Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Diskutim: Qytetarët përballë kërcënimit të shembjes së banesave 50-vjeçare

Ekspertë, aktivistë dhe qytetarë diskutuan dje mbi pasojat dhe zhvillimet e projektvendimit për auditimin e banesave që kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar. Ky diskutim u organizua nga “E drejta për qytetin” dhe në fokus kishte vendimin e qeverisë shqiptare për të kaluar në sitë të gjitha ndërtesat e vjetra që u prit me shqetësim nga publiku.

Ekspertë të fushave të ndryshme dhe qytetarë të prekur nga shembjet masive të banesave u mblodhën dje në qendrën “Tek Bunkeri” në një diskutim të hapur mbi problemet që shoqërojnë këtë proces.

Pronarët të përjashtuar nga vendimmarrja

Bllok pallatesh me godina mbi 50-vjeçare në Tiranë

Për juristët, ky vendim është shqetësues në disa drejtime. Vendimi nuk përcakton kritere se si do të bëhet identifikimi dhe përzgjedhja e ndërtesave, duke hapur rrugë për abuzime. “Kjo i lihet në dorë Instituti të Ndërtimit dhe Bashkisë ”, shpjegon avokatja Irena Dule.

Gjithashtu ajo shton se pronarët përjashtohen nga çdo vendimmarrje për pronën e tyre dhe sqaron si do të trajtohen familjet e prekura nga shembjet.

“Kanë idenë njerëzit që do përfitojnë se do bëhen ca pallate të bukura aty ku do shembet. Nuk e imagjinojnë që pasojat do jenë në nivel dëbimi”, thekson avokatja Irena Dule.

Pedagogu Julian Myftari tregoi se është interesuar pranë hipotekës, për të mësuar nëse ai është pronar i tokës mbi të cilën është ndërtuar pallati ku banon.

“Përfaqësuesja hipotekës thotë: Ne e kemi konsideruar gjithmonë që po . Ndërkohë ligji në 2004 thotë ju duhet të paguani vlerën e truallit. Ne rrezikojmë seriozisht që ne të na e marrin shtëpinë, mund të na e japin diku tjetër”, u shpreh Myftari.

Shembjet e banesave në Tiranë, një fenomen i përsëritur

Shembja e pallateve në rrugën Myslym Keta në Tiranë – Dhjetor 2022

Bashkia e Tiranës vendosi shembjen e 67 pallateve në zonën e Kombinatit pas tërmetit të vitit 2019. Banorët  ngritën 15 padi për të kundërshtuar shembjet e deri më tani Gjykata Administrative ka vendosur të shfuqizojë 9 prej vendimeve për shembje, duke provuar kështu se akt-ekspertimet mbi të cilat është mbështetur bashkia kanë deklaruar një shkallë më të lartë dëmtimi se ajo reale.

“Kombinati është i vetmi shembull që sistemi gjyqësor funksionoi në Shqipëri”, tha Edmond Çata, përfaqësues i grupimit “Për Kombinatin”.

Sipas tij, Grupimi Për Kombinatin arriti të provojë se ekspertizat e bëra nga institucionet publike kishin për qëllim shembjen e pallateve në funksion të interesave.

“E pamë që ekspertët e kontraktuar nga bashkia ishin ekspertë jo që ti bënin temena të vërtetës por e bën ekspertizën si e donte Rama dhe Veliaj. Edhe Instituti i Ndërtimit që supozohej të bëjë oponencë shkencore dhe që paguhet me paratë e taksapaguesve nuk e ka këtë kapacitet”, shtoi Çata.

Për pedagogun Ervin Goci shqetësuese mbetet mënyra e prezantimit të këtij projekt vendimi.

“Që nga momenti që ka dalë ky projektvendim, shtëpive në këto pallate i ka humbur vlera 30% deri në 50%. Dëmshpërblimi do bëhet me 40%  minus nga vlera që ka shtëpia. Vetëm mënyra prezantimit është fushatë tronditje psikologjike”, pohon Goci.

Gazetari Erjon Skendaj e lidh këtë projekt vendim me logjikën që është përdorur edhe gjatë shembjeve te rruga “Myslym Keta ”.

“Mekanizmi është ky, pallatet fillimisht do klasifikohen DS2 ose DS3, do kalojnë për rivlerësim, këto do të jenë hapi parë.  Rivlerësimi do të bëhet përmes kompanive të caktuara që i kontrakton Bashkia, do ta klasifikojnë me studime të thelluara DS5, do ti vihet vula e auditimit dhe do shembet pallati njësoj”, thotë Skendaj.

Alternativa veprimi për të ndaluar shembjen

Një i moshuar vështron prishjen e disa banesave në lagjen ‘5 Maji” në Tiranë – Dhjetor 2021

Në përmbyllje të takimit u vlerësua sesi mund të veprohet ende në kohë pa u miratuar ky projektvendim nga Këshilli i Ministrave.

“Publiku mund të bëhet pro aktiv dhe të çojë propozime në këtë fazë. Pavarësisht se nuk të ftojnë ti vetë ofrohesh edhe si individ, ekspert, komunitet në konsultime publike. Edhe te Ministria e Drejtësisë mund të aplikosh të njëjtën formë, nëse arrijmë të Këshilli Ministrave, këtu është mbyllur konsultimi publik. Nuk ka asnjë mekanizëm ligjor se ca ndodh me një VKM kur konsultimi publik nuk kryhet”, analizon avokatja Irena Dule.

Ky takim do të pasohet nga një dokument sqarues i cili do ti shpërndahet qytetarëve të pallateve që kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar.

“E mira është që të  bëhet një analizë që të na orientojë drejt një zgjidhje sa më të arsyeshme ose kundërshti sa më e arsyeshme. Qytetari është i përjashtuar si subjekt dhe objekt i këtij draft vendimi. Këtë duhet ti themi qytetarëve”, përfundon kërkuesi shkencor Ervin Kaçiu.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *