Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gratë punojnë tokat e shesin produktet, por mbeten të përjashtuara nga prona dhe ekonomia bujqësore

Hajde, urdhëroni, çik sallatë? Çik spinaq? Sallatën e ke shumë të mirë”, – i drejtohet një kalimtareje Shpresa, që pyet mbi çmimin e një prej produkteve që ajo shet. Shpresa është një ndër dhjetëra gratë që shesin çdo ditë prodhime në trotuarët e rrugës “Qemal Stafa” në qendër të Tiranës.

Ajo niset çdo ditë në orën shtatë nga fshati Çerkezë, ku ndërron disa autobusë për të sjellë në Tiranë prodhimet që merr nga toka bujqësore prej dy dynymësh, në pronësi të bashkëshortit. Shpresa investohet kryesisht në procesin e mbjelljes, prashitjes dhe ujitjes, ndërsa burrat e familjes së saj punojnë tokën me mjete si zetorë apo traktorë.

Shpresa e bën këtë rutine prej gjashtë vitesh; më herët nuk ka punuar jashtë shtëpisë.

Nuk dilja dot se isha me fëmijë të vegjël, dhe kështu, kisha punë. Kam ca pemë, ca fiq edhe më shkonin kot edhe thashë me vete nga t’i çoj?

Të ardhurat që mbledh nga shitja e produkteve bujqësore, Shpresa i investon të gjitha për familjen e saj, por pohon se ndonëse të ardhurat janë modeste, i kanë dhënë asaj një lloj lirie ekonomike.

Gratë fermere shesin produktet e marra në rrugën “Qemal Stafa, Tiranë

Të ardhurat i dërgoj vetëm për shtëpinë. Edhe burri, jo se mi jep mua të gjitha lekët, po për shpenzimet e shtëpisë mu mi jep por kur kam içik më shumë lekë, jam më e qetë”.

Disa metra më tutje saj është pozicionuar një tjetër zonjë, e cila ka rreshtuar një serë produktesh nga bahçja e saj. “Gjithë lëng janë portokallet, dje janë vjelë”, – i thotë Maria kalimtarëve të rastit që ndalojnë për ta pyetur për çmimin.

“Më bani halli me dalë këtu mos me i marrë gjanat me listë”, – vijon ajo, e cila pohon se kjo punë, pavarësisht sfidave, e ka ndihmuar të socializohet. “Puna më ka ndihmu me folë me njëri, me tjetrin. Kemi marrë një farë zhvillimi se kemi ndenjur në katund”.

Burrat dhe gratë në marrëdhënie me tokën bujqësore

Në zonat fushore marrëveshjet për punimin e tokës dhe mbjelljet behën nga burrat sepse mekanizimi është me i përhapur tek ta, por serish vjelja dhe shërbime si prashitja behën nga gratë”, – pohon për Citizens Channel Edvin Zhllima, studiuesi i ekonomisë bujqësore në Shqipëri.

Duke pyetur se sa para mbajnë gratë e burrat në një fshat si para xhepi mund të kuptosh diferencat”, – vijon më tej Zhllima. “Duket sikur grave paratë u duhet në shtëpi për blerje të përditshme ushqimore, kurse burrat duhet t’i kenë ne xhep sepse kjo u lejon të jenë të shoqërueshëm”.

Edvin Zhllima, studiues dhe ekspert i politikave të zhvillimit bujqësor

Sipas studimit të kryer nga UN WOMEN, rezulton se 80% e titujve të tokës bujqësore janë në emër të kryefamiljarit ose të ish-kryefamiljarit (vjehrrit, babait ose gjyshit).

Rasti i Shpresës, gjithsesi përbën përjashtim për shumë nga gratë fermerë që jetojnë larg kryeqytetit. “Në zonat rurale, familjet kanë tendencën të ndikohen më shumë nga gjykimet  misogjene”, shpjegon Zhllima, “ndaj kryesisht marrëdhëniet ekonomiko – tregtare me shitësit e faktorëve bujqësorë, blerësit dhe palët e treta si institucionet lokale dhe qendrore, mbahen nga burrat.

Ai shpjegon se gratë mbeten të përjashtuara nga vendimet për planifikimin e mbjelljeve dhe komunikimin me tregtuesit e produkteve bujqësore që rrisin.

Shumë rrallë gratë shoqërojnë lëvizjet e bashkëshortëve, sepse ambientet ku qëndrohet janë ambiente ku mbizotërojnë burrat. Mjedisi jo miqësor dhe pasiguria e lëvizjes për gratë krijon një rreth vicioz duke rritur më tej ndarjen gjinore”, – shprehet Zhllima.

Kufizimi i lëvizshmërisë “pakëson mundësinë e grave për të marrë mbështetje financiare”.

Perceptimi i burrave dhe grave rreth të drejtës pronësore

Sipas studimit “Perceptimet dhe Qëndrimet Publike ndaj Barazisë Gjinore në Shqipëri”, rreth 60% e fermerëve nuk u njohin asnjë të drejtë trashëgimie grave të familjes së tyre.

“Hendeku gjinor në pronësi dhe trashëgimin e tokës në Shqipëri”, studimi i fundit i publikuar vitin e shkuar, përforcon qëndrimet e mësipërme. Një e pesta e grave në 12 qarqe të Shqipërisë besojnë se nuk kanë të njëjtat të drejta pronësie si burrat.

Më shumë se gjysma e grave të anketuara (52%) i besojnë rregullave zakonore dhe të afërmve, krahas ligjit (46%). Më pak se gjysma e të anketuarave besojnë se ligjet shtetërore duhet të ndiqen kur merren vendime për shitjen e tokës.

Më shumë se gjysma e grave të anketuara (57%) ia besojnë vendimet për çështjet e trashëgimisë burrave ose familjes. 27% e grave të anketuara pohojnë se nuk e kanë parë asnjëherë certifikatën e pronësisë së tokës.

Gratë kanë perceptim të ulët për vlerën e tyre”, – shpjegon Edvin Zhllima. “Më së pari ato e shohin veten si shtëpiake e më pas si krah pune”. Krahas punës në fermë, ato vijojnë të kenë barrën e mirëmbajtjes së shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve dhe të moshuarve, çka vijon t’i mbajë larg transaksioneve me rëndësi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *