Senati Akademik i UT: Nuk kemi kërkuar rritje tarifash

Menjëherë pas ditës së parë të protestës studentore në 5 dhjetor për VKM numër 288 të miratuar në maj të këtij viti ( tani e shfuqizuar) pika 4 e së cilës parashikonte një taksë shtesë për studentët që përsërisin provimet, Edi Rama reagoi në Twitter.

Sipas tij tarifat i përcakton universiteti dhe jo Qeveria dhe se vkm për tarifën e “mbetësve” e përcaktoi universiteti.

Edhe mbrëmjen e djeshme kur Kryeministri Rama ishte i ftuan në studion e Top Show të Alban Dudushit u shpreh se tarifat e studimit nuk vendosen nga Qeveria dhe se universitetet kanë autonomi për ta bërë këtë. Studentët duhet të shkojnë tek dekanët e universiteteve të tyre për këtë çështje tha Rama.

Ndërkohë, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka dalë ditën e sotme me një deklaratë publike duke theksuar se nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosjen e tarifave për provimet e mbartura.


“Universiteti i Tiranës mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave të studimit dhe ngarkohet Bordi i Administrimit të bëjë përllogaritjen e efekteve financiare për UT-në”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu në deklaratë thuhet se Universiteti i Tiranës merr përsipër krijimin e një grupi pune pedagogë – studentë për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura nga studentët gjatë kësaj kohe si dhe çdo lloj çështjeje tjetër në funksion të përmirësimit të UT-së.

Citizens Channel / F.S

 

Artan Fuga: “Katër nevoja urgjente për të dalë nga kriza e arsimit të lartë”

Në një postim në ditën e sotme në rrjetin social “Facebook”,  Akademiku Artan Fuga u shprehu sot disa nga qëndrimet e tij në lidhje me arsimin e lartë duke theksuar se Ministria e Arsimit nuk ka pse të pret që studentët të paraqesin kërkesat e tyre me anë të një delegacioni, kjo është një gjë, kurse nga ana tjetër nëse mendon se vërtet studentët kanë të drejtë, atëhere të nisi marrjen e masave rrënjësore për të dalë nga kjo krizë e arsimit të lartë.

Më poshtë ai ka renditur 4 kërkesa të cilat i cilëson si urgjente për t’u realizuar.

  1. Të shkarkohen të gjithë antarët e bordeve të administrimit të universiteteve. Duke i pezulluar ato borde derisa të ndryshohet mekanizmi i menaxhimit të universiteteve.

Në një postim tjetër në Facebook një ditë më parë Fuga thotë se është totalisht kundër bordeve aktuale të administrimit të universiteteve.

Ai shprehet se anëtarët e këtyre bordeve janë ose nëpunës të Ministrisë së Arsimit ose të agjencive të saj ose figura të caktuara politike të pushtetit vendos ose lokal.

Ky është konflikt interesi shprehet Fuga sepse një pjestar i bordit të universitetit nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe nëpunës i Ministrisë së Arsimit. Pikërisht kjo lidhje e cënon “autonominë” e universiteteve.

Fuga shkon më tej duke u shprehur se as në kohën e Enver Hoxhës nuk ndodhnin të tilla gjëra.

Dhe argumenti i përdorur nga shteti se ata ndodhen nëpër borde për tëkontrrolluar paratë publike, sipas Fugës nuk ka asnjë vlerë sepse shteti ka agjencitë e veta të posaçme për të kontrrolluar fondet publike.

  1. Të pranohet abrogimi ose nevoja për amendime shumë të thella të ligjit për arsimin e lartë.
  2. Të krijohet një këshill emergjence me aprovimin e studentëve për të realizuar të gjitha ndryshimet rrënjësore në modelin e universiteteve shqiptare.
  3. Pagesat me këste derisa të vendosen tarifat e reja që të jenë të drejta dhe jo grabitqare!

Citizens Channel /f.s/

 

Kryeministri refuzohet për herë të dytë nga studentët

Ditën e djeshme kryeministri Rama nëpërmjet rrjetit social Facebook ftoi edhe njëherë për dialog studentët të cilët kanë 7 ditë që po protestojnë pranë Ministrisë së Arsimit.

Burimi: Edi Rama, Facebook

Kjo ftesë u refuzua menjëherë nga studentët njësoj si ajo e bërë pak ditë më parë nga Kryeministri  po në Facebook.

Studentët nuk kërkojnë as dialog as negociata, por plotësimin e kushteve të tyre, të cilat janë dërguar në institucionet përkatëse: Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Kryeministrit të Shqipërisë.

Aktualisht, si çdo  ditë këtë javën e fundit studentët janë duke protestuar pranë Ministrisë së Arsimit kurse Kryeministri ishte  duke zhvilluar një video “live” në Facebook para pak minutash , ku po sqaronte ndër të tjera qëndrimin e tij në lidhje me këtë çështje.

“Duhet tentuar një strategji e përbashkët student-qeveri. Duhet një bashkim i domosdoshëm mes nesh i qeverisë studentëve dhe pedagogëve. Të bashkohemi kundër sistemit të korrupsionit, kulturës së falsifikimit dhe keqadministrimit terësor të universitetit. Studentët nuk e bëjnë dot pa qeverinë dhe qeveria nuk e bën dot pa ata.”, u shpreh Rama gjatë komunikimit “live” në Facebook.

Foto nga protesta e sotme e studentëve pranë Ministrisë së Arsimit.
Foto: Citizens Channel

 

Ndërkohë studentët nuk pranojnë dialog duke u shprehur se kërkojnë që të miratohen kërkesat e tyre dhe se ato janë të panegociueshme.

Citizens Channel / F.S

Raporti i KLSH hedh dritë mbi keqmenaxhimin e fondeve publike nga qeveria

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për zbatimin e buxhetit 2017 u bë publik më në fund në tetor 2018. Në ditët para publikimit kishte shumë spekulime në media se raporti  do të përmbante gjetje  kritike për keqmenaxhimin e fondeve publike nga administrata aktuale. Në fakt, raporti shkoi përtej pritshmërive origjinale duke zbuluar shkelje të vazhdueshme dhe sistematike në raportimin financiar, menaxhimin e buxhetit, transparencën e shpenzimeve publike, etj. Akoma më keq, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nuk i mori parasysh gjetjet e tij pa ofruar asnjë shpjegim, ndërkohë që mediat kryesore e anashkaluan tërësisht lajmin. Gjetjet e raportit kishin implikime të forta politike. Çuditërisht, Kryetari i KLSH-së nuk e mbrojti publikisht në Komision raportin, duke ju bashkuar aktorëve të tjerë që tentuan të minimizonin rëndësinë e tij.

Me mbi 200 faqe, ky është një dokument masiv dhe një nga hetimet më profesionale të kryera ndonjëherë mbi financat publike të Shqipërisë. Raporti ofron disa gjetje kritike, të cilat duhet të ngrenë shqetësime në çdo nivel të administratës publike, si dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë. Në të ardhmen, shpresojmë të jemi në gjendje të raportojmë mbi gjetjet në një mënyrë më të thelluar duke u bazuar në sektorët specifik, pasi vetëm një artikull nuk mund të mbulojë imtësisht të gjitha temat e rëndësishme të raportit.

Janë të paktën pesë zbulime kyçe që vlejnë të theksohen, duke pasur parasysh edhe debatet aktuale ekonomike dhe politike të vendit.

  • Ka shkelje të rënda dhe të vazhdueshme në procesin e prokurimit publik.Disa nga shkeljet më të rëndësishme vijnë nga kontrata dhe fatura të regjistruara pas afatit ligjor, mospërputhjet midis fondeve të kontraktuara dhe atyre të alokuara në Thesar, regjistrimi i gabuar i investimeve të financuara nga jashtë etj.
  • Rimbursimet e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) kryhen në mënyrë të paligjshme, subjektive, jo të rregullt dhe të vonuar, teksa nuk regjistrohen siç duhet në tabelat financiare. Detyrimet që burojnë nga rimbursimet e pashlyera të TVSH-së u rritën gjatë vitit 2017. Vlera totale e këtyre rimbursimeve është të paktën 92 milionë euro (11.4 miliard lekë të reja);
  • Procedurat e gabuara dhe të paligjshme kanë çuar në një rritje të detyrimeve të prapambetura, ku stokun aktual i detyrimeve vlerësohet të paktën deri në 153 milionë euro;
  • Si rezultart, niveli aktual i borxhit publik dhe i deficitit buxhetor është dukshëm më i lartëse sa është raportuar zyrtarisht, dhe qëndrojnë respektivisht të paktën në nivelet prej 72 për qind dhe 3.56 për qind të PBB-së (faqet 29, 56-57 të raportit), duke shkelur kështu kufirin ligjor prej 2 për qind për deficitin gjatë vitit zgjedhor 2017.
  • Reformat në sektorin e energjisë kanë dështuar në vija të përgjithshme, duke çuar në humbje të mëdha, të cilat kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme subvencionet publike për sektorin.

 

Si ndodhin këto transaksione?

Fillimisht, është e rëndësishme të kuptojmë se si duhet të regjistrohen këto transaksione. Institucionet publike duhet të përpunojnë të gjitha kontratat dhe pagesat e tyre nëpërmjet Thesarit. Kontratat publike duhet të jenë të hapura për procesin e tenderimit përmes Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) vetëm pasi Thesari (nëpërmjet një sistemi elektronik të njohur si SIFQ) të ketë hapur një llogari përkatëse me shumën e saktë për institucionin prokurues. Kontratat që zgjasin përtej vitit fiskal duhet të përfshijnë gjithashtu një skemë pagesash për vitet e ardhshme. Faturat dhe pagesat që rrjedhin nga këto kontrata duhet të regjistrohen në Thesar deri në 30 ditë pasi ato të jenë ekzekutuar.

Tërësia e këtyre rregulla dhe procedura, shumica e të cilave burojnë nga ligji për menaxhimin e buxhetit dhe nga Vendimet e Këshillit të Ministrave, janë krijuar që të reflektojnë siç duhet pozicionin fiskal të qeverisë në çdo moment. Mos-kryerja e tyre nënkupton që statistikat zyrtare janë duke u manipuluar, po ndërmerren detyrime dhe kontrata të paparashikuara në buxhet, si dhe që po krijohen detyrime të prapambetura në të gjithë sistemin. Teorikisht, shkeljet e këtyre rregullave duhet të çojnë në gjoba, kontrata dhe faturat që u ngarkohen për pagesë zyrtarëve publikë përgjegjës, si dhe procedim penal kur këto shkelje janë edhe më të rënda. Megjithatë, teksa të gjitha këto rregulla janë shkelur vazhdimisht dhe sistematikisht sipas raportit të KLSH, asnjë zyrtar publik ende nuk ndodhet nën hetim.

 

Konkretisht, si shkelen këto rregulla?

Mënyrat dhe mjetet përmes të cilave shkelen rregullat e sipërpërmendura janë të shumta.

Fondet e specifikuara në tenderët e shpalluar nga APP ndryshojnë nga ato të alokuara në Thesar. Për shembull, në faqen 132, Tabela 47, raporti krahason vlerat e disa kontratave të shpallura nga APP me vlerën respektive në Thesar. Numrat ndryshojnë ndjeshëm me mospërputhje të konsiderueshme ndërmjet dy institucioneve. Thënë më thjesht, institucionet publike po tenderojnë pa pasur fondet për kryerjen e punimeve!Sipas raportit të KLSH, dy institucionet kryesore që vazhdimisht shkelin këto rregulla janë Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Një nga projektet që nuk është deklaruar siç duhet nga Bashkia është rindërtimin e shumëpërfolur të parkut të lojërave “7 Xhuxhat” në një parkim publik që lehtëson ndërtimin e një kulle të re, Downtown Tirana. Vlerat e regjistruara në Thesar janë shpesh të paplota, të ndara sipas faturave, të regjistruara më vonë se sa kërkohet nga ligji, e kështu me radhë.

Figura 1: Diferencat mes fondeve të kontraktuara nga APP dhe atyre të alokuara nga Thesari

 

Datat për regjistrimin e kontratave të prokurimit publik po ashtu janë shkelur vazhdimisht. Shumë kontrata ose urdhra të prokurimit që janë regjistruar shumë më vonë se data e firmosjes së tyre. Raporti konstaton se deri në 71% të kontratave të nënshkruara në vitin 2017 janë regjistruar shumë më vonë, nganjëherë edhe në vitin 2018. Bashkia e Tiranës veçohet përsëri si një nga institucionet me numrin më të madh të shkeljeve.

Për më tepër, faturat që rrjedhin nga këto kontrata gjithashtu po keqmenaxhohen. Raporti i KLSH konstaton se mbi 80% të faturave, me vlerë deri në 234 milionë euro, regjistrohen më vonë se afati prej 30 ditësh, dhe nganjëherë shumë muaj më vonë. Bashkia e Tiranës së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar veçohen si shkelësit kryesorë.

Investimet e financuara nga jashtë, të cilat janë kryer gjatë vitit 2017, nuk janë reflektuar plotësisht në tabelat financiare si shpenzime. Raporti gjen se të paktën 13.6 milionë euro në shpenzimet të kryera me hua të huaj të cilat duhet të pasqyrohen në vlerat e deficitit. Zgjerimi i Bulevardit të Tiranës është një nga shembujt kryesorë ku këto rregulla janë thyer.

 

Çfarë do të thotë e gjitha kjo?

Këto shkelje të vazhdueshme nga institucionet dhe agjencitë e ndryshme publike tregojnë se statistikat më të rëndësishme të financave publike janë të pasakta dhe nuk reflektojnë siç duhet pozicionin fiskal të të gjithë sektorit publik. Siç u përmend më lart, këto shkelje të vazhdueshme kanë krijuar akumulimin e detyrimeve të prapambetura me vlerë të paktën 153 milion euro dhe të paktën 92 milion euro detyrime për rimbursimin e TVSH-së. Si rezultat, deficiti publik gjatë vitit 2017 nuk ishte 1.99% e PBB-së, siç raportohet zyrtarisht nga Ministria e Financave, por të paktën 3.54%. Për më tepër, KLSH llogarit se borxhi publik nuk është 69.9%, por vërtitet rreth vlerës së 72% të PBB-së kur përfshihen detyrimet e sipërpërmendura, siç duhet të ndodhë.

Figura 2: Borxhi publik i llogaritur nga KLSH, ku raporti qëndron mbi vlerën prej 69.9% të publikur nga Ministria e Financave.

 

Vlen të theksohet se shifra e borxhit publik përjashton detyrimet nga Partneritetet Publike-Private, të cilat FMN dhe KLSH kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshihen në llogaritjen e raportit. Nëse regjistrohen si borxh publik edhe kontratat e PPP-së, atëherë raporti kalon në mbi 80% të PBB-së.

Kjo është edhe më shqetësuese pasi qeveria shqiptare emetoi ​​së fundmi një eurobond duke përdorur statistikat zyrtare në prospektin që u ofrohet investitorëve të huaj. Këtyre të fundit tashmë u lind e drejta të padisin qeverinë nëse besojnë se janë gënjyer dhe kanë investuar paratë e tyre për shkak të shifrave jo të besueshme.

Figura 3: Një pjesë e prospektit të eurobondit, hartuar nga qeveria shqiptare, ku shihet përdorimi i statiskave zyrtare jo të sakta.

 

A ka më?

Për fat të keq, ka ende plot probleme të tjera. Një nga reformat gjoja të suksesshme të qeverisë gjatë këtyre viteve u zhvillua në sektorin e energjisë, ku familje të shumta u detyruan të paguajnë faturat të prapambetura, edhe kur nuk kishin mundësi ekonomike për ta kryer. Megjithatë, sipas raportit të KLSH, sektori tani është më i ngarkuar me borxhe sesa në vitin 2013, dhe tendenca po përkeqësohet gjithmonë e më shumë.

Figura 4 dhe 5 më poshtë tregojnë detyrimet gjithnjë në rritje për sektorin publik që rrjedhin nga garancitë shtetërore dhe nga nënhuatë – domethënë, borxhet që sektori i energjisë ka marrë nëpërmjet shtetit. Në të dyja rastet, tendenca në rritje është qartësisht e dukshme.

Figura 4: Detyrimet e krijuara nga garancitë shtetërore për sektorin e energjisë
Figura 5: Detyrimet e krijuara nga nënhuatë për sektorin e energjisë

Gjatë vitit 2017, sektori ka përfituar nga një amnistia e detyrimeve me vlerë rreth 78 milionë euro (9.6 miliardë lekë). Kjo ka kontribuar në ruajtjen formale të një treguesi të qëndrueshëm. Të zhveshur nga kjo amnisti fiskale, detyrimet totale në sektorin e energjisë do të ishin rritur nga 249 milionë euro në 2016 deri në 310 milionë euro për vitin 2017.

Si shembull, tabela 76 e raportit tregon se gjatë vitit 2017 të gjitha kompanitë shtetërore rritën detyrimet e tyre nga nënhuatë, një nga katër instrumentet përmes të cilave shteti i financon këto kompani (të tjerat janë garancitë, mbështetje direkte buxhetore, mbulim i borxheve tatimore). Kjo rritje ishte evidente jo vetëm për sektorin e energjisë, por edhe për ujësjellësit e bashkive të ndryshme. Sektori i energjisë pothuajse dyfishoi detyrimet e veta si pasojë e nënhuave, nga 42 milionë euro (5.2 milardë lekë) në 76 milionë euro.

 

Figura 6: Tabela 76 e raportit paraqet detyrimet e shoqërive me kapital shtetëror që burojnë nga nënhuatë. Detyrimet e gjithë sektorit energjitik janë në rreshtin e parë.

Është e qartë nga këto shifra se reforma aq shumë e propaganduar në sektorët e energjisë dhe furnizimit me ujë kanë pasur rezultate të dobëta deri më tani. Kjo po ashtu nënkupton që shumë nga detyrimet e krijuar në sektor lindin për një sërë arsyesh, ku keqmenaxhimi është mbase kryesori, dhe jo vetëm për shkak të mungesës së vullnetit të qytetarëve për të paguar për këto shërbime.

 

Komente përfundimtare

Disa javë më parë, ju përgjigja një artikulli të shkruar nga prof. Ricardo Hausmann lidhur me gjendjen e ekonomisë shqiptare. Kjo replikë përmbante shifra dhe fakte për të kundërshtuar shumë nga pretendimet e Prof. Hausman, por çështjet në lidhje me deficitin dhe borxhin nuk u diskutuan gjerësisht në krahasim me problemet e tjera. Raporti i KLSH tashmë siguron fakte të pakundërshtueshme se edhe shifrat e deficitit dhe borxhit, të cilat qeveria i kishte shpallur si suksese, nuk janë të sakta. Për më tepër, për të publikuar shifrat të paracaktuara, qeveria ka krijuar një sasi të madhe të borxhesh dhe detyrimesh të prapambetura, të cilat ka të ngjarë të bëhen një barrë e rëndë për planifikimet e ardhshme buxhetore dhe qeveritë pasuese.

 

Johannes Estrada

Marrë nga: exit.al

 

FSHZH: Projekti i rrugës Shkodër – Velipojë është nën përgjegjësinë tonë për dy vite

Gjatë javës së kaluar Citizens Channel, botoi një artikull në lidhje me rikonstruksionin e rrugës Shkodër – Velipojë.

E konsideruar si rrugë turistike, kjo rrugë u inspektua nga Kryeministri Rama në datën 7 dhjetor 2017, punimet për ndërtimin e saj kishin filluar.

Vetë Kryeministri me anë të një postimi në rrjetin social facebook, u shpreh se rruga do të mbaronte në fillimin e verës së vitit 2018.

Por, situata në terren paraqitet ndryshe. Rruga me një gjatësi prej rreth 18 kilometrash, e ndarë në tre lote dhe janë tre kompani ndërtimi të cilat kanë fituar tenderat për t’i ndërtuar. Në lotin e parë në vendin e quajtur Harku i Bërdicës , procesi ka ndaluar për shkak të moshpronësimit të banorëve që preken nga ky investim.

Bashkia Shkodër e cila është përgjegjëse për shpronësimin e rreth 140 familjeve në tokën e së cilave duhet të ndërtohet rruga  pyetjes së Citizens Channel për afatin se kur do të mbarojnë shpronësimet iu përgjigj se është ende në proces të vlerësimit të pasurive.

Por, 2 lotet e tjerë kanë përfunduar sipas kontratës së përcaktuar. Bazuar në vëzhgimin që Citizens Channel bëri në terren, rruga e shtruar në lotin e tretë paraqet probleme. Në një segment të caktuar të saj asfalti ka pësuar çarje.

Fondit Shqiptar i Zhvillimit si autoritet kontraktues dhe përgjegjës për këtë projekt reagoi ndaj problematikës së ngritur nga Citizens Channel.  Pyetjes se a do të ketë shtim buxheti për riparimin e dëmit të kryer, Fondi iu përgjigj: “Çdo problem që lidhet me cilësinë e punimeve, do të mbulohet me buxhetin e parashikuar.”

Ndërsa për sa i përket afatit kohor specifik se kur do të riparohen këto dëmtime të rrugës, FSHZH u përgjigj se nuk ka një afat specifik kohor, por gjithçka parashikohet të përfundohet brenda dy viteve, atëherë kur FSHZH e mbyll të gjithë projektin dhe ia dorëzon atë Bashkisë Shkodër.

Citizens Channel

Ligji për Teatrin kalon sot në Kuvend, Komisioni rrëzon sërish dekretin

Dekreti i dytë i  Presidentit Meta për ligjin e Teatrit Kombëtar, u rrëzua sërish sot dhe pritet të kalojë në seancën plenare për votim. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, sot në orën 9:00 rrëzoi me votat e anëtarëve socialist dekretin e presidentit ku kërkohej rishqyrtimi për herë të dytë i ligjit në Kuvend.

Eduard Shalsi, kreu i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese u shpreh sot: “Bëmë gjykimin dhe ndryshimet që i vlerësuam të nevojshme. Jemi pro ndërtimit të një teatri të ri.”

Ndryshimet e kërkuara nga Presidenti që nuk u morën parasysh nga Komisioni sot, shoqërohen me argumente juridike të që lidhen me antikushtetuetshmërinë e ligjit, cenimin e ekonomisë së lirë si edhe shkeljen e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Dy rikthimet e ligjit për Teatrin Kombëtar:

Presidenti Meta kthen ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar; (9 shkeljet)

Presidenti Meta kthen për herë të dytë në Kuvend ligjin për Teatrin Kombëtar

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grupim qytetarësh dhe artistësh që prej muajsh kundërshtojn këtë ligj mbajti sot qëndrimin e saj nëpërmjet një deklarate të lexuar pranë Parlamentit.  Deklarata thekson se kjo nismë e qeverisë është antikushtetuese dhe synon të grabisë tokën publike duke ia dhuruar klientëve të Kryeministrit në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk funksionon.

“Si rrjedhojë, kushdo që voton për miratimin e atij ligji famëkeq sot po bëhet haptazi palë në vjedhje kundra interesit publik dhe në shkelje të Kushtetutës. Çfarëdo që të bëni në pjesën e mbetur të jetës suaj, kudo që të shkoni, me cilindo të takoheni, kjo votë do ju ndjekë nga pas! Do konsideroheni përherë si deputetët që votuat për të vjedhur popullin tuaj“, thuhej më tej në deklaratë.


Deklarata e plotë:

Burimi: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Citizens Channel

Organizatat ndërkombëtare dënojnë “paketën antishpifje”

Kohët e fundit Kryeministri Edi Rama ka propozuar një “paketë antishpifje” që sipas tij do të dënojë individët dhe mediat duke çuar para në një fond për arsimin.

Megjithëse në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë ekziston një ligj i tillë i cili përcaktohet kështu:” Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë.Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.”

Tre ditë më vonë Rama publikoi një tjetër deklaratë në Twitter, ku përdor fjalë të rënda si “ndotje” apo “fëlliqësi” ndaj gazetarëve dhe i kujton se shpifja në 25 vende të BE dënohet me burg, por harron të thotë se asnjë gazetar nuk gjendet pas hekurave aktualisht në Evropë.


Reagimet  në lidhje me deklaratat e Kryeministrit për paketën shpifjen dhe më pas për mbylljen e mediave sociale që nuk janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) qenë të shumta. Por ai më i rëndësishmi ishte ai i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në 15 tetor  i cili shumë pak ditë pas deklaratave të Ramës publikoi një listë me 44 media online dhe një afat prej 72 orësh për regjistrimin e tyre pranë QKB, në të kundërt do të mbylleshin.

“AKEP në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi informon të gjitha subjektet e regjistruara si portale online se duhet të publikojnë brenda 72 orësh niptin përkatës në seksionin Kontakt të faqes  së tyre online,” thuhej në njoftim.

Reagimet e mediave të përfshira në këtë listë ishin të shumta duke e cilësuar këtë njoftim nga AKEP si pa referenca konkrete ligjore.

Sot,  dy nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare reaguan në lidhje me këtë çështje

Civil Rights Defenders, një nga organizatat më të mëdha në mbrojtje te të drejtave civile me qendër në Suedi, publikoi një deklaratë për shtyp ku thuhej: “Vendimi i Kryeministri të vendit Edi Rama, se të gjitha portalet e lajmeve në vend duhet të regjistrohen dhe të kenë një NIPT deri në datën 15 Tetor, thyen rëndë lirinë e shprehjes dhe rrit ndërhyrjet qeveritare mbi numrin e kufizuar të mediave të lira ende ekzistente.”

Më tej në deklaratë dënohet vendimi i AKEP në lidhje me ultimatumin për mbylljen e 44 portaleve online dhe  bëhet thirrje autoriteteve shqiptare  të heqin dorë nga çdo veprim që mund të frenojë lirinë e medias dhe të shtypit.

“Në rast se këto propozime do të mund të vihen në praktikë do të kenë efekte të frikshme mbi median e lirë dhe do të rrisin ndjeshëm nivelet e vetë-censurës mes gazetarëve vendas.”, thuhet më tej në deklaratë.

Deklarata e plotë e Civil Rights Defenders

Edhe përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias shprehu shqetësimin e tij për kërcënimin për mbylljen e mundshme të portaleve në Shqipëri.

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Harlem Désir.

Në një letër drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë për këtë çështje, Përfaqësuesi ofroi edhe asistencën e tij ligjore.

*Citizens Channel

 

Akrobacitë e maxhorancës me ligjin për Teatrin

Ditën e djeshme në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese  u votua në lidhje me amendimin e Ligjit Special që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar. Vota mbi ligjin e kthyer nga Presidenti Meta në Korrik të këtij viti kaloi mes shumë debatesh midis opozitës dhe maxhorancës.

Vendimi i maxhorancës mbetet i paqartë pasi ajo njëkohësisht edhe e pranon edhe e rrëzon dekretin. Duke renditur 11 argumente, presidenti Meta kërkoi “kthmin për rishqyrtim në tërësi” të ligjit, gjë që nuk është pranuar nga maxhoranca, pasi një ligj i ri nuk po hartohet, por vetëm po bëhen ndryshime mbi ligjin ekzistues.

Si ndryshuan qëndrimet e maxhorancës mbi ligjin për Teatrin?

Më 27 korrik, menjëherë pas dekretit të Presidentit, Kryebashkiaku Veliaj (imazhi kryesor i maxhorancës në “luftën” për teatrin), publikoi “dy fjalë zemre për Teatrin” ku e quajti vendimin “zhgënjim”  duke shtuar se Meta “u bë palë me partitë politike”.  “Do presim dhe 40 ditë që parlamenti ta rivotojë” vijonte më tej komenti i Veliajt.

Në 6 shtator Komisioni Evropian në një letër drejtuar qeverisë shqiptare ku theksohet se përcaktimi me një ligj special nga parlamenti i fituesit të një projekti publik përbën një shkelje të parimit të konkurrencës së lirë.

Një ditë më pas, në 7 shtator, Kryebashkiaku u tërhoq nga qëndrimi i mëparshëm duke pranuar se “jemi në një diskutim” me Komisionin Evropian.

Kryeministri Rama, deklaroi se qeveria do të pranojë sugjerimet, duke u tërhequr nga qëndrimet e mëparshme se ky është “krejtësisht normal” dhe se mbi këtë projekt “nuk mund të ketë garë”. “Unë prapë mendoj që ne kemi bërë gjënë e duhur, pavarësisht se ne do ta adoptojmë sipas sugjerimit të tyre”, tha Rama një javë më parë në Top Channel. Ai e interpretoi letrën e Komisionit Evropian si një dritë jeshile për të vazhduar projektin, pavarësisht se KE u pyet vetëm për vlefshmërinë e procesit, të cilën e rrëzoi.

Çfarë ndryshoi maxhoranca në ligjin për Teatrin?

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese pranoi dekretin e Presidentit dhe miratoi ndryshimet në ligj të propozuara nga relatori Ilir Beqja.

Në variantin e ri të ligjit hapet gara për çdo kompani dhe hiqet emri i kompanisë “Fusha sh.p.k”.  Në nenin 3 të ligjit të amenduar komisioni shpalli procedurën “thirrje e hapur” për të gjitha kompanitë që kanë interes për të ndërtuar një godinë të re për Teatrin Kombëtar duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë ligj.

Gjithashtu në nenet e reja shtohet fjala “vlerësim” dhe hiqet fjala “negocim”, në rastin e mëparshëm fjala “negocim” kishte të bënte me negocimin vetëm me një firmë për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Kundër çdo veprimi që parashikon shembjen e godinës

Ndërkohë në të njëjtën ditë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zhvilloi një takim të hapur me intelektualë, artistë e përfaqësues të shoqërisë civile në ambientet e Teatrit Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli. Pjesëmarrësit u shprehën kundër çdo vendimi që parashikon shembjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar.

“Ndërkohë që ky ligj është një shkelje e hapur nuk reagoi as Prokuroria që duhet të reagojë. Pra, në mungesë të gjithë këtij reagimi, çfarë ndodh? Një letër që vjen nga Brukseli e kthen atë. Atëherë kjo nuk është thjesht çështje e teatrit, kjo është një test se çfarë sistemi kemi ngritur ne”, tha analisti Fatos Lubonja gjatë takimit.

Për çështjen e Teatrit u shpreh dhe intelektuali Aurel Plasari i cili kishte shkruar më herët disa herë në mbështetje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. “Ai arkitekti që thotë Rama, që është ndër më të mëdhenjtë në botë, unë do të them është më i madhi, por kjo nuk ka asnjë lidhje me prishjen e kompleksit të teatrit. Dhe ky është kurthi ku të fut Rama me të tijtë. Kauza këtu është që të mos prishet kjo ndërtesë historike, që mbart kujtesën e shtetit shqiptar”, tha Plasari.

Arkitekti Artan Raca tha dhe njëherë se Teatri Kombëtar mund të rikonstruktohet dhe shembja e godinës nuk është zgjidhje përfundimtare:“E them prerazi që në këtë rast nuk është rasti për t’u prishur. Ky teatër mund të rikonstruktohet. Mund të bëhet edhe sikur të ishte gërmadhë”.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit prej më shumë se 5 muajsh vazhdon protestën e përditshme kundër nismës së qeverisë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

*Citizens Channel /F.S/ /L.K/

Aktivistët “shembin” digën në mbrojtje të Vjosës, lumit të fundit të egër në Europë

Ditën e sotme në Tiranë, përpara piramidës u zhvillua protesta simbolike për mbrojtjen e lumit Vjosa, nga anëtarë të Eco Albania dhe “Balkan River Defence.

Protestuesit u shprehën kundër vendimit të Qeverisë për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në lumin e Vjosës, gjithashtu kërkuan që lumi Vjosa të jetë lumi i vetëm në Europë në të cilin të mos ketë hidrocentrale dhe të shpallet Park Kombëtar.

Protestuesit theksuan se turizmi në Shqipëri është një nga pikat kyçe të zhvillimit të vendit dhe duke qenë se pasuritë kombëtare të Shqipërisë janë të lidhura drejtpërdrejt me turizmin, ndërtimi i hidrocentraleve e shkatërron natyrën e vendit. Në qershor të këtij viti Qeveria shqiptare nënshkroi kontratën koncensionare me kompanitë “Ayen Enerji” dhe “Fusha”, për të ndërtuar hidrocentralin e Kalivaçit.

Rezistenca për mbrojtjen e “Zemrës Blu” të Evropës e mbështetur nga aktivistët e Turit të Lumenjve të Ballkanit është kthyer sërish në Vjosë. Aktivitët do të udhëtojnë për 31 ditë në Ballkan për të mbështetur komunitetet që mbrojnë lumenjtë e tyre.

Fotogaleri nga protesta:

Turi i Lumenjve të Ballkanit filloi në vitin 2016 si një lëvizje argëtuese me kajakë në lumenjtë e Ballkanit dhe u shndërrua në një lëvizje mbrojtëse të këtyre lumenjve për shkak të hidrocentraleve që po ndërtohen në to.

Ky është turi i dytë që lëvizja Turi i Lumenjve të Ballkanit po zhvillon, duke udhëtuar dhe vozitur në Ballkan, në vende si: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë – Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia.

*Citizens Channel

Rikthimi i tarifës për rrugën e Kombit, qytetarët paralajmërojnë sërish protesta

Duke filluar nga data 17 shtator çdo qytetari do t’i duhet të paguajë 660 lekë ose 5 euro për çdo kalim në Rrugën e Kombit. Kjo tarifë përjashton qytetarët e rrethit të Kukësit, për të cilët tarifa është 100 lekë. Qytetarët e Kukësit kanë bërë thirrje për protesta nëpërmjet rrjetit social “Facebook” për rivendosjen e kësaj takse.

“Me daten 17 shtator 2018 , te gjithe kuksianet dhe jo vetem… te dalim ne proteste per ti thene ” JO ” , takses së Edvin Rames. Nuk do ti ndalim protestat derisa te na plotesohen kerkesat tona. Kush eshte dakort?”, shkruhet në faqen “Kukësi” në Facebook.

Qeveria u tërhoq në muajin mars për shkak të protestave të forta në të cilat banorët e Kukësit nuk pranonin vlerën e taksës për kalimin, Kryeministri Rama pranoi se nuk ishin zhvilluar takime paraprake me banorët dhe nuk ishte bërë studim në lidhje me këtë çështje, gjithashtu pranoi se do të zhvilloheshin takime dhe do të realizoheshin dëgjesa me banorët e qarkut të Kukësit , ku do t’ju shpjegohej se si do të përfitonin si përdorues të shpeshtë të asaj rruge me anë të një karte të veçantë.

Tarifat e vendosura në muajin mars ishin këto:

  • Motorët do të paguajnë 2,5 euro për çdo kalim, 5 euro vajtje-ardhje;
  • Autoveturat do të paguajnë 5 euro për çdo kalim, 10 euro vajtje-ardhje;
  • Autobusët dhe kamionçinat do të paguajnë 11,2 euro për çdo kalim, 22,4 euro vajtje-ardhje;
  • Kamionët e mesëm do të paguajnë 16,2 euro për çdo kalim, 32,4 euro vajtje-ardhje;
  • Kamionët e rëndë do të paguajnë 22,5 euro për çdo kalim, 45 euro vajtje-ardhje.

Qytetarët e Kukësit në datën 31 Mars u ngritën në protestë për të kundërshtuar këtë taksë. Protestuesit i vunë flakën sporteleve ku paguhej tarifa për Rrugën e Kombit, hoqën trarët dhe goditën më mjete të forta strukturën metalike. Ishte një protestë që zgjati disa orë.

Në orën 19:00 të asaj dite Kryeministri Edi Rama deklaroi se përdoruesit më të shpeshtë të autostradës, banorët e zonave afër do të paguanin një tarifë më të reduktuar.

Një ditë më vonë u arrestuan 23 persona pjesëmarrës në protestë të cilët u akuzuan për “shkatërrim të pronës”, “shkatërrim i pronës me zjarr”, “kundërshtim i punonjësve të policisë” dhe “kryerje e veprimeve arbitrare”. 

Shoqëria Civile në Tiranë organizoi disa protesta në mbrojtje të protestuesve të Kukësit.

9 nga personat e arrestuar mbetën në burg, kurse të tjerët morën masën “detyrim paraqitjeje” dhe “arrest shtëpie”.

Të arrestuarit u liruan nga Gjykata e Lartë në Tiranë, më pas nga Gjykata e Apelit e Shkodrës dhe tre të arrestuarit e fundit u liruan në muajin qershor nga Gjykata e Kukësit në të cilën ishte transferuar çështja.

 

*Citizens Channel /f.s/