Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Restaurimi i mozaikut “Shqipëria” rizgjoi debatin për retushimin e veprave të komunizmit

Më 17 maj Ministria e Kulturës përuroi restaurimin e Mozaikut “Shqipëria”  në Muzeun Historik Kombëtar. Mozaiku i ndërtuar në vitin 1981, me mbështetjen e regjimit të diktatorit Enver Hoxha pasqyron në optikën e kohës, momente të rëndësishme të rrugës së zhvillimit nga antikiteti deri në periudhën komuniste në Shqipëri.

Efektet shkatërruese të tërmetit të 26 nëntorit të 2019 preken 11 komuna dhe disa objekte të trashëgimisë kulturore ku ndër to edhe Mozaikun “Shqipëria”. Në përgjigje të kësaj krize, Bashkimi Evropian nisi projektin “EU4Culture”, të zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë.

Konservimi i mozaikut me sipërfaqe 565 m2 kushtoi 109 322 050 lekë. Citizens Channel kontaktoi me grupin restaurues që punoi për projektin të cilët pohuan se punimet restauruese, u konsultuan me disa nga autorët duke u fokusuar në ruajtjen e origjinalitetit, pa ndryshuar asnjë element të mozaikut, duke marrë parasysh edhe teknikat dhe materialet origjinale të përdorura.

“Që nga instalimi i tij në 1981, mozaiku nuk ishte restauruar apo mirëmbajtur kurrë siç duhet. Ndërhyrja e vetme e ndërmarrë në 1993 u fokusua në heqjen e simboleve komuniste” pohuan përfaqësues të grupit restaurues nga UNOPS.

Ata shtuan se uji që rrjedh nga çatia dhe depërton në të çarat e mozaikut, kishte shkaktuar ndryshkjen dhe zgjerimin e shufrave të armaturës nën sipërfaqe, duke krijuar zgavra dhe thyerje. Për të korrigjuar situatën, u desh të riparohej edhe çatia.

I gjithë procesi i restaurimit duke përfshirë instalimin e skelave vetë-qëndruese, dokumentimin e sipërfaqes 565 m2 në shkallë 1:1, detajimin e metodologjisë së konservimit dhe zbatimit zgjati  24 muaj.

Përfaqësuesit e UNOPS tregojnë se puna u drejtua nga Agron Islami, një prej restauruesve më me përvojë të mozaikëve. Ata theksojnë se metodologjia e ruajtjes dhe zbatimi i saj u konsultua me autorët e veprës, Agim Nebiu, Anastas Konstandini dhe Aleksander Filipi.

A duhet retushuar historia, pro dhe kundër

Restaurimi i Mozaikut “Shqipëria”  ndezi debatin në rrjetet sociale nëse duhet retushuar historia duke rikthyer vëmendjen në retushimin që iu bë Mozaikut me Vendimin nr.554 datë 15.11.1993  të Këshillit të Ministrave, ku urdhërohej heqja e simboleve komuniste: dy yje dhe një libër i Partisë Komuniste

Ndërkohë për shumë të tjerë u krijua një keqkuptimi sikur heqja e simboleve komuniste ndodhi me restaurimin e sapo inauguruar.

“Sa e shkurtër është kujtesa. Një veprim të vitit 1993, po e kujtojnë sikur ndodhi në vitin 2023“, –  shkruan në rrjetet sociale historiani Kastriot Dervishi.

Anëtarja e Bordit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Jonila Godole, ka thënë se Bashkimi Evropian ka financuar falsifikimin e historisë dhe jo ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo thekson se   me fondin prej një milionë eurosh të akorduara nga BE për restaurimin, mund të investoheshin duke ngritur muze në Spaç dhe Tepelenë, që brezi i ri të kuptonte  nga vjen.

Ndërsa studiuesi Auron Tare pohon se restaurimi i pritshëm me një fond te Bashkimit Evropian e konsolidoi veprën nga gjendja strukturale por nuk ktheu pjesët e hequra me pa te drejtë nga një vepër qe i përket një epoke tashme të përfunduar. A duhet retushuar historia në këtë mënyrë? “, –  ngre pyetjen ai.

Një tjetër këndvështrim jep shkrimtari Ardian Vehbiu i cili e paralelizon vlerësimin estetik të tij për Mozaikun me kullat që po ngrihen momentalisht në Tiranë.

“Mozaiku është vepër arti sa e shëmtuar (skematike) dhe kitsch (e rrejshme), aq edhe moralisht e keqe; por kjo nuk e dallon nga shumë shëmti të tjera publike të Tiranës, dje dhe sot, përfshi edhe ndërtesat që po marrin tani formë në qendër të kryeqytetit, njëra në shembëllesë të kokës së Skënderbeut (!!), tjetra me hartën e Shqipërisë në fasadë (!!), të cilat janë ku e ku më kitsch se Mozaiku“, –  shkruan ai në shkrimin “ Një mozaik për të gjitha stinët“.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *