Gersi Troka gjate stervitjes

Notari Gersi Troka u vlerësua me medalje ari në Lojërat Botërore Olimpike Speciale, që u zhvilluan para një muaji në Berlin. Ai arriti të dalë i pari në garën e notit 200 metra stil i lirë.

“Kisha shumë emocione, shumë, isha gati duke qarë në lot ”,-u shpreh Gersi për Citizens Channel.

Mamaja e tij Merita Troka, e ka motivuar dhe mbështetur Gersit në pasionin e tij për sportin që në moshën nëntë vjeçare.

“Pishinat dhe trajnerët për Gersin nuk i kam paguar asnjëherë, ka qenë një ndihmesë e madhe për ne”,- tregon Merita, e cila të vetmin solidaritet duket se e ka gjetur nga mbështetësit privatë.

Gersi Troka gjatë stervitjes

“Idhulli im të cilin e ndjek me admirim është notari Michael Phelps”,- rrëfen Gersi.

“Institucionet ofrojnë vetëm mbështetje morale në internet”

Menjëherë pas fitores Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj nxituan ta uronin fituesin për medaljen e arit në profilet e tyre në rrjetet sociale.

Në një takim me Këshillin e Lartë të Sportit takimin e 20 qershorit ministrja Kushi premtoi “ngritjen e menjëhershme të një grupi pune” për ndryshime në Ligjin për Sportin, në lidhje me gjithëpërfshirjen e sportistëve paralimik.

Nga ana tjetër, Merita Troka i tha Citizens Channel se veç reagimeve të përzemërta në Facebook, djali i saj nuk ka marrë asnjë shpërblim apo mbështetje. “Ministria tani nuk duhet të presë më, por duhet të dalë me fjalën që ne e çuam në vend premtimin që dhamë”,- thekson ajo.

Merita shprehet e keq ardhur që sportistë të këtij niveli nuk kanë mbështetje as financiare por edhe as morale.

“As nuk është ndjerë më njeri që ti presë, ti bëjë një përshëndetje qoftë edhe ballë për ballë d.m.th. edhe ti urojë, edhe ti ngre edhe moralisht këta atletë”,- përfundon ajo.

Trajneri, Gentian Lama

Edhe trajneri Gentian Lama, tregon se për Gersin mbështetja institucionale ka munguar.

“Përherë na duhet që të kërkojmë fonde e financues që Gersi të paraqitet në gara”,- thekson Lama.

Ai pohon se mbështetja për Gersin është një e drejtë bazike, jo një kërkesë për ndihmë.

“Stimuli duhet të fillojë që nga mbështetja e vazhdueshme financiare, deri në vendosjen e rregullt në kalendaret sportive të garave me rëndësi për Gersin dhe financimi i tyre nga institucionet përgjegjëse”,- shton Lama.

Gersi dhe trajneri i tij Gentiani janë gjithmonë të pasigurt nëse do të mund t’i përgjigjen ftesave për gara ndërkombëtare.

“Edhe pse stërvitemi shumë, mund të mos na jepet mundësia të marrim pjesë për shkak të mungesës së gjetjes së financuesve. Kjo nuk është hera e parë që na ndodh dhe është shumë demotivuese, veçanërisht për sportistin. Megjithatë, pas kësaj medalje ari që Gersi fitoi në Lojërat Olimpike, ne shpresojmë se gjërat mund të përmirësohen”,- përfundon Lama.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu