Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Pelegrinazhi rizgjon hekurudhën”, me tren drejt kishës së Shna Ndout

“Për te kisha e Shna Ndout? Të nimoftë”, më drejtohet biletashitësja e linjës hekurudhore Shkodër – Laç.

Për 13 të marta qytetarët e Shkodrës dhe të krahinave përreth mund të udhëtojnë me tren drejt Laçit, për të ndjekur më pas pelegrinazhin e kishës së Shna Ndout.

“Tani vetëm për të martave e përdorim, më përpara ikja me tren në Mjedë, në Milot ku ka qenë tregu. Edhe në Tiranë iknim me tren, por tani nuk funksionon më”, tregon për Citizens Channel, e moshuara Drane Zhuri.

Nisja për pelegrinazhin bëhet në orën 06.00 të mëngjesit ndërsa kthimi në orën 13.00. Bileta vajtje-ardhje kushton 150 lekë, më pak se gjysma e asaj që paguhet me furgon.

“Treni është më lirë, furgoni është më shtrenjtë, për fukaranë treni është super”, pohon Mondi, një tjetër pasagjer.

Linja hekurudhore Shkodër – Vorë u mbyll për pasagjerët në vitin 2019, pasi një prej urave u dëmtua nga tërmeti. Aktualisht, i vetmi tren që prek stacionin Shkodër, është ai i mallrave, Bajzë- Laç, i cili nuk ka një itinerar të qartë.

Pavarësisht kushteve jo të mira, qytetarët janë të kënaqur me rivënien në punë të trenit.

“Treni i mbledh gjithë njerëzit, gjithë popullin, edhe bëhemi si të shtëpisë”, thotë Rake Lupata.

Me të mbërritur në Laç, disa grupe nisin pelegrinazhin në këmbë, ndërsa disa të tjerë marrin furgona që të çojnë deri në hyrje të kishës së Shna Ndout.

“Erdha ja kështu, pak në këmbë, pak në makinë. Kam ardh për me më ndihmue zoti dhe kisha.”, thotë Mrike Prenga nga Mirdita.

Kisha e Shna Ndout shërben edhe si një vend pune për disa banorë të zonës. Donika Ndoci ka pesë vite që nxjerr të ardhurat e saj nga shitja e qirinjve.

“Unë kam burrin me dializë dhe mundohem të përballoj ilaçet dhe hallin që kam. I blejmë, i shesim, i blejmë pak më lirë, i shesim pak më shtrenjtë, me fitu një 20 lekësh, kështu sa me kalu”, përfundon ajo.

Mijëra besimtarë vizitojnë çdo vit kishën e Shna Ndout, kryesisht gjatë 13 të martave të shenjta, që nisin më 14 Mars deri më 13 qershor.

“Rrënimi i hekurudhës shqiptare” 

Sot Hekurudha Shqiptare administron rreth 351 km shina  nga të cilat mbi 45% janë jashtë funksionit. Katër dekada pas shkëlqimit të hekurudhës, vendit i mungojnë 249 km vijë hekurudhore.

Citizens Channel ka prodhuar një cikël me tre dokumentarë i titulluar “ Hekur, pluhur dhe frikë”, të cilët trajtojnë pikërisht boshllëkun që ka lënë harresa e publikes në transportin publik.

40 vjet më parë Shqipëria numëronte 13 milionë udhëtime me tren brenda një viti, që do të thotë se çdo qytetar udhëtonte mesatarisht 5 herë në vit me tren.

Rrjeti hekurudhor shqiptar sot i ngjan vetëm një kujtimi të largët të asaj çka ishte gjatë viteve 1980. Me ndryshimin e regjimit, shinat u ndryshkën dhe trenat u shkatërruan, ndërsa qeveritë u përqendruan në ndërtimin e rrugëve dhe qytetarët iu drejtuan makinave private. Kjo përmbysje e prioriteteve i la në harresë të gjitha format e transportit publik duke izoluar veçanërisht shtresat më të disavantazhuara të shoqërisë.

Hekurudha shqiptare është kthyer në një sistem të rrënuar, pavarësisht premtimeve të shumta për ringjallje, hekurudha sot ka humbur pjesën më të madhe të shtrirjes.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *