Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Hidrocentralet nuk ndalen, banorët e Kaçinarit në Mirditë rikthehen në protestë

Të dielën, dhjetëra banorë të zonës së Kaçinarit në Mirditë protestuan kundër ndërtimit të pesë hidrocentraleve. Banorët e shtatë fshatrave theksojnë se ndërtimi i këtyre HEC – eve do të thajë burimet ujore si dhe do dëmtojnë rëndë mjedisin.

Që prej vitit 2018, kur është miratuar koncesioni për pesë HEC – et e Kaçinarit, ata kanë protestuar duke ndaluar nisjen e punimeve.

Ata paditën koncesionarin dhe zyrtarët e bashkisë Mirditë që kishin dhënë lejet në SPAK,për “Shpërdorim Detyre” dhe “Falsifikim Dokumentesh”.

Institucioni ia kaloi çështjen për hetim Prokurorisë së Lezhës e cila nuk gjeti elementë të veprës penale. Në përfundim të saj avokatet e  konsideruan absurditet kërkesën e prokurorisë për mbyllje hetimesh, pasi janë të bindur se leja është dhënë në kundërshtim me ligjin për faktin se zona ku do ndërtohet HEC-et rezulton të jetë monument natyre.

Banorët kanë pohuar se do ta vijojnë rezistencën dhe protesta deri në mbyllje të çështjes.

Ndërtimi i HEC-eve nuk ndalet

Edhe pse në vitin 2019 kryeministri Edi Rama pranoi se hidrocentralet e vegjël janë të dëmshëm dhe të padobishëm, qeveria shqiptare vazhdoi të jepte leje ndërtimi, madje numri erdhi duke u rritur.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Energjisë, “nga viti 2005 deri në vitin 2022 janë nënshkruar në total 282 kontrata për ndërtimin e 621 HEC-eve, nga të cilat 25 kontrata për ndërtimin e 128 HEC-eve janë ndërprerë”.

Sipas të njëjtit burim, aktualisht janë 257 kontrata aktive, për ndërtimin e 493 HEC-eve të mëdhenj dhe të vegjël, të nënshkruara në periudhën 2005-2022.

Kjo nuk është hera e parë që banorët e zonave të ndryshme të Shqipërisë organizohen për të kundërshtuar ndërtimin e HEC – eve. Në disa raste ata kanë dal edhe fitimtarë, përmendim këtu rastin e banorëve të Zall – Gjocajt ku Gjykata e Lartë ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Apelit, duke i dhënë të drejtë komunitetit. Kompanisë iu hoq licenca për prodhimin e energjisë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, duke ndaluar kështu hidrocentralin “Zais” që prek lumin Flim në Mat.

Rezistencë të suksesshme ka pasur edhe nga banorët e fshatit Madhesh në Mat, të cilët kanë protestuar kundër ndërtimit të hidrocentralit “HEC Madhesh”. Aktualisht nuk ka nisur puna në terren e shoqërisë private “A.R.M shpk”, pasi licenca trevjeçare për shfrytëzimin e burimeve ujore ka skaduar në vitin 2020.

HEC Madhesh ka shfaqur probleme në zbatimin e procedurave ligjore, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Gjithashtu vlerësohet se institucionet kanë shkelur ligjin duke mos rishikuar kushtet e lejeve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *