Qyteti i Kavajës është një qendër historike zejtare, e njohur për prodhimet në tezgjah, poçerinë dhe fabrikën e qelqit. Pas mbylljes së fabrikave, qytetit i kanë mbetur shumë pak njerëz që i trashëgojnë këto profesione.

Të dhënat e fundit mbi popullsinë tregojnë se kavaja është një qytet me rreth 40 mijë banorë. Turizmi është rritur vitet e fundit në plazhet që prekin bregdetin e Kavajës, por qendra historike e qytetit dhe trashëgimia kulturore kanë mbetur jashtë vëmendjes.

Zejtarët dhe artizanët e Kavajës ushtrojnë sot profesionin e tyre me shumë sfida. Ata kanë vështirësi për t’i promovuar dhe shitur produktet e tyre.

Ismete Shaba ka punuar si leshpunuese në fabrikën e tekstilit në Kavajë, ku filloi punë për herë të parë në 1977. Ajo sot është 72 vjeç dhe e ushtron ende këtë profesion në një dhomë të improvizuar në shtëpinë e saj, ku punon qilima dhe i shet sa herë që ka kërkesë.

Ismete Shaba duke punuar ne tezgjahun qe mban ne nje dhome afer shtepise se saj ne Kavaje

E moshuara tregon se këtë profesion e ka mësuar gjatë kohës kur punonte në fabrikë, që e kujton si kohë kur ajo dhe gratë e tjera “dolen nga shtëpia” dhe nisën të punonin. 

Ajo shprehet se do e vazhdojë këtë profesion deri sa të ketë fuqi sepse e ka pasion dhe është duke ja trashëguar edhe brezave të rinj.

“Ka vendosur nëna se edhe ushqehem edhe e kam qejf si pasion, më pëlqen. Po edhe jam ushqyer nëna kam 30 vjet që punoj. Ma din goca dhe mbesa e vogël. Ka mësuar kur vjen ka qejf këtu, i kam bo dhe qilimin e saj unë ju tregoj unë i kam vënë edhe emrin e saj Isabela se dhe ajo e ka qejf”, thotë Ismetja për Citizens Channel.

Por teksa pasioni i saj është i madh ajo ka vështirësi për shitjen e produkteve, si dhe i mungon një vend për të punuar. 

Organizata Help in Albania organizoi të hënën një tur me guida dhe operatorë turistik për t’i njohur me historitë e artizanëve të Kavajës si Ismetja dhe Ligor Kostrista i cili ka krijuar një poçari në shtëpinë e tij.

Ligori ka punuar që në moshën 15-vjeçare në Poçarinë e Kavajës dhe sot e ushtron këtë profesion në shtëpinë e tij.

“Unë kam pas punuar më përpara në Poçerinë e Kavajës, kam punuar gati 16 vjet atje se kam hyrë që në moshën 15 vjeç dhe sot bëj 47 vjet që e punoj këtë zanat. Unë jam një nga trashëgimtarët e poçerisë, që e i kam ruajtur këtë traditën, jam brezi i pestë sot, unë jam brezi i pestë po ja lë edhe djalit që do shkoj brezi i gjashtë edhe themi që ta mbajmë, ta ruajmë. Mundësitë ato të ardhurat që na siguron kjo punë ne jemi të kënaqur”, shprehet Ligori.

Ligor Kostrista duke asistuar nje prej vizitoreve ne punimin e baltes

Qëllim i këtij turi ishte prezantimi i guidave me trashëgiminë kulturore të Kavajës dhe atë njerëzore, në mënyrë që guidat t’i përfshinë këta artizanë dhe zejtarë në turet e tyre. Po ashtu atyre ju prezantua dhe një katalog që mbart historikun e qytetit në këtë aspekt, ku përshkruan punën në fabrika dhe si ka lindur artizanati.

Punimet prej balte te Ligor Kostristes

Ismetja 72 vjeçare mirëpriti në shtëpinë e saj dhe i tregoi grupit të guidave qilimat që kishte punuar, vendin e saj të punës, teksa me siklet shprehej “me gjithë qejf ju pret nëna po ja unë punoj në barake këtu”.

Teksa e pyetëm nëse do ishte e hapur për t’i pritur turistët, ajo tha se kishte dëshirë shumë të madhe, por do donte që të kishte një dhomë të përshtatshme për t’i mirëpritur.

“Unë du të ri gjithë ditën me ju po është puna që është në barake, kush do të shohë do vijë turisti , mire mej u që dini me fol shqip po po i huaji? Për përkthyes po po dhe do shohë si jetonka si qenka”, shprehet Ismetja.

Ismete Shaba gjate vizites se guidave turistike ne vendin ku ajo mban tezgjahun

Arsita Mati, nga organizata Help in Albania shprehet se qëllimi i këtij turi ka qenë pikëriasht njohja e guidave turistike me këto histori në mënyrë që t’i vijnë në ndihmë artizanëve duke i bërë punët e tyre më të njohura.

Po ashtu ajo tregon se prej kohësh kanë qenë në kontakt me Ligorin dhe Ismeten, të cilët i kanë ndihmuar për të shitur produktet e tyre dhe për ti përshtatur ato me kërkesat e tregut. 

Arsita Mati, organizata Help in Albania

Mënyra se si e kemi menduar për t’i ndihmuar ata ka qenë në disa aspekte. Duke promovuar zejet e Kavajës nëpërmjet disa produkteve të ndryshme, të tillë si katalogu i artizanatit, i cili qëllim kryesor ka t’u shpërndahet guidave të cilat më pas duke u njohur me historinë e gjerë të artizanatit të Kavajë por dhe me artizanët vendas dhe me historitë e tyre njerëzore të mund që ta fusin trashëgiminë kulturore dhe këto artizan në turet e tyre turistike”, tha Mati për Citizens Channel.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu