Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Hape zemrën”-Parada e Krenarisë LGBTI+ në Tiranë

Një larmi ngjyrash dominon turmën e mbledhur pranë instalacionit “Reja” për të festuar diversitetin e për të kërkuar më shumë të drejta në marshimin “Parada e Krenarisë”.

Të rinj e të reja shkëputen nga turma për të rrëmbyer një përqafim te Toni, një mësuese e gjuhës angleze që jeton në Tiranë. Ajo ka veshur nje mantel ku shkruhet “Përqafime Mamaje Falas”.

“Shumë njerëz në paradën e krenarisë do të jepnin çdo gjë për të pasur një përqafim të vërtetë nga mamaja apo babait i tyre. Kështu që është thjesht dicka e vogël që mund të bëj për të përhapur dashuri dhe pranim”-shprehet Toni për Citizens Channel.

Toni Cachiopo, mësuese e gjuhës angleze

Prej tre vitesh ajo jeton në Shqipëri, dhe çdo vit i bashkohet paradës së komunitetit LGBTI+. Këtë vit, ajo edhe shumë aleate të komunitetit LGBTI+, i janë bashkuar thirrjes për të hapur zemrën.

“Çfarë mund të them është se shërbimi shëndetësor për gjithsecilin është një e drejtë themelore e njeriut. Testohuni, merrni kujdes shëndetësor dhe jepni e merrni përqafime”,-përfundon ajo.

“Hape zemrën”-Parada e Krenarisë 

Parada e Krenarisë nisi si një festë flamujsh e ngjyrash, por edhe mesazhesh të forta politike, për të kërkuar akses në shëndetësi për personat transgjinorë dhe mbrojtje nga dhuna dhe diskriminimi.

Marshimi nisi nga instalacioni “Reja” drejt urës së bllokut, për t’u rikthyer në sheshin “Nënë Tereza” e drejt Kryeministrisë.

Xheni Karaj, aktiviste Foto: Arbjona Çibuku

“Sot, pavarësisht ekzistencës së një ligji për mbrojtjen nga diskriminimi dhe plani kombëtar veprimi për personat LGBTI, 75% e personave të komunitetit raportojnë se janë përballur apo kanë dëshmuar dhunë apo diskriminim”,– u shpreh aktivistja Xheni Karaj para Kryeministrisë.

Ndërsa shtoi se mos raportimi i dhunës vjen si pasojë e mos besimit në institucionet shtetërore në rreth 90% të rasteve.

“Sot, 30% e personave LGBT nuk ndjehet të sigurt t’u drejtohen qendrave të kujdesit shëndetësor për shkak të diskriminimit dhe frikës ndaj paragjykimit ndërsa personat transgjinore nuk mund të marrin asnjë trajtim për afirmimin e gjinisë së tyre”. 

Aktivistët kërkuan njohje të familjeve LGBTI+ dhe siguri për fëmijët e tyre.

Edlira Mara, aktiviste

“Kur lindëm vajzat tona, deri në momentin që dolëm nga spitali u futëm në makinë dhe mbyllëm dyert edhe me siguresa. Kishim një frikë të pa shpjegueshme që do të na i merrnin. Kjo frikë vazhdoi edhe për ca kohë kur dilnim me vajzat për shëtitje. Sot kemi frikë për të ardhmen e tyre. Kemi frikë nga indiferenca e ligjvënësve tanë. Kemi frikë se ata do të dështojnë në misionin e tyre për të cilin kanë marrë edhe votat tona, që të japin një jetë dinjitoze dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e këtij vendi”,-u shpreh aktivistja Edlira Mara.

Ajo mbylli fjalën e saj duke shprehur se do të luftojnë çdo ditë për të drejtat e komunitetit.

“Ne qëndrojmë këtu sot për të festuar identitetet e familjeve tona. Ne qëndrojmë këtu sot për të kërkuar njohje dhe respekt nga qeveria jonë dhe nga shoqëria në tërësi dhe po ashtu qëndrojmë këtu sot për të thënë se do të vazhdojmë të luftojmë derisa çdo pjesëtar i komunitetit tonë të trajtohet me dinjitet dhe barazi”. 

Në mënyrë simbolike, aktivistët i lanë kryeministrit Rama një dajre, si kujtesë për të hequr dorë nga propaganda e për t’i dalë zot premtimeve që qeveria ka dhënë për të drejtat LGBTI+.

“Kryeministër dhe gjithë kasta politike e 30 viteve të fundit, ju mund të fitoni zgjedhje, por keni humbur besimin e qytetarëve. Meqë e keni kthyer politikën në një rënie dajresh, po jua lëmë dhe ne një dajre nga komuniteti, me shpresën që të gjeni një fije guximi për të mbështetur personat LGBT në kauzën tonë për drejtësi”,-përfundoi Xheni Karaj.

Parada e Krenarisë mbahet për të 11-in vit në Shqipëri, ku ndër vite është kërkuar siguri në shkolla për anëtarët e komunitetit, akses në edukim dhe shëndetësi dhe njohje të familjeve LGBTI+.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *