Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Bonusi i bebeve nuk e frenoi uljen e lindjeve”

Prej vitit 2019, qeveria shqiptare vendosi të rrisë bonusin për të gjitha familjet që lindin një fëmijë. “Bonusi i bebes” përfitohet sapo prindërit regjistrojnë të porsalindurin/ën në zyrën e posaçme të hapur në çdo maternitet në vend.

Prindërve u jepet një 40,000 lek për fëmijën e parë 80,000 lek për fëmijën e dytë; 120,000 lek për fëmijën e tretë. Përpara vitit 2019 bonusi i shpërndarë nga Bashkitë kishte një vlerë prej vetëm 5 mijë lekësh.

Kjo masë erdhi si përgjigje ndaj rënies së vazhdueshme të popullsisë në dekadat e fundit.  Të dhënat nga Instituti i Statistikave, tregojnë se në 1 janar 2022, popullsia e Shqipërisë është, 2,793,592 banorë. Krahasuar me vitin 2011 në Shqipëri jetojnë zyrtarisht 38,149 persona më pak.

Viti 2021 ishte hera e parë kur vendi shënoi një shtesë natyrore negative me 3.296 vdekje më shumë se lindje, kjo e ndikuar edhe nga pandemia e Covid-19.

Burimi: INSTAT

Në vitin 2022, të gjitha qarqet e vendit shënuan ulje të numrit të lindjeve. Tirana është qarku më lindjet më të larta (2,121), ndërsa Gjirokastra qarku me numrin më të ulët të lindjeve, (93).

Qarku i Tiranës, sipas të dhënave të INSTAT, ka popullsinë më të re në Shqipëri, me një moshë mediane prej 36,2 vjeç, ndërsa qarku i Gjirokastrës rezulton me popullsinë më të vjetër në vend, me moshë mesatare 43,5 vjet.

Shqipëria ka shënuar rënie edhe në nivel ndërkombëtar për sa i përket lindshëmrisë. Në renditjen e Eurostat për vitin 2021, Shqipëria ishte ndër katër vendet me rënien më të lartë të lindjeve pas Maltës, Spanjës dhe Italisë. 

Qeveria pa politika për rritjen e lindshmërisë

Sipas ekspertit Klajdi Bregu ka dy faktorë ekonomik që lidhen me uljen e lindjeve, pasiguria financiare dhe emigrimi masiv.

Kljadi Bregu, ekspert ekonomie

Bregu analizon se bonusi i bebeve i dhënë nga qeveria e ka të pamundur të ndikojë në rritjen e lindshëmrisë.

“Duke qënë se është një shumë që paguhet vetëm njëherë, është i pamjaftueshëm për të ndryshuar incentivat ekonomike që një familje mund të ketë kur vendos për të pasur një fëmijë”, tha Bregu.

Ekonomisti Zef Preçi shprehet se politikat që ka ndërmarrë qerveria për sa i takon nxitjes së lindshmërisë nuk ia kanë arritur qëllimit, “për shkak se çiftet e reja më shumë po largohen se sa të kenë fëmijë dhe të ndërtojnë të ardhmen këtu”. 

Zef Preçi, ekspert ekonomie

“Ajo pagesa që ka vendos qeveria është e menjëhershme, ndërkohë që më shumë se gjysma e grave shtatzanë nuk kanë siguracion dhe ky është një problem i madh që lidhet me shëndetin e fëmijës gjatë dy viteve të para të jetës”, tha Preçi për Citizens Channel.

Bregu argumenton se kostoja për rritjen e një fëmije është shumë e lartë dhe bonusi i bebeve është i pamjaftueshëm për të shtyrë çiftet e reja që të sjellin në jetë një fëmijë.

“Në gjykimin tim, kjo është bërë vetëm për përfitime politike dhe nuk mund të pritet të ketë ndikim në rritjen e lindjeve në vend. Të dhënat tregojnë që rënia e numrit të lindjeve ka vazhduar edhe pas aplikimit të bonusit të bebeve”, shprehet Bregu.

Preçi analizon se për një familje sot në Tiranë duhen të paktën 30 vite kursime që ata të blejnë një apartament 70m2 në kryeqytet, pasi çmimet janë shumë të larta.

“Mungojnë politikat që ndihmojnë për punësimin por edhe për kushtet e tjera të jetesës, nuk ka asnjë politikë stimuluese sa i takon elementëve infrastruktur për fëmijët që mund të vlente, pra lehtësuse për fëmijën. Po ashtu infrastruktura, për shkak të betonizimit të çdo sipqërfaqje është e tillë që familjet i dekurajon të sjellin në jetë fëmijë, pra e githë klima nuk është aspak mbështetëse”, tha Preçi.

Eksperti Bregu thotë se një faktor tjetër ndikues në tkurrjen e popullsisë dhe uljen e lindshmërisë në Shqipëri është edhe emigrimi.

“Grupmoshat që emigrojnë në përqindje të lartë, janë po ato grupmosha të cilat sapo kanë krijuar apo janë gati për të krijuar një familje. Si pasojë, edhe kur ky grup i shoqërisë lind fëmijë këta fëmijë lindin jashtë vendit”, thotë Bregu.

Sipas tij emigrimi ka ndikuar në rënien e numrit të lindjeve. Po ashtu thotë se shkaku kryesor i emigrimit janë pamundësitë ekonomike dhe është i njëjti me uljen e lindshmërisë.

“Pra, problemi kryesor që ne kemi në vend është mungesa e mundësive ekonomike dhe kjo sjell rritje të emigracionit dhe ulje të lindjeve njëkohësisht”, përmbyll Bregu.

Preçi shprehet se emigrimi ka luajtur një rol të shumëfishtë në uljen e lindshmërisë.

“Është pakësuar numri i kontribuuesve në sigurimet shoqërore do të thotë që qeveria ka më pak mjete në dispozicion për të mbështet familjet e reja me politika pro lindjes, nga ana tjetër është ndryshuar struktura e popullsisë, janë shtuar gjyshërit prindër që merren me rritjen e fëmijëve, kjo ka krijuar probleme me edukimin”, shton Preçi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *