Procesi i numërimit i nisur mesnatën e djeshme po vijon, ku po numërohen fillimisht votat për kryetar dhe më pas për Këshillat Bashkiake.

Në Tiranë, referuar të dhënavë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë numëruar mbi 70% e qendrave të votimit. 

Numri total i zgjedhësve në listë është 699 766, nga të cilët 358 633 ishin gra.

Numri i votuesve në qendrat e votimit që janë numëruar deri tani është 213 019. 8343 janë vota të pavlefshme dhe 204 318 të vlefshme.

Garën deri tani e kryeson kandidati i Partisë Socialiste, Erion Veliaj me 54.59% të votave, duke u ndjekur nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi me 34.67% të votave. 

I treti në garë është kandidati i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori, me 4.77% të votave. Qori dhe suibjekti Lëvizja Bashkë kandidojnë për herë të parë në zgjedhjet vendore të 2023.

Numërimi për këshill ka nisur vetëm në 4 qendra votimi nga 941 në total. 

Zgjedhjet në rang kombëtar

Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi në një deklaratë për media tha se procesi i numërimit në rang vendi ka përfunduar në Bashkinë e Pustecit, edhe në 3 bashki ku u zhvillua votimi dhe numërimi elektronik në Elbasan, Vorë dhe Kamëz.  

Procesi i numërimit për kryetar ka përfunduar në 34 bashki dhe në 4 bashki ka nisur numërimi i votave për këshill.

Pjesëmarrja e votuesve në rang vendi është 37.79%.

Procesi i numërimit është i bllokuar në Finiq, Malësinë e Madhe dhe Shijak si edhe në katër KZAZ të Tiranës. 

“Në të gjitha këto KZAZ pezullimi ka ardhur për shkak të lodhjes të komisionarëve dhe anëtarëve të grupit të numërimit. Gjithashtu është pezulluar edhe në Bashkinë e Kavajës për shkak të konfliktit që ka aty ndërmjet anëtareve të komisionit zonal të administrimit zgjedhor. Sipas ligjit do të duhej që deri në 22.00 të ditës së sotme të përfundoj procesi i tabulimit të rezultatit për të gjitha KZAZ– të”, u shpreh Celibashi.

Sipas KQZ janë raportuar 3619 qendra votimi nga 5213 në total. Partia Socialiste ka kryesuar në 54 bashki të vendit, teksa koalicioni Bashkë Fitojmë në 6 bashki.

OSBE: Shqetësim respektimi i Kodit Zgjedhor

Misioni i OSBE-ODIHR në një deklaratë për media ka bërë vlerësimin situatës së ecurisë së zgjedhjeve deri më tani. Shefja e misionit të OSBE-ODIHR-it, Audrey Golver është shprehur se shqetësim kryesor për ta ka qenë respektimi i kodit zgjedhor.

“Pra ishim 250 veta vëzhgues për  zgjedhjet e 14 majit. Ekziston një besim në listën zgjedhore, megjithatë 40% e votuesve ndodhen jashtë vendit. Ka 92 komisione të administrimit zgjedhor. Krijimi i tyre ishte problematik. Fushata ka qenë paqësore megjithëse sulmeve nga liderët e partive politike që ishin të rënda”, u shpreh Golver.  

Ajo shtoi se liderët kanë hedhur shumë akuza ndaj njeri tjetrit teksa shtoi se nuk ka pasur debat mes tyre, por vetëm përmes rrjeteve sociale.

“Ka patur ndërhyrje sa i përket punës së medias për të ndikuar te pavarësia e tyre editorial dhe mbulimin e fushatës zgjedhore dhe raportimin e lajmeve nga disa media dhe kjo ka ndikuar në dezinformin”, tha Golver.

Shqetësim tjetër i ngritur nga misioni i OSBE ODIHR ishte dhe votimi elektronik si dhe punësimet në administratën publike.

“Punësimet në administratë publike kanë qenë një tjetër shqetësim i yni që mund të kenë ndikuar në votën për partinë në pushtet”, u shpreh ajo.

KRIIK: Politika dështoi në reformimin e kuadrit ligjor

Koalicioni për reforma integrim dhe institucione të konsoliduara (KRIIK) ka reaguar për situatën e zgjedhjeve vendore në Shqipëri.

KRRIK evidentoi se gjatë periudhës parazgjedhore shteti nuk arriti të organizojë një proces zgjedhor “të ndërtuar për qytetarët dhe rreth interesave të qytetarëve”.

“Ky vlerësim qëndron edhe për procesin në vijim, deri në ditën e zgjedhjeve”, u shpeh përmes një deklarate KRIIK.

KRIIK vlerëson se politika ka dështuar sërish në tentativat për të reformuar kuadrin ligjor për zgjedhjet. 

Nuk janë adresuar rekomandimet e bëra nga OSBE ODIHR, sipas KRIIK. “Procesi reformues ishte sërish jo transparent, u zvarrit dhe nuk konkludoi në asnjë amendim, si pasojë e bllokimit politik të qëllimshëm”, thuhet në deklaratë.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu