Pamje nga protesta ne Portin e Shengjinit

Që prej nisjes së vitit 2023 e deri më sot, punonjësit e Portit të Shëngjinit nuk kanë marrë asnjë rrogë. Për këtë arsye ata protestuan sot në ambientet e Portit duke refuzuar të nisnin punë pa marrë një reagim nga Drejtoria e Portit.

“Kemi ardh në këtë ditë që ne nuk marrim dot rrogat, nuk marrim lekët e bukës, kemi kredi, kemi marrë over-drafte, kemi ujë e drita, me mbajt shpinë, të gjitha në kurriz tonë ”,- tha për Citizens Channel Pjetër Gjinkola, Inspektor i Repartit Zjarrfikës.

Kjo është protesta e dytë e punonjësve të Portit të Shëngjinit. Në12 janar ata protestuan për rrogat e muajit dhjetor. Gjinkola konfirmon se punonjësit që kanë tre muaj pa marrë pagat janë Sektori Zjarrfikës, punëtorët e ngarkim – shkarkimit, transportit dhe ofiçinës.

“Sektorit të sigurisë i ka kaluar dje vetëm një muaj pagesë. Nuk mund të kalohen rrogat vetëm një sektori, është në shkelje të ligjit sepse nuk ka drejtë drejtori të bëj diferencime”,- vijon ai.

Gjinkola thekson se kjo situatë vjen si pasojë e keq menaxhimit të udhëheqësve. Ai tregon se në vitet e fundit drejtorët në Port janë ndërruar shpesh herë dhe askush prej tyre nuk ka denoncuar mosfunksionimin dhe problematikat e institucionit.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit për çdo pranverë bën kontroll në Port për mbarëvajtjen financiare të portit. P.sh., në Portin e Shëngjinit prej katër vitesh vjen emri i shefes financës si shkaktare kryesore e prishjes së performancës financiare të Portit. I vjen shkresa për largim nga puna dhe marrje mase nga Këshilli Mbikëqyrës dhe Drejtoria dhe ajo është shefja prapë”,- analizon  ai.

Pjetër Gjinkola shpjegon se përveç pagave sektori i zjarrfikëses nuk disponon kushtet minimale të ushtrimit të profesionit, ndër to as uniformat.

“Nuk mund të ketë aeroport dhe port pa sektor zjarrfikës! Kush do e garantoj sigurinë? Kalata re është jashtë funksionit, pompa jashtë funksionit, ata duan të bëjnë vetëm investime fiktive dhe e kanë falimentuar portin”,- përfundoj ai.

Mark Përkola, Specialist i Repartit Zjarrfikës në Portin e Shëngjinit tregon se drejtori i portit deklaroj në prezencë të mediave se atij dhe Pjetër Gjinkolajt nuk do ti kalohej paga.

“Normal se ne i sollëm mediat, ne s’na i japin, formë presioni është kjo”,- konfirmon Përkola për Citizens Channel.

Ai shprehet se deri në zgjedhjet e ardhshme lokale ku do të bëhet dhe reforma rrezikon të vazhdoj e njëjta situatë.

“Ne do bllokojmë funksionim e portit nëse nuk do të ketë rroga”,- pohon ai.

Një vit më parë, kryeministri Edi Rama premtoi realizimin e 4 porteve duke përfshirë edhe portin turistik të Shëngjinit. Drejtoria e Portit ka pranuar më herët vështirësitë financiare të krijuara nga mungesa e të ardhurave në këtë institucion që është me vetëfinancim, por qe sipas tyre po punohet për ti dhënë zgjidhje problematikës.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu