Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt: Media në Shqipëri mbetet nën kërcënim

Mjedisi për gazetarinë e pavarur dhe kritike si dhe pluralizmi i mediave mbetet ende një sfidë.

Sipas “Treguesit të Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri”, botuar së fundmi nga Rrjeti për Gazetarët e Sigurt, sistemi mediatik në Shqipëri dominohet nga mediat klienteliste dhe lidhjet e fshehta mes mediave, politikës dhe biznesit.

Raporti përmend si zhvillim pozitiv tërheqjen e plotë të paketës antishpifje.

Gjithsesi, në Raportin Vjetor të Komisionit Evropian për vitin 2022 theksohej se nuk është bërë progres me lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave”,-thuhet në raport.

Blerjana Bino, autore e raportit shprehet për Citizens Channel se ky mjedis mbetet mjaft i kërcënuar për shkak të vështirësive të vazhdueshme strukturore të ekosistemit mediatik dhe ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe social-kulturore.

Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt

“Disa nga këto problematika janë së pari, marrëdhëniet simbiotike mes politikës, biznesit dhe medias dhe në disa raste në 2021 dhe 2022 dhe indicie edhe të përfshirjes së krimit të organizuar. Së dyti, përqendrimi i pronësisë së mediave në pak duar si dhe mungesa e transparencës për burimet e financimit të mediave audiovizive dhe sidomos atyre online ashtu sikurse vazhdojmë të kemi mungesë të transparencës proaktive lidhur me pronësinë e medias dhe ndikimin në linjën editoriale dhe raportim”,-tha Blerjana Bino, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) dhe kërkuese për “Safe Journalists Network” në Ballkanin Perëndimor.

Vëmendje në raport merr edhe kufizimi i plotë për mediat nga ana e Prokurorisë së Tiranës  për publikimin e të dhënave nga dosjet e hakuara gjatë sulmeve kibernetike.

“Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt së bashku me organizata të tjera të mediave reaguan lidhur me kufizim të plotë të publikimit që imponoi prokuroria dhe i bëri thirrje asaj dhe qeverisë shqiptare të shmangin marrjen e çdo hapi të mëtejshëm që cenonte ushtrimin e gazetarisë së përgjegjshme apo që rrezikonte lirinë e gazetarëve që publikonin materiale me interes publik”,-thuhet në raport.

Sipas raportit janë 30 çështje gjyqësore të hapura kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave përgjatë vitit 2022.

“Nga këto, 11 çështje janë ende të pazgjidhura dhe janë të mbartura nga vitet e mëparshme, ndërkohë që 19 çështje janë raste të reja. Po ashtu, ka pasur edhe 12 padi civile të bëra në vitin 2022, nga të cilat 11 janë për Nenin 617 Publikimet mashtruese ose të pasakta) dhe një padi sipas Nenit 625 (Përgjegjësia për dëmin jo pasuror)”, -cilëson raporti.

Ndërsa nga ana e gjykatave nuk ka një bazë të dhënash për vendimet kundrejt çështjeve të hapura për mediat, thekson raporti.

Për gazetarët nuk ekziston një sindikatë përfaqësuese, nevojë kjo e shprehur edhe prej vetë atyre në anketimet e kryera.

“Gjetjet e Barometrit për lirinë e medias në Shqipëri në vitin 2021,71 pasqyrojnë se shumica dërrmuese e punonjësve të medias të anketuar, 97% e tyre, mendojnë se organizimi në sindikata do t’i ndihmonte drejtpërdrejt gazetarët në përmirësimin e lirisë së medias si dhe të kushteve të tyre të punës”,-nënvizon raporti.

Kushtet e punës për gazetarët 

Përgjatë vitit 2022 në raport thuhet se nuk ka pasur përmirësime për të drejtat në punë të gazetarëve.

“Këto sfida lidhen me vonesën e pagave, marrjen e pagave në rrugë informale, parregullsi në sigurimet shoqërore, mungesa e pushimeve javore/vjetore, orët e gjata të punës dhe çështjen e pushimit nga puna në kundërshtim me ligjin”.

Po ashtu, gazetaret e reja të cilat punojnë në mediat online nuk kanë kontrata të rregullta pune, thekson raporti.

Mosrespektimi i Kodit të Punës po ashtu mbetet shqetësuese për ecurinë e punës së gazetarëve.

“Në muajt e fundit të vitit 2022, SafeJournalists mori raportime nga stafi i medias së Euroneës Albania në lidhje me shkarkimin e supozuar të rreth 30 punonjësve si rezultat i ndryshimit të drejtuesve të kësaj medie. Pjesa më e madhe e personelit të prekur u detyruan të jepnin dorëheqjen, ndërkohë që një numër i vogël punonjësish u pushuan menjëherë nga puna”.

Ndërsa pushime nga puna pati edhe në televizionin publik shqiptar.

“Në janar të vitit 2023 ky rrjet në Shqipëri mori raportime nga gazetarë dhe punonjës të mediave të RTSH-së që tregonin për pushime nga puna për shkak të ristrukturimit të strukturës së RTSH-së pas ardhjes së drejtorit të ri të përgjithshëm”.

Megjithatë, raporti thekson se vetëm gjashtë ankesa ishin bërë nga gazetarët pranë Inspektoriatit Shtetëror të Punës gjatë vitit 2022.

“Këto ankesa kishin të bënin kryesisht me probleme të hasura në ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, vonesa ose mospagim të pagave apo kontributeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe shkelje në marrëdhëniet e punës. Nga të dhënat rezulton se ankesat janë zgjidhur në favor të punonjësve ku janë konstatuar shkelje dhe janë zgjidhur gjatë procedurës së inspektimit”.

Sipas raportit pavarësia editoriale mbetet e pasigurt.

“Mediat private me më shumë ndikim zotërohen nga një pjesë e vogël kompanish, të cilat kanë lidhje me politikanë. Këto kompani në të njëjtën kohë operojnë në sektorë shumë të rregulluar, të tilla si ndërtimi, gjë që mund të komprometojë më tej pavarësinë editoriale”.

Vetëcensurimi i gazetarëve mbetet një problem mjaft i përhapur, si një formë për të shmangur dëmtimin e vetes ose mediave të tyre thekson raporti.

“Pavarësisht përpjekjeve për të luftuar vetë-censurën dhe për të nxitur pavarësinë editoriale, kjo praktikë vazhdon të dominojë në mjedisin e mediave në Shqipëri. Është me rëndësi të madhe të krijohet dhe forcohet kultura e gazetarisë së pavarur për të mbështetur vlerat e demokracisë dhe për të mbrojtur të drejtën e publikut për t’u informuar në mënyrë të saktë dhe të besueshme”.

Gratë gazetare në media 

Gratë gazetare raportojnë në kushte më të këqija se kolegët e tyre meshkuj.

“Në vitin 2022, ka dalë në plan të parë problemi i diskriminimit me bazë gjinore dhe i ngacmimeve në vendin e punës, ku gratë e gazetarisë kanë ngritur shqetësime për ngacmimet seksuale dhe dhune online apo disinformim për shkak të gjinisë”,-thotë raporti.

Megjithatë nuk ka pasur raportime apo denoncime nga frika e hakmarrjes.

Raporti thekson se gratë dhe vajzat gazetare përbëjnë numrin më të madh të gazetarëve në Shqipëri, por shumë pak prej tyre kanë poste drejtuese në redaksi.

“Ky pabarazi e theksuar gjinore është e pranishme edhe në proceset vendimmarrëse në media”.

Kjo pabarazi reflektohet edhe në paga.

“Sipas raportimeve dhe fokus grupeve me gazetarë, gazetaret femra shpesh paguhen më pak se homologët e tyre meshkuj për të njëjtën punë. Ky është një problem i madh, sepse jo vetëm përjetëson pabarazinë gjinore në vendin e punës, por ndikon edhe në fuqizimin ekonomik të grave gazetare”.

Siguria e gazetarëve

Rjeti i “Gazetarëve të Sigurt” ka regjistruar 18 raste të sulmeve kundër gazetarëve. Sipas raportit përgjatë vitit 2022 janë raportuar disa incidente, gjashtë prej tyre kërcënime dhe ngacmime jo-fizike, një rast kërcënues për jetën kundër ekipit të medias Fiks Fare, nëntë sulme faktike ndaj gazetarëve, si dhe dy raprotime për sulme kibernetike.

“Rasti i zj. Kostani, punonjëse policie në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, e cila ofendonte publikisht gazetarët në rrjetet sociale, duke pretenduar se po pengonin punën e policisë vendore. Në një tjetër incident, kryeministri Edi Rama e deklaroi publikisht Klevin Mukën, gazetar i stacionit televiziv A2 CNN, si të padëshiruar në konferencat e ardhshme për shtyp, sepse gazetari i bëri një pyetje për konflikt interesi të Ministres së Jashtme dhe për përfshirjen e bashkëshortit të saj si investitor strategjik në sektorin e turizmit të qeverisë”,-dokumenton raporti.

Blerjana Bino thekson se ka disa çështje, të cilat duhet të adresohen për përmirësim, mes tyre transparenca për pronësinë e mediave dhe pavarësia e mediave për raportimin e aktiviteteve të kandidatëve në fushatat zgjedhore.

“Të zbatohet një politikë e tolerancës zero për kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, si dhe për kërcënimet ndaj medias, përfshirë këtu edhe në debatin politik. Të mblidhen dhe botohen të dhëna të rregullta për sigurinë e gazetarëve, për kushtet e punës dhe çështje të tjera të lidhura me to. Të ndiqet çështja e sigurisë digjitale të gazetarëve dhe të rriten kapacitetet e institucioneve publike për trajtimin e problemeve të sigurisë digjitale për gazetarët dhe profesionistët e mediave. Të krijohen dhe konsolidohen mekanizmat e vetë-rregullimit me kapacitete ekzekutive”,-përfundon Bino.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *