Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Shembje me vetgjyqësi”, konflikti pronësor lë 15 familje të pastreha në Tiranë

Të premten rreth orës 2 të natës një ekskavator shembi pallatin nr. 17 në rrugën Margarita Tutulani në Tiranë.

Pas kallëzimit të banorëve, dy shtetas u arrestuan nga policia, nën akuzën se me vetëgjyqësi prishën objektin i cili ishte pronësi e përbashkët e tyre me dy shtetas të tjerë, duke dëmtuar rrjetin elektrik dhe prishur qetësinë publike.

“Kanë ardhur në mënyrë mafioze, se në dy të natës nuk bëhet shembja, me tërë këtë vinç, një zhurmë e paparë, me banorë brenda, ka banorë brenda ”, – thotë për Citizens Channel një nga banorët, Islam Nazja.

15 familjet që kanë jetuar për dekada në këtë pallat u dëbuan forcërisht nga forcat e policisë në 23 dhjetor 2022, në zbatim të një vendimi të Këshillit Bashkiak Tiranë, që e klasifikonte godinën si të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.

Banorët iu drejtuan Gjykatës Administrative e cila e hodhi poshtë akt ekspertizën e kompanisë “Arabel  Studio”, e kontraktuar nga Bashkia Tiranë, dhe administroi një akt të ri, i cili tregoi e godina nuk është prekur nga tërmeti i vitit 2019, e se në fakt për këtë objekt ka një projekt përforcimi. Gjykata e pranoi pjesërisht padinë, duke kërkuar që të rimerret në shqyrtim situata e dëmtimeve.

Edhe pas këtij vendimi, banorët nuk u rikthyen në pallat, për shkak të konfliktit të vjetër të pronësisë, që nis që prej vitit 1991. Dy katet e kësaj godine janë ndërtuar nga aviacioni ushtarak italian ndërsa kati i tretë i saj është ndërtuar me forca vullnetare gjatë 1946. Banorët tregojnë se në vitin 1991, nuk u lejuan t’i privatizojnë shtëpitë, pasi godinës që dikur administrohej nga shteti i kishte dalë një pronar. Ata filluan një gjyq me Agjencinë e Kthim Kopmensimit të pronave.

Në vitin 2012, pasi qeveria miratoi një akt normativ për lirimin e banesave me ish-pronarë, ata vijuan betejën gjyqësore, duke ngritur një sërë padish dhe aktualisht mbi objektin ekziston një masë sigurimi padie, e cila ndalon kryerjen e çdo veprimi juridik.

“Kjo ndërtesë me masën e sigurisë që ka nga Gjykata Administrative nuk mund të preket një tullë, jo më të vihet në dy e gjysmë të natës edhe të prishet”, – thekson Esen Kalemi, banore e pallatit.

Në vitin 2013, banorët e pallatit kanë hyrë në një grevë urie 15 ditore, pasi pretendonin se objekti ishte privatizuar duke falsifikuar dokumentet. Greva, në atë kohë, u mbështet nga deputetët e Partisë Socialiste (në opozitë), duke shënuar përplasje mes tyre dhe drejtuesve të policisë.

“Në 2011 erdhi policia përmbarimore me na nxjerrë, në atë kohë ishte Partia Socialiste në opozitë, erdh Saimir Tahiri me shokë dhe nuk na lejoj me dal dhe u futëm prapë në shtëpi. Tani me policinë përmbarimore, sot e pas 10 vjetësh vijnë me letrën për të na nxjerr nga shtëpia”, – shpjegon Altin Cerka.

Aktualisht, banorët e pallatit kanë liruar godinën prej vitesh dhe e kanë të vështirë të përfitojnë nga skema e kredive që parashikonte Akti Normativ për godinat me ish-pronarë, për shkak të çmimeve të larta dhe mungesës së kolateralit. Ata shprehen se prej muajsh mbeten të përjashtuar nga skemat e strehimit social, ndërsa personat që shembën objektin kanë aplikuar për një leje ndërtimi në këtë truall.

“Në 23 dhjetor të gjithë gëzonin ne na nxorën katër rrugët, se kush ta hap derën sot, kush të jep shtëpi sot. Shteti para se të na nxirrte, n.q.s. bëhet llaf për shtetin ka anë sociale, ka mënyra të ndryshme që…ne na hodhën në rrugë të madhe”, tha Islam Nazja

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *