Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pse ka trafik në Tiranë?

Në ato që njihen si oraret e pikut, orët e para të mëngjesit dhe ora 17:00 e pasdites, qytetarët e Tiranës përballen me trafik të rënduar. Ndërsa ky problem është i pranishëm edhe jashtë orareve të pikut. Planet e bashkisë Tiranë për ndërtimin e unazës së gjelbër ndërkohë, pritet që ta thellojnë edhe më tej këtë problematikë.

“Realisht qyteti i Tiranës është një qytet, i cili ka një trafik të ngarkuar dhe ju mund ta shihni këtë edhe në ditët e fundjavës trafiku është i ngarkuar për shkak të një menaxhimi jo korrekt”, -shprehet eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe.

Sulçe shprehet se shkak për këtë janë zgjidhjet e përkohshme që kanë dhënë qeveritë e ndryshme, të cilat nuk e kanë zgjidhur problemin e trafikut.

“Qoftë Bashkia Tiranë, qoftë qeveria, kanë bërë investime të tilla që ka qenë abuzive me çmimet dhe nuk kanë dhënë zgjidhje të infrastrukturës rrugore”, tha ai për Citizens Channel.

Artur Sulçe, ekspert i sigurisë rrugore

Ai merr si shembull aksin nga mbikalimi i Kamzës deri tek rreth rrotullimi i TEG-ut.

“Ka ngecje të trafikut nga mbikalimi i Kamzës ose Casa Italia për tek rreth rrotullimi i doganës ose ish-Shqiponja, ju e shikoni që ka ndërprerje të rrymave të trafikut, dhe nuk është dhënë një zgjidhje e përhershme por konstatojmë që përsëri aty ka trafik dhe përplasen rrymat e trafikut”, thotë Sulçe.

Urbanistja Doriana Musai shprehet se çështja e trafikut në Tiranë është ngushtësisht e lidhur me dendësinë urbane të qytetit dhe përqendrimin e popullsisë, llojin e rrugëve si dhe transportin urban.

Doriana Musai, urbaniste

“Nga njëra anë sa më shumë i është rritur dendësia qytetit aq më shumë është rritur trafiku. Nga ana tjetër rrugët janë pothuajse të njëjtat dhe shpesh ato ndërhyrje që janë bërë si unaza e vogël apo e madhe nuk e kanë zgjidhur trafikun”, shprehet Musai.

Musai sugjeron se çdo zgjidhje për trafikun duhet të marrë në konsideratë tre nivelet e qarkullimit, që janë brenda-jashtë qytetit; lëvizje në arteriet qarkulluese të brendshme të banimit dhe lëvizjet brenda blloqeve të banimit. Ajo shprehet se zgjidhja nuk mund të bëhet parcialisht, por duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

Nga ana tjetër, eksperti Sulçe thotë se mungesa e auditimit dhe abuzimet me projektet kanë sjellë pengesa rrugore dhe për pasojë një trafik më të rënduar.

Nëse shohim në “Google Maps” në oraret e pikut, rrugët më të bllokuara nga trafiku janë, Rruga e Aeroportit, Rruga e Kavajës, Bulevardi Bajram Curri, rruga Muhamet Gjollesha dhe rruga që të dërgon për në Astir.

Pamje e trafikut ne Tirane nga google maps

“Unaza e Madhe nuk e zgjidhi problemin e trafikut”

Kreu i Bashkisë Tiranë e justifikoi trafikun si pasojë e numri të lartë të popullsisë dhe turistëve. Teksa foli për projektet infrastrukturore të cilat pritej të rregullonin trafikun, si projekti i Unazës së Madhe, Veliaj tha se do të kishte mbaruar, po ka ngecur prej sherreve.

Rindërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës në segmentin pallati me shigjeta-sheshi Shqiponja, është projekti më i kushtueshëm i kryeqytetit. Të dhënat e Ministrisë së Infrastruktuërs tregojnë se për një segment prej 1.49 kilometrash janë shpenzuar 4.5 miliardë lekë (afërsisht 3 miliardë lekë apo 25 milionë euro për kilometër).

Projekti i Unazës së Madhe

Urbanistja Musai shprehet se arsyeja pse projekti është vonuar nuk ka të bëjë me “sherret siç shprehet Veliaj”, por vonesat kanë ardhur nga planifikimi i gabuar.

“Nuk erdhën nga banorët, konfliktet vijnë si pasojë e vendimmarrësve jo për shkak të banorit. Banori kërkon të drejtën e vet kushtetuese të njohjes se pronës dhe shpronësimit të drejtë”, deklaron Musai.

Sulçe thekson nevojën për studim të parakohshëm të situatës së trafikut përpara se të bëhen planet për ndërtimin e një infrastrukture të re.

“Por mungesa e auditimit dhe abuzimit me projektimin ka sjellë këtë pengesë rrugore sot dhe këtë lloj trafiku. E njëjta gjë është më lart tek Astiri, e njëjta gjë është përsëri tek pallati me shigjeta, që është rrethrotullimi që vetëm rrethrotullim nuk mund të quhet, për arsyen e vetme sepse, nëse në normat bazë të një rrethrotullimi nëse një numri i mjeteve kalon 35 mijë gjatë 24 orëve atëherë rrethrrotullimi është vetëm një pengesë rrugore dhe nuk është një zgjidhje e infrastrukturës rrugore për të lëvizur mjetet”, shpjegon ai.

Ai shton se përpos faktit që çdo kilometër në atë rrugë ka kushtuar 25 milionë euro, nuk ka ofruar zgjidhje për trafikun.

“Fakti që drejtoria e rrugëve ARSH, nuk përdor auditimin gjatë projektimit dhe qeveria i bën të gjithë projektet me njerëzit të cilët janë pranë selisë së partisë së tyre, normalisht që do reflektohen të gjitha këto gabime”, shprehet ai.

Ekspertët: Ka nevojë për zgjidhje gjithëpërfshirëse, jo të pjesshme

Parkimi është një nga faktorët e tjerë që e shtojnë trafikun në Tiranë. Një qytetar në kërkim të një parkingu e shton trafikun në qytet.

Heqja e parkimeve përgjatë akseve ka çuar në ulje të numrit të parkimeve, duke shtuar orët në trafik në kërkim të një vendi parkimi dhe bllokim te itinerareve të lagjeve”, shprehet Musai teksa shton se një arsye tjetër që shton trafikun është mungesa e një transporti publik cilësor.

“Qytetarët e përdorin mjetin privat nga halli, pasi i kushton shumë më shume se sa transporti urban, porse, ky i fundit është aspekt efecient, i papërshtatshëm, jo cilësor dhe në tërësi shërbim i degraduar”, shprehet urbanistja.

Ajo sugjeron se Tirana ka nevojë për një plan qarkullimi, nisur nga çfarë është gjendja ekzistuese, çfarë është propozuar deri tani nga studime të ndryshme që janë bërë dhe cilat janë problemet e parashikuara në të ardhmen përveç atyre aktuale.

Sulçe shprehet se sistemi i lëvizjes në Tiranë është rrethor. Prandaj thotë ai, duhet që të bëheshin matjet e trafikut, të cilat hyjnë në qendër dhe duke pasur parasysh që në mëngjes të gjithë drejtuesit e mjeteve vijnë drejt qendrës se janë institucionet qendrore, atëherë do duhej të lëviznin më dy korsi drejt qendrës dhe një korsi drejt periferisë se ka më pak trafik, dhe e kundërta duhet të ndodhte në drekë ose gjatë kohës që mbaronte orari zyrtar dhe njerëzit shkonin në shtëpi pra dy në ngjitje dhe një në zbritje.

“Kjo realizohej nëpërmjet një sinjalistike të ndritshme, e cila duhet që njëkohësisht tju jepte shpjegimin e duhur gjithë qytetarëve dhe përdoruesve të rrugës”, shprehet ai.

Së fundmi ai thekson se  duhet patjetër që të mendohet për zgjidhje që nuk janë të momentit, pasi “për sa kohë do mendohet për zgjidhje të momentit atëherë asnjëherë nuk do kemi zgjidhje”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *