Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Te Teatri”, një udhëpërshkrim mbi atë çka mbetur nga Teatri Kombëtar

Që nga 17 maji 2020, gazetarja Elsa Demo nuk kishte shkelur në sheshin e Teatrit Kombëtar. Ajo u rikthye sot aty, mes rrënojave, për të ndarë me Citizens Channel arsyet që e çuan në botimin e librit “Te Teatri”.

Parafjala e librit u botua në blogun “Peizazhe të Fjalës” në orën 4:30 të mëngjesit, e njëjta orë kur tre vjet më parë nisi shembja e godinës. Autorja sjell në kujtesë se dy ditë para shembjes ka fotografuar çdo cep dhe çdo pemë ku dikur shkruheshin emrat e artistëve, ndërsa kujton se kishte parandjenjën se diçka e keqe do të ndodhte.

“Një njollë turpi për ata që e ekzekutuan si vendim, për ata që e mbështetën, për ata që heshtën dhe për ata që e pranuan edhe pas shembjes, si një normalitet ”, pohon Demo për Citizens Channel.

Demo rrëfen se ky libër i botuar nga “Berk”, erdhi si nevojë për të pasur një përmbledhje të shkrimeve në fushën e artit dhe kulturës. Ajo ka mbledhur shkrimet për premierat e deri tek politikat për teatrin, duke sjellë këtë strukturë 460 faqëshe.

Autorja Elsa Demo duke shfletuar librin e saj në rrënojat e Teatrit Kombëtar – Foto: Lorin Kadiu – Citizens Channel

“Kam kaluar në faza ku dokumentimi i shkrimeve nuk është kaq i lehtë sa sot, sot me një “hard disk” ti mund të fusësh brenda gjithë jetën tënde të dokumentuar”, shton Demo.

Gazetarja ka kaluar dy vite sfida, për të sjellë këtë libër, që nga botuesit që nuk e merrnin mundimin ta lexonin, deri te mbështetja e mohuar nga fondacionet kulturore të huaja, bankat private dhe sponsorët gjeneralë të teatrit.

Demo nuk ka asnjë ndjenjë revolte teksa e mban librin e saj ndër duar, teksa thekson se nuk e di nëse njerëzve do ju duhet ky libër, madje e ndjen si diçka të tepërt, si shumë gjëra të kulturës në Shqipëri që shoqëria nuk ka stomak ti mbajë dhe i vjellë.

“Kontakti im me teatrin ka qenë kaq i natyrshëm dhe kaq organik, pa kurrfarë ambicie për të qenë pjesë e tij, po thjesht për të qenë një spektatore e tij dhe për të dëshmuar për teatrin”, analizon ajo.

Historia e teatrit – “Nga shpërdoruesit tek varrmihësit”

Gazetarja Demo i cilëson po njësoj fajtore të dyja forcat politike më të mëdha në vend, jo vetëm për fatin që pati godina e Teatrit Kombëtar, por edhe për gjendjen e jetës kulturore në vend. Sipas saj, e djathta ka pasur më shumë fonde për kulturën, por i ka shpërdoruar keq, ndërsa të majtët janë “varrmihës të kulturës” sepse e kanë orientuar paranë publike drejt festival-bërjes, drejt turizmit kulturor dhe jo drejt politikave të qëndrueshme për kulturën.

“Më mirë një varr si ky, i mbushur kështu me plehra, siç e shikoni sesa një varr estetik si ai i Bjarke Ingelsit. Për mua edhe ai është varr estetik, modern, por është varr sepse nuk lidhet me traditën tonë, nuk lidhet me atë që është ky vend”, shpjegon Demo në lidhje me stanjacionin aktual të Teatrit.

Demo risjell edhe njëherë kritikat për mënyrën sesi po menaxhohet teatri duke nënvizuar se mungon minimalisht një axhendë tre mujore e aktiviteteve, nuk ka një kalendar artistik, nuk ka transparencë në zgjedhjen e këshillit artistik dhe nuk zhvillohen konferenca “tetë a tetë” me gazetarët. Ajo përmbledh se edhe kritika ka nevojë për vesh për t’u dëgjuar dhe për t’u reflektuar në vendimmarrje.

“Ne jetojmë në një diktaturë ku liria e shprehjes është e mbrojtur. Ne jemi të lirë të shprehemi, por kjo liri shprehjeje nuk ka peshën e duhur, nuk zë vend, injorohet, pra zëre sikur të mos e kesh ngritur zërin fare”, përfundon ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *