30 organizata mjedisore nga “Aleanca e Mesdheut për Ligatina”, një rrjet ndërkombëtar nga 15 shtete kanë kërkuar të ndalohen punimet e aeroportit të Vlorës në Vjosë-Nartë, duke e konsideruar vijimin e punimeve si “shkatërrimtare për xhevahirin mesdhetar që është shtëpi për 70 specie të rrezikuara, 200 lloje shpendësh apo llojesh endemike”.

Në këtë letër përmenden mundësitë alternative të ndërtimit infrastrukturor, pa dëmtuar mjedisin. Një prej këtyre alternativave përfshin zgjerimin e madhësisë së Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës ose ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë për të lidhur jugun e vendit me Tiranën.

AOS dhe PPNEA kanë propozuar shqyrtimin e vendndodhjeve alternative për aeroportin siç janë Risili, Kafaraj ose Levan, në varësi të një vlerësimi të përshtatshmërisë së mjedisit apo rrezikshmërisë”.

Kjo deklaratë vjen një ditë pas vendimit të Konventës së Bernës, e cila i ka kërkuar autoriteteve shqiptare të pezullonin punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë derisa të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis.

Komisioni Evropian, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Drejtues të Konventës, e mbështeti vendimin. Të gjitha palët anëtare të Komitetit Drejtues e mbështetën atë unanimisht. Ky vendim është marrë në një mbledhjen e 26 qershorit (2023) të Byrosë së Komitetit Drejtues, por u zyrtarizua në 13 shtator.

Vendimi i Konventës së Bernës çon në tre numrin institucioneve politike europiane që kundërshtojnë ndërtimin e aeroportit, qysh nga çelja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian (BE). Më herët në korrik të këtij viti edhe Parlamenti Europian kërkoi ndalimin e aeroportit.

Të premten dhe të shtunën e javës së shkuar, organizatat mjedisore protestuan përballë Ministrisë së Mjedisit dhe më pas përballë Kryeministrisë dhe kërkuan zbatimin e Konventës së Bernës, që Shqipëria e ka ratifikuar në janar të vitit 1999.

Zona ku sot po ndërtohet aeroporti i Vlorës, deri në vitin 2021 kategorizohej si zonë e rëndësisë së veçantë, pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë (Kategoria V). Planet për ndërtimin e këtij aeroporti kishin nisur prej muajit janar të vitit 2018.

Organizatat mjedisore reaguan menjëherë kundër këtij projekti, duke i çuar një letër të hapur Kryeministrit Rama. “Ne jemi të bindur se një vlerësim serioz mund të dalë vetëm në përfundimin se aeroporti i planifikuar nuk përputhet me ruajtjen e ekosistemit të zonës Nartë-Vjosë”, – shkruhej në letrën publike.

Kundërshtia e komunitetit shkencor vijoi gjatë periudhës 2018-2022, por nuk u morën parasysh nga qeveria shqiptare. Në nëntor të vitit 2022, pas rishikimit të zonave të mbrojtura, zona ku sot po kryhen punimet, u hoq nga Peizazhi i Mbrojtur “Vjosë-Nartë” dhe u mor vendimi për krijimin e një zonë të re të quajtur “Peizazh i Mbrojtur Pishë Poro-Nartë”. Një territor prej 310 ha u hoq nga zona e mbrojtur.

Organizatat mjedisore po e ndjekin ndryshimin e zonave të mbrojtura në rrugë ligjore dhe në vitin 2022 kërkuan pavlefshmërinë e kontratës së aeroportit të Vlorës në Vjosë-Nartë. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi të mos e shqyrtojë padinë e ngritur. Ky vendim u apelua nga organizatat mjedisore.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu