Autor: Artan Rama | Citizens Channel

Vlerësimet e para, pas fashitjes së zjarrit njëjavor në Pishë Poro të Fierit falë ndërhyrjes nga ajri të dy avionëve amfibë zjarrfikës (Canadair CL-415), që mbërritën paraditen e sotme nga Greqia fqinje, tregojnë për afro 500 ha të prekura deri tani nga flakët. Si hapësirë, zjarri ka përshkuar një vëllim prej 50,000 m3.

Bëhet fjalë për pyllin më të madh të pishës së egër bregdetare në vend, e kategorizuar “Zonë Qëndrore” në Peizazhin e Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, me sipërfaqe 1500 ha. Duhet ende kohë për të bërë vlerësimin përfundimtar, por të dhënat (sipas inspektorëve të administratës së zonave të mbrojtura në terren) tregojnë se një e treta e biomasës ka humbur. Vlerave të saj u shtohen ato ekologjike dhe peizazhistike. Duke vlerësuar sasinë e dioksidit të karbonit (CO2) të çliruar në atmosferë, sipas standardeve më të fundit, të përcaktuara nga Bashkimi Europian (100€/1 ton CO2), humbja totale llogaritet mbi 11 milionë euro.

Por ekspertët vlerësojnë se këto janë vlera minimale…

Asnjë informacion nuk vjen zyrtarisht nga autoriteti përgjegjës: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM). Agjencia që mbron Zonat e Mbrojtura, një institucion varësie pranë ministrisë, njoftoi të shtunën e shkuar se gjendja ishte nën kontroll. Por nuk ishte. Situata u rëndua dhe zjarri u përhap më në perëndim, në një tjetër ekonomi pyjore. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) kërkoi ndihmë në Qendrën e Koordinimit të Emergjencave (ERCC), përmes Mekanizmit të Bashkimit Europian të Mbrojtjes Civile. Greqia ishte e para që iu përgjigj thirrjes.

Shenjat e para të zjarrit u pikasën pasditen e 23 shtatorit. Adli Dika, roja mjedisore e Pishë-Poros njoftoi menjëherë shefat e tij, sapo një tym i bardhë u ngrit mbi Gallan, pranë fushave të Darzezës. “Në sekondë u njoftua salla operative e policisë”, – thotë Fotjon Prençe, drejtori i komanduar i Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier (AdZM). Ai njoftoi paralelisht edhe qendrën e zjarrfikësve pranë bashkisë, por aty nuk u përgjigj askush. Zjarrfikësja (e vetmja për atë ditë) vonoi 40 minuta. Sipas një tjetër roje të Administratës ajo ndoqi një itinerar alternativ, duke shmangur rrugën kryesore pasi ishte bllokuar kalimi mbi një urë, çka e vonoi mbërritjen edhe më shumë. “Forcat ishin të pakta. Kishim nevojë për më shumë njerëz. Njoftova Prefektin e Qarkut, i cili reagoi pozitivisht”, – rrëfen më tej z. Premçe. “Kishim mundësi që ta ndalonim qysh në atë moment”, – më informon ai.

Por përforcimet nuk mbërritën deri në nesërmen. Ndërkohë që zjarri përparoi përgjatë natës. Në mëngjes kishte depërtuar në pyll…Zija Hyka, komandanti i repartit zjarrfikës pranë bashkisë, refuzoi të komentonte lidhur me këto momente.

Zjarrëfikësit në pyllin e Pishë Poros | Foto: Artan Rama

Për një javë zjarri udhëtoi rreth tri milje, drejt jugut, pa mundur që të fikej. Ndonëse përforcimet dhe pajisjet për fikjen e tij nga toka u shtuan,  moti dhe pylli i dendur i ndihmuan flakët. Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile njoftoi se helikopteri i vetëm në dispozicion të administratës së emergjencave (AS532/633) ndodhej jashtë gatishmërisë, qysh prej datës 27 shtator, – pra kishte kaluar për shërbime katër ditë pas rënies së zjarrit(!) Të shtunën, një ditë përpara se autoritetet shqiptare t’i drejtoheshin për ndihmë Mekanizmit të Bashkimit Europian të Mbrojtjes Civile, flakët mbërritën pranë shtëpive të banimit të fshatit Pishë të Njësisë Administrative Levan, rreth 200-300 larg grykëderdhjes së Vjosës. Disa dhjetëra forca të ushtrisë, të mbështetura edhe nga Sektori i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të nivel qarku, ishin pozicionuar rreth vatrave të shumta, por pa mundur të ndërhynin. Detyra e tyre e vetme (por po aq edhe mundësia e vetme e tyre) ishte që së paku, të mos lejonin përhapjen drejt banesave. Në brendësi të pyllit zjarri shkrumbonte gjithçka. Ushtarët qëndronin rreth kallamishteve të shkrehur, pa mundur që ta shuanin. Veshjet dhe pajisjet speciale u mungonin. Shumica prej tyre nuk mbante kapele mbi kokë dhe vetëm pak prej tyre kishin mbi krye streha të thjeshta plazhi. Një grup tjetër i ngjashëm, me shtatë vetë, qëndronte në një parcelë të dytë aty pranë.

Në krahun tjetër të pyllit, në drejtim të bregut, situata ishte po aq alarmante. Zjarri ishte përhapur në vatra të reja, të shtuara edhe nga era e fortë. Pothuajse e tërë forca operacionale ishte përqendruar në këtë front. Duhej parandaluar përhapja e flakëve përmes kurorave që të shpëtohej pjesa e mbetur. Një buldozier i ushtrisë, një nga tre të vetmet që disponojnë forcat tona të armatosura, mbërriti në vendngjarje dhe filloi menjëherë nga puna duke hapur korridore për kalimin e zjarrfikësve, avancimi i të cilave kishte ndaluar për shkak të pamundësisë për të depërtuar në shtigjet e egra të pyllit.

“Qysh në 2021 e vazhdimisht, kemi kërkuar zbatimin e një plani për pastrimin dhe hapjen e korridoreve për mbrojtjen nga zjarri”, – tregon Adrian Koçi, ish-drejtori i AdZM Fier, cili dha dorëheqjen në pranverë. “Qendra nuk e miratoi një projekt të tillë, asnjëherë”, – shton ai. “Administrata po përballet me vështirësi të cilat po e bëjnë të pamundur kontrollin e territorit. Mungesa e karburantit, lënia e paplotësuar e organikave të monitorimit, por dhe të tjera shkaqe, janë vetëm disa prej vështirësive”, – përfundon ai.

Pylli i Pishë Poros i përfshirë nga flakët | Foto: Artan Rama

Asnjë prej administratave që kontrollon zonat e mbrojtura në qarkun e Fierit dhe të Vlorës, nën juridiksionin e të cilave strehohen pishat e egra të Pishë-Poros në të dy anët e Vjosës, si dhe “Pisha e Divjakës”, së bashku me Kularin në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, nuk kanë ende një plan për hapjen dhe pastrimin e korridoreve për mbrojtjen nga zjarri. Nga ana tjetër, Administrata Kombëtare e Zonave të Mbrojtura po vuan pasojat e largimeve nga detyra të stafit të saj drejtues (gjysma e drejtorëve kryesorë janë pushuar, ose janë detyruar të dorëhiqen) të nxitura dhunshëm prej  drejtuesve të rinj, pas kalimit të ministrisë nga Blendi Klosi të Mirela Kumbaro.

Një javë pas rënies së zjarrit, autoritetet u dorëzuan. Si pjesëtare e Mekanizmit të Bashkimit Europian për Mbrojtjen Civile qysh nga janari, Shqipëria kërkoi më në fund ndihmën e shteteve partnere. Në terren, zjarrfikësit dhe të tjera forca vijojnë ende që të përballen me një situatë të vështirë. Nuk e dimë se kur, apo se si do të përfundojë. Nuk jemi më të sigurtë, për asgjë. Por diçka dimë tani me siguri: zonat e mbetura të mbrojtura nuk janë të mbrojtura.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu