Bilanci i pasojave të tërmetit: 202,291 persona të prekur dhe 985 milion euro dëme

985 milion euro ishin dëmet që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, me magnitude 6.3 Richter.

Në një dokument të publikuar nga qeveria shqiptare ditën e mërkurë u përmblodhën të gjitha dëmet e shkaktuara dhe kostot financiare të tyre.

Sipas raportit zyrtat, nga tërmeti u prekën 202,291 persona, 51 humbën jetën dhe 17.000 të tjerë u zhvendosën nga banesat e tyre.

Të pranishëm në tryezën publike ishin përfaqësues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përfaqësues të qeverisë, Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe PNUD.  Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca u shpreh se menaxhimit të donacioneve i takon qeverisë.

Dokumenti i publikuar do të shërbejë si një raport me të cilën qeveria shqiptare do të paraqitet në konferencën e donatorëve në Bruksel, më 17 shkurt.

Ministri i Bujqësisë Blendi Cuci, gjatë takimit tha se :”Për pritshmëritë, sigurisht, ne po bëjmë gjithcka që kemi në dorë për të sensibilizuar miqtë tanë ndërkombëtarë. Do ia lëmë Konferencës për të parë kontributin e të gjithëve. Kjo që paraqitëm sot është një dokument shumë i rëndësishëm për suksesin e konferencës në 17 shkurt në Bruksel. Konferenca është një nga momentet më të rëndësishme. Ne kemi pritshmëritë tona dhe jemi të bindur se do të jetë angazhim përtej normale”.

Sa i përket dëmeve të shkaktura në sektorë të vecantë, në krye qëndron sektori i strehimit me një dëm prej afro 700 milion euro, ndjekur më pas nga sektori i prodhimit me 150 milion euro. Arsimi me 72.4 milion euro, infrastruktura me 33.4 milion euro, mbrojtja civile me 22 milion euro dhe shëndetësia me 9.9 milion euro.

Bashkitë më të prekura janë bashkia Durrës, e ndjekur nga Tirana, kruja, Kavaja, Shijaku, Vora, Kurbin, Lezha,Kamza dhe Mirdita.

Pasojat kanë qenë të dukshme edhe në kulturë, ku 111 monumente kulture janë dëmtuar. Sa i përket ndërtesave arsimore, në Durrës janë dëmtuar 66 ndërtesa  ndërsa në Tiranë numri arrin në 178.

86% e dëmeve janë në sektorin privat, ndërsa në atë publik përllogariten në 14%.

Për rimëkëmbjen në të gjithë sektorët si arsimi, shëndetësia, strehimi, infrastruktura, prodhimi, mbrojtja sociale dhe civile shifra totale arrin në 1 miliard e 73 milion euro.

Më 17 shkurt këto të dhëna do të paraqiten në konferencën e donatorëve në Bruksel ku pritet të grumbullohen të ardhura.

*Citizens Channel /E.K/ 

Piramida e Tiranës, hapësira publike që u është mohuar qytetarëve

Piramida e Tiranës, një simbol dhe pikë referimi i kryeqytetit i kaloi në pronësi në vitin 2016 nga Ministria e Kulturës Bashkisë së Tiranës. Me funksionin si Qendër ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” , pas kalimit në pronësi të bashkisë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kjo ndërtesë do të marrë funksionin e një qendre shumë funksionale për organizimin e ngjarjeve sociale, promovimin e artit, kulturës dhe teknologjisë.

Vendimi i kalimit të Piramides në pronësi të Bashkisë Tiranë

 

Më 27 shkurt të vitit 2019, u bë rrethimi i godinës me kangjella dhe tabela informuese për kthimin e zonës në kantier ndërtimi. 

Por,  Piramida dhe hapësira publike përreth qëndron e rrethuar me kangjella prej më shumë se një viti.  Tabelat që paralajmëronin kujdesin nga punimet janë hequr, pasi gjurmë të punimeve nuk ka. Ndërkohë mungojnë edhe tabelat informuese që të tregojnë të dhëna për projektin, nisjen, kohëzgjatjen, duke e kthyer në një hapësirë që ka mbetur thjesht e rrethuar. 

Premtimet për rinovimin e piramidës kanë ecur me një ritëm shumë më të shpejtë se punimet

Për të dëgjuar premtimin e parë nga Kryebashkiaku Veliaj duhet të kthehemi në kohë në vitin 2016, pak kohë pasi institucioni që ai drejton mori në pronësi objektin. 

Në 8 dhjetor 2016 në një takim me mësuesit e Tiranës kryetari i Bashkisë Erion Veliaj përshëndeti kalimin e Piramidës nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë dhe u shpreh se:

Mezi pres që ti japim Tiranës një piramidë, t’ja rikthejmë qytetit. Ideja e bashkisë bashkë me arkitektët e huaj ndërkombëtarë që kanë kontribuar është që t’ja kthejë qytetit si një qendër kulturore edhe mezi pres që si në kohën time kur  Piramida ishte në fakt qendra dhe gëlonte nga aktiviteti dhe Rinfesti apo Tirana Art festi që e quajmë sot”.

 

Në 10 dhjetor të vitit 2016, Veliaj premtoi se takimi te Piramida në atë gjendje do të ishte i fundit.

Kjo do të jetë hera e fundit që ne takohemi tek Piramida në këtë gjendje. Bashkia ka një projekt shumë ambicioz për ta kthyer Piramidën në një hapësirë publike, për t’ja kthyer qytetarëve të Tiranës, për ta bërë të aksesueshme për aktivitete publike ndaj dhe besoj që si hera e fundit që takohemi në Piramidë, besoj do kujtojmë dhe këtë metaforë se si hapësira që janë shumë tërheqëse në qendër të qytetit dhe që janë simbolika të qytetit tonë, mund të kthehen dhe në funksionale në dobi të qytetarëve “,- u shpreh Veliaj.

Qartësia për projektin e rindërtimit të Piramidës nuk ka qenë e dukshme për publikun, por edhe për vetë drejtuesin e bashkisë. Kjo pasi, në daljet publike godinës së Piramidës i janë veshur disa funksione që mendohej se do të kishte pas rikonstruksionit.

Më 10 tetor 2017 në një mbledhje në ambientet e këshillit bashkiak të Tiranës me të rinj, Veliaj u shpreh se pikërisht në atë vit do të buxhetohej transformimi i Piramidës në një hapësirë multi dimensionale.

“Prona më e shtrenjtë e Tiranës është si një karkatë e vdekur në mes të bulevardit që është Piramida. Qysh aty na lindi ideja, a mund ta rikonstruktojmë ne piramidën tani me këtë funksion. Pra , me teatër, me film, me bibliotekë, me kurse dixhitale, pra të kodimit apo të programimit pra që janë të gjitha gjëra që dikush mund ti ndjeki pa qenë detyrimisht profesionist në atë fushë. Këtë vit ne do të buxhetojmë që piramidën ta transformojmë“.

Në mars të vitit 2018 në një takim me Fondin Shqiptaro -Amerikan të Zhvillimit Veliaj nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për të kthyer Piramidën në një qendër multifunksionale.

Hedhim hapin e parë zyrtar për formalizimin e një marrëveshjeje midis bashkisë së Tiranës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për të transformuar Piramidën e Tiranës ndërtesën më ikonike të qytetit tonë dhe qendrën më të madhe për të rinjtë , kryesisht e fokusuar në arsimimin dixhital , me kulturën e teknologjisë së informacionit dhe sigurisht edhe me hapësira të tjera në funksion të artit, kulturës edhe të gjithave kurseve profesionale apo hapësirave të tjera rinore“,-u shpreh Veliaj, ndërkohë që u premtua që projekti do të bëhej publik në maj të atij viti.

Në Festivalin e Inovacionit të organizuar nga Bashkia Tiranë në 18-20 shtator 2018, në fjalën e mbajtur para të ftuarve Veliaj përdori të njëjtën retorikë si ajo e dy viteve radhazi më herët.

“Bashkë me Kryeministrin dhe qeverinë shqiptare ne kemi vendosur që ndërtesën me ikonike të Tiranës ta kthejmë në një qendër, në një shkollë alternative, për 5 mijë të rinj, çdo muaj, që të mësojnë teknologji informacioni dhe kthimi i Piramidës sipas një modeli që ne në fakt nuk e kemi kopjuar në perëndim, e kemi kopjuar në lindje , Tumo Center në Irevanë, për sa kohë jemi të qartë që e ardhmja nuk është nesër është tani. Që kjo ndodh ky inovacion ndodh në qytete, mund të bashkojmë ata që investojnë me ata që krijojnë , ne mund të kemi një histori suksesi këtu në Ballkan”.

Viti 2019 e gjeti Piramidën të “shëtiste” sërish në podiumet dhe prezantimet e bashkisë me investitorë dhe arkitektë, pa u finalizuar akoma dhe pa një datë fikse se kur të do nisnin punimet.

Më 25 prill të 2019, në një takim në ambientet e Kryeministrisë u prezantua projekti final i Piramidës nga arkitekti Winy Mass, i cili përdori fjalën TUMO, si një përvojë e kryqëzuar mes disa fushave duke përfshirë: animacion, zhvillimi i lojërave, kinematografia, web Design, muzikë, shkrimi, vizatim, dizajn grafik, modelimi 3D, programim, robotikë, grafika e lëvizjes, fotografi dhe media e re.

Në këtë takim kryebashkiaku Veliaj nuk ngurroi të tregonte edhe kohën kur do të niste puna.

“Përsa i përket kalendarit të punimeve , ne në dy muajt e ardhshëm do të finalizojmë detajet dhe skicat finale. Do të fillojmë në qershor fillimisht me pastrimin, edhe le të themi heqjen e gjithë objekteve te tepërta , ndarjeve, barrierave, mureve, xhamave, skeleteve metalike që sot janë një pengesë…”

Ndërkaq u shpreh entuziast se kjo godinë e transformuar do të ishte gati për vitin 2020, vit në të cilin Shqipëria mirëpret Samitin Dixhital të Ballkanit.

Kemi një arsye ose sebep për vitin tjetër, Kryeminsitri dhe qeveria shqiptare do të mirëpresin Samitin Dixhital të Ballkanit dhe sa mirë do të ishte që ky soft openi për të cilin folëm, të ishte dera e parë që hapej për samitin dixhital“.

E ndërkohë kur në qershor të 2019 nuk filloi asnjë iniciativë për pastrimin e piramidës, kryebashkiaku në 15 tetor të po këtij viti në deklaratën e tij publike shpall të përfunduar projektin dhe mbylljen e garës për punimet.

“Sot është akti final kur ne marrim në dorë projektin, pra e përkthejmë ëndrrën në një projekt të zbatueshëm edhe brenda këtij viti ne do të kemi një garë për të filluar punimet në Piramidën e Tiranës dhe me një supervizim të përbashkët por dhe me një menaxhim dhe financim të përbashkët me ADF-në do të shohim se si në një vit , një vit e gjysmë, do të transformojmë hapësirën ose pronën më të lakmuar të qytetit të Tiranës , në hapësirën që do të trasformojë besoj të ardhmen e fëmijëve të këtij qyteti “.

Si është gjendja e Piramidës sot?

Pas pothuajse katër vitesh premtime, ngjitje në podium, entuziazëm për godinën e re multidimensionale që do t’i dhurohej kryeqytetit, godina e Piramidës vazhdon të qëndrojë e braktisur, pa asnjë ndërhyrje, pa asnjë tabelë për nisjen dhe kohëzgjatjen e punimeve dhe për më tepër e rrethuar me rrjetë teli.

Hapësira përreth Piramidës është një hapësirë publike dhe si e tillë i përket qytetarëve. Sipas sociologut dhe filozofit Jurgen Habermas sfera publike është një fushë e jetës sonë, në të cilën mund të formohet opinioni publik dhe kjo konsiston në një seri ndërmjetësimesh mes shoqërisë civile dhe shtetit. 

Çfarë sjell rrethimi i një hapësire publike për qytetarët? 

Rrethimi i Piramidës u ka mohuar qytetarëve të shfrytëzojnë hapësirën përreth saj, duke përfshirë hapësirën e gjelbëruar të përdorur gjatë kohës me diell, por gjithashtu duke diktuar edhe disa kalime artificiale për njerëzit nëpërmjet barrierave. Sipas arkitektes Doriana Musai, nëse kjo hapësirë do të ishte kantier ndërtimi, punime duhet të kishin filluar 30 ditë pas rrethimit.

      Arkitekte Doriana Musai

“Që në momentin që u rrethua bari dhe pjesa e gjelbërt është e pa aksesueshme, vetë objekti është i pa aksesueshëm dhe njerëzit janë të orientuar tashmë nëpër disa rrugica të cialt e kanalizojnë qarkullimin pikërisht në këto rrethime që janë bërë në mënyrë propagandistike do të thoja, pasi nuk janë rrethimet e një kantieri ndërtimi . Nëse do të ishin rrethimet e një kantieri ndërtimi punimet duhet të kishin filluar 30 ditë pas  rrethimit. Ne jemi tashmë po bëjmë vitin dhe siç e shohim këtu nuk ka asnjë makineri , nuk ka asnjë tabelë projekti dhe mesa dihet publikisht të paktën nuk është thënë akoma nëse ka një projekt të miratuar, nëse do futet në fond investimi, nëse do bëhet dicka vërtet për këtë piramidë apo do ngelemi te ai projekti i renderave që kemi parë prej vitesh tashmë”, shprehet Musai për Citizens Channel.

Sipas arkitektes Musai, këto barriera artificiale që qëndrojnë për një kohë të gjatë në një hapësirë të caktuar, sidomos kur kjo hapësirë është publike krijojnë konceptin e të mos qënit i lirë. 

“Kjo në mënyrë instiktive, njeriu në mënyrë të vullnetshme ndoshta nuk e kupton, por nëse këto modele përsëriten dhe në fakt në Tiranë fatkeqësisht janë të përsëritura kudo, krijojnë një lloj ngarkese psikologjike dhe psikike pasi të qënurit të rrethuar në fakt është të mos qenurit i lirë. Hapësira publike dhe rrethimi të dyja bashkë nuk rrinë, bien ndesh. Hapësira publike, neve e konsiderojmë vendin ku mund të ndërtojmë demokracinë, pasi aty është vendi ku kryqëzohen njerëzit, aty është vendi ku njerëzit komunikojnë, ku krijojnë ndërveprim me njëri tjetrin, ku krijohen komunitet dhe aty është baza e demokracisë së një vendi. Nëpërmjet hapësirës publike, nëpërmjet ndërhyrjeve dhe të gjitha metodave, mekanizmave, tullceve që mund të përdorim për ta ndryshuar apo kornizuar neve sigurisht që ndërhyjmë direkt në mënyrën se si bëjmë komunitet se si bëjmë shoqëri”.

Për të mësuar më shumë rreth procesit të nisjes së punimeve për Piramidën e Tiranës, Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Tiranë me një kërkesë për informacion ku kërkoi të dinte:

  1. Cilat janë arsyet/pengesat që kanë çuar në vonesën e nisjes së punimeve për transformimin e godinës së Piramidës ?
  2. Kur është parashikuar nisja e punimeve dhe afati i përfundimit të tyre? 
  3. Kopje të projektit fitues për rikonstruksionin e Piramidës.

Pavarësisht se afati i përcaktuar në ligj ka kaluar, institucioni nuk ka kthyer një përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi. 

 

*Citizens Channel /Erisa Kryeziu 

 

 

 

Trajnim: “Fuqizimi i gazetarëve të rinj përmes promovimit të vlerave profesionale”

Citizens Channel fton të gjithë studentët e gazetarisë dhe gazetarët e rinj në trajnimin online “Fuqizimi i gazetarëve të rinj përmes promovimit të vlerave profesionale të gazetarisë” (Empower Journalists), mbështetur nga Bashkimi Evropian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ).

Ky projekt synon të forcojë aftësitë dhe njohuritë e profesionistëve të rinj mbi të drejtat e gazetarëve , etikës së medies si dhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për rëndësinë e lirisë së mendimit e shprehjes.

Nga aplikimet do të përzgjidhen 20 studentë të gazetarisë dhe gazetarë të rinj të cilët do të marrin pjesë në tre kurse online të zhviluara nga tre ekspertë.

  1. Akademiku Artan Fuga do të angazhohet me ekspertizën e tij në zhvillimin e modulit me tematikë: “Kolapsi i industrisë kreative dhe “fati” i gazetarëve të rinj”.
  2. Drejtuesi i Këshillit të Medias, Koloreto Cukali do të japë ekspertizën e tij për temën: “Situata aktuale e të drejtave të gazetarëve në Shqipëri, perspektiva rajonale dhe evropiane” .
  3. Ervin Goci, lektor në Universitetin e Tiranës, do të ofrojë ekspertizën e tij në temën: “Gjendja profesionale dhe sociale e gazetarit shqiptar në statusin e përçuesit të informacionit”.

Gjatë moduleve të zhvilluara online do të ketë edhe 3 webinare të realizuara nga çdo ekspert.

Në përfundim të moduleve pjesëmarrësit do të bëhen pjesë e një seminari 3 ditor në një nga qytetet e Shqipërisë të fokusuar kryesisht në krijimin e mesazheve duke përdorur multimedian dhe rrjetet sociale si shpërndarës të tyre.

Projekti do të përmbyllet me zgjedhjen dhe mbështetjen e 5 punimeve më të mira gazetareske nga studentët dhe gazetarët e pranishëm.

Saktësim:

  1. Aplikuesit në këtë projekt duhet të jenë të gatshëm për të ndjekur modulet dhe webinarët online në oraret e përcaktuara
  2. Të jenë të pranishëm në seminarin tre ditor të mbajtur në fund të projektit.

*Plotëso të dhënat më poshtë për tu bërë pjesë e projektit

https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSeL6fhxkYpL7tTWLIa7cI5eg7neKMy0y0_ulnLaGYCDb4IbNA/viewform?usp=pp_url

Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen përmes e-mailit. Më shumë detaje për axhendën dhe organizimin do të publikohen pas përfundimit të fazës së regjistrimit.

 

Qeveria shtyn votimin e paketës “antishpifje”, reagojnë organizatat mediatike shqiptare

Mazhoranca e Kuvendit të Shqipërisë vendosi në seancën e sotme të shtyjë votimin e paketës “anti-shpifje”, duke pritur opinionin nga Komisioni i Venecias.

Taulant Balla, kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deklaroi se ishte vënë në dijeni nga Komisioni i Venecias se do të shqyrtonte me procedurë të përshpejtuar projektligjet për medien, duke kërkuar shtyrjen e votimin për dekretet e Presidentit.

Dua t’ju informoj , sapo më ka ardhur komunikimi dhe nga Komisioni Venecias, që Komisioni Venecias ka pranuar ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar këtë ligj më datë 20-21 mars, pra në sesionin e 20-21 marsit , ndërkohë që gjatë muajit shkurt përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të vijnë në Tiranë për të dialoguar me ne, me këdo. Do ti propozoja kuvendit që votimi i dekretit për mediet audiovizive të shtyhet. Të qëndrojë në programin e Kuvendit , por të shtyhet diskutimi deri sa Komisioni i Venecias në 20-21 mars ta sjelli raportin e vet”.

Pas shtyrjes së votimit të paketës “anti-shpifje’ nga Kuvendi i Shqipërisë, 23 organizata mediatike dhe të të drejtave të njeriut reaguan përmes një deklarate të përbashkët.

Deklaratë

Tiranë më 30 Janar 2020

Grupi i organizatave të renditura në fund të kësaj deklarate, në përfundim të votimit parlamentar të të ashtuquajturës paketë anti-shpifje, lëshon këtë deklaratë publike:

  1. Ne mikpresim hapin pas të shumicën parlamentare socialiste për paketën antishpifje deri në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias.
  2. Ne gjykojmë se shumica parlamentare socialiste ka ndërmarrë hapin e duhur, por jo të mjaftueshëm drejt rikthimit në themelet kushtetuese të vendit sa i përket lirisë së shprehjes.
  3. Ne falënderojmë Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian për ndihmën e dhënë deri tani dhe mikpresim opinionin e Komisionit të Venecias.
  4. Organizatat do të vijojnë të angazhohen në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.

Lista e organizatave firmëtare:

BIRN Albania

Civil Rights Defenders

Citizens Channel

Faktoje

Grupi Shqiptar per te drejtat e njeriut

Instituti Shqiptar i Medias

Instituti Shqiptar i Shkencave

Këshilli Shqiptar i Medias

Komiteti shqiptar i Helsinkit

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

New Media Network

Qendra Res Publica

Qendra Shqiptare MediaLook

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Shoqata e Gazetarëve Europianë të Shqipërisë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Instituti Shqiptar i Medias

Civil Rights Defenders

Instituti Shqiptar i Shkencave

Komiteti shqiptar i Helsinkit

Qendra Res Publica

Grupi shqiptar në mbrojtje të të drejtave të njeriut

Më herët, në lidhje me votimin e sotshëm në kuvend të këtyre projektligjeve reaguan edhe organizatat ndërkombëtare të cilat u shprehën kundër këtyre projektligjeve.

Qendra Evropiane e Shtypit dhe Lirisë së Medies  (ECPMF) me anë të një reagimi në twitter i kërkoi Kryeministrit Rama të mos votojë në parlament ligjin për mediet, pasi nuk është në standardet ndërkombëtare.

Article 19, një organizatë tjetër e fokusuar në mbrojtjen e lirisë së shprehjes i bëri thirrje kryeministrit Rama për të ndalur miratimin e “paketës anti-shpifje”.

Ricardo Gutierrez, sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), u shpreh se ligji i ri anti-shpifje kërcënon lirinë e medies online në Shqipëri.

“Mesazhi jonë për Kryeministrin Edi Rama: Mos shko më tutje me këto ligje të turpshme censuruese në Kuvend sot . Të gjithë demokratët e kanë denoncuar atë”.

Ndërsa euro deputeti David Lega tha se votimi i sotshëm mund të ndikojë në hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimit Evropian. 

“Nëse administrata Rama miraton legjislacionin e medies në formën aktuale, ajo do të rrezikojë seriozisht shanset për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.  Ata duhet të jenë në përputhje me rekomandimet e dhëna nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropë”.

Lexo më tepër: Organizatat ndërkombëtare thirrje qeverisë shqiptare për të mos votuar paketën “anti-shpifje”

*Citizens Channel /E.K/ 

 

Organizatat ndërkombëtare thirrje qeverisë shqiptare për të mos votuar paketën “anti-shpifje”

Organizatat ndërkombëtare të shtypit dhe të lirisë së medies kanë reaguar sërish kundër zotimit të qeverisë shqiptare për të votuar paketën e quajtur “anti-shpifje” .

Qendra Evropiane e Shtypit dhe Lirisë së Medies (ECPMF) me anë të një reagimi në twitter i kërkoi Kryeministrit Rama të mos votojë në parlament ligjin për mediet, pasi nuk është në standardet ndërkombëtare.

“#ECPMF i kërkon kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama të mos vazhdojë përpara me ndryshimet e ligjit për mediet sot në parlament, pasi qartësisht nuk janë në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Ne i kërkojmë Ramës të presë për mendimin e Komisionit të Venecias për ligjet e medies”.


 Një javë më parë Komisioni i Venecias lajmëroi se ka marrë një kërkesë nga Komiteti Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të dhënë një mendim në lidhje me ligjin shqiptar nr. 97/2013 për shërbimin e Medieve Audiovizive.

Article 19, një organizatë tjetër e fokusuar në mbrojtjen e lirisë së shprehjes i bëri thirrje kryeministrit Rama për të ndalur miratimin e “paketës anti-shpifje”.

” Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama që të ndalë lëvizjet në parlament për të miratuar “paketën anti-shpifje” deri sa Komisioni i Venecias të ketë publikuar mendimin e tyre për ndryshimet e propozuara në ligjet e medies. Çdo ndryshim duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”.


 Ricardo Gutierrez, sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), organizatë e cila përfaqëson gazetarët nga 45 vende, u shpreh se ligji i ri anti-shpifje kërcënon lirinë e medies online në Shqipëri.

“Ne sapo raportuam te Komisioni Evropian kërcënimet e vazhdueshme në lirinë e medies dhe në lirinë e shprehjes në Shqipëri”.


“Mesazhi jonë për Kryeministrin Edi Rama: Mos shko më tutje me këto ligje të turpshme censuruese në Kuvend sot . Të gjithë demokratët e kanë denoncuar atë”.

David Lega, anëtar i Parlamentit Evropian , u shpreh i shqetësuar për votimin e sotshëm në Kuvendin e Shqipërisë.

I shqetësuar për votimin e ardhshëm në Shqipëri. Është problematik  për zhvillimin demokratik si dhe për bisedimet  e mundshme në të ardhmen”.


Ai tha se votimi i sotshëm mund të ndikojë në hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimit Evropian. 

“Nëse administrata Rama miraton legjislacionin e medies në formën aktuale, ajo do të rrezikojë seriozisht shanset për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.  Ata duhet të jenë në përputhje me rekomandimet e dhëna nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës.


 Ligjet për medien të miratuara në dhjetor të vitit 2019 u kthyen pas nga Presidenti Ilir Meta, ndërsa sot mazhoranca kërkon të rrëzojë dekretin e presidentit duke mos marrë parasysh as thirrjet e organizatave ndërkombëtare dhe ato të vendit për të hequr dorë. 

*Citizens Channel/ E.K/ 

Ashensorët dhe siguria para dhe pas tërmetit

Autor: Vali Qyrfyci /Citizens Channel 

Të paktën 10 viktima janë regjistruar në vend si pasojë e aksidenteve në ashensorë, kryesisht në godinat e banimit. Rastet fatale nuk kanë munguar as në Durrës. Kabllo që këputen, kabina që bien në gjendje të lirë dhe një përplasje që mund të rezultojë fatale për jetën a shëndetin. Bllokim në ashensorë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, apo nga goditjet sizmike. Makth pafund për këdo që e ka provuar një situatë të tillë. Edhe pse ashensorët konsiderohen si një nga mjetet e transportit më të sigurta në botë, pasi mbahen nga 6 deri në 12 kabllo çeliku që parandalojnë rëniet fatale, dhe kanë sisteme sigurie, aksidentet nuk mungojnë. Ndaj natyrshëm për këdo lind pyetja: Sa të rrezikshëm janë ashensorët dhe kush është përgjegjës për mirëmbajtjen e tyre?

Kontrollet e ashensorëve

Tërmetet e vjeshtës sollën sërish në vëmendje problematikat me ashensorët. Menjëherë pas tërmetit të 21 shtatorit nisën kontrollet e tyre nëpër pallate, ndërsa me rënien e tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit këto kontrolle u intensifikuan. 12 grupe pune të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut vepruan në qytetin e Durrësit për një periudhë dyjavore duke verifikuar nëse ishte kryer vlerësimi i gjendjes së ashensorëve pas tërmetit, në të kundërt vendosej bllokimi i tyre. Problemet e konstatuara më shpesh në ashensorët e pallateve kanë qenë dalja nga shinat dhe defektet në sistemin e frenimit, apo hapje-mbylljen e dyerve. Inspektori i IKMT-së Aleks Haxhiraj tregon se kontrollet janë kryer në terrene, godina ku ka banorë, ndërsa në pallatet e pabanueshme grupet nuk kanë hyrë për të verifikuar gjendjen:

Aleks Haxhiraj, inspektori i IKMT-së

“Kur pallatet janë të pabanueshme, është e kuptueshme që as ashensori nuk duhet të përdoret.”

Realiteti ka ofruar thyerje të këtij rregulli dhe në shumë pallate të pabanueshme. Edhe aty ku shkallët janë krejtësisht jashtë funksionit dhe godina është vlerësuar e pabanueshme, banorët për t’u ngjitur në apartamentet e tyre kanë përdorur ashensorët. Përballë shkallëve të dëmtuara, ato janë vlerësuar si më të sigurta për të nxjerrë prej banesave veshje apo sende me vlerë.

Petrit Dulemata, banor i një prej pallateve

“Ashensorin tonë nuk e ka inspektuar askush. Nuk ka asnjë njoftim për këtë, por ai punon siç mund ta shihni dhe vetë. Madje përdoret nga banorët që nuk jetojnë më në këtë pallat krejtësisht të pabanueshëm.” – thotë Petrit Dulemata, banor i një prej pallateve që është vlerësuar me nivelin e dëmtimit DS4 në lagjen 18 të Durrësit.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut Julian Llupo thotë se grupet e punës gjatë aksionit të ndërmarrë pak ditë pas rënies së tërmetit të fund nëntorit kanë kryer kontrollin e të paktën 942 ashensorëve dhe të dhënat janë në përpunim e sipër. Përmes këtyre kontrolleve, ISHMT vuri në lëvizje jo vetëm administratorët e pallateve, po dhe qytetarët që të kërkojnë verifikimin e gjendjes së ashensorëve nga instaluesit, para përdorimit të tyre.

Pas tërmetit të 21 shtatorit, përmes një VKM-je, Qeveria kërkoi që brenda 31 dhjetorit të vitit 2020 të bëhet kontrolli i plotë i ashensorëve ekzistues, të vendosur në shërbim deri më 31 dhjetor 2019. Sipas Llupos, është domosdoshmëri kryerja e verifikimit fillestar dhe atij periodik të ashensorëve, si e vetmja formë e detyrueshme që ofron siguri. Paralelisht me kontrollet po kryhet dhe regjistrimi pranë inspektoratit i të gjithë ashensorëve në rang vendi. Regjistri i tyre elektronik do të përmbajë të gjithë dosjet teknike të ashensorëve në përdorim aktualisht.

Banorët dhe administratorët e pallateve

Drejtuesja e Qendrës “Konsumatori Shqiptar” Ersida Teliti thekson se ashensorët janë një e mirë e përbashkët, po që duhet të plotësojnë disa standarde për sigurimin e jetës dhe shëndetit të përdoruesve të tyre, ndërkohë që vetë konsumatorët duhet të njohin të drejtat e tyre, po dhe të respektojnë udhëzimet dhe rregullat e përcaktuara qartë për përdorimin e ashensorëve dhe mirëmbajtjen e tyre.

Mirëmbajtja e tyre është një domosdoshmëri si për çdo tjetër mjet transporti, po në realitet situata duket problematike. Incidentet e shumta kanë detyruar ISHMT-në që të vihet në lëvizje për të kërkuar respektimin e standardeve evropiane për ndërtuesit e pallateve dhe kompanive qe instalojnë ashensorë që nga janari i këtij viti, ndërkohë për ashensorët e instaluar më parë dhe që nuk e kalojnë kolaudimin për shkak të gjendjes jo të mirë teknike, banorët e pallateve ku ato konstatohen do të duhet të paguajnë shtesë për ta pajisur atë me element shtesë për sigurinë, kur pallati ka kaluar afatin 5-vjeçar nga ndërtimi. Brenda këtij afati, detyrimin për ta përditësuar sigurinë e ashensorit me elementet shtesë e ka kompania që ka ndërtuar objektin.

Në bazë të ligjit “Për administrimin e bashkëpronësisë” është detyrë e administratorit të pallatit që ka në përdorim ashensorë që të regjistrojë, mirëmbajë dhe modernizojë ashensorin e godinës së banimit. Administratori duhet të kontraktojë një trupë të autorizuar për vlerësimin e gjendjes së ashensorit në bazë të standardeve të kërkuara dhe të kujdeset për mirëmbajtjen e dhe përditësimin e sigurisë së ashensorit me elementë shtesë. Janë dy trupa te autorizuara nga MFE, një spanjolle dhe një greke, që bëjnë kolaudimin dhe certifikimin e ashensorëve. 

Kush mban përgjegjësi për ashensorët?

Si mjet transporti vertikal që përdoret gjerësisht në godinat shumëkatëshe të banimit e shërbimit dhe si çdo mjet tjetër transporti, ashensori përballet me incidente të shumta të cilat në jo pak raste kanë regjistruar viktima dhe të gjymtuar. Në shumë prej këtyre rasteve hetimet kanë konstatuar se ashensorët nuk kanë qenë mirëmbajtur prej kohësh, po në fund hetimet janë mbyllur. Ngjarjet janë kualifikuar si aksidentale pa vënë askënd para përgjegjësisë, qoftë kompani instaluese, apo individ. Që prej instalimeve të para, tregu i sigurisë së mjeteve të transportit vertikal qe lënë në mëshirë të fatit. Shumë ashensorë nuk janë të certifikuar me markën CE, duke u kthyer në rrezik potencial për përdoruesit. Por 2020 duket se do të jetë viti i kthesës së madhe, ndonëse problem thelbësor mbetet se mbi kë do të rëndojë përgjegjësia në rast incidentesh të rënda me pasoja për jetën a shëndetin e përdoruesve.

Baza ligjore ekziston, problem mbetet zbatimi. Veçanërisht shqetësues është zbatimi i ligjit për administrimin e bashkëpronësisë. Ndërsa në Tiranë janë hedhur hapa të rëndësishëm drejt zbatimit të tij, në Durrës ky ligj është thuajse i pazbatueshëm.

Sipas Llupos, banorët duhet të informohen mbi rëndësinë dhe sigurinë e certifikimit të ashensorëve, që lidhet drejtpërdrejt me jetën e tyre. Kjo do të thotë se ata duhet të marrin përsipër edhe kostot e këtij procesi, brenda administrimit të hapësirës publike. Sikurse paguajnë tarifat e tjera, do të ketë edhe një tarifë përsa i përket këtij procesi që është tejet i domosdoshëm. Në këtë situatë roli i administratorit është shumë i rëndësishëm. Administratori është përgjegjës për procesin e mirëmbajtjes, që bëhet nga trupat përkatëse. A është përgjegjës ai në rastin e një incidenti?
Nëse administratori ka zbatuar detyrat përsa i përket mirëmbajtjes, ka kryer mirëmbajtjen periodike dhe të gjitha ndryshimet për sjelljen e ashensorit brenda parametrave, përgjegjësitë e tij në rastet e aksidenteve janë zero. Në rast se administratori nuk e kryen gjithë këtë proces, atëherë asambleja e banorëve ose organet e tjera do të zbatojnë ligjin. Problem mbetet kur banorët nuk paguajnë për mirëmbajtjen e ashensorëve. Edhe në këtë rast, zbatimi i ligjit ka ceduar. I pyetur se mbi kë rëndon përgjegjësia penale kur ka dëm në njerëz nga gjendja jo e mirë teknike e ashensorëve, kreu i ISHMT-së J. Llupo thotë:

Julian Llupo ,Drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut

“Përgjegjësia penale përcaktohet nga organi i akuzës rast pas rasti, po nëse pallati ka administrator ai është personi përgjegjës. Nëse pallati nuk e ka kaluar pronësinë te banorët, apo pronësia ka kaluar dhe është brenda 5 viteve të para nga ndërtimi është ndërtuesi përgjegjës për verifikimin fillestar të ashensorit. Rastet e tjera variojnë. Duhet parë nëse e ka kaluar kontrollin nga një trupë e autorizuar dhe nuk ka ndërhyrje në instalim; nëse janë kryer shërbimet. Nëse ndodh aksident dhe kontrolli periodik është kryer, atëherë përgjegjësia bie mbi trupën e autorizuar.”

Llupo i ISHMT-së dhe Teliti e qendrës “Konsumatori Shqiptar” bien dakord në një pikë se çështja më problematike është zbatimi i ligjit për bashkëpronësinë, ambientet e përbashkëta. Në çastin kur qytetarët do të kuptojnë rëndësinë e angazhimit dhe detyrimeve që kanë ndaj sigurisë në ambientet e përbashkëta që ndajnë në përditshmërinë e tyre dhe administratorët e pallateve do të kryejnë rolin me të cilin ngarkohen nga ligji, procesi dhe siguria do të rriten.

Raste:

Një 15-vjeçar humbi jetën kur ra në hapësirën e një ashensori mallrash, që ishte jashtë çdo standardi teknik, në fabrikën ku punonte e ëma. Ngjarja ndodhi në Shkozet të Durrësit, në gusht 2017, gjatë së cilës mbeti i plagosur edhe një punonjës 44-vjeçar që tentoi ta ndihmonte të miturin.

Në qershor 2013, një fëmijë vdes dhe një tjetër plagoset, në lagjen nr.1 të Durrësit, kur ashensori pëson rënie të lirë pas këputjes së kabllove.

Në korrik 2018, si rezultat i ndërprerjes së energjisë elektrike, ashensori i një pallati te lagjja nr.12 në Durrës, pësoi rënie të lirë, duke shkaktuar dëmtimin fizik të një 66-vjeçari që ndodhej në të. Procedimi penal nisi, po gjykimi bitisi pa përgjegjës.

Në janar 2017, në zonën e “Freskut” në Tiranë, një nënë 29-vjeçare humbi jetën pas flakëve që përfshinë ashensorin e pallatit të saj.

Në shkurt 2019, një vajzë plagoset si rezultat i rënies së lirë të ashensorit të një pallati në zonën e Don Boskos në kryeqytet. Policia shoqëron administratorin.

Më 6 nëntor 2019, në Lushnjë, një i moshuar që ngeci në ashensor rrezikoi jetën, ndërsa banorët akuzuan pronarët e pallatit për mosmirëmbajtjen e ashensorit dhe mungesën e administratorit të pallatit.

Në një pallat në Shkozet të Durrësit ekspertët e huaj konstatojnë çudinë e një ashensori që funksionon nga kati i tretë i pallatit për të shmangur përdorimin e tij nga banorët e kateve të para. Rasti u konstatua pas tërmetit të 26 nëntorit dhe nuk është i vetmi.

 

Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit"Siguria e konsumatorit në lidhje me produktet joushqimore" zbatuar nga Qendra "Konsumatori shqiptar"

               

Studim: Institucionet publike ende larg nga respektimi i të drejtës për informim

“E drejta e informimit 2019” ishte raporti i prezantuar sot nga Qendra Res Publika ku u pasqyruan të dhënat nga monitorimi i zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit” .

Të dhënat janë rezultat i monitorimit  të 100 institucioneve publike ,të ndara në pesë kategori kryesore:

  1. Institucione kushtetuese dhe të pavarura
  2. institucione qendrore të pushtetit ekzekutiv
  3. institucione të vartësisë të pushtetit ekzekutiv
  4. institucione të pushtetit vendor
  5. Institucione të pushtetit gjyqësor

Në monitorim janë përfshirë: përmbushja e programeve të transparencës, regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve, koordinatorët për të drejtën e informimit, reagimi i institucioneve ndaj kërkesave fillestare,reagimi i institucioneve pas dorëzimit të ankimimit administrativ, vlerësimi i punës së komisionerit për të drejtën e informimit etj. 

Sa i përket monitorimit për programin e transparencës, nga të dhënat vihet re se për vitin 2019 nga 100 institucione të monitoruara vetëm 18% e tyre kanë përmbushur kënaqshëm programin. Në krahasim me secilin nga 4 vitet më parë, kjo shifër është më e lartë, por shumë e ulët në raport me detyrimin që përcakton ligji.

Neni 4, ligji 119/2014 "Për të drejtën e Informimit": Autoriteti publik, jo më vonë se 6 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji ose nga krijimi i tij, vë në zbatim një program institucional të transparencës, ku përcaktohen kategoritë e informacionit që bëhet publik pa kërkesë dhe mënyra e bërjes publike të këtij informacioni.

Të dhënat për përmbushjen e regjistrave të kërkesave dhe përgjigjeve tregojnë se vetëm 9% e  100 institucioneve  të monitoruara përmbajnë regjistër me informacion të aksesueshëm, ndërsa 91% nuk e ka përmbushur aspak këtë detyrim.

Neni 8, ligji 119/2014 "Për të drejtën e Informimit":Autoriteti publik krijon, mban dhe bën publik një regjistër të posaçëm, ku pasqyrohen të gjitha kërkesat për informim dhe informacionet e dhëna në përgjigje të tyre.Ky regjistër përditësohet çdo 3 muaj dhe publikohet në faqen e internetit të autoritetit publik, si dhe në mjediset e pritjes së publikut në zyrat e autoritetit publik.Identiteti i kërkuesve të informacionit nuk pasqyrohet në regjistër.

Caktimi nga institucionet publike i koordinatorëve të informimit përbën një shifër të lartë , në rreth 73% të përmbushjes së këtij detyrimi. Por nëse do të krahasonim këto të dhëna me një vit më parë, kemi regres , me 3% më pak.  Sipas raportit edhe pas 5 vitesh nuk po merren akoma masat që institucionet të kenë të paktën të përcaktuar formalisht koordinatorët.

Koordinatori për të drejtën e informimit:I mundëson çdo kërkuesi të drejtën për t’u njohur me informacionin publik sipas këtij ligji, duke u konsultuar me dokumentin origjinal ose duke marrë një kopje të tij;

Me anë të platformës Publeaks.al , Qendra Res publika ka monitoruar edhe reagimet që kanë institucionet ndaj kërkesave për informacion.

Nga vrojtimi paraqitet se 61% e kërkesave fillestare për informacion kanë marrë përgjigje të plota, përmirësim ky në krahasim me dy vite më parë.

Ndërsa sa i përket kohës mesatare që kanë marrë institucionet për të kthyer përgjigje kërkesave për informacion, rezulton të jenë 24 ditë, tregues negativ ky, duke qenë se afati ligjor përcakton 10 ditë pune si afatin maksimal të kthimit të përgjigjes.

Në hapësirën kushtuar vlerësimit të punës së komisionerit në studim vihet re se numri i ankesave drejtuar komisionerit për vitin 2019 është ulur me 4% krahasuar me vitin 2018. Ndërsa numri i vendimeve të marra nga komisioneri  për vitin 2019 ëhtë ulur në 2% në raport me numrin e ankesave të cilat kanë pësuar rritje. 

Rekomandime 

Në përfundim të studimit, Qendra Res Publika ka propozuar disa rekomandime: 

Kuvendi i Shqipërisë përpara hartimit dhe miratimit të Rezolutës për Vlerësimin e Punës së Komisionerit të informohet si janë zbatuar rekomandimet e Rezolutës paraardhëse; të marrë parasysh përveç raporteve të vetë Komisionerit edhe raporte/monitorime të aktorëve të tjerë, si dhe të ftojë në seancë edhe organizata të medies dhe shoqërisë civile.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit të fillojë një fushatë të mirëfilltë me masa administrative për institucionet që nuk kanë plotësuar programet e transparencës dhe regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve në respekt edhe të rekomandimeve të Rezolutave të Kuvendit të Shqipërisë 2017 dhe 2018.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit duhet të marrë vendim për çdo ankesë, duke shmangur zgjidhjet me ndërmjetësim” dhe /ose refuzimet mes shkresave të nëpunësve të tij pa delegim kompetence.

Të zbatosh më shumë sanksione në rrethanat e justifikuara, sidomos në rastet e përsëritësve dhe në raste të tejra flagrante.

Nevojitet të rishikohet rekomandimi i dhënë për anonimizimin e të dhënave në gjykata dhe Komisioneri duhet ta bëjë të qartë qëndrimin e tij.

Të përshtatet modeli i programit të transparencës për natyra të ndryshme të autoriteteve publike me fokus të veçantë publikimin e informacioneve për veprimtari me impakt në mjedis.

Të parashikohet në ligj mundësia për të ekzekutuar forcërisht vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit

Për paditë me objekt kërkim informacioni, vendimi i gjykatës duhet të marrë formë të prerë që në shkallë të parë.

Rekomandohet të rishikohet kohëzgjatja e mandatit dhe mënyra e emërimit të Komisionerit.

*Citizens Channel – Erisa Kryeziu

Raportet Ndërkombëtare: Shqipëria shënon përkeqësim në demokraci dhe luftën ndaj korrupsion

Shqipëria ka shënuar përkeqësim të treguesve demokratik dhe luftës kundër korrupsionit në dy raportet të publikuara së fundmi nga “Transparency International” dhe revista britanike “The Economist”.

Indeksi i Demokracisë nga “The Economist”

Shqipëria renditet e 79-a mes 167 shteteve të vëzhguara nga Departamenti i Inteligjencës së “The Economist”, duke zbritur me tre vende nga viti i shkuar. Vendi ynë është mes 22 si Senegali, Bangladeshi dhe Sierra Leone, të klasifikuara në indeks si shtete nën një regjim hibrid.

“Regjim Hibrid –  Është një lloj i regjimit politik miks që ngrihet mbi bazat e autoritarizmit si rezultat i një tranzicioni jo të plotë drejt demokracisë. Regjimet hibride kombinojnë tipare autokratike me ato demokratike, ato mundet që njëkohësisht të ushtrojnë represion plotik dhe zgjedhje demokratike. Regjimet hibride janë karakteristikë e vendet e pasura në burime nëntokësore. Këto regjime janë të qëndrueshëm dhe ndryshohen me vështirësi.”

Në indeksin e vlerësimit Shqipëria ka një vlerësim mesatar prej 5.89 në një shkallë nga një në 10 ku maten këto kritere:

  • Procesi elektoral dhe pluralizmi – 7.00 pikë
  • Funksionimi i qeverisë – 5.36 pikë
  • Pjesëmarrja në politikë – 4.44 pikë
  • Kultura politike – 5.00 pikë
  • Të drejtat civile – 7.65 pikë

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria është vlerësuar më keq se Serbia dhe Maqedonia e Veriut, dukë lënë pas Malin e Zi dhe Bosnjën.

Harta e Indeksit të Demokracisë 2019

Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit rendit 180 shtete sipas nivelit të korrupsionit në sektorin publik të perceptuar nga ekspertët dhe personat e angazhuar në biznes.

Në raportin e këtij viti Shqipëria renditet në vendin e 106, duke shënuar një rënie prej 7 vendesh krahasuar me vitin e kaluar.

Vendi ynë renditet i fundit në rajon me të njëjtat pikë si Maqedonia e Veriut (106), ndërsa Kosova dhe Bosnja (101), Serbia (91). Mali i Zi është i vetmi vend që ka shënuar përmirësim duke u renditur në vendin e 66-të.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit, vetëm Mali i Zi ka shënuar përmirësim duke u ngjitur në vendin e 66-të, nga vendi i 67 që ishte një vit më parë.

Harta e plotë e Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit

 

 

Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë.

*Citizens Channel /l.k./

 

Analizë: Bashkitë e Shqipërisë iu mohojnë gazetarëve të drejtën për informim

Autore: Erisa Kryeziu | Citizens Channel

“…. Pavarësisht e-maileve të shumta deri në atë pikë sa u bëmë edhe armiq me komisionerin, në korrik të vitit të kaluar, gati një vit pasi kishim kërkuar informacion në bashkinë e Tiranës , erdhi 1/18 e 18 punëve publike për të cilat kishim kërkuar informacion dhe deri më sot s’ka ardhur asgjë tjetër”.

Ky rast nuk është i vetmi për Roden Hoxhën, nga Qendra për Gazetari Cilësore, ku bashkia refuzon të japë informacion publik për të cilët gazetarët janë të interesuar. Juristi dhe drejtuesi i Qendrës, shprehet se zvarritja e dhënies së informacionit në rastin më të keq ka shkuar në një vit dhe në fund ky informacion nuk është marrë i plotë.  

“Bashkia kërkoi kohë shtesë , se dhe komisioneri vetë për shqyrtimin e ankesën sonë u vonua, dhe i la një datë të re Bashkisë për dhënien e informacionit, fund nëntori të atij viti. Nuk u bë asgjë. Bëmë një ankesë të dytë të komisioneri, i cili kërkoi një takim ndërmjetësimi. U bë ndërmjetësimi në fillim dhjetori, ramë të gjitha palët dakord që do të jepet informacioni, thamë që jemi të gatshëm të paguajmë, për informacionin që do të marrim,sipas udhëzimit të komisionerit me 50 lek të vjetra faqe. Në mes të dhjetorit na vjen një shkresë nga komisioneri, në të cilën bashkia i kishte shkruar që kishte filluar auditim nga KLSH-ja, dhe për këtë arsye ishte bllokuar gjithë arkiva ….”-shprehet Hoxha për Citizens Channel.

Edhe për gazetarin Artan Rama rastet kur bashkitë nuk janë treguar të gatshme për të dhënë informacion janë të shumta.

“Në janar të 2018-s, Bashkia e Bulqizës nuk iu përgjigj një kërkese që lidhej me shfrytëzimin e fondit pyjor e kullosur. Në prill të 2019-s Bashkia Memaliaj nuk iu përgjigj një kërkese që lidhej me efektin social dhe mjedisor që parashikohej të shkaktohej prej hidrocentralit të Kalivaçit, ndërsa në maj Bashkia e Librazhdit nuk iu përgjigj një kërkese në lidhje me rikonstruksionin e një hec-i të vogël, i cili ndodhej brenda territorit të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë “.

Gazetari Artan Rama rrëfen se ka ngritur disa padi në Gjykatën Administrative për të drejtën e informacionit.

” Kam ngritur 9 padi kundër autoritetit shtetëror dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit në Gjykatën Administrative. Deri tani kam fituar katër çështje, ndërsa pesë të tjerat janë ende në proces”.

Dorian Matlija drejtues i qendrës “Res Pulica” shprehet se ata që vuajnë më shumë pasojat e mos-përgjigjes janë gazetarët investigativë, pasi ndryshe nga qytetarët ata kërkojnë informacione “pikante” te cilat institucionet nuk kane vullnet ti bëjnë publike.

“Nga bashkitë që do të veçoja si më pozitive janë bashkia Shkodër, bashkia Durrës, bashkia Lezhë. Në përgjithësi përqindja e përgjigjeve nga institucionet është në nivelin 60% ndaj kërkesave fillestare. Kjo përqindje rritet pas ankesës te Komisioneri , duke shkuar deri ne nivelin rreth 80% të rasteve. Megjithatë , vlen për tu theksuar se rastet e refuzimit të përgjigjeve janë ato kur kërkohen informacione qe hedhin drite mbi kontrata te dyshimta”.

Pas refuzimit të dhënies së informacionit, gazetarët, duke u njohur më mirë të drejtat që ju ofron ligji në ndryshim nga qytetarët i kanë ndjekur këto çështje edhe në aspektin ligjor.

Sipas Matlijas rastet më të shumta gjyqësore janë kundrejt institucioneve të pushtetit qendror.

“Kundër bashkive shifrat janë shumë më të ulëta, ku spikat bashkia Tiranë. Ekzistojnë pak raste të veçuar kundër bashkive të vogla në rastet e investimeve me impakt në mjedis, ku bashkitë pengojnë gazetarët për të investiguar mbi ndërtimin e HEC-ve, ose veprave të tjera, si për shembull bashkia Librazhd. Rastet qe ne njohim janë kundër institucioneve te pushtetit qendror, të cilat janë mbi 30 raste”.

Monitorim i bashkive për informacionet e publikuara pa kërkesë

Duke u bazuar në ligjin nr. 119/2014 për të drejtën e informacionit publik, Citizens Channel zhvilloi një monitorim të faqeve web të 61 bashkive në vend,  për të parë disa kategori informacioni që duhet të jenë publike për të gjithë qytetarët pa dërguar një kërkesë.

Kategoritë e informacionit që u monitoruan janë: 

  1. Programi i transparencës
  2. Struktura organizative e institucionit
  3. Të dhënat për koordinatorit për të drejtën e informimit
  4. Të dhëna për buxhetin
  5. Të dhënat për kontaktet e bashkisë (vendodhja, e-mail)
  6. Të dhëna për arsimin dhe pagat e funskionarëve dhe pagat e nëpunësve

Nga ky monitorim u vu re se respektimi i ligjit për të drejtën e informimit është i pazbatuar nga një pjesë e madhe e bashkive.

Bashkia Krujë, Bulqizë, Selenicë dhe Gjirokastër nuk kanë një faqe web, si rrjedhojë kujtdo që kërkon të ketë informacion online rreth këtyre institucioneve i mohohet kjo e drejtë.

Nga 61 bashki ekzistuese, vetëm 32 prej tyre kanë miratuar dhe e kanë të publikuar programin e transparencës.

Nga 61 bashki, vetëm 20 prej tyre kanë të publikuar strukturën organizative të institucionit. Në këtë  mënyrë 41 prej bashkive u kanë mohuar qytetarëve të tyre dhe kujtdo të interesuar të dinë se kush merret me punët publike të institucionit të tyre.

Vetëm 44 bashki, nga 61 në total kishin të publikuar të dhëna për koordinatorin e të drejtës së informimit.  Ndërsa në 17 bashkitë e tjera nuk është e qartë se kush merret me sektorin e informimit të publikut.

Ndërkohë, sa i përket publikimit të buxhetit, transparenca e tij ishte vetëm në 37 bashki, në 24 të tjerat nuk ka asnjë informacion jo vetëm për buxhetin e vitit të fundit, por edhe të viteve të mëparshme.  

*Shënim: Është parë buxheti i vitit 2019 dhe 2020 për këtë gjetje.

 

Sa i përket të dhënave për drejtuesit e bashkive, 17 bashki nuk kishin asnjë jetëshkrim të drejtuesve të tyre. Ndër to janë: bashkia Kucovë, Poliçan, Delvinë, Himarë, Finiq, Libohovë,  Memaliaj, Tepelenë, Shijak, Rrogozhinë, Vorë, Kurbin, Mirditë, Lushnjë Mallakastër , Pustec .

Përpos tyre Bashkia e Malësisë së Madhe ka një jetëshkrim të kryetarit por mungon ajo ç’ka është më thelbësorja: emri i kryetarit. Ndërsa bashkia Shkodër akoma nuk i ka njohur zgjedhjet e mbajtura rreth dy vite më herët duke mbajtur në faqen e tyre web jetëshkrimin dhe të dhënat e ish- kryetares Voltana Ademi.

Sa i përket të dhënave për strukturën e pagave të nëpunësve 42 prej bashkive nuk i kanë të publikuara në faqet e tyre në internet. Ndër to janë: Berat, Bashkia Kucove, Polican, Bashkia Skrapar , Ura Vajgurore, Bashkia Klos ,Mat, Belsh, Elbasani, Delvina, Himara, Finiq, Divjakë, Fier, Dropull, Këlcyrë, Libohovë, Memaliaj, Tepelënë, Fushë Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau i Dejës , Bashkia Has, Kukës, Tropojë, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Vorë, Konispol, Sarandë, Vlorë, Lezhë, Mirditë, Librazhd, Lushnjë, Patos, Mallakastër, Roskovec, Pogradec, Pustec.

 

 

Ligji dhe roli i Komisionerit për të drejtën e informimit

Ligji për të drejtën e informimit nr. 119/2014 i detyron institucionet publike të japin informacione rreth veprimtarisë së tyre për qytetarët dhe çdokënd të interesuar.

Ky ligj i jep të drejtën qytetarëve që të marrin një sërë kategorish informacionesh ndaj institucioneve pa pasur nevojën për të dërguar një kërkesë. Ndërsa për çështje specifike që kërkojnë më shumë angazhim institucional lind detyrimi për t’i kërkuar këto të dhëna me anë të një kërkese për informacion. Referuar po këtij ligji disa nga kategoritë e  informacioneve të cilat janë publike pa kërkesë për qytetarët janë:

  1. Struktura organizative e autoritetit publik
  2. Informacionet për procedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim dhe procedurat e ankimit të vendimit përkatës.
  3. Të dhëna për vendodhjen e zyrave të autoriteti publik, orarin e punës, kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit.
  4. Të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve si dhe strukturat e pagave për nëpunësit.
  5. Ligje, konventa të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë

*Shtjellim të ligjit të të drejtës për informim e gjeni këtu.

Komisioneri për të drejtën e informimit i cili miraton dhe shpërndan modele të programit të transparencës te institucionet publike, njëherazi është edhe institucioni i cili pret ankesat e qytetarëve për institucionet publike nëse nuk kanë ofruar shërbim dhe merr një vendim që mund të jetë seancë ndërmjetësimi ose vendosja e masave administrative.

Janë evidente rastet kur Komisioneri është treguar i pafuqishëm ndaj institucioneve publike.

Sipas Roden Hoxhës, Drejtuesit të Qendrës për Gazetari Cilësore, komisioneri për të drejtën e informimit është një strukturë inekzistente.

Problemi më i madh i komisionerit është që nuk ka asnjë fuqi vendimmarrëse. Fuqia vendimmarrëse e komisionerit është inefektive, është teorike. Edhe ligji e ka lënë aq të zbrazët atë vendimin e komisionerit sa thjesht një vendim i tij sado mua më jep të drejtën që ta marr informacionin nga një institucion, pasi ankohesh në gjykatë administrative, mbetem në gjykatë një, dy, pesë, shtatë vjet deri sa të marri fuqi ekzekutive ai si vendim. Në  momentin që vendimet e komisionerit nuk janë tituj ekzekutiv, ai si pozicion është i kotë”.

Të njëjtin problem ndan edhe avokati Matlija, i cili shpjegon se një nga problemet themelore të ligjit për të drejtën e informimit mbeten kompetencat e Komisionerit.

Vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit nuk janë detyruese (përveç rasteve kur vendoset gjobë). Ligji nuk i ka dhënë këtyre vendimeve vlerën e “titullit ekzekutiv”, që do të thotë se mbetet në dëshirën e institucioneve për ti zbatuar ose jo”.

Edhe pse i është drejtuar disa herë Komisionerit për ankesë, gazetari Artan Rama nuk ka mundur gjatë punës së tij që të sigurojë të dhënat që ka kërkuar nga institucionet.

Komisioneri vepron në mënyrë selektive. Për çështje të njëjta ka dhënë vendime të ndryshme në dëm të transparencës, duke u bërë palë me autoritetet refuzuese të informacionit publik. Të dhëna që lidhen me kontratat koncesionare apo me shfrytëzimin e pasurive natyrore dhe që refuzohen prej autoriteteve shtetërore nuk kam mundur t’i siguroj edhe pasi jam ankuar në përputhje me “Të Drejtën për Informim”.

Sipas avokatit Matlija kjo vjen pasi në ligj nuk parashikohet qartë detyrimi i Komisionerit për të marrë vendime në të gjitha rastet.

“Komisioneri po “abuzon” me kete paqartësi, duke marre shume pak vendime ne vit. Gjate vitit 2019 Komisioneri ka marre vendim vetëm ne 2% te rasteve kur ka pasur ankesa. Gjithashtu, ligji nuk përmban sanksione te qarte për titullarët e institucioneve dhe për rrjedhojë ata bëhen pengese për zbatimin e ligjit pa pasur asnjë pasojë”.

Referuar regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve për vitin 2019 të institucionit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave personale , numri i ankesave është 765.

Ndërsa ankesat e ardhura nga gazetarët për vitin 2019 janë në total 290. Sipas regjistrit nga këto ankesa janë zgjidhur 223 me ndërmjetësim, 30 janë vlerësuar jashtë objektit të ligjit, ndërsa për 13 ankesa Komisioneri është shprehur me vendim.  

 

 

 

Shoqata e Arkitektëve reagon ndaj arrestimeve për dëmet e tërmetit

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë me anë të një deklarate për shtyp është shprehur se masat e marra ndaj arkitektëve nga Prokuroria e Tiranës janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.

Sipas Shoqatës, në asnjë rast dëmet fizike të godinës nuk kanë lidhje me profesionin e arkitektit.

“Ekzekutimi i masave ekstreme nga institucionet ligj-zbatuese pa u thelluar më parë në metodologjinë dhe procesin e përgjegjësive të dëmeve të tërmetit sipas fazave të përcaktuara me ndalime me arrest / apo tjetër, është e papranueshme në një shoqëri të lirë, duke shkaktuar dëme traumatike për jetën dhe aktivitetin profesional individual apo familjar, për secilin qytetar dhe profesionist të lirë të këtij vendi”.  

Ky reagim vjen pas ekzekutimit të masave me burg, detyrim paraqitjeje dhe arrest shtëpie për 30 të akuzuarit  për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit në zonën e Tiranës. Mes të arrestuarve ishin inxhinierë, arkitektë, ndërtues dhe ish zyrtarë .

Sipas reagimit të Shoqatës së Arkitektëve , përgjegjësitë  profesionale të arkitektit janë të ndërlidhura me pikat e licencës profesionale të cilën shteti ja jep dhe njeh gjatë ushtrimit të profesionit. Ky rol është i përcaktuar në funksione që kanë të bëjnë me zgjidhje volumetrike, funksionale dhe estetike.

“Pra, sipas legjislacionit në fuqi, por edhe atij analog ndërkombëtar, arkitekti nuk ka kompetenca profesionale dhe ligjore, që lidhen me hartimin e projektit konstruktiv të ndërtesës dhe për rrjedhoje nuk mund të ngarkohet me asnjë përgjegjësi ligjore dhe morale të lidhur me qëndrueshmërinë statike dhe sizmike tërësore apo pjesëve të veçanta të saj”.

Shoqata e arkitektëve deklaron se e mbështet nxjerrjen e përgjegjësive profesionale, pro kjo të jetë e lidhur me ekspertizën profesionale.

SHASH mbështet nxjerrjen e përgjegjësive profesionale të lidhura me dëmet e tërmetit, por çdo hetim duhet të jetë i mbështetur me ekspertizën serioze profesionale sipas metodologjisë së përcaktuar nga organet shtetërore lidhur me fazat e përcaktimit të dëmeve si 1. Akt – konstatimi; 2 Akt- ekspertimi, të drejtuara dhe koordinuara nga institucioni përgjegjës, Instituti i Ndërtimit me grupet e ekspertëve të autorizuar nga Institucionet e shtetit”.

*Citizens Channel /E.K./