Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar sot 8 urdhër arreste që lidhen me koncesionin e sterilizimit. Kontrata u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare Sani Service, ku janë aksionerë edhe Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

40% të aksioneve i zotëron Investital LLC e themeluar nga Ilir Rrapaj, për të cilin është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Në masën “arrest shtëpie” është lënë Saimir Kadiu drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë.

Shefi i Kirurgjisë në QSUT dhe rektorin e Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Burazeri dhe Pertef Mersini, morën masën detyrim paraqitje, nën akuzat për “Falsifikim dhe shpërdorim detyre”.

Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e shtatë të operimit. Fillimisht kontrata u pezullua, për shkak të një ankese në Komisionin e Prokurorimit Publik, shqyrtimi i të cilit i dha të drejtë Ministrisë së Shëndetësisë ai autoritet prokurues. Nga hetimet e deritanishme të SPAK nuk dihet nëse dhe KPP po hetohet për mënyrën e shqyrtimit.

Hetimi për koncesionin e sterizlimit ka nisur në vitin 2019. Më 23 dhjetor 2019, vetëm pak ditë pasi SPAK hapi dyert, Nisma “Thurje” depozitoi aty kallëzimin e parë me anë të të cilit kërkoi hetimin e ish-zyrtarëve të lartë, pasi sipas tyre padrejtësisht një shërbim publik me kosto të ulët i ishte kaluar një kompanie private duke harxhuar më shumë para nga buxheti i shtetit.

Koncesionet në fushën e  shëndetësisë i kanë kushtuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 5,6 miliardë lekësh. Përmes Partneritetit Publik Privat, Ministria e Shëndetësisë ka kaluar 4 shërbime shëndetësore tek privatët.

Kontratat koncesionare janë ndeshur që në fillim me mungesë transparence, kosto të larta dhe akuza për korrupsion.

Një raporti i Together for Life, thotë se “Kontratat koncensionare në shëndetësi janë shndërruar në barrë financiare për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH)”.

Katër shërbimet të cilat shteti i kaloi privatëve janë: Kontrolli bazë mjekësor, i njohur si “check-up”, Sterilizimi i Instrumenteve Kirurgjikale në Spitale, Dializa dhe Shërbimi Laboratorik Spitalor. Sipas raportit, vlera e katër kontratave për të gjithë periudhën e koncesionit është 45,5 miliardë lekë ose 376 milionë euro.

Deri në fund të vitit 2022, kompanitë kontraktore përfituan 22.3 miliardë lekë (189 milionë euro) ose 50% të vlerës totale. Raporti ka gjetur se mungon një analizë nga ana e institucioneve mbi rezultatet e këtyre koncesioneve në përmirësimin e cilësisë së shërbimit.

Sipas analizës së “Together for Life”, shuma që kanë përfituar kompanitë kontraktore do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar tri spitale.

Deri në fund të vitit 2021, dëmi ekonomik nga koncesionet në shëndetësi, bazuar në gjetjet e Kontrollit të lartë të Shtetit, është  rreth 5,6 miliardë lekë ose 47 milionë euro.  Nga kjo shumë, 1,5 miliardë lekë janë pagesa për shërbime që nuk janë kryer ndaj koncesioneve të “Checkup” dhe “Dializës” për periudhën 2015-2021.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu