Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Biseda: “Cili është roli i gruas në shoqëri?”

Një diskutim mbi rolin e gruas në shoqëri u mbajt dje në qendrën “Logu i Shkëndijes”. Gra nga profesione të ndryshme, si infermiere, arkitekte, aktore, psikologe dhe të përfshira në politikë ndanë eksperiencën e tyre.

Përpos eksperiencave të tyre personale në profesion, ato u ndalën edhe tek probleme strukturore që ndikojnë jetën e grave dhe vajzave në Shqipëri.

Ato folën për nevojën e arsimimit për gratë dhe vajzat, për aksesin në shëndetësi, për paga të dinjitetshme, për edukim seksual në shkolla si dhe çrrënosjen e disa stereotipeve me bazë gjinore që ndikojnë në jetën profesionale të grave dhe vajzave.

Juliana Dema,  ka përfunduar studimet për “Shkenca Politike” dhe aktualisht punon në “Call Center”.  Gjatë diskutimit ajo ndau eksperiencën e saj në punën që bën, por u ndal edhe tek pjesa e studimeve dhe rëndësia që ka kjo e fundit për një vajzë perfierie.

Juliana Dema, punonjëse Call Center

“Prindërit e mi janë nga Kukësi, janë lind e rrit aty dhe më pas kanë lëvizur për një jetë më të mirë edhe mendoj që ndoshta po të isha rritur aty sdi isha fare këtu sot se sdo kisha studiuar dot, dhe ka prap vajza atje në fshatrat ku jetonin prindërit e mi që sot e kësaj dite nuk kanë mundësi të studiojnë”, u shpreh Dema.

Ajo u ndal edhe tek pjesëmarrja e grave në politik dhe tek kuotat gjinore. Ajo u shpreh se e ka ndjerë këtë stereotipizim se “politika është punë për burra”.

Mirela Ruko, ka përfunduar studimet për “Sociologji” dhe prej shumë vitesh është e angazhuar si aktiviste për çështjet punëtore e të studentëve dhe aktualisht është sekretare organizative e Lëvizjes Bashkë. Ajo ndau eksperiencën e saj si grua në angazhimin e saj politik duke u ndalur edhe tek një analizë e kuotave gjinore.

Mirela Ruko, aktiviste Lëvizja Bashkë

“Unë nuk mendoj se është vetëm çështje numrash pjesëmarrja në politik, e shohim tek qeveria Rama, ajo është e qëllimtë për mendimin tim që në momentin që e kemi parë atë prezantim që kemi bërë, sepse e dimë se si funksionon kjo lloj shoqërie se si e kanë përdorur imazhin e gruas. Kujtojmë këtu Ramën që nxirrte gra të mbuluara pas vetes, me idenë që ne jemi gjithëpërfshirës por në fakt ato ishin vetëm sfondi”, u shpreh Ruko.

Më pas ajo u ndal tek eksperienca e saj me gratë punëtore duke u shprehur se të qenurit grua nga aspekti social në këtë rast e ka ndikuar pozitivisht.

“Gjatë punës tonë në terren me gratë e  fasonerive për shembull kam vënë re që fakti që isha grua ishte pozitiv, sepse ato e kishin më të lehtë që të hapeshin e të flisnin me ne e me aktivistët e tjerë burra”, rrëfen Ruko.

Geraldina Mançka e ndau historinë e saj në dy pjesë, për jetesën e saj si studente dhe profesionit si infermiere. Mançka sapo është diplomuar në infermieri dhe ka ndjekur studimet në këtë fushë.

Geraldina Mançka, infermiere

Ajo rrëfeu sfidat që ka pasur si vajzë e ardhur nga një qytet tjetër drejt kryeqytetit, ku për shkak edhe të pamundësive ekonomike i është dashur të studioj dhe punoj.

“Unë dhe 90% e shoqeve të mia vijnë në Tiranë nga periferia. Edhe në biseda që kam bërë me to gjithmonë e kemi ndarë këtë vështirësinë që ka ardhja në Tiranë për studime kur je një vajzë e periferisë. Ka shumë nga këto vajza të periferisë të cilat nuk arrijnë dot të studiojnë, për shumë aryse, por dy janë më kryesore. E para pamundësia ekonomike dhe e dyta mendësia patriarkale që i detyron vajzat të martohen në moshë të hershme, prandaj për mua si vajzë pjesa e studimeve ka qenë shumë e rëndësishme”, u shpreh ajo gjatë rrëfimit të saj.

Sa i përket profesionit si infermiere, Mançka tha se edhe aty e ka ndjerë pjesën e mendësisë patriarkale. Ajo përmendi raste ku paciente gra kërkojnë që të kenë një infermiere grua.

Historia tjetër që u nda gjatë diskutimit ishte e Jonida Çungës, e cila ka studiuar për aktrim.

“Pasi mbarova gjimnazin vendosa që të studioj për aktrim, dhe ishte një vendim shumë i mirëpritur nga familja ime, por më vonë u bëra koshiente që pjesa tjetër e shoqërisë, kishte një sërë paragjykimesh për këtë profesion. Sepse e lidhnin me çështjen e moralit, që një vazjë që studion për aktore do të heq dorë nga detyrat e saj si grua më vonë, apo do të ketë më pak vëmendje ndaj detyrave të saj gjinore”, u shpreh Çunga duke shtuar se ka qenë një sfidë e dyfishtë për atë që të bind të tjerët se profesioni i aktores nuk ka një gjini.

Sot ajo punon si pedagoge dhe tregon se të njëjtën gjë e ka vënë re edhe tek vajzat studente që kanë zgjedhur këtë profesion.

“Ato bëjnë një luftë shumë të madhe  me familjen që të marrin miratimin e tyre për ardhur në këtë shkollë, sepse ende ekziston kjo mendësi. Dhe unë vazhdoj të mendoj se është thjesht një profesion si gjithë të tjerët ku çdokush trajnohet për të bërë më të mirën e tij”, tregon Çunga.

Jonida Çunga në të djathtë, Mirela Ruko në qendër dhe Adela Alikaj në të majtë

Jora Kasapi ka përfunduar studimet për arkitekturë dhe punon aktualisht si arkitekte.

Kasapi tregoi se gjatë studimeve nuk e kishte ndjerë ndasinë gjinore, pasi një pjesë e mirë e studenteve ishin vajza në degën e saj. Por më vonë gjatë punësimit kishte ndjerë një diskriminim gjinor.

“Fillimisht nuk e kam ndjerë ndasinë, edhe në punë një pjesë e mirë ishin përsëri vajza dhe gra të punësuara por ndasia vinte tek pozicionet drejtuese, edhe pse shumica ishin vajza gjithmonë drejtuesit ishin burra”, rrëfeu Kasapi.

Adela Alikaj, ka përfunduar studimet për psikologji dhe tani drejton qendrën “Streha”. Ajo ndau disa perspektiva psikologjike të çështjeve gjinore.

“Më ngacmoi pak kur Mirela tha në krye të herës dhe po mendoja në krye të herës të psikologjisë dhe zhvillimeve të fushës dhe se si i kanë trajtuar çështjet e shëndetit mendor dhe se si i kanë lidhur ato me gratë dhe vajzat. Edhe me vjen në mendje Frojdi, i cili ka përdorur termin e histerisë edhe me atë term përshkruante dhe përmblidhte të gjitha problematikat e shëndetit mendor që gratë edhe vajzat hasnin. Vet fjala histeri vjen nga greqishtja e vjeter “histerus/uterus” që do të thotë mitër dhe lidhet kaq shumë me konstruktin femëror gjithë pjesa e stigmatizimit, semundjes që ai e quante në atë kohë”, u shpreh Alikaj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *