesazh në telefon dhe unë e humba toruan”, -deklaroi autori pas dorëzimit në polici.

Mynevere Karabollaj u vra nga ish-bashkëshorti i saj me dhjetë plumba. Pasi qëlloi ish-bashkëshorten me të cilën kishte edhe një bajzë 15-vjecare, ka lënë të vdekur edhe të dashurin e saj aktual.

Fatime Suli u vra më 21 janar 2022 në Kuçovë nga krushku i saj për shkak të një borxhi që pretendohej se I kishte autorit. Nga autopsia u zbulua se ishte mbytur me duar.

Bukurie Bami dhe nusja e saj Fatmira Bami u qëlluan për vdekje me sende të forta nga komshiu i tyre, i cili po tentonte t’i vidhte.

Merushe Hazizi u vra nga babai I bashkëjetuesit të saj, pasi nuk ishte dakord me marrëdhënien e tyre për shkak se Merushja kishte qenë më parë e martuar dhe kishte tre fëmijë.

Fatmira Bami u qëllua bashkë me vjehrrën e saj për vdekje me sende të forta nga komshiu, i cili tentoi ti vidhte

Vrasjet janë kryer brenda familjes, nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët dhe familjarë, kësisoj kemi të bëjmë me femicid.

Çfarë është femicidi? 

Femicidi ose feminicidi është një term i krimit të urrejtjes, i përkufizuar gjerësisht si vrasje e qëllimshme e grave ose vajzave për shkak se ato janë femra. Vrasja e një gruaje nga një partner. Partneri kuptohet si bashkëshorti ose partneri i mëparshëm ose aktual, pavarësisht nëse dhunuesi ndan ose nuk ka të njëjtën banesë me viktimën.

Urdhrat e mbrojtjes në shifra 

Në Shqipëri çdokush që e sheh jetën të rrezikuar nga individë brenda familjes mund ta adresojë te autoritetet, garantuar kjo nga ligji “Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”, i vitit 2006. Ky ligj ka në vetvete një mekanizë që ofron mbrojtje të personave që kanë përjetuar dhunë përmes “Urdhrit të Mbrojtjes” dhe “Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes”. Më 2018 ky ligj u pasua me disa ndryshime.

Urdhri për mbrojtje lëshohet për 48 orë nga policia dhe në rastet kur dhunuesi shkel udhëzimet e policisë ai dënohet sipas ligjit.

Në Shqipëri numri i urdhrave të mbrojtjes të shqyrtuar nga gjykatat ka qenë të lartë.

Për vitin 2019 pranë Rrethit Gjyqësor Tiranë janë shqyrtuar 804 raste për “Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje”, nga të cilat 390 janë pranuar, 302 janë pushuar dhe 111 janë rrëzuar përfshirë edhe një prej tyre të pajtuar. Shumica e këtyre kërkesave për urdhër mbrojtjeje të menjëhershëm kanë ardhur nga vajzat dhe gratë.

Gjatë atij viti janë shqyrtuar 150 çështje sa i përket “Urdhër Mbrojtjeje”, prej te cilave 68 janë pranuar, 49 janë pushuar dhe 33 janë pushuar.

Ndërsa për vitin 2020, janë shqyrtuar 144 çështje lidhur me kërkesën për “Urdhra Mbrojtjeje” nga të cilat 57 janë pranuar, 52 janë pushuar dhe 35 janë rrëzuar.

Po në të njëjtin vit, janë trajtuar 796 kërkesa për “Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje”, prej nga ku janë pranuar vetëm 442 kërkesa.

Përgjatë vitit 2021 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë shkuar 122 kërkesa për “Urdhër Mbrojtjeje”, prej të cilave 47 janë pranuar. Ndërsa kërkesat për “Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje” për 2021 kanë qenë 693 prej të cilave 339 janë pranuar.

Gjykata e rrethit Durrës përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2021 ka dhëne 236 vendime për “Lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes”.

Gjykata e rrethit Vlorë deri në muaji nëntor 2021 ka dhënë 103 urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje dhe 9 urdhra mbrojtjeje. Ndërsa sipas Drejtorisë Vendore të Policisë ne Durrës nga vitit 2015 deri më 2021 numri i kërkesave për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes është 3536.

Në Drejtorinë e Policisë së Fierit nga vitit 2015 deri më nëntor të vitit 2021 janë evidentuar 1299 kërkesa për urdhër mbrojtjeje, ndërsa janë kryer 937 denoncime për dhunën në familje.

  1. Urdhri i mbrojtjes është urdhri i lëshuar me vendim gjykate, ku parashikohen masat
    mbrojtëse për viktimën, fëmijët dhe sipas rastit, masa për rehabilitimin e dhunuesit.
  2. Urdhri i menjëhershëm plotësohet nga Policia, lëshohet nga Gjykata dhe zgjat 20 ditë, deri në vendimin përfundimtar për ta zgjatur më tej ose për ta pushuar atë. Pas 20 ditësh, nëse kjo masë mbrojtëse zgjatet, bëhet urdhër mbrojtjeje dhe mund të shkojë deri në 1 vit. Gjatë kësaj kohe, viktimës i garantohet çdo muaj mbrojtja ligjore dhe ndihmesa monetare prej 3000 lekësh në muaj.

 

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu