Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nga sot, Shqipëria ka 9 gjykata më pak; Ekspertët: “Harta e re gjyqësore stimulon korrupsionin”

Nga sot, nëntë gjykata të shkallës së parë dhe prokurori rrethesh mbyllën dyert. Kjo erdhi si pasojë e hyrjes në fuqi të hartës së re gjyqësore të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë. Rishpërndarja e gjykatave të vendit u miratua në korrik të vitit të shkuar pavarësisht kundërshtisë avokatëve dhe grupeve të interesit.

Tashmë, Gjykata e Matit bashkohet me të Dibrës, e Kavajës dhe e Krujës bashkohet me atë të Durrësit; Gjykata e Lushnjës bashkohet me të Fierit, Saranda dhe Përmeti bashkohet me Gjykatën e Gjirokastrës, Gjykata e Tropojës bashkohet me atë të Kukësit, Pogradeci me Gjykatën e Korçës, Kurbini me të Lezhës dhe Gjykata e Pukës me Shkodrën.

Përveç reduktimit të gjykatave të rretheve, harta e re gjyqësore ul në vetëm dy Gjykata Administrative të Shkallës së Parë (nga 6 ekzistuese). Këto dy gjykata do të jenë në Tiranë dhe në Lushnjë. Harta po ashtu parashikon pasjen e vetëm një Gjykate Apeli, e pozicionuar po ashtu në Tiranë.

Analizë mbi ndikimet e hartës së re gjyqësore

Avokati Adriatik Lapaj shpjegon për Citizens Channel se harta e re gjyqësore ul aksesin në drejtësi, stimulon korrupsionin dhe rrit mbingarkesën pasi përqendron volumin e punës në Tiranë. Ai liston disa nga arsyet pse kjo hartë dëmton qytetarët.

  1. Ul aksesin në drejtësi për një pjesë shumë të madhe të popullsisë pasi mbyllja e apeleve te juridiksionit të përgjithshëm dhe Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë duke i përqendruar në Tiranë dhe Lushnjë i largon shumë fizikisht nga jugu dhe veriu i vendit.
  2. Mbyllja e Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë nga 6 ne 2 do i largojë shumë e për pasojë do stimulojë korrupsionin në masë. Kujtojmë që këto gjykata gjykojnë mosmarrëveshjet mes individit dhe administratës. Tashmë qytetaret për masa administrative (gjoba) të inspektorateve të ndryshme (IKMT, mjedisit, AKU e me radhë) do duhet të iniciojnë gjyqe në Lushnje për jugun dhe në Tiranë për veriun e vendit. Kjo do bëjë që qytetarët t’i bien shkurt…të paguajnë ryshfet. Do rrisë shumë kostot për proceset gjyqësore pasi distancat e mëdha kanë kosto logjistike.
  3. Përqendrimi në Tiranë do rrisë mbingarkesën. Ky është eksperiment i provuar me gjykatën Administrative të Apelit në 2013. Ka dështuar. Nëse në 6 Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë në rrethe gjykohej mesatarisht nga 3-6 muaj për një çështje, në apel kërkonte 4-5 vjet. Zgjidhja do qe e kundërta, pranë çdo dy gjykatave te shkalles se pare te gjykatave administrative te hapej një apel me qëllim uljen e stokut dhe gjykimin e shpejtë.
  4. Përqendrimi në Tiranë dhe mbyllja e gjykatave në rrethe zbraz këto qytete nga profesionistët në fushën e drejtësisë e për pasojë kontribuon në largimin e popullsisë. Mbyllja e një gjykate heq nga këto qytete një numër të madh qytetarësh që i përkasin shtresës së mesme. Largon gjyqtarët, prokurorët, noterët, avokatët, ekspertët e drejtësisë si ekspertët psikologë, vlerësues dëmesh, mjekësor, autoteknikë e me radhë. Njerëzit do ndjekin punën. Ikën puna, ikin njerëzit.
  5. Përqendrimi në Tirane do të krijojë probleme me trafikun pasi do jenë me mijëra mjete dhe qytetarë qe do hyjnë e do dalin në Tiranë për gjyqet që do u transferohen në kryeqytet.

Në muajin shkurt të këtij viti, Komiteti Shqiptar i Helsinkit mbajti një tryezë diskutimi, ku u sollën në vëmendje efektet që do të ketë harta e re gjyqësore. Shqetësimi më i madh i ngritur lidhet me funksionimin e vetëm një gjykate apeli në rang kombëtar. Të tjera problematika të evidentuara nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit janë:

  1. Mungesa e transparencës karshi publikut të veprimtarisë së GNP-së së ngritur nga KLGJ.
  2. Mungesa e një procesi konsultativ gjithëpërfshirës përgjatë fazës së hartimit të raportit të vlerësimit nga ky grup pune.
  3. Mungesa e një studimi apo vlerësimi objektiv dhe të gjithanshëm, me avantazhet dhe disavantazhet e ri-organizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave të tyre tokësore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *