Sipas të dhënave të përpunuara nga ODA (Open Data Albania) Shqipëria pati rritje reale të pagave prej vetëm 1471 lekësh gjatë vitit 2022, rritja më e ulët vjetore në 22 vitet e fundit. Këto përllogaritje janë bërë studiuar pagën mesatare vjetore nominale, krahasuar me nivelin e inflacionit dhe rritjen e çmimeve.

Përllogaritja vlerëson se paga mesatare reale në sektorin e punësimit Publik (shtet) në vitin 2022 jo vetëm nuk është rritur, por për shkak të rritjes së çmimeve sipas raportimeve zyrtare, është zvogëluar” – shkruan ODA.

Rritja e pagës reale mesatare në sektorin publik, 2000-2022/ ODA

Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, ka shënuar rekorde sa i përket rritjes së inflacionit. Nga nëntori i vitit 2021 dhe deri në tetor 2022 inflacioni në vend shënoi rritjen më të madhe të 24 viteve të fundit. Inflacioni nënkupton përqindjen me të cilën rriten çmimet e mallrave dhe shërbimeve, si ushqimet apo transporti, e cila sjell zhvlerësimin e parasë.

Të dhënat e muajit mars të këtij viti, të publikuara nga INSTAT, tregojnë se rritja më e madhe e çmimeve u shënua në grupin “ushqime dhe pije joalkoolke” me 11%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 20,6 %, pasuar nga produkte të tjera të konsumit të përditshëm. Kjo kategori u rrit me 1.7% nga muaji shkurt 2023.

Edhe për vitin 2023, Shqipëria rezulton shteti me pagën më të ulët në Evropë, 297 euro, me një diferencë shumë të madhe edhe me shtetet fqinje. Pas Shqipërisë, vjen Bullgaria (398 euro), pasuar nga Serbia (460 euro).

Me datë shtatë prill, qeveria shqiptare miratoi ndryshimin në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavaruara, të krijuara me ligj”.

Sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, rritja në harkun kohor do të jetë e përshkallëzuar sipas pozicioneve në sektorin publik. Premtimi për rritjen e pagës vjen pas një viti të ngritjes drastike të çmimeve dhe të naftës, të cilat, sipas INSTAT vijojnë të rriten me vlera të larta çdo muaj.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu