Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt ka publikuar sot indeksin e sigurisë së gazetarëve për vitin 2022. Për herë të parë kjo matje u bë në vitin 2020. Sa i përket ligjeve raporti përmend tërheqjen e qeverisë shqiptare nga ligji anti-shpifje i cili u prit me kritika nga ndërkombëtarët dhe me protesta nga komuniteti i gazetarëve në vend.

“Ligjet që mbrojnë konfidencialitetin e burimeve gazetareske u respektuan, pa asnjë rast të regjistruar të zbulimit të burimit. Megjithatë, sfidat ligjore lidhur me shpifjen, shpifjen, gjuhën e urrejtjes, të drejtën e autorit, privatësinë personale dhe ligjet për mbrojtjen e të dhënave vazhduan”, thuhet në raportin e “Safe Journalists”.

Sa i përket mjeteve për parandalimin e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, raporti vlerëson se është bërë pak përparim në mekanizmat parandalues.

“Përgjigjet e policisë ishin të kënaqshme në regjistrim, ndjekja ishte e ngadaltë dhe joefektive. Dënimet publike të kërcënimeve ndaj gazetarëve ishin sporadike, dhe pavarësisht disa trajnimeve të policisë, çështjet si ndalimet e pajustifikuara vazhduan”, thuhet në raport.

Efektiviteti i ligjit shihet me skepticizëm në raport, duke theksuar se ka pasur hetime të ngadalta sa i përket sulmeve ndaj gazetarëve.

“Shqipërisë i mungonte një sistem i unifikuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave për kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve”, thekson raporti.

Sa i përket numrit të sulmeve ndaj gazetarëve, raporti përcjell se nuk kanë qenë sistematike dhe janë regjistruar 9 sulme.

“Çështjet strukturore si lidhjet politike dhe të biznesit me median, mungesa e transparencës së financimit, shantazhi mediatik, konflikti i interesave, pluraliteti i kufizuar mediatik dhe aksesi në informacion, rritja e dezinformatave dhe kushtet e këqija të punës vazhduan të kërcënojnë mjedisin për cilësinë e gazetarisë së pavarur”, thuhet në raport.

Sa i përket pikëve në 4 shtyllat kryesore matëse, Shqipëria ka shënuar një rritje në “Mjedisin organizativ dhe ligjor”, nga 3.25 në vitin 2021 në 3.27 në 2022.

Në dy indikatorët e tjerë, “Sigurinë aktuale” dhe “Procesi i rregullt” nuk ka pasur asnjë ndryshim, teksa ka shënuar ulje në “Parandalimin”.

Në total krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka shënuar rënie me 1 pikë në sigurinë e gazetarëve.

Sipas Treguesit të Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri”, botuar po ashtu nga Rrjeti për Gazetarët e Sigurt, sistemi mediatik në Shqipëri dominohet nga mediat klienteliste dhe lidhjet e fshehta mes mediave, politikës dhe biznesit. Raporti sjell në vëmendje kufizimin e plotë për mediat nga ana e Prokurorisë së Tiranës  për publikimin e të dhënave nga dosjet e hakuara gjatë sulmeve kibernetike.

Sipas raportit janë 30 çështje gjyqësore të hapura kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave përgjatë vitit 2022.

Në Indeksin e Reporterëve ka Kufij për vitin 2021, Shqipëria shënoi renditjen më të ulët për lirinë e medias, duke u renditur në vendime 103 nga 180 vende.

Shqipëria është vlerësuar në raportet e ndryshme ndërkombëtare si një vend jo i lirë për gazetarët për të ushtruar profesionin e tyre, kjo si pasojë e pronësisë së medias dhe lidhjet e mediave me politikën.

Të dhënat flasin për mungesë të pluralizmit mediatik ndërsa kuadri i dobët ligjor dhe institucionet e brishta i zbehin ndarjet mes medias, politikës dhe biznesit.

Teksa nuk kanë kaluar pa kritika qëndrime arrogante të kryeministrit dhe sulmet e kryetarit të Bashkisë Tiranë ndaj gazetarëve dhe mediave.

Gjatë vitit 2023, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj ka qenë disa herë në vëmendje të organizatave të medias për shkak të gjuhës që ka përdorur ndaj mediave.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu