Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Lidhet kontrata, 3.7 milionë euro për “Parkun Eden” brenda kryeministrisë

Fusha shpk do të jetë kompania e cila do të ndërtojë instalacionin “Parku Eden” brenda kryeministrisë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Fusha” me një vlerë prej 398,478,729 lekësh.

Shuma e tenderit u konsiderua si e tepërt në kohën kur u bë publike, pasi vendi po përballej me shpenzime të shumta për energjinë. Qeveria propozoi asokohe vendosjen e fashës 800kwh të energjisë, që do të rëndonte xhepat e qytetarëve.

“Parku Eden” është një projekt i studios “Precht” e themeluar nga arkitekti austriak Chris Precht, e specializuar në përdorimin e materialeve natyrale me ndikim të pakët në mjedis.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit i ka thënë më herët Citizens Channel se ky projekt do të shërbejë si prodhues energjie. FSHZ deklaroi se “Parku i Edenit” do të sjellë të ardhura që do e “nxjerrin me fitim” Kryeministrinë në 20 vitet e ardhshëm.

Sipas FSHZ ky projekt do të sjellë mbi 5 milion euro të ardhura, pasi do të prodhojë energji.

“Një projekt unik, i ndërthurjes së përdorimit multifunksional, i modeleve të reja të ndërtimit me materiale ekologjike dhe qëndrueshmërisë mjedisore”, e cilëson FSHZ këtë instalacion

Sipas FSHZ, projekti parashikon mbulimin e tarracës së Kryeministrisë me 1700 m2 panele fotovoltaike që do të prodhojnë çdo vit një sasi energjie me vlerë 250 mijë euro.

Institucioni nuk specifikon nëse ky volum kaq i madh energjie do të përdoret për të përmbushur nevojat e institucionit, apo do të shpërndahet për të kontribuar në zvogëlimin e krizës energjetike në vend.

Qeveria paralajmëron sërish fashë energjetike

Gjatë seancës parlamentare në 25 maj, kryeministri Edi Rama paralajmëroi sërish vendosjen e fashës për energji elektrike.

“Ndërkohë që me ardhjen e verës, konsumi do të rritet në mënyrë të ndjeshme përsëri dhe ne do të duhet të hapim diskutimin e fashës”, tha Rama.

Kjo deklaratë e qeverisë është pritur me kundërshtime nga Konfindustria, e cila është shprehur se çdo nismë qeveritare “për rritjen e çmimit të energjisë për bizneset dhe qytetarët pa një analizë të thelluar paraprake profesionale për gjendjen dhe menaxhimin e deritashëm të sistemit energjetik”.

Konfindustria shprehet se vetëm nëse gjykohet që potencialet vendore energjitike janë përdorur plotësisht me efikasitet profesional dhe pa korrupsion, është e mundshme të ndërmerren nisma për rritjen e çmimit të energjisë.

Konfindustria përcjell se të dhënat e institucioneve zyrtare tregojnë se humbjet nga keqmenaxhimi i sistemit energjetik në 3 mujorin e parë të vitit 2023, ku përfshihen vjedhjet dhe humbjet teknik, arrijnë në mbi 25.1% të sasisë së përgjithshme të hedhur në rrjet nga 8%, që duhet të ishin. Dëmi financiar publik nga më sipër është prej më shumë se 100 milion euro në vit.

“Në vlerën e mësipërme nuk përfshihen dëmet nga keqmenaxhimi i rezervave ujore të mëdha të vendit, humbjet financiare nga transaksionet e shitje-blerjes së energjisë, kostot e tejfryra të kompanive publike të energjisë, etj”, thuhet në deklaratën e Konfindustrisë.

Qeveria shpalli krizën energjetike në tetor të 2021, teksa një vit më vonë vendosi fashën energjetike prej 800 kwh.

Qeveria miratoi një paketë për të përballuar krizën, ku sipas së cilës qytetarët do të paguanin  4.4 herë më shumë energji elektrike, nëse kapërcenin limitin e kilovatëve të vendosur nga qeveria.

Sipas vendimit, çdo familje, apo person që konsumon më shumë se 800 KË në muaj – që e përkthyer në lekë është 9,120 lekë (me TVSH) – do ta paguajnë energjinë më shtrenjtë, aq sa blihet në treg.

Pra, çdokush që e kapërcen këtë prag do e paguante kilovatin 42 lekë lekë, nga 9.5 lekë që ka qenë kilovati.

Citizens Channel bëri një analizë të masave të qeverisë shqiptare me ato të rajonit, ku rezultoi se Shqipëria kishte vendosur çmimin më të lartë të energjisë për familjet.

Pas kritikave dhe reagimeve publike, qeveria u tërhoq nga kjo masë, por pak ditë më parë kryeministri e ka përsëritur përsëri masën.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *