Ardian Koci, ish-Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM) Fier

Ardian Koci, ish-Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM) Fier, publikoi dje shkresën ku lajmëroi se prej muajit gusht ai do të dorëhiqet.

Koçi listoi si shkaktarë të kësaj situate mungesën e komunikimit mes AdZM-së dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) si dhe pengesën e qëllimshme institucionale në kryerjen e punëve të përditshme në një prej parqeve më të mëdha në Shqipëri si ai i Divjakë-Karavastasë.

Komunikimi ishte kryesori që mua më aneksoi. Nuk komunikoja dot me eprorët e mi dhe informacionin e kërkonin nga vartësit, jo nga unë. Gati-gati më sabotohej puna”, – shprehet Koçi për Citizens Channel.

Të njëjtat motivacione janë listuar dhe në kërkesën për dorëheqje drejtuar AKZM-së. Përmes një reagimi në Facebook, Koçi e konsideroi largimin e tij nga posti “si të detyruar”.

Po rendis disa prej anomalive për të cilat jam munduar vazhdimisht t’ju bëj me dije: staf i pakompletuar; emërime të punonjësve larg nga zona e mbrojtur dhe pa marrë më parë mendimin e AdZM-së; mungesë karburanti; gjendje jo e mirë teknike e mjeteve, mungesë uniformash dhe vonesë në zgjidhjen e problemeve”, – shkruhet në kërkesën për dorëheqje nga puna.

Ishte formë proteste dorëheqja ime, që t’i vënë gishtin kokës”, – pohon më tej për Citizens Channel ish-drejtori Koçi.

Citizens Channel tentoi të marrë një koment nga përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura mbi dorëheqjen e Koçit dhe akuzat e bëra, por drejtuesja e këtij institucioni nuk pranoi të komentonte ngjarjen në një bisedë telefonike.

Citizens iu drejtua institucionit me një kërkesë për koment me shkrim dhe deri në publikimin e këtij materiali, nuk ka marrë një përgjigje. Në faqet zyrtare të institucionit nuk ka asnjë deklaratë mbi akuzat e ngritura nga ish-drejtori i AdZM Fier, Ardian Koçi.

Konfliktet e mëhershme mes AdZM-së Fier dhe institucioneve

Më herët, një intervistë e dhënë nga Ardian Koçi për Zërin e Amerikës u bë shkak që ai të pushohej nga puna. Me datë tre mars 2023, Koçi u pushua nga posti, pasi sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) ai ka shkelur rregulloren e brendshme të institucionit, duke dhënë intervistë për media pa marrë aprovim nga ata.

Në rregulloren e brendshme institucionale theksohej se në asnjë rast dhe asnjë punonjës i AKZM-së nuk mund të japë informacion personave të tjerë ose shtypit pa qenë i autorizuar për të bërë një gjë të tillë. Në të gjitha rastet kur kërkohet prononcim publik a mediatik, punonjësit e AKZM-së ose strukturat e varësisë, duhet të njoftojnë Drejtorin e Përgjithshëm dhe të presin miratimin përkatës.

Shtatë ditë më pas, me datë 10 mars 2023, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura publikoi një sqarim mbi pushimin e Ardian Kocit dhe vendosi të rishikojë pushimin e Koçit.

Komisioni, në datë 03.03.2023 vendosi të japë masën disiplinore “Largim nga detyra”. Fakt është që, në vijim, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i kërkoi komisionit disiplinor të AKZM-s të rishikojë vendimin dhe masën disiplinore”, – shkruhej në deklaratën e AKZM-së.

Pak muaj më pas, Koçi listoi të njëjtat shkaqe që kanë sjellë fërkim dhe ngërç në punën e tij. Ai citoi mungesën e komunikimit, mosadresim të problemeve dhe nevojave që AdZM Fier kishte, mungesën e karburantit dhe kontrollin e informacionit nga institucionet si shkaqet që e larguan së dyti herë nga posti që e mbante prej vitit 2015.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu