Shtëpia e Bashkim Lamit nga fshati Herraj në Zall-Herr është vetëm pak metra larg guroreve. Ai ndan shqetësimin e zhumës dhe ndotjes thuajse çdo ditë të javës.
“Gjashtë ditë të javës, urdhëro, a dëgjohet ajo atje? Unë vetëm po të fus pambuk në vesh. Jemi jashtëzakonisht shumë të stresuar”, – pohon Lami për Citizens Channel.
Ai tregon se çdo gjë e ka mbuluar pluhuri, ndërsa shpërthimet me mina janë proces i zakonshëm pune. “Më ka ardhur guri te shtëpia. I bëjnë minat të pakontrolluara”, – shton Bashkimi.
Në njësinë administrative Zall-Herr operojnë katër gurore, “IN CO Sh.p.k”, “Lim – Em Sh.p.K”, “Tirana inerte” dhe “Alba beton”. Ato janë kthyer në shqetësim për banorët, pasi shkaktojnë ndotje të lartë, ndërkohë që mungon infrastruktura rrugore.

Nisur nga këto kushte, dhjetëra banorë nga fshatrat Zall-Herr, Pinar, Prisë e Vogël dhe Herraj u organizuan dje në protestë.
Kryetarët e fshatrave Herraj dhe Priskë e vogël i janë drejtuar me një kërkesë njësisë administrative Zall-Herr që të ndërhyjë tek Autoriti Rrugor Shqiptar dhe të garantojë asfaltimin e aksit rrugor 3.5 kilometra si dhe kanë cilësuar se jetesa u është pamundësuar si pasojë e ndotjes dhe pluhrave. Këtë kërkesë e kanë nënshkruar 52 banorë të këtyre dy fshtrave.
“Ne kemi shqetësimin më të madh nga gurore, pluhurin edhe rruga. 3500 metra rrugë është bërë e pakalueshme nga lëvizja e kamionëve e tonazhit të rëndë”, – thotë për Citizens Channel Ylli Neli, banor i Zall-Herrit e njëkohësisht pjesëmarrës në protestë.
80-vjeçari Rexhep Hoxha, një tjetër banor i kësaj zone, mori pjesë në protestë dhe u shpreh se është shumë i pakënaqur nga mënyra e qeverisjes. “Unë e kam thënë edhe atje në protestë, i bëj thirrje Edi Ramës të na shohë me syrin e njeriut, jo me syrin e kafshës”, – shprehet Hoxha.
“Të gjithë këtë univers që e ka falur zoti, e kanë kthyer në biznes, biznes armiqësor dua të them unë. Të punojnë ata të punojnë me kushte normale, mos të ndotin ambientin”, – vijon ai. “A e thithim ne këtë ajër? Çfarë nuk ka këtu, çfarë të të shkojë mendja për më keq, i ke këtu, – përfundon ai.