Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

KAS rrëzon ankimin, tjetër pengesë për regjistrimin e Lëvizjes Bashkë në zgjedhjet lokale

Lëvizja “Bashkë” ka marrë një tjetër refuzim nga institucionet shqiptare në procesin e regjistrimit për zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Në 2 mars, Gjykata e Tiranës e regjistroi lëvizjen si subjekt politik, pas një sërë kundërshtish për shkak të vonesave. Ndërkohë, pak ditë më vonë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e refuzoi kërkesën e kësaj force politike për të marrë pjesë në zgjedhje me argumentin se nuk ka ende një vendim gjykate të formës së prerë.

Aktivistët e apeluan këtë vendim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ku sot morën një tjetër refuzim.

“Nga sa na u komunikua, vendimi i KAS-it është marrë me shumicë votash. Ne dyshojmë fort se ata që kanë votuar kundër nesh kanë qenë tre përfaqësuesit e Partisë Socialiste”, thuhet në deklaratën për media të Lëvizjes Bashkë.

Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori në një deklaratë për media u shpreh se kjo pengesë që po i bëhet këtij subjekti politik është “frikë nga një lëvizje politike e vërtetë”.

“Ata kanë frikë nga njerëz të ndershëm, të organizuar, me ideale, me programin e duhur, që nuk kanë frikë të thonë të vërtetën”, tha Qori për mediat.

Për të tretën herë institucionet nuk po e lejojnë regjistrimin në zgjedhje të këtij subjekti politik. 

“Kjo është paligjshmëria e tretë që i bëhet Lëvizjes BASHKË dhe është fund e krye politike. Ata që na mohojnë të drejtën nuk kanë as çerek argumenti, nuk kanë as minimumin e bazës ligjore, thjesht ashtu u intereson”, tha Qori.

Fillimisht në shkelje të ligjit, Gjykata e Tiranës nuk regjistroi Lëvizjen Bashkë si parti.

Dokumentet për regjistrimin e partisë janë dorëzuar në datën 9 janar të vitit 2023. Neni 13 i ligjit për partitë politike përcakton se regjistrimi i partisë politike bëhet brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

Po ashtu ligji nënvizon se në rastin kur dokumentet e partive politike nuk janë të rregullta, gjykata, brenda 20 ditëve e kthen kërkesën për të bërë plotësimet përkatëse. Mbi këtë 30 ditësh, Lëvizja Bashkë denoncuan se vonesat e gjykatës kanë tejkaluar afatin ligjor.

Pasi hedhja e shortit për gjyqtarin është kryer me vonesë, kjo ka bërë që gjyqtari Agron Zhukri të mos regjistronte në kohë këtë subjekt politik. Lëvizja Bashkë arriti të regjistrohet pasi gjyqtari u ndërrua. Gjyqtari i ri Arben Kostandini e rregjistroi Lëvizjen Bashkë si parti në datën 2 mars.

Pasi u mor vendimi i Gjytkatës së Tiranës, në 6 mars aktivsitët e Lëvizjes Bashkë dorëzuan në KQZ dokumentacionet përkatëse për tu bërë pjesë e zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e njohu vendimin e Gjykatës së Tiranës, duke u shprehur se vendimi nuk është i formës së prerë.

“KQZ shkel precedentin e vitit 2019”

Kodi Zgjedhor  nuk përcakton se duhet vendimi i formës së prerë për t’u regjistruar, por thotë që nevojitet vetëm një vendim gjykate. Për këtë ka edhe një precedent ligjor që është rasti i Bindjes Demokratike.

Në vitin 2019, Gjykata e Tiranës regjistroi Bindjen Demokratike si parti edhe pse vendimi i gjykatës nuk ishte i formës së prerë. Kështu KQZ krijoi një precedentë të ri. Bindja Demokratike u bë pjesë e zgjedhjeve të 30 qershorit ku morën pjesë vetëm dy parti, Partia Socialiste dhe Bindja Demokratike.

Në 2019 regjistrimi i BD në zgjedhje u prit me kritika pasi më herët në 2015 KQZ kishte një precedent tjetër, ku në kushte të njëjta nuk kishte regjistruar partinë “Shkodra 2015”.

Përpos mungesës së vendimit të formës së prerë, që po përdoret si kundëragument ndaj Lëvizjes Bashkë, në 2019 Bindja Demokratike në 23 prill, afati i fundit për tu regjistruar në KQZ bëri dy veprime paralele: dorëzoi dokumentacionin për regjistrim në Gjykatë dhe dorëzoi në KQZ kërkesën për të marrë pjesë në zgjedhje.

Aktivistja e Lëvizjes Bashkë, Mirela Ruko tha për Citizens Channel se ata paraqitën sot në KAS argumentet e tyre dhe fillimisht debati u duk pozitiv.

Mirela Ruko, aktiviste Lëvizja Bashkë

“Në seancën e sotme në KAS përfaqësues e Lëvizjes Bashkë argumentuan se pse duhet të njihet dhe një nga pikat kryesore që ne ndamë aty është ligji për partitë. Po ashtu argumentuam edhe pozitën tonë me atë çfarë na ndodhi më gjykatën dhe vonesat. Dhe fillimisht fryma ishte pozitive dhe u duk sikur KAS do vendonte në krahun tonë. Mirëpo në fund u votua me 3 vota pro vendimit të KQZ dhe dy vota kundër, duke mos e regjistruar Lëvizjen Bashkë”, tha Ruko.

Ajo mendon se ky është një vendim politik pasi “ata nuk kanë argumenta ligjor kundër regjistrimit dhe kjo na bënë të mendojmë se është vendim i porositur”.

Hapi i radhës, tha Ruko është Kolegji Zgjedhor që është në Gjykatën e Apelit. Brenda 5 ditëve aktivistët e Lëvizjes Bashkë do të depozitojnë ankesën e tyre. Ky është institucioni i fundit që do të vendosë nëse Lëvizja Bashkë do të marrë ose jo pjesë në zgjedhje.

Ndërkohë në rast se edhe Kolegji Zgjedhor nuk do të vendos në anën e tyre, ata kanë vendosur që të marrin pjesë në zgjedhje me kandidat të pavarur.

Aktivistët e Lëvizjes Bashkë po mbledhin 7 mijë nënshkrime për kandidimin e pavarur të Arlind Qorit si kryetar bashkie në Tiranë.

“Edhe po të ishim parti politike ne do na duheshin 3 mijë nënshkrime për të marrë pjesë në këto zgjedhje, por nëse ne do të shkojmë me kandidat të pavarur do të na duhen 7 mijë edhe andaj po vazhdojmë punën në terren për mbledhjen e tyre”, tha Ruko.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *