Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Mungesë progresi dhe nisma problematike”, Parlamenti Europian kritikon qeverinë shqiptare

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos ka hartuar projekt rezolutën për Shqipërinë, ku kritikohet situata e të drejtave të njeriut, liria e medias dhe nismat e qeverisë shqiptare për nisma si amnistia fiskale, apo “pasaportat e arta”.

“Shprehim shqetësimin  për aspektet e projektligjit për amnistinë fiskale dhe propozimin e shtetësisë sipas skemës së investimeve që janë të papajtueshme me normat e BE-së dhe politikën e saj të vizave”, thuhet në rezolutë.

Po ashtu Santos shprehet me rezerva në raport për sa i përket lirive themelore të njeriut dhe progresit në këtë drejtim, si edhe mungesës së transparencës dhe konkurrencës në prokurimet publike.

Përmes projekt-rezolutës Parlamenti Evropian nxit qeverinë shqiptare për të punuar më shumë drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit deri në vitin 2030.

Liria e shprehjes dhe media

Në projektrezolutë ngrihet shqetësimi për mungesën e progresit sa i përket transparencës institucionale, lirisë së shprehjes dhe medias, si dhe thekson rolin që kanë udhëheqësit politikë në krijimin e një mjedisi  për këto liri.

“Parlamenti Evropian dënon përpjekjet për të diskretituar reporterët dhe për të mbajtur në mënyrë arbitrare informacionin publik si dhe dështimin për të siguruar sigurinë e gazetarëve,” thuhet në rezolutë sa i përket lirisë së medias.

Sakaq i kërkohet autoriteteve të ndërmarrin masa kundër ndikimit politik dhe ekonomik në media dhe kundër frikësimit të gazetarëve.

Shqipëria ka mbetur në vend dy vitet e fundit sa i përket progresit në fushën e lirisë së medias.

Ndër shqetësimet kryesore që përmenden në rezolutë janë, presionet politike që vijnë nga qeveria, të cilat kryesisht janë kundër gazetarëve. Po ashtu përmendet roli i kryeministrit në raport më gazetarët.

Parlamenti Evropian i kërkon autoriteteve që të luftojnë dezinformimin dhe narrativat manipuluese “duke promovuar edukimin mediatik dhe duke përmirësuar kushtet e punës së gazetarëve”.

Demokracia dhe shteti ligjor

Projekt-rezoluta ka vlerësuar angazhimin e Shqipërisë në reformën në drejtësi, por ka dënuar përplasjet politike dhe veprimet përçarëse, duke nënvizuar nevojën për një politikë të përbashkët.

Parlamenti Evropian fton përmes rezolutës, aktorët politikë që të rrisin angazhimin e tyre për të dialoguar dhe për të forcuar institucionet dhe procedurat demokratike.

Kërkesat për azil janë një tjetër pikë e kritikuar nga PE.

Bën thirrje për veprime të vazhdueshme për të reduktuar kërkesat e pabazuara për azil nga shtetasit shqiptarë, duke trajtuar rrjetet kriminale të trafikimit dhe duke rritur bashkëpunimin me agjencitë e drejtësisë dhe të punëve të brendshme të BE-së”, thuhet në rezolutë.

Së fundmi, përmendet për herë të parë problemi i dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Parlamentit Evropian bën thirrje për nevojën për plotësimin e procesit të deklasifikimit të dosjeve të kohës së komunizmit dhe bërjes së tyre të disponueshme për kërkuesit dhe për publikun e gjerë, në mënyrë që të përparohet në drejtësi dhe ripajtim.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *