Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Të punosh në të zezë”, informaliteti i mban punonjësit të keq paguar dhe të pasigurt

Enver Muça është 32 vjeç dhe baba i tre fëmijëve. Prej më shumë se 13 vitesh ai punon në sektorin e ndërtimit

“Kam punuar 2 muaj në një vend 2 muaj në një tjetër, edhe për shkak të llojit të punës por ndonjëherë e kam ndërruar edhe se kushtet kanë qenë shumë të këqija”, tregon Enveri. Pjesën më të madhe të kohës ai është detyruar të punojë në informalitet, ndërsa tregon se ka vetëm katër vite sigurime.

Ai shprehet se informalitetin e ka hasur si në periudhat kur ka qenë në emigrim ashtu edhe gjatë punëve që ka bërë në Shqipëri.

“Kam pasur raste që edhe kur kam pasur një kontratë ka qenë fiktive, pra tjetër punë bëja tjetër shkruhej aty. Edhe unë punoja 12 orë, po sigurimet më paguheshin për 4 për shembull”, rrëfen ai për Citizens Channel.

Enveri tregon se puna informale përveç pagave të ulëta të përball edhe me kushte çnjerëzorë.

Nuk të trajtojnë si njëri. Të punosh mbi 12 orë, pa kushte sigurie, përditë me frikën se mund të rrëzohesh, për ndërtimin flas më shumë. Po ashtu marrëdhënia që kanë përgjegjësit aty me punëtoret na trajtojnë si kafshë pune”, shprehet Enveri.

Ai tregon se puna me orare të zgjatura u jepet me detyrim dhe jo si zgjedhje pasi orët shtesë nuk paguhen.

“Ti duhet ta zgjedhësh vet nëse do të punosh jashtë orarit, jo çdo ditë me punu jashtë orarit, dita e punës është me 8 orë jo me 12 e 13”, tregoni ai.

Mbi 35 qytetarë ndanë eksperiencën e tyre mbi informalitetin, ku problematikat më të hasura ishin mospagesa e sigurimeve dhe marrja e pagesës në dorë.

Mbi arsyet pse e kanë zgjedhur këtë lloj punësimi dy përgjigjet më të shpesha ishin “të detyruar për shkak të kushteve ekonomike” dhe “jam detyruar nga punëdhënësi”.

“Hotelet dhe restorantet sektori me më shumë informalitet”

Të dhënat nga Inspektorati i Punës tregojnë se gjatë viteve 2018 – 2022 janë konstatuar mbi 13,600 punëmarrës pa kontratë. Përfaqësues të institucionit i thanë Citizens Channel se “informaliteti më i madh konstatohet gjatë kontrolleve të planifikuara nga ISHPSHSH-ja. Por një numër jo i vogël konstatohet edhe gjate ankesave të depozituara pranë institucionit tonë, drejtpërdrejt nga punëmarrësit apo indicie nga institucione të tjera”.

Të dhënat tregojnë se numri total i informalitetit të konstatuar nga institucioni ka ardhur në ulje gjatë viteve të fundit. Në vitet 2020 dhe 2021 të marra së bashku janë konstatuar më pak punonjës informal se në 2018.

Te dhenat nga ISHPSHSH

Sipas ISHPSHH sektorët me më shumë punonjës informal dhe pa kontrata pune janë hotelet, baret dhe restorantet.

Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat në punë shprehet se forma më e përhapur është informaliteti gri ose mosdeklarimi i pagës reale.

Edison Hoxha, Qendra per te Drejtat ne Pune CLR.AL

“Ky është fenomen i përhapur në gjithë sektorin privat por sidomos në sektorin e tregtisë, turizmit dhe ndërmarrjeve prodhuese. Tjetër fenomen i përhapur është mospagesa e punës me turne, orët shtesë, ditët e pushimit javor apo festat zyrtare sipas ligjit”, deklaron ai.

Tendenca ka qenë e njëjtë edhe në vitet e mëparshme. Në vitin 2021, janë konstatuar 763 raste pa kontrata pune vetëm në sektorin e hotelerisë. Sektori i ndërmarrjeve prodhuese në 2021 shënoi 256 raste.

ISHPSHSH shprehet se në të gjitha rastet ku konstatohet mungesa e kontratës individuale , “inspektori procedon administrativisht me marrjen e “Masës urgjente”, për të përfunduar me shkrim kontratën individuale, për vet rendësinë e madhe që ka ky dokument si garanci juridike për punëmarrësin, pasi në të janë të përcaktuar qartë të drejta dhe detyrime midis palëve”.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi shprehet informaliteti është më i lartë për dy kategori.

Zef Preçi, ekspert ekonomie

“Atje ku mundësitë e institucioneve për të mbikëqyrur, për të monitoruar, janë më të vogla dhe atje ku sipërmarrësit kanë kontakte me lidhje të shkurtra, kryesisht me tatime taksa, dhe inspektimet e ndryshme çka do të thotë që janë rezultat i korrupsionit në këtë institucione apo tolerancës së tyre”, shprehet Preçi për Citizens Channel.

Më tej ai analizon se në vendet ku ka grumbullime të mëdha punonjësish, janë mundësitë për më shumë evazion.

“Në të njëjtën kohë disa politika qeveritare të pa menduara mirë apo të paarsyetuara, veçanërisht sa i takon kostove, kanë bërë që qoftë edhe vetë të vetëpunësuarit si kategori sociale që zënë një peshë jo të vogël në ekonominë tonë, tentojnë t’i shmangen detyrimeve për sigurimet shoqërore. Dhe kështu kultura e pamjaftueshme, ardhja nga një shoqëri ku shteti i merrte përsipër të gjitha, si dhe ndryshimet demografike e kanë përkeqësuar situatën”, shprehet ai.

“Pasojat sociale dhe ekonomike të informalitetit”

“Mua më ndikon shumë, tani jam 32 vjeç po kur të dalë në pension e si kam vitet e punës me ndikon. Po edhe gjatë kohës që jam në punë se një aksident të ndodh i pasiguruar është shumë problem”, tregon Enver Muça.

Edison Hoxha, përfaqësues i Qendrës për të Drejta në Punë shprehet se pasojat afatshkurtër janë ato që kanë të bëjnë pikërisht me aksidentet dhe sëmundjet

“Sidomos në rastet e aksidenteve apo sëmundjeve profesionale që potencialisht rrezikojnë punonjësit ndërsa në atë afatgjatë mungesa e mbështetjes financiare pasi punonjësi të plotësojë moshën e daljes në pension ose të bëhet i paaftë për punë”, tha Hoxha për Citizens Channel.

Hoxha shprehet se motivi kryesor që kanë konstatuar më shumë është se punëmarrësi vendoset përpara faktit “ose do paguhet më pak dhe sigurimet shoqërore shëndetësore do t’i mbahen nga paga e parashikuar për të ose do ta marrë gjithë pagesën në dorë dhe tundimi për të marrë diçka më shumë si pagë e bën që të pranoj këtë situatë”.

Ai sqaron se në këtë mënyrë punëdhënësi mendon se minimizon shpenzimet.

“Sidomos me pagat e mesme dhe të lartë kjo ndodh realisht pasi taksa ndaj punës është në nivele stratosferike dhe shkon deri 23%”, thotë më tej Hoxha.

Një prej arsyeve pse informaliteti vijon të jetë i lartë në Shqipëri, sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi, është se “shteti shqiptar në 30 vitet e fundit nuk ka arritur të krijojë ura midis kontirbuteve dhe përftimeve”.

Inspektorati i Punës shprehet në lidhje me pasojat sociale të informaliteti se ndikon ndjeshëm në mirëfunksionimin e skemës së pensioneve apo skemave të tjera sociale dhe shoqërore.

“Dikush që punon në mënyrë të paligjshme jo vetëm që nuk krijon fonde të mjaftueshme për të mbështetur vitet e pensionit por sjell një përkeqësim në marrëdhënien kontribues-përfitues, si rrjedhim çon në një skemë jo të qëndrueshme të pensioneve për shkak të mungesës së kontributit”, tha për Citizens Channel ISHPSHSH.

Mbi masat që mund të merren, Hoxha shprehet se “zbatimi i legjislacionit nga institucionet ligjzbatuese, transparenca e institucioneve dhe koordinimi më i mirë ndërmjet tyre, rritja e ndërgjegjësimit me çdo mënyrë tek punonjësit për të njohur të drejtat e tyre dhe për të nxitur reagimin e tyre qoftë në mënyrë individuale ashtu edhe kolektive”.

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi thotë se rregullimi i informalitetit është një proces dhe jo moment.

“Duke qenë se është proces ka nevojë për të harmonizuar edukimin, pra njerëzit të mësohen me taksat, dhe ka nevojë për përgjegjësinë më të madhe shtetërore, në mënyrë që gradualisht të kultivohet një situatë tjetër”, shprehet Preçi duke theksuar nevojën për vendosjen e urave midis kontributeve dhe përfitimeve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *