Një ekspozitë fotografike që memorizon historinë e Sindikatës së Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar u mbajt në Teatrin e Operas dhe Baletit mbrëmjen e shkuar.
Kjo ekspozitë, realizuar me mbështetjen e fondacionit gjerman në Tiranë, “Friedrich Ebert” shërbeu si një mënyrë për të festuar 32 vjetorin e krijimit të sindikatës dhe për të sjellë në vëmendje luftën e përditshme për më shumë të drejta e kushte të mira në punë.
Punonjës të telekomunikacionit dhe njëherazi anëtarë të rinj të sindikatës shprehën nevojën për të qenë të përfshirë sindikalisht.

“Problematikat mund të jenë të shumta, por kryesorja ishte problematika e pagesës, e cila kishte një diferencë midis pagesës së Teleperformancës së Durrësit dhe asaj të Tiranës. Gjë që u arrit falë marrëveshjes me sindikatën dhe pse jo shpresojmë për arritje të tjera”,-shprehet Xheni punonjëse prej 12 vitesh në kompaninë “Teleperformancë” dhe pjesë e sindikatës prej dy vitesh.
Xheni shprehet se përfshirja e sa më shumë punonjësve në sindikata mbetet ende sfidë.
“Ne nuk është se e kemi në mentalitet anëtarësimin në sindikata, nuk është se kemi njohuri maksimale për sindikatat dhe kjo është sfida më e madhe për të thithur sa më shumë anëtarë”.
Paga mbetet një nga kërkesat e punonjësve të telekomunikacionit.

“Janë shumë problematika, kryesorja është paga. Problemet mund të zgjidhen nëpërmjet kontratës kolektive që kjo kontratë kolektive ofrohet vetëm nga sindikata. Është një sfidë shumë e madhe dhe urojmë që ta finalizojmë sa më shpejt dhe në të mirë të të gjithë punonjësve”,-shprehet Elda Demolli, punonjëse e One Telecomunication, e anëtarësuar në sindikatë vetëm pak muaj më herët.
Për drejtuesin e sindikatës, Renato Muçaj kontrata kolektive është një nga arritjet e sindikatës këto vite.

“Një nga arritjet kryesore të cdo sindikate është firmosja e kontratës kolektive. Kontratat kolketive janë ato që mborjnë punonjësit, janë garania e tyre për vendet e punës, për rritje te pagave. Ne kemi qenë nga sindikatat e para në Shqipëri që në vitin ’93 që kemi firmosur kontratën e parë kolektive. Përsëri jemi sindikata e parë në 2021 që kemi firmosur një kontratë kolektive me kompaninë “Teleperformancë” për mbrojtjen e punonjësve në sektorin call center”,-tha për Citizens Channel, Muçaj.
Sindikata e Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar (SPPTSH) përfaqëson 1000 punonjës në sektorin e telekomunikacionit, 2200 punonjës të postave dhe 4000 punonjës të call center-it.
Renato Muçaj thekson se rritja e pagave mbetet një nga sfidat e sindikatës.
“Një nga sfidat kryesore mbetet sigurisht nivelet e pagave. Rritja e pagave janë objektivi jonë i ardhshëm për kontratat e reja kolektive, pasi me rritjen e çmimeve punonjësit janë më shumë në vështirësi dhe këto paga nuk i dalin qoftë edhe për shpenzimet e tyre ditore. Ajo që ne synojmë është që të ketë një sistem për rritjen e pagave, pra vit pas viti të ketë rritje page. Jo një fushatë dhe le të rrisim pagat sot, por të ketë një vazhdimësi. Dhe këtë sigurisht e garantojnë kontratat kolektive”,-përfundon Muçaj.