Katër ditë më parë qeveria shqiptare shpalli Vjosën Park Kombëtar. Lumi fundit i egër në Europë, fitoi mbrojtjen pas një beteje të gjatë të ambientalistëve.

Organizata mjedisore PPNEA përmes një njoftimi për media, e ka përshëndetur vendimin, por ka theksuar se “fatkeqësisht Vjosa nuk do të mbrohet ashtu si i takon”.

PPNEA sjell në vëmendje faktin se jashtë mbrojtjes është lënë delta e lumit, në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartës.

“Shpallja e Parkut Kombëtar Lumi i Vjosës ka lënë mënjanë ndoshta zonën më të rëndësishme të këtij lumi, deltën e tij, që është zona e mbrojtur Vjosë-Nartë, ku e njëjta qeveri është duke mbështetur ndërtimin e një aeroporti ndërkombëtar disa metra larg lagunës”, thuhet në njoftimin e PPNEA.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, kryeministri Edi Rama ka komentuar çështjen e ndërtimit të aeroportit të Vlorës.

“Më thanë se këtu ndodhet dikush që vazhdon të na cimbisë me zogjtë e aeroportit të Vlorës”, është shprehur Rama gjatë fjalës së tij.

PPNEA shprehet se fjalimi i kryeminsitrit ishte intimidues. Narrativa e ruajtjes së natyrës, e propaganduar gjatë fjalimit përshëndetës të Kryeministrit para se të përmendej çështja e aeroportit, u hodh poshtë nga vetë ky i fundit i cili zgjodhi që publikisht t’i kërkojë organizatave të shoqërisë civile të ‘mos e shqetësojnë’ për këtë çështje”, thuhet më tej në njoftimin e PPNEA.

Kryeministri i është referuar kërkesave dhe kundërshtive të organizatave për ndërtimin e aeroporitit si “një mal me dokumenta”.

PPNEA shprehet se “’Mali me dokumenta’ i përmendur nga kryeministri Rama është një mal me prova të paraqitura nga organizatat mjedisore për të kundërshtuar ndërtimin e aeroportit brenda zonës së mbrojtur”.

Qëndrimet e qeverisë deri në shpalljen e Vjosës Park Kombëtar

Gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, Vjosa është gjendur vazhdimisht nën kërcënimin e veprave të mëdha hidrike, si  hidrocentrali i Poçemit dhe Kalivaçit, që ishin planifikuar të ndërtoheshin në zemër të lumit.

Në vitin 2016, qeveria shqiptare hapi tenderin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë, duke rrëzuar zotimin e vitit 2015 të Kryeministrit Rama se do ta shpallte Vjosën Park Kombëtar, “që të frenohet barbarizimi nga hidrocentrale”.

Më tej, në vitin 2017, qeveria shqiptare anuloi kontratën koncensionare për ndërtimin e veprës tjetër hidrike, atë të Kalivaçit, pas konflikteve me Francesco Becchettin, për t’i rihapur sërish procedurat e tenderimit.

Kompanitë e interesuara mund të aplikonin për përfundimin e asaj vepreje deri në korrik të vitit 2017.

Komuniteti u organizua kundër ndërtimin të HEC Kalivaçit dhe zhvilloi disa protesta, krahas betejes ligjore, ku 38 prej banorëve ngritën një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Gjykata e shpalli të pavlefshme kontratën koncensionare në vitin 2017, pasi kishte parregullsi në zhvillimin e dëgjesave publike.

Qeveria ka ndryshuar kurs edhe sa i përket statusit të Vjosës. Më herët në prill të vitit 2021, Rama u shpreh në një emision prime-time se ata nuk mund ta shpallin luginën e Vjosës Park Kombëtar pasi do të dëmtonte agroturizmin.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës

Qeveria shqiptare e ka mohuar ekzistencës e biodiversitetit dhe statusit të mbrojtur të territorit Vjosë Nartë, duke përsëritur disa herë që puna do të vazhdojë.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku u shpreh në mars të vitit të kaluar se aeroporti i Vlorës nuk po ndërtohet në zonë të mbrojtur.

“Asnjë centimetër tokë e aeroportit të Vlorës nuk është në zonën e mbrojtur”, tha për Euronews Balluku. 

Ndërkohë në nëntor të 2022, gjatë një interpelancë të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë mbi ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, mes deputetes Jorida Tabaku dhe Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, u pranua nga vete Ministrja se aeroporti po ndërtohet në brendësi të zonës së mbrojtur.

Përpara këtij momenti, qeveria shqiptare kishte mohuar se aeroporti po ndërtohet në zonë të mbrojtur. Qeveria i kishte qendruar dekalratave se projekti në fjalë po ndërtohet jashtë zonës së mbrojtur dhe, për më tepër, në përputhje me direktivat për mbrojtjen e natyrës të Bashkimit Europian.

Por pas pohimit të saj, Ministrja Kumbaro tha se sipërfaqja ku po ndërtohet aeroporti është hequr nga mbrojtja ligjore.

Organziatat mjedisore shprehet se krahas faktit që ky pohim është i rremë dhe që bazohet mbi një vendim që ende nuk ka marrë fuqi ligjore, nuk garanton ruajtjen e integritetit ekologjik të zonës.

“Aeroporti brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë Nartë, edhe sikur sipërfaqja të jetë e pambrojtur, do të ketë një ndikim të pakthyeshëm dhe shkatërrimtar mbi thesarin që Vjosë-Narta mbart”, ka deklaruar PPNEA mbi pohimin e Kumbaros.

Sa i përket ekzistencës së biodiversitetit në Vjosë Nartë të dhënat e siguruara nga organizata PPNEA tregojnë për 200 shpendë: 33 janë të listuar me status kërcënimi në Listën e Kuqe të Shqipërisë, ku 8 lloje mbajnë statusin e Rrezikimit Kritik (CR), 9 lloje klasifikohen si të rrezikuara (EN), 13 lloje janë cilësuar me status të Përkeqësuar (VU) si dhe 3 lloje mbartin statusin e Rrezikut të Ulët (LR).

Po ashtu, 123 lloje janë të listuar në shtojcën II të “Konventës së Bernës” të cilën Shqipëria e ka ratifikuar në janar të vitit 1999 dhe zbatimi hyri në fuqi në maj të po atij viti. Konventa e Bernës është një nga konventat më të rëndësishme të ruajtjes së natyrës për mbrojtjen e biodiversitetit në Evropë.

Shqipëria është po ashtu pjesë e Rrjetit të Zonave me Interes të Veçante Ruajtjeje (Emerald Network) ku 43 lloje listohen në shtojcën e parë të saj. Kundër ndërtimit të aeroportit të Vlorës ka dalë edhe Bashkimi Europian.

raportin vjetor të Komisionit Evropian, publikuar në tetor të vitit 2021, thuhet se aeroporti i Vlorës është planifikuar të ndërtohet në një zonë të mbrojtur, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar për mbrojtjen e diversitetit.

Zona të tjera të rrezikuara

Vjosa nuk është i vetmi lum që ishte i rrezikuar nga ndërtimi i hidrocentraleve në vend. Shqipëria është ndër vendet me numrin më të lartë të hidrocentraleve në rajon.

Edhe pse qeveria shqiptare ka deklaruar se hidrocentralet e vogla janë të dëmshme dhe të padobishme ato vazhdfojnë të rrezikojnë sot degët e lumenjve dhe jetën e komuniteteve.

Në Shqipëri parashikohet të ndërtohen 371 HEC-e të tjera të vogla, përpos 275 HEC-eve që janë ndërtuar tashmë, referuar të dhënave të Riverwatch. Sipas të njejtit burim, 12 hidrocentrale të vegjël janë aktualisht në proces ndërtimi.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Energjisë, “nga viti 2005 deri në vitin 2022 janë nënshkruar në total 282 kontrata për ndertimin e 621 HEC-eve, nga të cilat 25 kontrata për ndërtimin e 128 HEC-eve janë ndërprerë”.

Rreth 80 HEC-e të vegjël janë në rrjedhat e lumenjve brenda zonave të mbrojtura ose në marrëdhënie ekologjike me to si në Valbonë, Lurë, Shebenik-Jablanicë, dhe Hotovë-Dangëlli.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu