Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Bashkia e Tiranës u shiti tokë publike në qendër të qytetit ndërtuesve të kullave

Bashkia Tiranë i dha firmës private “Ideal Construction” sh.p.k 1042 m2 tokë publike në qendër të qytetit.

Sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak të 25 janarit të këtij viti, trualli i Dhomës së Tregtisë në rrugën e Kavajës do t’i shtohet godinës së “Eyes of Tirana”.

Në këtë vendim godina e Dhomës së Tregtisë vlerësohet si 75% e amortizuar, pa sqaruar si është dalë në këtë vlerësim. Këshilli Bashkiak ka vendosur që godina të shembet, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një kulle 24-katëshe.

Sipas draft-kontratës, Bashkia Tiranë do të përfitojë 50% të sipërfaqes së ndërtimit, mbi dhe nën tokë, që do të ngrihet në këtë truall që është pronë publike.

Vendimi i Këshillit Bashkiak

Në draft-marrëveshje argumentohet se sipërfaqja që institucioni do të përfitojë në ndërtimin e ri “do të sjellë një ngritje shumë të madhe të vlerës ekonomike të pronës, në dobi të Bashkisë Tiranë”.

Në shtator të vitit 2022, godinës “Eyes of Tirana” iu konfiskuan 4,646 m2 pa leje, të cilat i kaluan shtetit me kontratë noteriale.

“7 milion m2 ndërtim, 0 m2 parqe dhe pyje” 

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në Tiranë ka pësuar rritje të konsiderueshme vitet e fundit. Gjatë vitit 2022 kryeqytetit iu shtuan 1.8 milionë metër katror ndërtime, ndërsa në 5 vitet e fundit kjo shifër ka shkuar në 7 milion m2.

Në tremujorin e katër të vitit 2022 u miratuan 415 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 356 leje të miratuara në tremujorin e katërt të vitit 2021, duke shënuar kështu një rritje prej 16.6%.

Krahasuar me qytetet e tjera të vendit, Tirana udhëheq, duke dhënë për vitin 2022, 68% të totalit të lejeve që jepen në të gjithë vendin.

Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt të 2022, vlera e lejeve të ndërtimit është 26.6 miliardë lekë.

“Miliona euro sipërfaqe e ndërtuar pa leje”

Që prej publikimit të VKM-së që konfiskon ndërtimet pa leje në shtator të 2022, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar 10 vendime konfiskimi sipas të dhënave të siguruara nga Citizens Channel.

Ndërtimet pa leje i përkasin zonave kryesore të qytetit sikurse qendra e Tiranës, liqeni artificial, zona e Myslym Shyrit, rruga Kont Urani dhe rruga e Elbasanit.

Nga konfiskimet e deritanishme, llogaritur edhe me çmimin e tregut, shteti shqiptar disponon 71.989 m2 kulla dhe pallate me një vlerë prej 127 milion euro.

Eliminimi i së gjelbrës

Zhvillimi i qyteti të Tiranës vitet e fundit ka ardhur duke sakrifikuar hapësirën e gjelbër. Artikulli “Eliminimi i së gjelbrës”, argumenton se “ngritja e ndërtesave po realizohet përmes një aksioni të dhimbshëm urbanistik që mbështetet kryesisht, në shkatërrimin, apo në tjetërsimin e hapësirave, veçanërisht të gjelbra, për të cilat ky qytet krenohej dikur”.

Sipas një studimi të Co-Plan, humbja e sipërfaqeve natyrore brenda Unazës së Madhe shkon në 526.000 m2. Ndërsa përgjatë viteve të fundit në Tiranë nuk është ndërtuar asnjë lulishte apo park i ri urban që plotëson kriteret. Për çdo 100 ha të miratuara për ndërtime të reja, Tirana ka vetëm 1 ha shesh rekreativ.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *