Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Qendra për paraplegjikët pa rrugë, ujë e drita; Komuniteti fiton betejën me bashkinë Tiranë

Shoqata e Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë (SHIPT) ka fituar në Gjykatë të Shkallës së Parë ndaj Bashkisë Tiranë. SHIPT paditi bashkinë për moszbatim të marrëveshjes së lidhur në vitin 2020, për të bërë të aksesueshme mjediset e zonës së ish-repartit ushtarak në Surrel për këtë komunitet.

Kërkesa për të marrë ato mjedise në shfrytëzim nga shoqata erdhi pasi ambienti i mëparshëm në zonën e ish-Uzinës Tirana në Laprakë u dha për pallate.

VKM-ja nr. 478 e datës 17.06.2020 i garantoi kësaj shoqate marrjen e një trualli prej 3300 metrash katrorë, nga ku 466 metër katror janë godina për shfrytëzim për një periudhë 10-vjeçare.

21 dhjetor 2020, Bashkia lidhi një marrëveshje me SHIPT dhe ia dha shoqatës në përdorim truallin. Tre vite më pas, institucioni nuk ka zbatuar detyrimet për ta bërë ambientin të aksesueshëm dhe për të lidhur energjinë elektrike dhe ujin.

Detyrimet përcaktohen në Nenin 14 të ligjit nr. 8626, 22.06.2000 “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik” ku parashikohet se “shteti merr përsipër të verë në dispozicion dhe të japë falas mjedise për zhvillimin e veprimtarisë së shoqatës”. Gjykata vlerësoi se Bashkia Tiranë nuk ka bërë asgjë për të vënë pronën në dispozicion.

Vendimi i Gjykatës nënkupton që “Bashkia Tirane ka detyrimin të plotësojë të gjitha urdhërimet e gjykatës në mënyrë të menjëhershme, pa pritur që vendimi të marrë formë të prerë”, – shpjegon për Citizens Channel avokatja Irena Dule nga “Respublica”.

Bashkia ka bërë ankim të veçantë kundër dhënies së vendimit me ekzekutim te menjëhershëm, duke treguar mungesë vullneti kundrejt detyrave që ka ndaj komunitetit të para – tetraplegjikeve, të cilat burojnë se pari nga ligji, se dyti nga kontrata, se fundi nga Vendimi i Gjykatës Administrative”, – shton më tej Dule.

Irena Dule, avokate “Respublica”

Vendimi i gjykatës nënkupton që tashmë Bashkia Tiranë ka këto detyrime: të ndërtojë rrethimin e kufijve të pronës në Surrel (1); të furnizojë me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, të ndërtojë kanalizimet e shkarkimit të ujërave etj. (2); të bëjë të aksesueshme rrugën që lidh godinën me aksin Tiranë-Dajt (3); të eleminojë të gjitha pengesat (4) dhe të rehabilitojë dhe të restaurojë ambientet e brendshme të objekteve (5).

Tre vite pa shërbime…

Prej tre vitesh, qindra persona para dhe tetraplegjikë janë të përjashtuar nga shërbimet si pasojë e mungesës së një hapësire të përshtatshme. Më herët, shoqata e Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë ofronte shërbime elementare për këtë komunitet, si pajisje me karrige, patericë. Ata gjithashtu kishin një palestër për rehabilitim fizik.

Shumë herë na marrin në telefon dhe thonë ku do të vijmë, ku do të adresohemi. Jemi të pazotë t’u themi ku të drejtohen sepse ne akoma nuk kemi zyra për vete”, – shton drejtuesi i shoqatës.

Aktualisht, trualli i dhënë për përdorim është tërësisht i paaksesueshëm edhe nga makinat; rrugët janë të amortizuara, ndërsa për të shkuar te godinat të duhet të ngjitësh disa shkallë guri.

Objektet janë shumë të amortizuara, pa dyer, pa dritare. Nuk kanë as rrjetin elektrik as hidraulik, pra nuk kanë as ujë, as drita”, – thotë për Citizens Channel Ndrekë Ismajli. “Ne përfaqësojmë 6800 para – tetraplegjikë në gjithë Shqipërinë dhe 1600 të Tiranës”, – informon ai.

Bashkia Tiranë ka mbajtur qëndrimin se shpenzimet për këtë zë do të planifikohen në buxhetin afatmesëm 2023-2024.

Ndrekë Ismajli shpjegon se zgjedhja e këtij reparti ushtarak vinte si pasojë e vizionit për të ndërtuar një mjedis ku të ofrohen shërbime të ndryshme për personat me aftësi të kufizuar, larg kryeqytetit të zhurmshëm dhe kaotik.

Larg zhurmës, larg ndotjes… Ishte një ide e jona që mos të jemi më në amullinë e Tiranës, po në një zonë turistike ku mund të hahet një drekë, mund të pihet një kafe nëpër ato restorantet e bukura nga Linza deri në Dajt”.

Mungesa e dëshirës e pushtetit lokal apo e qeverisë shqiptare na detyron që ne të përdorim rrugë të cilat nuk janë të këndshme për ne”, – shton Ismajli.

Vizioni i tij është krijimi i një qendër pritjeje për personat para dhe tetraplegjikë.

Problemi kryesor i këtyre personave është mungesa e vazhdimit të trashëgimisë. Shumica nuk krijojnë familje dhe në momentin që u largohen prindërit nga jeta, ata ngelin të vetmuar”, – rrëfen Ndrekë Ismajli.

Ndrekë Ismajli, kryetar i Shoqatës së Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë (SHIPT)

Ideja ime ishte aty të bëhej një qendër pritjeje dhe zgjidhje të problemeve të çastit. Pra, në moment që një personi i ikin prindërit ai të ketë se ku të akomodohet sa të thyejë atë vetminë dhe të gjendet një zgjidhje me kalimin e kohës”.

Ndreka shprehet i zhgënjyer nga mungesa e vullnetit institucional për të mos u dhënë shërbime sipas dispozitave ligjore.

Të habit! Se mund të nxjerrë një pemë qershie, rrit kokrrën, po të rrisë qershia kokrrën më shumë se trupin e vet, që ta hajë trupin, veç në Shqipëri mund të ndodhë”, – përmbyll ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *