Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Hendeku gjinor në media, burrat paguhen 13% më shumë se gratë

190 gazetarë, 250 studentë të gazetarisë dhe 31 drejtues mediash u bënë pjesë e hulumtimit  “Gratë në gazetari- Suksesi dhe Sfidat”.

Qendra “Lajmëtarja’, një organizatë e krijuar rishtazi me fokus fuqizimin e vajzave dhe grave në peizazhin mediatik, prezantoi sot gjetjet e kërkimit.

Të dhënat treguan se ekziston një hendek prej 13% mes pagave të grave dhe burrave në sektorin e medias.

“Ndërkohë vlerësimet nga listë pagesat tregojnë për një hendek gjinor akoma më të lartë, në nivelin 20%”,-thuhet në hulumtim.

Kërkimi tregoi se e drejta e pushimit në fundjavë, nuk respektohet në pjesën dërrmuese të rasteve.

“Vetëm 37% e gazetarëve deklarojnë se kanë të drejtën e pushimit në fundjavë. Nga ana tjetër 63% e gazetarëve deklarojnë se mund të bëjnë pushim vetëm një herë në jave”. 

Blerina Subashi, eksperte e hulumtimit u shpreh se ky publikim erdhi si nevojë për të parë gjendjen aktuale të vajzave dhe grave gazetare në këtë sektor.

“Qendra Lajmëtarja kishte një qasje gjithëpërfshirëse, që do të thotë nuk donte t’ju qasej vetëm gazetarëve, por donte të shkonte 360 gradë. Donte të shkonte te studentët, për të parë nëse vetë ata kishin eksperienca në punë dhe si ishin këto eksperienca. Më pas të qaste gazetarët dhe nga ana tjetër të shikonte përfaqësuesit ose drejtuesit e mediave, si ishte këndvështrimi i tyre dhe nëse dhe ata kishin problematika apo sfida që në njëfarë mënyrë i pengojnë të realizojnë detyrimet që mund të kenë për punonjësit e tyre”,-u shpreh Subashi.

Kontratat e punës ishte një nga pikat e trajtuara në hulumtim. Prej të pyeturve, 89% e gazetarëve deklaruan se kanë një kontratë të rregullt pune. Ndërsa 7% e gazetarëve deklarojnë se e kanë kërkuar nga punëdhënësi një kontratë por nuk iu është afruar.

“Analiza sipas viteve të punës tregon se 26% e gazetarëve që kanë një vit punë ose më pas se një vit pune në pozicionin aktual nuk kanë një kontratë të rregullt pune. Ky fakt dëshmon se në vitin e parë të punës ka një tendencë nga punëdhënësit për të mos i ofruar një kontratë të rregullt gazetarëve”,-thuhet në materialin e përgatitur të studimit.

Hulumtimi analizon tre grupe të ndryshme: gazetarët, studentët e gazetarisë dhe drejtuesit e mediave.

Ndër studentët e gazetarisë, të dhënat tregojnë se djemtë kanë prirjen të punojnë gjatë studimeve. “48% kanë pasur të paktën një eksperiencë gjatë studimeve në fushën e gazetarisë gjatë kohës që janë studentë, në krahasim me 27% për vajzat”. 

Të rinjtë studentë mbajnë qëndrime kritike për profesionin sa i përket lirisë së fjalës.

“93% mendojnë se mediat në vendin tonë janë të influencuar apolitikisht. Vetëm një në tre kanë vendosur që profesioni i tyre i ardhshëm do të jetë gazetaria”.

Marrëdhënia në punë është një tjetër element që preket në hulumtim. Sipas hulumtimit punëdhënësit shfaqin interes të lartë për të kuptuar arsyet e largimit të gazetarëve nga vendi i punës.

“Tetë në dhjetë përfaqësues mediash deklarojnë se punonjësit e tyre largohen për një pozicion më të mirë brenda vendit, por sërish në profesionin e gazetarit. Një në tre punëdhënës tregon se punonjësit largohen se nuk duan të punojnë më në profesion e gazetarit dhe 29% deklarojnë se gazetarët largohen jashtë vendit”,-thuhet në hulumtim.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *