Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Mos u ngopshi!”-Protestë kundër rritjes së pagave të deputetëve dhe ministrave

“Mos u ngopshi!” ishte banderola që priti sot deputetët e Kuvendit të Shqipërisë në hyrje të godinës.

Ata votuan sot projektligjin për rritjen e pagave dhe shpërblimeve për veten, ministrat, kryeministrin dhe kryeparlamentaren.

Aktivistët e Lëvizjes Bashkë, i pritën deputetët duke i hedhur para false nën thirrje proteste për të rritur pensionet dhe për të miratimuar minimumin jetik.

“Në këtë një muaj fushatë elektorale nga njëra anë Rama ka premtuar se do t’i rrisë pagat për punëtorët, pensionet për pensionistët e varfër, rrogat për nëpunësit e shtetit. Por shohim se as dy ditë pasi u tallën një muaj me popullin, vetëm sa i kanë rritur pagat njëri-tjetrit. Deputetët me rrogat më të shtrenjta në vendin më të varfër të Evropës”,-u shpreh Klodi Leka, aktivist i Lëvizjes Bashkë.

Aksionit iu bashkia një e moshuar që kishte ardhur nga Berati për një takim me deputetët.

“4 milion lekë rrogën ata. Unë marr 100 mijë lek pension. Unë jam me zmadhim aorte. Kam trombozë në mushkëri dhe Berati nuk më jep rimbursimet. Katër vula i kam edhe nuk më japin rimbursimet. Unë çfarë do bëj me 100 mijë lek? Unë 50 mijë lek i kam ilaçe të zemrës, kam tani 50 mijë lek këto të tjerat. Unë çfarë do ha? Deputetin? Këta janë kriminelë të tërë. Nuk kanë turp, rritën rrogat e tyre, pa rritur pensionet fare”.

Drejtuesi i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori u shpreh se paga e deputetëve tanimë shkon sa mesatarja e 21 pensioneve të marra së bashku.

Arlind Qori, Foto: Lëvizja Bashkë

“Këta njerëz pa asnjë vlerë, sot do ti dyfishojnë pagën vetes dhe do t’ja bëjnë 3 milion e 100 mijë lek të vjetra. Në Shqipërinë, tonë po e theksoj përsëri, pensioni minimal është sa askund tjetër nëpër Evropë. Është vetëm 80 mijë lek të vjetra. Imagjinoni të jeni pensionistë dhe të jetoni me 80 mijë lek të vjetra. Pensioni mesatar I atyre njerëzve që kanë kontribuuar një jetë në skemën e sigurimeve në qytet, jo në fshat se në fshat është akoma më i ulët, është 150 mijë lek të vjetra. Unë bëra një raport shumë të thjeshtë dhe më dilte që rroga e deputetit do të jetë sa 39 pensione minimale. Rroga e deputetit do të jetë sa 21 pensione mesatare. Ky është skandal i padëgjuar ndonjëherë në asnjë lloj vendi”,-u shpreh Qori.

Mirela Ruko, aktiviste e njëkohësisht anëtare e këshillit të ri bashkiak të Tiranës, theksoi se deri më tani po prisnin diskutimin nga deputetët për projektligjin e minimumit jetik, si më emergjent se pagat e deputetëve.

Mirela Ruko, Lëvizja Bashkë

“Ne që nga muaji janar presim që parlamenti të mblidhet të diskutojë projektligjin për minimumin jetik që do të ndikonte ndjeshëm të të gjithë qytetarët, te ata që marrin pension, tek ata që marrin ndihmë ekonomike. Po ashtu tek ata, të cilët paguhen me pagë minimale sepse do të ndikonte te rritja e pagës minimale dhe ashtu si ne e quajmë është një hap larg varfërisë dhe do të kishte dobi të të gjithë qytetarëve. Kështu që në pritje të këtij vendimi, ajo çfarë shohim nga parlamenti është se ata do të mblidhen për ti rritur rrogat vetes dhe jo për të votuar për një projektligj, i cili duhet të ishte në dobi të qytetarëve”,-tha Mirela për Citizens Channel.

Aktivistët nuk ngurruan të trajtojnë me ironi edhe rolin e deputetëve në kuvend, duke i akuzuar se nuk kanë ngritur zërin për asnjë shqetësim të qytetarëve që përfaqësojnë.

Klodi Leka Foto: Lëvizja Bashkë

“Pashë këto ditë disa deputetë që po kërkonin rritjen e rrogës. I pari ishte Petro Koci, deputet që në kohën e dinozaurëve, deputete që s’na kishte bërë baba hala ne brezin e ri. Edhe kërkonte zotëria jo vetëm rritje rroge, por si mjaftonte 3 milion lekëshi, kërkonte edhe veturë, edhe shofer, edhe sekretar Petro Koci se thonte se mua më rrezikohet jeta. Ka folur zero sekonda në parlament. Deputetë anonimë, deputetë që nuk thonë asgjë për njerëzit, deputetë që nuk mbrojnë asnjë lloj çështjeje, parazitë, që tashmë do të marrin 3 milion lek”,-tha mes të tjerash Klodi Leka.

Ndërsa aktivistja Albina Ruko kërkoi kthimin e vëmendjes nga deputetët edhe te miratimi i statusit të minatorit.

Albina Ruko

“Me këtë statusin e minatorit çfarë u bë? Apo as për këtë nuk keni lek? Po për statusin e naftëtarëve çfarë u bë? Apo as për këtë nuk keni lek? E nëse nuk dini të menaxhoni të ardhurat e shtetit e nëse vazhdoni të jeni të korruptuar, e nëse vazhdoni të shiteni edhe ne si qytetarë të na lini në pikë të hallit jepni dorëheqjen zotëri. Jeni 140 veta, nuk ju njohim, nuk ju njohin fare. Edhe më mirë që nuk ju njohim, që ta keni më kollaj të ikni edhe ta bëjmë parlamentin për së mbari nga fillimi”,-përfundoi Ruko.

Nga 101 deputetët e pranishëm, 95 prej tyre votuan pro projektligjit të rritjes së pagave, tre kundër, dhe pati zero abstenime. Pesë deputetë ishin të pranishëm në sallë, por refuzuan që të votonin dhe 39 të tjerë munguan, përfshi këtu dhe kryeministrin Edi Rama.

Pagat e reja të miratuara sot sjellin dyfishim të të ardhura për deputetët, ministrat, kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit.

Pas protestës, policia mbërrin në selinë e Lëvizjes Bashkë

Pas përfundimit të protestës së Lëvizjes Bashkë në një nga hyrjet e Kuvendit, aktivistët e Lëvizjes Bashkë njoftuan prezencën e policisë në ambientet e Logut, që shërben edhe si seli që prej krijimit të partisë.

“Vetëm pak orë pas aksionit të sotëm kundër rritjes skandaloze të pagave të deputetëve e ministrave, në selinë e Lëvizjes BASHKË kanë mësyrë forca të Policisë së Shtetit. Këta të fundit, pa asnjë lloj të drejtë dhe pa asnjë lloj mandati ligjor, po tentojnë të arrestojnë aktivistët tanë”,-shkruhet në faqen zyrtare të Lëvizjes Bashkë.


Sipas tyre, policët kishin një listë me emra për arrestime, pas aksioni të sotëm. Ndërsa kanë thirrur në komisariat tetë aktivistë, përfshirë edhe kryetarin Arlind Qori.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *