Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ndërtesat 50-vjeçare në dorë të bashkive, projekt-vendimi ngre shqetësime për klientelizëm dhe probleme me pronën

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muça së bashku me drejtorin e Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli reaguan dje me një deklaratë për shtyp në lidhje me projektvendimin për auditimin e banesave që kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar.

Qeveria shqiptare po synon që këto ndërtesa t’i nënshtrohen auditimit teknik dhe ekspertizës së thelluar për të vlerësuar gjendjen teknike aktuale dhe kapacitetin mbajtës.

Shkreli deklaroi dje se nuk ka asnjë vendim për shembje banesash të 50 viteve më parë, por sipas tij do të ketë vetëm auditim teknik të këtyre banesave. Në projektvendim përmendet në tre pika shembja e banesave.

Edhe pse Shkreli deklaroi dje se ky nuk është një vendim për shembje, projektvendimi parashikon se Instituti i Ndërtimit mund t’i hapë rrugë shembjes nëse kostot e riparimit të objektit i tejkalojnë ato të riparimit.

“Juristët: Projektvendimi nuk është kushtetues”

Avokatja Irena Dule shprehet se në parim ky vendim është i nevojshëm. “Por djalli flen te modalitetet e VKM-së”, thotë ajo.

“Në sistemin ligjor dhe ekonomik që kemi zgjedhur të kemi, ky Vendim i Këshillit të Ministrave nuk është as kushtetues dhe as ligjor”, shprehet Dule e cila sheh si problematike pikat I/3 dhe I/7 që i lejojnë autoriteteve të përcaktojnë në fshehtësi audituesit, duke i hapur rrugë klientelizmit ose manipulimit të rezultateve për interesa private.

Ajo thekson se është gabim t’i japësh një kompetencë disa organeve ,“por më problem është të mos vendosësh kritere se si do bëhet identifikimi. Kjo patjetër lë vend për abuzime (pika I/4).”

Më tej avokatja sqaron vendimi në pikën I/5, e lë të pa qartë se cilat janë pallatet që do të auditohen të parat.

Irena Dule, avokate

“Sipas vendimit, oponenca teknike e akteve të auditimit do të kryhet nga Instituti i Ndërtimit. Ky organ nuk i ka kapacitetet për të prodhuar këto akte. Sipas përfundimeve të KLSH pas një auditimi të oponencave teknike të këtij Institucioni, (për periudhën janar 2020-shkurt 2021)”, thotë më tej Dule.

“E gjithë Tirana si Kombinati pas tërmetit”

Blloku i palalteve të shembura në Kombinat i fotografuar nga lart

Bashkia e Tiranës vendosi shembjen e 67 pallateve në zonën e Kombinatit pas tërmetit të vitit 2019. Banorët  ngritën 15 padi për të kundërshtuar shembjet e deri më tani Gjykata Administrative ka vendosur të shfuqizojë 9 prej vendimeve për shembje, duke provuar kështu se akt-ekspertimet mbi të cilat është mbështetur bashkia kanë deklaruar një shkallë më të lartë ndërtimi se ajo reale.

Avokatja Irena Dule dhe Qendra Res Publica ka ndjekur ligjërisht çështjet e banorëve, thekson se këto institucione kanë keq-funksionuar.

“Jam dëshmitare e vendimmarrjeve të bashkisë Tiranë dhe oponencave teknike që nuk kanë realizuar funksionin e tyre dhe kanë “certifikuar” fakte të pavërteta, të ofruara nga aktet e auditimit të porositura, ndaj në ato herë që ato i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor janë shfuqizuar.”, shprehet Dule.

Në përfundim ajo shton se pronarët e objekteve janë të përjashtuar nga vendimmarrja mbi pronat private. “Banorët apo thjesht pronarët, as njoftohen, as pyeten, as janë pjesë e vendimarrjes”, deklaron avokatja, duke shtuar se vendimi nuk ka asnjë parashikim se si do të trajtohet pronësia pas shembjes.

Endri Duro, inxhinier gjeoteknik sqaron se një nga elementët kryesorë të menaxhimit të riskut të fatkeqësive është dhe reduktimi i dëmeve të mundshme njerëzore apo materiale që mund të shkaktohen nga një ngjarje natyrore siç është tërmeti me anë të ndërhyrjeve dhe propozimeve inxhinierike.

Endri Duro, inxhinier gjeoteknik

“Projekt propozimi, parimisht përbën një domosdoshmëri në këtë aspekt sepse mbi të gjitha do të jepte mundësinë e krijimit të një databaze të plotë edhe të shëndoshë, e cila fatkeqësisht është larg niveleve të kënaqshme”, thotë Duro.

Ai shton se nga ana tjetër se një proces i tillë duke nisur me investigimet paraprake, analizat laboratorike, simulimet dhe llogaritjet e domosdoshme inxhinierike si dhe rekomandimet përkatëse “kanë nevojë për burime jo të vogla njerëzore dhe financiare, e cila kërkon një prioritizim”.

“Zgjedhja e një periudhe 50 vjeçare lidhet me mirëfunksionimin e objekteve përgjatë jetëgjatësisë së tyre, por megjithatë personalisht mendoj se faktori moshë duhet të kombinohej me funksionaliteti e objekteve dhe zgjedhjen e atyre objekteve që quhen “kritike” si shkollat apo spitalet”, përmbyll Duro.

“Mbi 1.8 milionë metër katror leje ndërtimi të dhëna gjatë 2022”

Qendra e Tiranës 2022; Foto nga Andri File

Ndërsa projektvendimi ngre shqetësime mbi përdorimin e tij si mjet për shembjen e banesave të vjetra dhe hapjen rrugë ndërtimeve të reje, numri i lejeve të ndërtimit gjatë 2022 vijoi të rritet.

Tirana shënoi rekordin e radhës për sipërfaqen e ndërtimit. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2022 kryeqytetit iu shtuan 1.8 milionë metër katror ndërtime.

Vetëm gjatë tremujorit të parë të 2022, në Tiranë u miratuan 800 mijë metër katror leje ndërtimi. Krahasuar me qytetet e tjera të vendit, Tirana vijon të mbajë rekord, duke mbajtur kështu dhe peshën më të madhe të sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit. Në 2022, në Tirana u dha rreth 68% e totalit të lejeve që jepen në të gjithë vendin.

68% e lejeve të dhëna në Shqipëri i përkasin Tiranës, që prej vitesh vijon të jetë qyteti ku ngrihen pjesa dërrmuese e ndërtimeve të reja.

Edhe numri i lejeve u rrit me 37 %, duke thyer kështu tendencën e rënies në 4 vitet e fundit. Gjatë 2022 në Tiranë u dhanë 368 leje për ndërtime të reja, duke iu afruar kështu vitit 2018, ku lejet e dhëna shënuan vlerën më të lartë (388).

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *