Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dy vite organizim dhe greva, punëtoret e Bilishtit “fitojnë” kontratën kolektive

Rreth 120 punonjëse fasonerie në Bilisht pas 2 vitesh organizim firmosën kontratën kolektive me kompaninë “Toni Oil”.

Mirjeta Shega, kryetare e Sindikatës në Bilisht u shpreh se punëtoret janë entuziaste për arritjen: “Shumë të gëzuara janë gratë, më në fund e arritëm diçka mbas shumë peripecish”.

Kjo kontratë vjen në një moment kyç të historisë sonë, ku me mijëra punëtorë po largohen nga vendi si pasojë e pagave të ulëta, kushteve të këqija të punës dhe shfrytëzimit çnjerëzor në punë”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Punëtoreve të  Fasonerisë.

Çfarë është kontrata kolektive?

Kontrata kolektive është një marrëveshje ndërmjet punëdhënësve dhe përfaqësuesve të punëtorëve (të organizuar në sindikata ose shoqata profesionale). Ky pakt përcakton kushtet e punësimit dhe objektivat e produktivitetit, të cilat reflektohen në kontratat individuale të punës.

Mirjeta Shega tha se ky është vetëm fillimi në rrugëtimin e tyre të organizimit sindikal dhe shton se ajo dhe koleget e saj shpresojnë të arrijnë më shumë të drejta në vazhdim.

Ne kuptuam sa i rëndësishëm është organizimi në vendin e punës, pasi vetëm kur u bëmë të gjitha bashkë arritëm fitore”, tha Shega më tej.

Ajo u shpreh se firmosja e kontratës kolektive për të dhe punëtoret e tjera ka një rëndësi të veçantë, pasi më herët Kodi i Punës nuk zbatohej dhe “tani do të marrim çfarë na takon me ligj”, shton Mirjeta.

“Organizimi i punëtoreve të fasonerive në Bilisht është i hershëm dhe konstant ndër vite, pasi kushtet e punës aty kanë qenë shumë të vështira dhe padrejtësitë kanë qenë të vazhdueshme”, përcjell Sindikata.

Mirjeta Shega u shpreh se rrugëtimi i tyre ka qenë i vështirë me plot sfida, ku përmendi heqjen nga puna, mosnjohjen e sindikatës, grevat e protestat që ato organizuan.

Rrugëtimi i punëtoreve të Bilishtit deri te kontrata kolektive

Prej 2 vitesh, gratë punëtore të fasonerive në Bilisht janë përballur me probleme në punë, me kompaninë, me protesta të shumta dhe me sfidën e organizimit sindikal.

Në janar të vitit 2022, punëtoret kërkuan rritje page nga kompania. Pagat fillonin nga 8 mijë lekë të vjetra dhe më e larta ishte 12 mijë lekë.

Nisur nga kjo situata punëtoret u bënë bashkë dhe i kërkuan drejtuesit të kompanisë rritje page.

Kërkesa e tyre u rrëzua disa herë nga kompania e cila u kërkonte që të rrisnin normën e punës nëse donin rritje rroge.

Pasi punëtoret dhe kompania nuk po binin dakord mbi këtë çështje, ato morën hapin e radhës dhe bojkotuan punën në fund të janarit 2022. Edhe pas këtij hapi nuk pati asnjë reagim pozitiv nga kompania. Këtu ishte momenti kur punëtoret vendosën të organizoheshin sindikalisht dhe të krijonin sindikatën e tyre.

Alfred Bushi, i cili ka  dhënë asistencën e tij në organizim sindikal të punëtorëve tregon për Citizens Channel se rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë, por plot me pengesa.

“Problematikat kanë qenë të shumta, që nga insticucionet që tregoheshin ngruruese e në shumë të raste të paafta për të zbatuar ligjin dhe për të venë drejtësi e deri të mendësia që përshkon pothuajse të gjithë biznesmenët, fakti që nuk sillën si sipërmarrës por si padronë”, thotë Bushi.

Alfred Bushi, organizator i punëtorëve dhe asistent ligjor

Ai tregon se ka munguar dhe mbështetja e Inspektoratit në disa raste dhe kjo e ka vështirësuar punën e tyre në krijimin e sindikatës.

“Inspektorati shtetëror në shumë rast dorëzohej përballë arrogancës, lidhjeve dhe forcës së pronarit duke i lënë punëtorët në mëshirë të fatit”, shton ai.

Domosdoshëria e kontratës kolektive

Sipas Organizatës Botërore të Punës (ILO), kontraktimi kolektiv është një formë komplementare e rregullimit të ligjeve të punës. Kontrata kolektive është një mekanizëm i cili përforcon zbatimin e ligjit dhe rregullave të punës, si dhe i lejon palëve të përmirësojnë çka parashtrohet në minimumin ligjor. Po ashtu, kontrata kolektive merret me çështje që janë specifike për kompaninë.

Kontraktimi kolektiv përpiqet të gjejë zgjidhje që janë specifike për sektorin apo kompaninë.

Ligji përcakton se “organizata sindikale që ka përfaqësueshmërinë më të madhe ka të drejtën t’i kërkojë punëdhënësit për të hyrë në negociata për kontratën kolektive”.

Nëse sindikata paraqet dokumentacionin e duhur të përfaqësueshmërisë, punëdhënësi është i detyruar të hyjë në procesin e kontraktimit kolektiv.

Por në Shqipëri arritja e një marrëveshje për kontratën kolektive ka hasur vështirësi edhe pse është i përcaktuar me ligj. Ato në të shumtën e rasteve ose mungojnë ose janë të padobishme.

Puntoret e fasonerisë përballë kompanisë gjatë bojkotit të punës/Janar 2022

Alfred Bushi sqaron se kontrata kolektive së pari i jep një siguri të madhe punëtorëve.

Me miratimin e kontratës kolektive, punëtoret nuk mund të hiqen nga puna në mënyrë arbitrare dhe as nuk mund tu ulet rroga.

“Do u paguhen raportet mjekësore, sigurimet shoqërore, pushimet vjetore, ditët festive, i mbron punëtoret në rast shtatzanie, në rastet kur kanë sëmundje e fatkeqësi, e me radhë”, sqaron Bushi.

Ai shprehet se një nga pikat e rëndësishme të kontratës është se pas 6 muajsh do të ridiskutohet çështja e transportit të punëtoreve që jetojnë larg vendit të punës.

“Punëtorët  po ashtu tashmë kanë një mjet shumë të fortë e të ligjshëm, të njohur si nga shteti ashtu dhe nga pronari në dispozicionin e tyre që është Sindikata, e cila i mbron ligjërisht”, yha Bushi për Citizens Channel.

Ndër të tjera ai sqaron se në rastin e grave punëtore të Bilishtit, kontrata kolektive luan dhe një rol emancipues për gratë.

Ideja që gruaja është inferiore dhe duhet t’i bindet burrit/sipërmarrës është një ide e që nëpërmjet grevave, protestave po tejkalohet, megjithëse me hapa të vegjël. Kontrata kolektive i vë gratë punëtore në pozita të barabarta me sipërmarrësin/burrë, u jep atyre të drejta dhe liri që më përpara shkeleshin haptazi”, shprehet Bushi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *