Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gazetarët shqiptarë po përballen me dhunë dhe kërcënime gjatë raportimit në veri të Kosovës

Gazetarët që janë duke raportuar nga terreni në komunat në veri të Kosovës janë përballur ditëve të fundit me dhunë dhe sulme nga protestuesit.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) gjatë ditës së djeshme janë regjistruar gjashtë sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, ndërsa sot u shënuan tetë sulme të tjera.

“Ka më shumë se 24 orë gati 48 orë që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është absolutisht i alarmuar me gjendjen e ecurisë së gazetarëve, ekipeve nga Prishtina dhe Tirana që raportojnë në tri komunat në veri të Kosovës: Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Ata janë nën kërcënim konstant nga grupe të maskuara të banorëve serbë lokalë. Ne kemi regjistruar ditën e djeshme gjashtë sulme. Në momentin që po flasim kemi pesë sulme gjatë ditës së sotme, duke përfshirë edhe një sulm ndaj ekipeve nga Tirana të A2 CNN dhe Panorama”, – u shpreh për Citizens Channel Xhemajl Rexha, përfaqësues i AGK-së.

Xhemajl Rexha, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Ai theksoi se i kanë bërë thirrje institucioneve dhe ndërkombëtarëve për një perimetër sigurie.

“Thirrjet e vazhdueshme të AGK-së janë ndaj organeve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, që do të sigurohen që të ofrojnë një perimetër, një vend të caktuar ku gazetarët do të mund ta kryejnë punën e tyre të pa penguar dhe të pa sulmuar. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur gjatë ditës së djemshme, nuk po ndodh as sot nga asnjë nga prezenca e NATO-s”,-përfundon Rexha.

Ditën e sotme pre e sulmeve kanë renë edhe gazetarët nga Shqipëria, të cilët po raportonin nga komuna e Leposaviqit, përkatësisht makinat e medias A2 CNN, News 24 dhe televizionit Panorama.


Gazetari Osman Stafa, i pranishëm në vendngjarje rrëfen se nuk ka një perimetër sigurie për gazetarët, duke e bërë të vështirë raportimin.

Osman Stafa, News 24

“Sot gazetarët në Leposaviq janë sulmuar me vezë, janë sulmuar me sende të forta dhe janë shtyrë. Situata për median është shumë e rendë. Grupi im i xhirimit u sulmua. Makina u godit dhunshëm nga huliganë, persona të maskuar. U goditëm nga 5 persona. Shoferi ka qenë brenda automjetit dhe fatmirësisht shpëtoi paq. Unë kam qenë me operatorin vetëm disa metra më tej. Nuk ka asnjë perimetër sigurie për gazetarët. Në asnjë vend. Asnjë reagim nga policia Kosovës apo KFOR-i”, deklaroi Stafa për Citizens Channel.

Gazetarët e mediave të Kosovës që e kanë ndjekur situatën që prej fillimit, shprehen se përkeqësimi ka ardhur dy ditët e fundit.

Fetije Kamberi, Tëvë 1

“Kemi ardhur që prej periudhës së betimit të kryetarëve, pra para të premtes. Nga e enjtja jemi në komunën e Leposaviqit, unë kryesisht e kam përcjellë këtë komunë në veri të Kosovës. Situata të premten dhe të shtunën ka qenë pak më e qetë. Mirëpo gjërat kanë ndryshuar gjatë ditës së djeshme, të hënën dhe të martën, meqenëse zyrtarë policorë nuk kemi më afër objekteve të komunës, kemi më shumë pjesëtarë vetëm të KFOR-it”, -rrëfen Fetije Kamberi, gazetare pranë Tëvë 1 në Kosovë.

Gazetarja Kamberi tregon se personat me veprime kërcënuese kundrejt gazetarëve ishin të maskuar, dhe shumica prej tyre edhe me kapele.

“Ata na kërkonin në gjuhën serbe që të ndalim xhirimet dhe të mos i marrim në pamje personat të cilët janë të maskuar. Duke mos ju bindur atyre dhe duke vazhduar t’i xhirojmë edhe kur na bënin kërcënime dhe presion, atëherë kolegut tim, kameramanit Egzon Jashari ia thyen kamerën. Jemi përballur me sulme dhe shtyrje prej tyre. Faktikisht kur jemi larguar 1000 metra nga afërsia e komunës së Leposaviqit, atëherë kanë filluar të na gjuajnë edhe me vezë, duke na thënë që “Shqiptarët nuk duhen të jenë këtu!”; “Shqiptarë shkoni në shtëpinë e juaj!”; “Këtu nuk është shtëpia juaj!”

Protestuesit serbë kanë dëmtuar edhe makinat e punonjësve të mediave, duke shkruar simbole nacionaliste serbe.

Adelina Ahmeti, Kallxo.com

“Por përveç sulmeve me mjete të ndryshme që kanë qenë, këta sulmin e kanë bërë edhe duke na shtyrë. Pra na kanë shtyrë me grushte edhe na kanë larguar prej pjesës ku janë duke qendruar protestuesit. Dje gjatë ditës së djeshme ne e kemi pasur edhe një rast tjetër. Vetura e punës sonë është shkatërruar. Janë shkuajtur me bojë të kuqe simbole nacionaliste serbe, janë mbuluar simbolet shtetërore kosovare në targat e veturës. Gjithashtu edhe janë shpërthyer gomat e veturës”, -tregon Adelina Ahmeti nga media Kallxo.com.

Sipas gazetarëve, kjo sjellje e dhunshme e protestuesve është vetëm përkundrejt mediave nga Kosova dhe Shqipëria dhe jo për ato që raportojnë për Serbinë.

Arianita Zhegrova, Televizoni 7

“Këta janë persona të maskuar dhe nuk dëshirojnë të identifikohen. Edhe xhirimi nga ana jonë po i pengon. Kjo nuk po bëhet me të gjitha mediat, jemi seleksionuar, jemi mediat kosovare/shqiptare që po raportojnë që po sulmohemi. Ndërkohë mediat serbe që kanë ardhur nga Beogradi janë afruar te turma, po marrin pamje dhe nuk janë sulmuar. Ne po kemi edhe provokime nga ana e tyre, sharje, ofendime të ndryshme, kështu që mendoj që janë qëllime për të tensionuar situatën”, -rrëfen Arianita Zhegrova nga Televizoni 7 në Kosovë.

Arianita tregon se nuk ka pasur asnjë protokoll sigurie për gazetarët, ndërsa KFOR-i nuk ka ndërhyrë gjatë sulmeve të gazetarëve.

“Policia ka strehuar gazetarët në një objekt të sigurt, gjatë kohës kur protesta ka eksaluar. Ndërkohë që KFOR-i jo. KFOR-i nuk ka intervenuar kur ne jemi rrezikuar gjatë raportimit”,-përfundon gazetarja Arianita Zhegrova.

“Nuk e kemi as policinë e Kosovës dhe pjesëtarët e KFOR-it nuk reagojnë kur ne sulmohemi. Derisa mediat serbe janë duke qendruar në tavolina me personat në fjalë që janë duke na sulmuar. Po bëhet një ndarje pra edhe e mediave”,-shton ndër të tjera gazetarja Fetije Kamberi nga Tëvë 1.

Sipas gazetareve, i sigurt është vetëm stacioni policor kosovar, por ndodhet larg godinës së komunave.

“Të vetmen ndihmë që e kemi jemi për tu afruar te policia e Kosovës që e kemi diku rreth 1000 metra me stacionin e policisë. Nëse shkojmë atje dhe e raportojmë, qendrojmë brenda objektit të stacionit policor, atëherë po, jemi aty të siguruar, derisa ne dalim jashtë për të parë të komuna e Leposaviqit se çfarë po ndodh, atëherë nuk është e mundur të bëjmë punën tonë”,-përfundon gazetarja Kamberi në komunikimin me Citizens Channel.

Reagime të organizatave ndërkombëtare për sigurinë e gazetarëve 

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve në veri të Kosovës.

“Ngjarjet aktuale politike në Kosovë kanë ndezur edhe një herë një atmosferë që ka penguar aftësinë e gazetarëve për të kryer me besueshmëri dhe pa pengesa përgjegjësitë e pritshme”,-shprehet në deklaratën e tij Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.

Ndërsa citon se deri në mbajtjen e deklaratës janë dokumentuar shtatë incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.

“Ngjarjet përfshijnë raste të agresionit fizik, të ilustruar nga skenari i ekipit të portalit Periskopi, si dhe raste të shkatërrimit dhe vandalizimit të pronave që u përkasin subjekteve profesionale, si TëVë1, Dukagjini, Kallxo dhe Top Channel. Makina e TëVë 1 pasi u vandalizua me gurë dhe bojë i është vënë flaka. Gazetarët sulmohen nga vendasit pasi dallohen përmes mikrofonave, logove në makina, si dhe kur dëgjohen duke folur në shqip. Në Zveçan, gazetarët e mediave shqipfolëse u detyruan të strehohen brenda ndërtesës së Komunës për një orë për të parandaluar sulme të tjera ndaj tyre. Për më tepër, gazetarët serbë pretendojnë për diskriminim të mediave nga zyrtarët e Kosovës edhe këto ditë. Shembullin e fundit e raportojnë gazetarët e Kosovo Online, ku pretendojnë se sot iu është ndaluar hyrja në komunën e Zveçanit me arsyetimin se ajo është e nacionalitetit serb”,-thuhet në deklaratën e Rrjetit të gazetarëve të Sigurt.

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias u shpreh se po ndjekin nga afër zhvillimet në veri të Kosovës, pasi tensionet mes Serbisë dhe Kosovës ndikojnë në lirinë e medias dhe në punën e gazetarëve dhe profesionistëve të medias.

🇽🇰 We are closely following developments in the north of #Kosovo as tensions between Serbia and Kosovo impact #MediaFreedom and the work of journalists and media professionals.

Photos: @AGK_AJK pic.twitter.com/pyiVeCg8Z8

— European Centre for Press & Media Freedom (@ECPMF) May 29, 2023


 “I bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse t’i mbrojnë gazetarët që të mund të raportojnë pa u ndjerë të rrezikuar”,- u shpreh përmes një postimi Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ)

Çfarë po ndodh në veri të Kosovës? 

Në 23 prill 2023 në veri të Kosovës u mbajtën zgjedhjet lokale, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe. Shkak për këtë u bë kundërshtimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për të kryer procesin e ri regjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata me shumicë serbe në atë zonë. Pas përfundimit të zgjedhjeve, ku shumica serbe nuk mori pjesë, kryetarët e tri komunave, përkatësisht të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Patokut ishin shqiptarë. Popullata serbe në këto komuna nuk i pranoi rezultatet.

Kryetarët e rinj të zgjedhur kryen betimin në 25 maj. Ceremonia e betimit u krye në objekte publike, pasi në godinat e komunave ka organe të përkohshme komunale që punojnë me sistemin e Serbisë.

Pas betimit, kryetarët e komunave kanë tentuar të hyjnë në objektin komunal. Kjo gjë ka shkaktuar tension dhe grupe qytetarësh të shumicës serbe, të cilat kanë protestuar.

Prej ditës së hënë, protesta ka dalë jashtë kontrollit, duke u kthyer në protestë të dhunshme. Të pranishëm në veri kanë qenë edhe KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë.

Gjatë pasdites së 29 majit, dhjetëra anëtarë të KFOR-it, u lënduan gjatë ndërhyrjes për të shpërndarë protestuesit në Zveçan. Protestuesit hodhën gurë, kotkej molotov dhe shok-bomba, ndërsa dëmtuan edhe mjete të mediave kosovare që raportonin në terren.

Sipas KFOR-it, 30 ushtarë janë plagosur dje në komunën e Zveçanit, 11 ushtarë italianë dhe 19 ushtarë hungarezë, duke marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Policia e Kosovës raportoi për pesë persona të arrestuar si shkak të këtyre sulmeve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *