Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Lista e kandidatëve për kryetar bashkie u dominua sërish nga burrat

Zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 përforcuan edhe njëherë pabarazinë gjinore në listat e kandidatëve të propozuar nga partitë politike.

Shumica dërrmuese e kandidatëve për bashkitë e vendit ishin burra. Përkatësisht, në 61 bashki të vendit, u propozuan 143 kandidatë. Vetëm 16 prej tyre ishin gra, ndërsa 127 ishin burra.

Kjo shifër nuk ka ndryshuar nëse do ta krahasojmë me listat e propozuara nga partitë politike edhe në zgjedhjet e shkuara. Sipas të dhënave të vendosura në krahasim nga rrjeti për “Barazi në Vendimmarrje”, numri i vajzave dhe grave në listat e zgjedhjeve vendore u rrit pak krahasur me zgjedhjet e vitit 2011, por diferenca mbetet ende e theksuar.

Burimi: Rrjeti për Barazi në Vendimmarrje

Edlira Çepani, koordinatore e Rrjetit për Barazi në Vendimmarrje shprehet për Citizens Channel se në Kodin Zgjedhor nuk parashikohet një kuotë gjinore për kandidatët për kryetarë bashkie, ndërsa ka ende një rrugë të gjatë për partitë politike në vend për të krijuar në mënyrë natyrale barazinë mes kandidatëve.

Edlira Çepani

“Për zgjedhjet vendore në Shqipëri Kodi Zgjedhor parashikon 50% kuotë gjinore vetëm në listat e kandidatëve për Këshilltarë Bashkiakë. Numri i ulët i grave kandidate (15) krahasuar me numrin total të kandidatëve në gjithë Shqipërinë, sjell në vëmendje që ka ende një mungesë vullneti të partive politike për të kandiduar gratë dhe vajzat aty ku nuk rregullohet me ligj nëpërmjet kuotës dhe me sanksione të forta”, –argumenton Çepani.

Nga kandidatët për 61 bashkitë në vend, vetëm tetë gra arritën të fitojnë, kundrejt 53 bashkive që u fituan nga kandidatët burra.

Sipas Çepanit “studimet tregojnë se gratë dhe vajzat e marrin votën në terren po njësoj si burrat dhe rezultatet e disa prej bashkive e kanë treguar këtë, pasi përqindja e kandidateve gra që kanë fituar është më e lartë në krahasim me përqindjen e kandidatëve burra edhe gra”. 

Ajo thekson se si zgjidhje për këtë situatë duket të fuqizohen vajzat dhe gratë brenda partive politike.

“Disa nga zgjidhjet kryesore për këtë situatë janë fuqizimi i grave dhe vajzave brenda partive politike, duke investuar në strukturat e grave dhe duke investuar për të larguar barrierat që krijojnë pabarazi në aksesin në listat e kandidatëve, siç është gara e barabartë dhe e drejtë brenda partisë politike, aksesi i barabartë në financat politike si dhe disa barriera të tjera në pamje të parë të padukshme, por të rëndësishme për garantimin e shanseve reale të barabarta mes kandidatëve si aksesi në media”,-thekson Çepani.

Kjo qasje gjinore në listat e propozuara të kandidatëve për zgjedhjet vendore sipas Edlirës vjen së pari për shkak të përceptimit të gabuar se gratë nuk marrin mjaftueshmë vota nga votuesit dhe së dyti “me kostot e larta të fushatave vendore (vendosen njerëz që kanë kapital të lartë) ndaj është i rëndësishëm aksesi i barabartë në financat politike”.

Sipas një monitorimi të AMA-s edhe hapësira kohore e vajzave dhe grave kandidate në media ka qenë e ulët, në rreth 11% të protagonizmit në media, kundrejt 89% që e kishin kandidatët burra.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *