Ka ndodhur këtu: Të rindërtosh jetën pas 10 viteve dhune

4411 raste të dhunës në familje të evidentuara nga Policia e Shtetit kishte në Shqipëri gjatë vitit 2018, nga to 3690 ishin gra dhe vajza duke përbërë 73.4% të numrit total.

Shkodra, një qytet me 114.219 banorë ka lëshuar gjithsej 193 urdhra mbrojtjeje të ndarë në: urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje dhe vetëm në vitin 2018 në këtë qytet janë regjistruar 228 raste të divorceve si dhe 37 persona si dhunues në familje.

Citizens Channel shkoi në qytetin e Shkodrës dhe u takua me një nga gratë e dhunuara që jeton atje. Ajo ishte një nga viktimat e dhunës në familje, e dhunuar që nga java e parë e martesës nga ish-bashkëshorti i saj dhe në tentativë për t’u ri integruar në shoqëri dhe për të jetuar  një jetë normale pavarësisht viteve të vështira dhe të gjata të jetuara në dhunë dhe në kushte sociale shumë të vështira.

Ajo tregon për Citizens Channel se procesi i ri integrimit në shoqëri për të nuk është i lehtë.

” U largova, nuk isha më ajo si e dosha. Edhe tash….më ka marrë këtu te shoqata . Edhe kshu që vazhdoj të jetoj, domethënë jam me 2 fëmijë , shtëpi me qera, s’kam asnjë për me i kërkujna, vetëm ça më ndihmon familja jem . Po ça me prit dhe prej familjes se motra edhe baba e nana skanë ça ndihmojnë edhe vëllai se ata kanë nevojë me i ndihmu unë jo me më ndihmu mu . Edhe kështu që punoj nga pak.. Kështu e ka jeta..”, thotë ajo.

E dënuar të jetojë në një rreth dhune për vite, ajo tregon për Citizens Channel se kishte qenë pikërisht ajo që gjithmonë ka jetuar me shpresën se një ditë diçka do të ndryshonte.

“Domethënë, më ka… sa hejna që..ta shikosh njënin sy e kam me shenj..më ka ra me dorë dhe ma ka ça këtu synin..më ka ra në hundë..më ka ra ma ka thy dhëmbin. Domethënë shumë shumë gjëna. Më ka fut thonjtë në fyt deri sa kam ra përtok”.

“Më ka thënë” do të mbys krejt do të hedhi në det se ti ske të drejtë të më thush mu mos pi hashash se unë e kam pi që i vogël dhe kur sma ka nal familja jeme kush je ti që ma nal mu”, tregon ajo duke shpjeguar që episodet e dhunës ishin aq të shpeshta saqë ishin bërë “normale” për të.

Ajo tregon se kishte jetuar për rreth 10 vjet nën presionin e një personi të dhunshëm dhe që konsumonte drogë dhe arsyet pse komunikimet dhe debatet e tyre përfundonin në dhunë ishin nga më të ndryshmet por kryesisht për shkaqe xhelozie.

Pas 10 viteve dhunë psikologjike dhe shpirtërore ajo u shkëput nga dhunuesi i saj dhe jeton në një qytet të Shqipërisë, ku me ndihmën e një shoqate të specializuar, ajo po përpiqet që të rindërtojë jetën e saj nga fillimi dhe pse nuk duket të jetë e lehtë.

 

*Citizens Channel – Citizens Stories

*Ky projekt realizohet me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit

 

Trokit 7 herë për t’i shpëtuar dhunës

Si pjesë e ciklit “Pas Dyerve të Mbyllura”, Citizes Channel publikon  histori të grave që kanë qenë viktima të dhunës, duke rrëfyer hapin e guximshëm për të dalë nga martesat e dhunshme, përballjen me paragjykimet dhe stigmën e shoqërisë dhe vështirësitë që lindin nga mungesa e mbështetjes së institucioneve për ri-integrimin në shoqëri.

Çdo dy javë, një grua është vrarë si pasojë e dhunës në familje në 5 muajt e parë të vitit 2019.

Të dhënat tregojnë se dhuna ndaj grave dhe vajzave është një fenomen i përhapur në përmasa të frikshme në Shqipëri. Mentaliteti, zakonet dhe mungesa e një “shpëtimi” nga ana e institucioneve përgjegjëse, i detyrojnë gratë të jetojnë për vite të tëra nën rrethin e dhunës, që jo në pak raste ka përfunduar në krimin fatal të vrasjes.

Citizens Channel u takua me një nga këto gra. E martuar në moshë të re, nënë e dy fëmijëve, që të dy me probleme shëndetësore dhe fizike, ajo ishte viktimë e dhunës në familje për 15 vite me radhë.

“Familja ime ma dhanë dhe: kokën çafsh! Nuk…As më kanë ardhur në shtëpi, as…s’mbaj mend më. Nga 15 vjet që kam jetuar atje, vetëm një herë më kanë ardhur”, tregon ajo për Citizens Channel.

Ajo tregon se ishte pikërisht familja e saj e cila e kishte detyruar që të martohej për herë të dytë, pasi bashkëshorti i parë kishte ndërruar jetë. Dhuna që ajo përjetoi gjatë martesës së dytë ishte sistematike dhe e pamëshirshme.

“Atë e ngacmonte i vëllai, po t’i thonte i vëllai shko gjuje..ai do vinte dhe do gjunte…t’i thosh ai do vinte të të gjunte. Sdonte tja dinte se ke bërë gabim a ske bërë gabim. Direkt vinte të gjunte. Se ça ishte kjo e gjuajtura, spo e merrja vesh…Për çfarë? Po kshu du unë. Po qysh do ti? Më thuaj një arsye ti mua që dhe unë ta di. Pe ndonjë rrugë të keqe a pe diçka që nuk shkon, më thuaj ti mua që dhe unë ta pranoj dhunën.”, rrëfen L.K. me dhimbje kalvarin e vuajtjeve dhe të dhunës, aq absurd, saqë ndonjëherë as vet nuk e kuptonte arsyen pse ndodhte.

E gjendur para kësaj situate ajo vendos që të divorcohet.

“I thashë dhe mamit tim në atë kohë që do vija do bëja divorcin, më tha: merr dy kalamajtë dhe ik e mbytu në gjol”, ishte ky reagimi i nënës së saj në momentin kur ajo mori vendimin për t’u larguar nga agresori i cili ishte bashkëshorti i saj.

Pa mbështetje nga njëra familje dhe e dhunuar nga tjetra, asaj iu deshën vite të tëra përpjekeje dhe 7 denoncime që policia të merrte në konsideratë dhunën e ushtruar nga  ish-bashkëshorti.

Video/ Rrëfimi i plotë i 40 vjeçares L.K

Problemet që vijnë pas daljes nga rrethi i dhunës

Avokatja e qendrës Forumi i Gruas Elbasan Soela Kurti ,i tha Citizens Channel se koha e gjatë për marrjen e urdhrit të mbrojtjes për shkak të procedurave burokratike ka qenë pengesë në efektivitetin e këtij mekanizmi. Megjithatë së fundmi korniza ligjore që ndihmon gruan e cila është në cilësinë e viktimës së dhunës në familje është përmirësuar duke i dhënë kompetenca edhe komisarëve të policisë të lëshojnë urdhra mbrojtjeje për gratë e dhunuara në raste emergjence ose të dhunës ekstreme, urdhra që më pas verifikohen nga Gjykata e cila jep vendimin përfundimtar të saj.

Soela Kurti – Forumi i Gruas Elbasan

Mekanizmat institucionale ndihmues në këto raste janë: Policia, Koordinatori i dhunës në familje i cili është në çdo bashki si dhe shoqatat që iu vijnë në ndihmë këtyre rasteve.

Çështjet e pronësisë dhe strehimit

Problemi sipas avokates Kurti qëndron në fazën e mëvonshme, kur gruas i duhet të ri-integrohet në shoqëri. Problemet e një gruaje të dhunuar nuk marrin fund kur ajo del nga paragjykimet sociale me të cilat është rritur dhe vendos të denoncojë dhunuesin e saj, por kur ajo gjen një punë dhe strehim. Shumica e rasteve sipas avokates janë pa një banesë sepse edhe pse mund të kenë punuar gjithë jetën, shtëpia nuk është në emrin e tyre, por kryesisht janë shtëpi në emër të familjarëve të tjerë, shtëpi të vjetra, për rindërtimin e të cilave gratë mund të kenë kontribuuar, por këto kontribute janë shumë të vështira për t’u njohur nga institucionet vendimmarrëse.

Mungesa e detyrimeve ushqimore

Edhe në rastin konkret, 40 vjeccarja L.K., po përballet prej kohësh me vështirësitë ekonomike, e detyruar të kujdeset e vetme për fëmijët, pasi bashkëshorti nuk paguan detyrimin e pensionit ushqimor.
“Mospagimi prej vitesh i pensionit ushqimor. Ata kanë 4 vite që e kanë kryer divorcin dhe gjatë këtyre 4 viteve ai s’ka paguar asnjëherë pension ushqimor dhe është një shumë minimale është 5 mijë ketë të reja në muaj. Dhe fëmija tani është 16 vjeç dhe ato shpenzimet e tij vijnë duke u rritur”, tha Soela Kurti.

Dalja jashtë Shqipërie – “Jo pa prokurën e babait dhunues”

Shpesh gratë e divorcuara nuk kanë mundësi të krijojnë të ardhura në Shqipëri, duke u detyruar që të lëvizin jashtë vendit për të gjetur një punë. Nëse ato janë nëna me fëmijë të vegjël në moshë, e kanë shumë të vështirë të lëvizin, pasi ish-bashkëshortët shpesh për hakmarrje apo motivet të tjera, nuk pranojnë të nënshkruajë prokurën e cila lejon fëmijën të lëvizë jashtë vendit. Sipas avokates Kurti, kjo është një nga ndryshimet e reja që duhet të pësojë ligji që mbron gratë e divorcuara.

“Në ndryshimet e reja të ligjit mund të thuhet fare mirë që personi që është kujdestar për fëmijën, ai të kishte të drejtën edhe për kalimin jashtë shtetit. Në shumicën e rasteve është nëna kujdestare e fëmijës dhe asaj që në vendimin e zgjidhjes së martesës mund t’i parashikohet kjo gjë, duke shmangur këtë pjesën e debateve dhe mosmarrëveshjeve me ish-bashkëshortin. Ky është një problem që kanë shumica e grave pas divorcit “.

*Citizens Channel – Citizens Stories

*Ky projekt realizohet me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit

 

Regjisorja Iara Lee: “Ju mund ta shpëtoni Teatrin Kombëtar përmes artit”

Ditën e premte në sheshin e teatrit kombëtar regjisorja – aktiviste Iara Lee shfaqi dokumentarin  e saj “Burkinabe Rising”, një dokumentar i xhiruar në një nga shtetet më të varfra të Afrikës, Burkina Faso. Dokumentari dëshmon për rolin e artit dhe aktivizmit në revoltën e njerëzve që çoi në rrëzimin e diktatorit Blaise Compaoré i cili kishte 27 vite në pushtet.

Ngritja e njerëzve të Burkina Fasos ndodhi në një mënyrë të pazakontë: nëpërmjet artit. Artistë të të gjitha zhanreve e shprehën kryengritjen e tyre nëpërmjet veprave artistike. E dokumentuar nga Iara Lee kjo kryengritje tenton t’i tregojë botës fuqinë e njerëzve të bashkuar për të përmirësuar ambientin social në të cilin jetojë dhe për të vendosur vetë për jetën e tyre.

Ardhja në Tiranë e këtij dokumentari përkon me një ngjarje të ngjashme: Insistimi për shembjen e Teatrit Kombëtar nga pushteti vendor dhe qendror dhe rezistenca disa mujore e artistëve, qytetarëve dhe shoqërisë civile të cilët e kundërshtojnë këtë vendim.

Të intervistuar nga Citizens Channel, Iara Lee dhe editori Dimo Petkov thonë se dëshirojnë që dokumentari i tyre të jetë inspirim për “kryengritësit” e Tiranës.

Intervista e plotë:

Në aspektin kulturor, cila ishte gjëja e parë që vutë re kur erdhët në Shqipëri?

Gjëja e parë, për të qenë e sinqertë, është sepse jeni shumë të mirë dhe unë jam nga Brazili dhe mendoj që shqiptaret dhe brazilianet kanë personalitet shumë të ngjashëm dhe janë shumë miqësorë.

Por ndonjëherë, për shkak se jeni shume miqësorë dhe të mirë, Qeveria mund te përfitojë. Kështu që duhet të jemi të forte.

 Pse zgjodhët ta prezantonit dokumentarin tuaj ne Shqipëri?

 Europa është e mërzitshme, por Shqipëria është si një thesar i fshehur. Është shumë special dhe motra ime dhe unë, familja ime, mamaja ime nga Brazili;, të gjithë erdhën në Shqipëri, sepse ishim duke parë në hartë dhe…Greqia është shume e populluar, Turqia është shumë e populluar, Kroacia është shumë e populluar, çdo vend është i populluar, Italia gjithashtu, dhe ne ishte “wow”: shiko Shqipërinë, është shumë e bukur, shumë natyrale, e lirë, kështu që familja ime erdhi, mamaja ime nga Brazili dhe Dimo erdhi nga Bullgaria.

Çfarë mund të mësoje bota nga dokumentari juaj?

Iara: Çfarë mendon Dimo? Çfarë mund të mësojnë nga dokumentari jonë?

Dimo: Mendoj që mund të mësojnë shumë sepse mendoj që ky film dhe Afrika është një kontinent, që mund të jetë një shembull i mirë për botën sepse kudo njerëzit kanë të njëjtat probleme. Kështu që mendoj që ky film dhe njerëzit afrikanë mund të jenë një shembull i mirë për çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë. Mendoj që kjo është shumë inspiruese.

Iara: Sepse do të mësojë nga veprimi i njerëzve afrikanë. Nuk është teori, ata hoqën një diktator nga pushteti. Përmes fuqisë së njerëzve të bashkuar

Cilat ishin sfidat më të mëdha me të cilat t’u desh të përballeshe gjatë xhirimit të dokumentarit?

Infrastruktura është shumë e vështire atje. Ndonjëherë nuk ka elektricitet, ndonjëherë nuk ka ujë, mund të marrësh malarien…por njerëzit janë fantastikë, kështu që e kaluam edhe pse infrastruktura ishte e vështirë, sepse zemrat dhe aktivizmi i tyre ishte shumë i fortë.

Çdokush është aktivist në Burkina Faso.

Muzikantët, kërcimtarët, edhe fermerët. Kështu që bëmë 2 dokumentarë në Burkina Faso, për fermerët që mbrojnë ushqimin dhe këtë tjetrin që mbron gjuhën, arkitekturën, çdo gjë..artin e tyre dhe muzikën e tyre. Dhe si përfundim, ata mbrojnë vendin e tyre.

Dhe është kjo që po përpiqemi të bëjmë këtu, të inkurajojmë njerëzit, të shikojnë filmin dhe në fund ju mund të mbroni Teatrin Kombëtar, nëse kombinoni forcat. Muzikantët, shkrimtarët, dizajnerët, të gjithë bashkë. Mund ta bëni të mundur.

Çfarë ju inspiroi më shumë gjatë xhirimeve?

Mendoj se njerëzit.

Njerëzit ndonjëherë më thonë “kush janë inspirimet e tua më të mëdha dhe presin për emra të mëdhenj, ose njerëz të famshëm,” por të them të vërtetën, njerëzit që më inspirojnë mua janë njerëzit normalë ..dhe shumë nga aktivistët, aktivistët e vërtetë. Ata janë thjesht duke bërë punën e tyre, ata as nuk kanë kohë për të promovuar apo për të bërë publicitet.

Kështu që, njerëzit, njerëzit e thjeshtë më inspirojnë vërtetë.

Bazuar në eksperiencën tuaj, si mund ta ndihmojë arti aktivizmin?

Dimo: Mund të thotë shumë. Artistët janë njerëz shumë të hapur, mendje hapur, kështu që mendoj që janë mënyrat të ndryshme për të treguar problemet. Dhe ka shumë mënyra të ndryshme, dhe arti është një nga ato. Është një mënyrë e re se si mund ti tregosh problemet tani, në shekullin e 21.

Lara: Dhe fuqia e angazhimit, sepse kur shkruan një këngë të fuqishme, merr 1 milion reagime. Mund të arrish zemrat e njerëzve, nëpërmjet një kënge të fuqishme, një kërcimi të bukur, një poeme, një libri, një fotografie. Kështu që ka fuqi në art. Ju mund ta shpëtoni teatrin tuaj përmes artit.

*Citizens Channel /l.k./ /f.s/

 

 

Përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit marrin sigurinë se çështja e Teatrit Kombëtar do të shqyrohet në Bruksel

Ditën e djeshme disa përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit u takuan me ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin.

Kryefjala e takimit ishte përcjellja e shqetësimeve për rrugën ligjore që është ndjekur për të miratuar ligjin i cili parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar, cënimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe mënyrën se si ky ligj u votua në Kuvend. Gjithashu, ambasadores i janë prezantuar dhe vlerat që kjo godinë mbart nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore.
Përfaqësuesit u shprehën se i kanë bërë dhe një historik të ngjarjeve në lidhje me Teatrin Kombëtar, për kohën kur Edi Rama ka qenë Ministër Kulture, Kryetar Bashkie dhe Kryeministër.
Sipas anëarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të gjitha këto shqetësime dhe shkelje do të përcillen në Bruksel.

Disa përfaqësues të Aleancës të cilët kanë qenë prezent në takim, dhanë për Citizens Channel detaje nga takimi.

Adriatik Lapaj,avokat.

Adriatik Lapaj: “Në lidhje me takimin sot gjykoj se përfaqësimi ishte shumë dinjitoz, por dhe pritja ishte për tu vlerësuar. U dëgjuam, u mbajtën shënim të gjitha qëndrimet tona, e përqëndruam argumentin tonë kryesisht në aspektin juridik duke i dhënë rreth 40% – 50% të kohës, por nuk është se nuk u ndalëm dhe në aspektin e trashëgimisë kulturore. Zonja ambasadore mbajti shënime vetë, stafi i saj gjithashtu qëndrimet tona dhe argumentat tona juridikë, ne i lamë dhe kopje me shkrim, një pjesë të tyre i dëgjonte për herë të parë, dhe na bëri me dije se angazhimi jonë vlerësohet në sytë e Bashkimit Europian si një angazhim shumë qytetar. Pavarësisht qëndrimit zyrtar që ata kanë, që nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar, angazhimi jonë dhe protesta maratonë është vlerësuar shumë. U përmend edhe shkresae nxjerrë nga organizata më e madhe e trashëgimisë kulturore në Europë, “Europa Nostra”, dhe na u kërkua që të shikonim të gjitha mundësitë ligjore të vazhdojmë të qëndrojmë qytetarë në protestën tonë. Kjo u vlerësua shumë prej saj. Jemi në pritje të një takimi të dytë për të parë se ku ka vajtur vëzhgimi i çështjes nga ata dhe konsultimi me materialet siç na u premtua,. është ngritur një grup pune që po merret dhe në aspektin juridik, dhe do të marrim dijeninë se çfarë do të bëhet gjatë kësaj jave, plus nga ana jonë do të çohen edhe të dhëna të tjera ose qëndrime të tjer. është një proces që tashmë fokusin e ka tek Presidenti i Republikës, është domosdoshmëri etike që Presidenti i Republikës ta kthejë ligjin sepse në kushte normale filtri i fundit do të ishte Gjykata Kushtetuese, por për sa kohë Gjykata Kushtetuese është jofunksionale, atëherë filtri i fundit në këtë histori mbetet Presidenti. Kjo është dhe përgjegjësia më e madhe morale e Presidentit, por dhe ligjore, që duhet ta kthejë ligjin që të fitohet kohë deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, që ata edhe nëse do të duan ta kalojnë prapë, të ketë një institucion nga drejtësia e vendit për të dhënë verdiktin dhe për të ndarë çapin nga sheqeri. Ishte një takim shumë i arrirë në kuptimin e mesazheve që ne donim të përcillnim. Kini parasysh që me rendësi të madhe në këto takime, në këto nivele është të dëgjohesh dhe të të jepet koha e mjaftueshme që të dëgjohesh.
Me përgjegjësi të plotë e them që u dëgjuam, na u dha koha e mjaftueshme për t’u dëgjuar, nuk e di si do të reflektohet kjo, por një gjë është e sigurt, u dëgjuam, dhe është më mirë të dëgjohesh se sa të mos përfillesh.”

Robert Budina, regjisor.

Robert Budina: ” Të gjitha argumentat që nxorrëm tek Vlahutin do të shkojnë në Bruksel dhe kjo është shumë e rëndësishmë sepse në takim ne thamë gjithë historinë personale të Kryeministrit Rama në lidhje me Teatrin Kombëtar, jo vetëm si individ por edhe si pozicion shtetëror. Që kur ka qenë Ministër i Kulturës donte ta boshatiste teatrin, thoshte se ishte një ndërtesë që ka marrë fund, të nxirrte aktorët dhe të ndërtonte një qendër biznesi. Nuk e arriti dot këtë se u ngritën aktorët dhe artistët kundër tij dhe Kryeministri Majko e ktheu mbrapsht, atëherë ai e kuptoi që të fitonte teatrin duhej të shkëpuste aktorët nga teatri, pra trupa veç dhe teatri veç.
Ky ishte falimentim sepse nuk kishte mundësi financiarisht të mbahej, kështu aktorët do të falimentonin dhe teatri do të zhdukej. Ndoqi një mënyrë diabolike institucionale për ta zhdukur. U ngritën prapë aktorët dhe u arrit deri në grevë urie. Këtë gjë ja thamë Vlahutinit e cila do t’i përcjelli në Bruksel, për të treguar që kjo nuk është një histori që lindi sot, është një histori e projektuar në vite nga politika shqiptare për të zhdukur inteligjencën e vendit. Në vitin 2002, u bë Kryetar Bashkie dhe erdhi me projekt të qartë na bashkëpunim me ish-drejtorin e teatrit dhe bëri një takim live në televizion me të gjithë aktorët dhe artistët. Humbja e parë politike e Ramës ka qenë në atë takim, nuk e arriti dhe u tërhoq prapë. Mbas 16 viteve u rikthye si Kryeministër me kartona për ta realizuar.
Pra, Europa do të bindet që ky njeriu do që të marrë këtë terrenin dhe jo të ndërtojë një teatër të ri se thelbi i muhabetit është që ai po thotë unë po sjell të ardhmen e Shqipërisë. Jo. Ai ka dashur të marri territorin dhe po justifikohet sikur po sjell një teatër të ri për të ndërtuar.
E dyta, avokati Adriatik Lapaj dha dy elementë shumë të rëndësishëm që shkelin Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit shumë fort, që janë: mungesa e konkurrencës dhe ligji organik, ligji maxhoritar me 3 të 5-stat e votave që bëhët vetëm në raste të caktuara. Dhe vetë Parlamenti me një votim ja ka hequr të drejtën vetes të votojë të tilla ligje. Gjëra që nuk ishin artikuluar më parë. Këto janë shkelje të rënda. Dhe e fundit, Neritan Liçaj bëri një përmbledhje që Shqipëria po hyn në diktaturë me këtë ligj, që mediat janë kapur, kështjella e fundit janë artistët dhe Teatri Kombëtar, për të hequr fjalën e lirë. Duke i shtrënguar aktorët me kontrata 3-mujore dhe 1-vjeçare , në mënyrë që të falimentojnë dhe askush të mos ngrihet kundër qeverisë. Këto fakte do të përcillen në Bruksel. Mendoj që arritëm atë që donim.”

Rudi Erebara, shkrimtar.

Rudi Erebara: “Unë mendoj se takimi i sotëm me zonjën Vlahutin ishte një takim i frytshëm. Ne trokitëm në derën e familjes sonë të madhe europiane ku shpresojmë të hyjmë ashtu siç e meritojmë të hyjmë, të gjithë bashkë, më dyert hapur. Vlahutin na premtoi që çështja e Teatrit Kombëtar po shikohet në Bruksel.”

Neritan Liçaj, aktor.

Neritan Liçaj: “Ishte një takim shumë i frytshëm. Unë u sigurova për një gjë, përtej fjalëve që tha ajo, që Europa e ka marrë vërtet shumë seriozisht. Pra, nuk ishte një takim për të kaluar radhën. Sigurisht që Europa nuk mund të përfaqësojë antivlerat që përfaqëson qeveria jonë. Europa është për mbrojtjën ë artit, kulturës, trashëgimisë, të drejtat e njeriur, për zbatimin e Kushtetutës.
Unë sinqerisht nuk arrij ta kuptoj si jau bëri dora atyre deputetëve që ta votonin sepse një ditë ai ligj mund t’ju kthehet kundër.”

Alert Çeloaliaj, aktor.

Alert Çeloaliaj: “Pas kërkesës që i bëmë zyrës së zonjës Vlahutin u pritëm sot në orën 10:00 dhe bëmë prezent të gjitha kërkesat tona dhe pretendimet tona për sa i përket asaj çka humbet me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental. Gjithashtu për të gjithë problemin e trashëgimisë kulturore dhe historisë e cila humbet me zhdukjen e këtyre dy institucioneve, por edhe për të gjithë rrugën ligjore që është ndjekur deri tani nga ana e ekzekutivit për ta shkatërruar Teatrin Kombëtar, si dhe për të gjitha shkeljet e tjera që ne i kemi vërejtur dhe i kemi pasqyruar edhe këtu në shesh ë parë. Kësaj rradhe i bëmë prezent në institucionin më të lartë përfaqësues këtu në Shqipëri. Besoj që takimi i sotëm ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm, për vetë faktin që ne u pritëm në një takim të nivelit kaq të lartë, që do të thotë që të gjitha kërkesat dhe vërejtjet tona do të paraqiten shumë shpejt edhe në Bruksel. Pas kësaj ne do të presim se cili do të jetë reagimi nga Brukseli për sa i përket çështjes së Teatrit”.

*Citizens Channel /F.S/

Teatri Kombëtar ҫ’ka qenë,ҫ’është dhe ҫ’duan ta bëjnë…

*Nga Fjoralba Sinoruka

Debati publik i muajve të fundit në lidhje me prishjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një të reje, ndahet pikërisht në këtë pikë : godina për disa konsiderohet monumentale , ndërsa për të tjerë me kushte të pamundura për të punuar dhe funksionuar.

Në lidhje me kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar , kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është shprehur: “një teatër që ka ngrënë jetët e shumë aktorëve të cilët ne nuk i dimë se çfarë shkakton në momentet që është. Një teatër që në vitin ’ 43 është kërkuar që të largohet”

Të pyetur për kushtet në të cilat kanë punuar në Teatrin Kombëtar në periudha të ndryshme, aktorët u shprehën për Citizens Channel :

Klodjana Keco

“Jam ndjerë e rrezikuar, përpara disa vitesh unë   kam marrë pjesë tek “Shtrigat e Salemos”, por jam ndjerë e rrezikuar jo për shkak të mureve dhe të  ndërtesës. Jam ndjerë   e rrezikuar për shkak t ë   mungesës  së   kushteve të   skenografisë  , që   do të   thotë  , fondet ishin minimale dhe skenografi me aq sa kishte mundësi bëri një   skenografi që   nuk i kishte të   gjitha kushtet e sigurta dhe ra një pjesë e madhe e skenografisë   mbrapa.  Por për këtë  nuk e ka fajin Teatri”, tha Klodjana Keco, aktore e re e cila  është   ngjitur disa herë  në   skenën e Teatrit Kombëtar.

 

“Në   jetën time sa kam luajtur nuk kam pasur asnjë   raport që   të   kem qenë   i sëmurë”, tha aktori i mirënjohur  Mehdi Malkaj

“Jo asnjë herë me përjashtim të faktit që nuk është mirëmbajtur për arsye që tashmë kuptohen. Por rrezik nuk ka pasur asnjëherë”, tha për Citizens Channel aktori Neritan Liçaj.

Kastriot Çipi i cili ka qenë  nëndrejtor dhe drejtor i Teatrit Kombëtar në periudha të ndryshme, në  lidhje me këtë çështje u shpreh: “Aksidente  në  punë  ka pasur, por gjithmonë si pasojë e mosrespektimit të  rregullave, sidomos në ndërtimin e dekorit. Më të rëndat kanë qenë fraktura. Me sa mbaj mend unë, në 30 vjet, mund të ketë  pasur 3-4 raste.

 

Aktualisht, Teatri Kombëtar është duke mbyllur sezonin artistik 2017 – 2018 me komedinë satirike “A vdiq ai?” të Mark Twain dhe deri tani asnjë incident nuk është shënuar, pavarësisht kushteve të cilat kanë qenë KUSHT për të prishur këtë godinë dhe për të ndërtuar një Teatër të Ri Kombëtar.

Edhe këtë sezon artistik , si ҫdo sezon tjetër Teatri Komëtar ka vënë në skenë vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj duke mirëpritur publikun kryeqytetas ҫdo të mërrkurë, të enjte, të premte, të shtunë dhe të dielë.

Projektligji i papreçedent për Teatrin Kombëtar:

Në datën 27 qershor 2018 , Këshilli I Ministrave propozoi projektligjin “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR NEGOCIIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS ME OBJEKT “PROJEKTIMI DHE REALIZIMI I PROJEKTIT URBAN DHE GODINËS SË RE TË TEATRIT KOMBËTAR”

Drejtori aktual I Teatrit Kombëtar Hervin Ҫuli , i zgjedhur për herë të dytë nga Ministria e Kulturës për të drejtuar këtë institucion në vitin 2014 bën një kërkesë për inspektimin e anës së majtë në godinën e Teatrit Kombëtar. Ministria e Kulturës në përgjigje të kësaj shkrese në në dukje se këto ambjente ishin jashtë kushteve teknike.

Kjo është një nga problematikat kryesore të paraqitura në projektligj.

Nga pronë publike në pronë private?

Në projektligjin e paraqitur thuhet se Ministria e Kulturës nuk I disponon fondet për të realizuar një investim në zonën e Teatrit Kombëtar, madje as nuk e ka të parashikuar për vitet 2018 -2020.

Në këto kushte nga Bashkia Tiranë është paraqitur një  kërkesë  në  datë 23.2.2018, pranë Ministrisë së Kulturës, për shprehje interesi për zhvillimin e zonës pranë Teatrit Kombëtar të subjektit “Fusha”, sh.p.k. Në përbërje të kësaj kërkese, subjekti privat angazhohet që, përveç zhvillimit të pronës në pronësi të tij, të realizojë edhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, konform një projekti që do të miratohet nga të gjitha strukturat përkatëse.

Ky projektligj është raportuar nga mediat si një projektligj i paprecedent i cili është në dëm të pronës publike dhe në favor të subjektit privat.

Protestat e përditshme: Agora në sheshin e Teatrit Kombëtar  

Që nga muaji janar artistë, intelektualë dhe qytetarë janë shprehur kundër shkatërrimit të godinës ekzistuese dhe ndëtimit të një Teatri të Ri Kombëtar nga një kompani private.

Javët e fundit këto protesta janë intesifikuar duke u mbajtur ҫdo ditë në hapësirën e Teatrit Kombëtar për ta mbrojtur këtë godinë por edhe për të mos urbanizuar këtë zonë.

Protestës i janë bashkuar intelektualë si : Artan Fuga, Mark Marku, Maks Velo, Edmond Tupja etj, por edhe  figura të gazetarisë si : Sonila Meҫe dhe Elsa Demo të cilat janë shprehur publikisht kundër shembjes së kësaj godine.

Protesta ka pasur 2 kahe : qytetarët që mbështësin artistët, artin dhe teatrin, por edhe kujtesën kulturore….por edhe artistë që mbështësin qytëtarë të cilët nuk duan tju tjetërsohet prona publike.

Prej ditësh po firmoset një peticion nga qytetarë dhe artistë drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës.

Ditën e enjte protesta do të zhvendoset para Parlamentit, dhe kjo ditë do të vendosë a do të ulet sipari i kësaj drame që po zgjat me muaj apo fjala e qytetarëve do të dëgjohet…

Pak histori mbi Teatrin Kombëtar

I ndërtuar në vitet  1938 – 1939 nga inxhinieri dhe arkitekti  italian  Giulio Berté, Teatri Kombëtar është një nga institucionet e pakta në Tiranë që prodhon art dhe kulturë në mënyrë aktive për publikun.

Në kohën e regjimit Komunist ky institucion, si pothuaj gjithë institucionet e tjera të asaj periudhe, e veҫanërisht institucionet e artit dhe kulturës, pësoi ndryshime si në përmbajtje por edhe në formë për tu përshtatur me ideologjinë politike të kohës. Në vitin 1945 u quajt Teatër Kombëtar.

Studiuesi I letërsisë dhe kulturës shqipe Robert Elsie, në përmbledhjen e tij studimore “Nje fund dhe një fillim” përmban edhe një artikull të Xhevair Spahiut I cili ndër të tjera shprehej,” Çdo vëllim poetik kalonte para botimit nëpër duart e dhjetë-pesëmbëdhjetë recensorëve politikisht vigjilentë, kurse çdo dramë nëpër duart e të paktëntridhjetë vetëve (çka na ndihmon për të shpjeguar mungesën e një teatri të mirë shqiptar)”.

Megjithatë, të shumtë kanë qenë aktorët dhe artistët që janë ngjitur në atë skenë të cilët për shumë përfaqesojnë një kujtesë kulturorë të rëndësishme dhe një motiv për të mos e lënë artin skenik pa të shkuar…

Refxhei Tola, 19-vjeçarja që do të bëhet prokurore e përgjithshme

Eshtë vetëm 19 vjeçe, por është një adoleshente krejt ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj. Refxhei Tola, është gjimnaziste në vitin e fundit në shkollën “Çajupi” në Tiranë, por ndërsa bashkëmoshatarët e saj i tërheq akoma përralla e Hirushes apo festat e ditëlindjeve, ajo ka vendosur të bëhet Prokurore e Përgjithshme.

Aq e bindur është për rrugën që do të ndjekë, saqë edhe pse aktualisht është maturante, njeh në majë të gishtave Kushtetutën e vendit, ka lexuar Kodin Penal, Kriminalistikën dhe po ashtu lexon me endje çdo material që e ndihmon të kuptojë strukturimin e sistemit të drejtësisë në vend. Dhe kjo nuk është një dëshirë fluturake e adoleshentes Refxhei, por është një ëndërr për të cilën ajo thotë se po punon që në moshën 13-vjeçare. Moshë në të cilën ka nisur edhe punën e parë, ku u bënte kurse kimie, fizike apo biologjie bashkëmoshatarëve të vet, ndërsa aktualisht ka një punë stabël si koordinatore projektesh pranë fondacionit “Fundjavë Ndryshe”.

Sigurisht, si atëherë kur ishte 13-vjeçe edhe sot që është 19-vjeçe, me paratë e fituara ndihmon familjen e saj. E qartë për rrugën në të cilën do të ecë, në një intervistë për Citizens Channel Refxhei thotë se ndihet e motivuar çdo mëngjes, edhe pse e nis ditën e saj në 06:30 dhe e mbyll në 22:00.

Ka fituar tre herë vendin e parë në olimpiadat e Matematikës, Fizikës dhe Kimisë, është autore e dy librave: njëri për politikën dhe tjetri për varfërinë në vendin tonë, flet anglisht, greqisht, italisht (kupton gjermanisht, frëngjisht) dhe fituese e çmimit të parë në festivalin “Giffoni” të filmit, si komentuesja më e mirë e filmave.

Asaj i mjafton të dëgjojë në kufje “Unstoppable” të Sia-s, dhe të lexojë “Fitimtarët” të Alastair Campbell, ish -këshilltarit të Tony Blair, “për shkak të dritëhijes së tij në figurën e Edi Ramës”, shpjegon Refxhei. Sepse ajo e ka të qartë se ku do të mbërrijë!

Të shkruash projekte për një fondacion si “Fundjavë Ndryshe” është e vështirë, si ke arritur ta bësh këtë gjë?

Unë jam një njeri që vlerësoj pjesën autodidakte. Më pëlqen të mësoj gjëra të reja. Në momentin e parë që më jepet një mundësi e pranoj pa hezituar, sepse për mua, çdo mundësi që na vjen është një shanc për të mësuar diçka të re. Sigurisht që fillimisht nuk dija të shkruaja projekte, por unë vlerësoj pjesën autodidakte, kështu që fillova të kërkoj në internet, lexova libra, materiale ndihmëse, etj. Dhe besoj ia kam dalë.

Si iu bashkove “Fundjavës”?

Ishte një ftesë nga themeluesi Arbër Hajdari para dy vjetësh e gjysëm. Më kishte parë në një dalje publike në TV dhe më ftoi që të flisnim rreth një bashkëpunimi. Pasi folëm kuptova që realisht vendi ynë nuk na jep shumë mundësi për të shfaqur potencialin që kemi dhe “Fundjava Ndryshe” ishte pikërisht një lloj mundësie që ne të japim kontributin tonë për ta bërë vendin tonë më të mirë. Unë mendoj se për të dashur Shqipërinë, duhet të kuptojmë dhe të duam shqiptarët. Dhe kush më mirë se sa ky grup që janë më të pambrojturit, mund të na japin mundësinë për të njohur realitetin e vërtetë të varfërisë ekstreme që është sfida më e madhe që Shqipëria ka sot.

Përse kjo zgjedhje? Je vetëm 19-vjeçe…bashkëmoshtarët e tu e kalojnë kohën e lirë, në festa, ditëlindje, party…nuk të mungojnë këto gjëra?

Ishte një zgjedhje që më buronte nga brenda. Kuptova se realisht, të vetmet gjëra që zgjasin përgjithmonë, janë ato që posedojmë brenda vetes. Kuptova se mundësia për të njohur nga afër realitetin e hidhur shqiptar dhe jo me dimensionin e ndritshëm që shohin nëpër party apo festa është një mundësi për t’i dhënë kohës sonë një tjetër vlerë. Ndaj nëse do të më jepej mundësia të kthehesha pas në kohë, kjo do të ishte sërish zgjedhja ime.

Refxhei Tola me stafin e Fundjavë Ndryshe. Foto: Fundjavë Ndryshe Citizens Channel rinia arsimi
Refxhei Tola me stafin e Fundjavë Ndryshe. Foto: Fundjavë Ndryshe

Ti ndjek studimet pranë gjimnazit “Çajupi”, por ti je një nxënëse me kërkesa të larta, a i përgjigjet kjo shkollë kërkesave të tua?

„Çajupi” është një ndër pesë gjimnazet më të mira të Tiranës. Sigurisht që lë shumë për të dëshiruar pasi mungon konkurenca mes nxënësve dhe individët që e frekuentojnë nuk kanë shumë kërkesa ndaj shkollës, por stafi i mësuesve është shumë i kualifikuar. Dhe mua kaq më mjafton. Unë e kam të qartë qëllimin tim, e di se ku dua të arrij dhe çfarë më duhet të bëj. Këto “pengesat” e vogla që më dalin gjatë rrugës nuk më pëngojnë për të arritur tek qëllimi im. Unë jam në vit të fundit në këtë gjimnaz dhe kam kuptuar se përtej raportit mësues -nxënës apo nxënës- nxënës janë marrëdhëniet njerëzore ato që na mbesin në mendje. Unë mendoj që kjo shkollë më ka dhënë këtë dimension njerëzor. 

Ndonëse ke qenë nxënëse ekselente që nga klasa e parë, por e ke humbur një vit në gjimnaz...

Unë jam nga Korça dhe kur mbarova klasën e nëntë fitova një bursë të plotë tre vjeçare në një nga shkollat më me emër private në Tiranë. Në vitin e parë të gjimnazit pranë shkollës private ku isha me bursë, unë u shpalla fituese e katër olimpiandave të ndryshme në rang vendi, dhe shuma e parave që duhet të merrja si fituese e olimpiadave ishte më e madhe se sa bursa që më paguante shkolla. Këtu nisi edhe konflikti, pasi drejtuesit e shkollës nuk pranuan që të më jepnin diferencën e parave që më takonin dhe unë prisha kontratën. Kjo solli që unë të humbja vitin e parë të shkollës së mesme dhe ta nisja sërish vitin e parë, këtë herë në një shkollë publike ku jam edhe sot, pra gjimnazi “Çajupi”. Në këtë kohë unë nuk kisha ku qëndroja, kështu që edhe familja ime u detyrua që të vinte në Tiranë për të qenë afër meje.

Ti je një nxënëse ekselente që shkelqen kudo që të të çosh, por a ndryshon shkolla private nga ajo publike?

Ka një diferencë shumë të madhe mes shkollave publike dhe atyre private. Mua më ka mjaftuar një vit në një shkollë private për të vendosur që do të jem gjithmonë një student i shkollave shtetërore. Në shkollat private ti je i rrethuar nga nxënës që shpërblehen jo në bazë të meritave apo kontributeve, por të parave që ka babi. Sigurisht që këtë fenomen e ndeshim edhe në shkollat shtetërore, por në privat është më e theksuar. Po ashtu në shkollat private vuan nga “sindroma e biçikletës”. Çiklisti e ul ritmin kur e ndjen se nuk ka një garues tjetër nga mbrapa. Mendoj që për t’ia dalë ne duhet të vendosemi në konkurencë dhe jo vetëm me të tjerët apo domosdoshmërisht me të tjetrët. Fare mirë këtë mund ta bëjmë edhe me veten. Ajo që mua më motivon çdo ditë është sfida me veten. Unë kam sfidë me veten për t’u ngjitur lart, kam një ambicie timen, kam një ëndërr, kam një dëshirë, një plan projekt. Dhe kjo është ajo që çdo ditë më zgjon në 6:30 të mëngjesit.

Cila është ëndërra jote?

Endërra ime e hershme është që të bëhen prokurore e përgjithshme. Përpiqem që gjatë gjithë kohës të shikoj dhe të shoh mundësi se si mund të shërohen plagët e shoqërisë sonë.

Përse kryeprokurore? Nuk është një ëndërr e zakonshme…

Unë mendoj se këtij vendi më tepër se çdo gjë i duhet drejtësia. Kur shoh që ka kaq shumë varfëri esktreme e kam kuptuar që e kundërta e varfërisë nuk është pasuria, por drejtësia. Kam zgjedhur të bëhem prokurore e përgjithshme sepse jam e bindur që kjo është një punë që unë do e bëj me pasion. Që tani kam nisur të studioj lëndë të drejtësisë…

D.m.th. ti e ke vendosur se për çfarë do të studiosh?

(Qesh). Sigurisht që tek Fakulteti i Drejtësisë. Kam lexuar kriminalistikën, kodin penal, njoh kushtetutën shumë mirë dhe po mundohem të kuptoj strukturimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Besoj i ke ndjekur zhvillimet e fundit për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm? Si e shikon ti situatën? 

Unë personalisht nuk isha as pro faktit që të vazhdonte të qëndronte Llalla si kryeprokuror, pasi unë mendoj se ai ka qenë që në fillim një prokuror i varur nga politika dhe si i tillë nuk mund të ishte një prokuror i vërtetë. Aq më tepër një individ si Adriatik Lalla, që gjatë viteve të qëndrimit në këtë post, pati një lumë akuzash për shkatërrimin e karrierës së shumë prokurorëve të tjerë, për transferime të pabaza… Nga ana tjetër edhe një kryeprokurore si Arta Marku, në atë formë dhe në atë kushte që u betua ajo, unë nuk do të isha betuar kurrë.  

 

Si kryeprokurore çfarë do të ndryshoje?

Këtij vendi e keqja i vjen nga politika. Sistemi njerëzor është i strukturuar në formë piramide, dhe në majë qëndrojnë ata njerëz që luajnë me fatet e njerëzve dhe të shoqërise. Në mënyrë që kjo piramidë të shkatërrohet duhet ta nsim nga lart.

Por a është e mundur të shkatërrohet kaq lehtë ky rend?

Unë mendoj që kjo do të shkatërrohet kur të fillojë të zbatohet Vettingu.

 

Përveç politikës çfarë do të ndryshoje?

Konceptin që njerëzit kanë për drejtësinë. Njerëzit në Shqipëri nuk besojnë tek drejtësia, tek gjykatat. Ne jetojmë në një vend ku në gjykata ka humbur drejtësia, në mjekësi ka humbur humanizmi, në arsim ka humbur kualiteti. Shoqëria është zhytur në kaos. Në mënyrë që ne të fillojmë ta zbusim këtë kaos duhet të fillojmë të përmirësojmë jetët, pak nga pak, të grupeve të ndryshme shoqërore. Kjo është arsyeja se përse unë e kam gjetur veten tek “Fundjava”, sepse synon të mbështesë njerëz pa asnjë mbështetje.

Refxhei Tola Foto: Private
Refxhei Tola. Foto: Private

Të punosh nuk është një gjë e re për ty, kur ke qenë më e vogël bëje edhe kurse kimie për nxënësit e tjerë?

Për mua periudha e punësimit ka nisur që kur kam qenë shumë e vogël. E kam nisur që 13-14 vjeçe. Në lëndët ekzakte kam qenë gjithmonë absolute. Jepja matematikë, fizikë dhe kimi… kryesisht ishin bashkëmoshatarë të mi ose edhe pak më të rritur. U shpjegoja mësimin e ri si dhe i ndihmoja që të zgjidhnin edhe ushtrimet dhe kam funksionuar mirë. Nxënësit që vinin tek unë kishin rezultatet më të larta në shkollë. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Sigurisht që ky ka qenë një moment i vështirë edhe për familjen time, ndaj edhe mua më është dashur të punoj. Unë jam shumë e lumtur që në një moshë shumë të vogël kam bërë disa zgjedhje që bashkëmoshatarët e mi as nuk i mendojnë. Nisur nga eksperienca ime unë një gjë mund ta them me siguri: me sadopak forca mund t’ia dalin të bëjnë gjëra të mëdha. Ashtu sikurse thoshte Nënë Tereza: Nëse do të ndryshosh botën, shko dhe duaj familjen tënde.

Ti ndan të njëjtën bankë në klasë me bashkëmoshatërt e tu, a kanë të rinjtë shqiptarë një model që mund ta ndjekin, apo ashtu si e gjithë shoqëria, edhe ata janë konfuzë dhe e kanë të vështirë të gjejnë rrugën e drejtë në të cilën do të ecin?

Në shkollë shoh që ka shumë të rinj që kanë dëshirë për të shfaqur potencialet, por jo gjithmonë iu jepet mundësia. Ndërsa tek “Fundjava” çdo ditë të motivon, është kjo arsyeja që janë rreth 7.5 mijë vullnetarë nga i gjithë vendi, 15-25 vjeçarë që nuk kanë zgjedhur t’i bashkohen politikës (pavarëisht premtimeve të saja), por kanë zgjedhur të bëjnë punë vullnetare. Kjo tregon se të rinjtë shqiptarë kanë dëshirën dhe ennergjinë për të bërë gjëra të mira. Janë kaq shumë dhe ata zgjedhin të kalojnë kohë me familjet në nevojë, kjo tregon se ata e kuptojnë që është pikërisht kjo kohë e kaluar me këtë kategori njerëzish që regjistrohet në shiritin tonë emocianal të jetës dhe kjo tregon se sa nevojë kanë ata për emocione pozitive njerëzore.

E stimulon shkolla një të ri?

Sistemi arsimor në Shqipëri është në gjendje skandaloze. Nxënësit nuk edukohen për të ngritur ide apo zhvilluar mendimin kritik, por edukohen që të mësojmë në mënyrë mekanike dhe të vijnë të testohen për këto njohuri që i mësuan në mënyrë mekanike para dy ditësh. Është shumë e vështirë të mbijetosh në një mjedis të tillë, është shumë e vështirë të shkosh me dëshirë në një mjedis të tillë. Personalisht unë kam arritur në një pikë që e shoh shkollën vetëm si një procedurë, sepse mënyra se si ne mësojmë na kthen pas.

Intervsitoi: Esmeralda Keta / Citizens Channel

Rënia e euros / Çfarë duhet të bëjnë qytetarët dhe bizneset?

Luhatjet në kursin e këmbimit kanë ngritur dilema sesi duhet të veprojmë me kursimet dhe investimet tona. Ekspertët këshillojnë kujdes. Ky nuk është moment i duhur për të luajtur në “bursën valutore”.

Prej 18 muajsh, euro ka pësuar një rënie të vazhdueshme në tregun tonë valutor. Monedha e përbashkët europiane, me të cilin kryhen rreth 68% e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, ka zbritur tashmë në nivelin e 133.4 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, euro këmbehej me rreth 137.4 lekë ose rreth 4 lekë më shumë se sot.

Kush përfiton dhe kush humbet nga dobësimi i euros?

Të gëzuarit e parë janë të gjithë ata që kanë një kredi në këtë monedhë. Kjo pasi paguajnë më pak për këstet mujorë, ku normës së interesit nuk i shtohet kosto e transaksionit.

E thënë ndryshe, nëse unë kam një kredi në euro dhe të ardhurat në lek, me një këst mujor prej 300 euro në muaj, unë paguaj sot për huanë 40 020 lekë. Ndërsa një vit më parë, unë paguaja për të njëjtën kredi 41 220 lekë. Sipas përllogaritjeve, 1 200 lekë më shumë në muaj.

E kundërta ndodh me ata që kursimet i kanë në euro. Depozitat në këtë monedhë vlejnë sot më pak, interesat prej tyre gjithashtu. Supozojmë se unë kam një depozitë në euro, e cila më siguron një fitim prej 130 euro në muaj. Me kursin e sotëm të këmbimit, unë marr 17 342 lekë. Një vit më parë, për të njëjtën interes depozite unë fitoja 17 862 lekë ose 520 lekë më shumë në muaj.

Luhatjet në kursin e këmbimit kanë ngritur dilema sesi duhet të veprojmë me kursimet dhe investimet tona. Ekspertët këshillojnë kujdes. Ky nuk është moment i duhur për të luajtur në “bursën valutore”.

“Do të apeloja për dy gjëra. Së pari, meqë ka kurs të ulët dhe të luhatshëm të euros dhe diferencë mes euros dhe dollarit, shumë njerëz mendojnë të tregtojnë valutë, me shpresën se do të fitojnë. Kjo gjë po vihet re tek ata që luajnë me shuma të vogla. Do të këshilloja që të mos ta bënin këtë gjë, pasi risku është shumë i madh. Një tjetër dukuri që po konstatohet është tendenca, që kur një monedhë bie, një pjesë e njerëzve që kanë kursime në këtë valutë, tentojnë ta këmbejnë atë dhe ta kthejnë në monedhën që po ecën më mirë. Gabim sërish. Në këtë rast këshillohet që të mos kryejnë transaksione dhe të mos nxitojnë që të shkëputen nga këto monedha, pasi do të dalin me humbje”, argumenton Adrian Civici, një prej ekspertëve më të mirë të tregjeve financiare në Shqipëri.

Vlera e këmbimit të Euros ndër vite. Burimi: Banka e Shqipërisë
Vlera e këmbimit të Euros ndër vite. Burimi: Banka e Shqipërisë

Tregëtia me valutat padyshim që është me risk të lartë, për faktin se parashikimi është i vështirë. Përballë rënies së fortë të euros, ajo që mund të bëhet, është një analizë e shkaqeve që “rrëzuan” monedhën e fortë dhe aq shumë të pëlqyer të shqiptarëve.

Për ekspertët, faktorët e brendshëm kanë qenë përcaktues në këtë ecuri. “Në rastin e euros, problemi është tërësisht në tregun e brendshëm. Ne patëm bollëk me euro dhe kjo vendosi ekuilibra të rinj në tregun e këmbimit, ku monedha europiane ra dhe leku u forcua. Ndërsa në raport me dollarin, ka ndikuar ecuria e tregjeve financiare ndërkombëtare”, shpjegon Civici.

Ajo që ekspertët e quajnë “bollëk të euros” u krijua nga disa burime, një pjesë të dukshme dhe të tjera, jo. Të ardhurat nga turizmi, financimet në kuadër të projektit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), rritja e dërgesave të emigrantëve (remitancave) dhe dalja e një sasie parash jashtë sistemit bankar, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të qershorit janë disa nga arsyet.

Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, paraja jashtë bankave në fund të muajit korrik arriti në 253 miliardë lekë, ose rreth 1.8 miliardë euro. Në krahasim me muajin mars, kur dhe filloi tendenca rritëse, ky tregues është shtuar me 3.4%, ose 8.5 miliardë lekë (rreth 62 milionë euro).

Por janë edhe kanalet e padukshme. E thënë ndryshe, paratë që gjenerohet nga aktivitet e paligjshme, si kultivimi dhe tregtimi i kanabisit. Një pjesë e këtyre të ardhurave përfundojnë në tregun valutor, por sasia e tyre dhe ndikimi që mund të kenë tek kursi është vështirë të matet.

Çfarë do të ndodhë me euron?

Një pyetje e ligjshme, por nga ato që vlejnë 1 milion dollarë. Ta parashikosh e vështrë, ta gjesh me saktësi, e pamundur. Faktorët e brendshëm pritet të ndikojnë sërish, por këtu shtohet qeveria e re dhe çelja e sezonit, që padyshim do të bëjnë punën e tyre.

Ekspertët sërish apelojnë, kësaj rradhe për biznesin, veçanërisht atë importues dhe eksportues, që pagesat dhe transaksionet e ndryshme i kryen në monedhën europiane. “Forcimi i lekut favorizon importuesit dhe dekurajon eksportuesit, sidomos kur bëhet fjalë për kontrata afatgjata 3 vjeçare e më lart. Zakonisht tregtarët nuk e parashikojnë riskun e kursit dhe nuk marrin masa për ta amortizuar atë”, shpjegon Adrian Civici.  

Në finale, kujdes me euro. E dobët apo jo, avantazhet dhe dizavantazhet kanë kostot e tyre.

Autor: Aurora Sulçe* / Citizens Channel

*Autorja është moderatore dhe autore e emisioneve ekonomikë “Ekopolitikë” dhe “Para dhe Pasuri” në Ora News

Braktiset nga shteti, një grup ekspertësh mbajnë gjallë meteorologjinë shqiptare

Thuajse të harruar nga të gjitha qeveritë e pas viteve 90-të, pa buxhet për të ndërruar qoftë edhe një termometër, janë një grusht ekspertësh ata që po mbajnë gjallë ç’ka ka mbetur nga historia 150 vjeçare e ish- institutit hidrometeorologjik shqiptar.

Të merresh me parashikimin e motit, në këto kohë kur të mjafton vetëm një klik në celular për të mësuar se ç’ndodh në çdo cep të globit, duket se është një sfidë e madhe. Thuajse të harruar nga të gjitha qeveritë e pas viteve 90-të, pa buxhet për të ndërruar qoftë edhe një termometër, me vrojtues që paguhen ende sa në kohën e monizmit dhe luftës së të dhënave “fantastiko-shkencore” të servirura nga agjencitë private sa për të krijuar lajm, janë një grusht ekspertësh ata që po mbajnë gjallë ç’ka ka mbetur nga historia 150 vjeçare e ish- institutit hidrometeorologjik shqiptar.

Prof. Petrit Zorba, shef i departamentit të klimës dhe mjedisit (ish- Instituti HidroMeteorologjik), në Institutin e Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, në një intevistë të gjatë për Citizens Channel, ndonëse përpiqet të jetë shumë i kujdesshëm në ato që thotë, nuk e vështirë të kuptosh se në çfarë situatash ekstreme iu duhet të punojnë.  

Të papaguar, pa fonde për të ndërruar qoftë edhe një termometër, me një zyrë të mbushur me aparatura moderne, por që nuk ka fonde për t’i vënë në punë, me një tufë ekspertësh të huaj që paguhen me mijrëa euro në muaj, por nuk e kanë as idenë më të vogël për kushtet atmosferike të Shqipërisë… nuk i ka penguar 135 vrojtuesit që lexojnë termometrat nga Vermoshi në Konispol, që ta bjnë këtë gjë çdo ditë të vitit, që prej shumë dekadash tashmë…

Citizens Channel: Kur ka kaq shumë informacion online përse duhet tu referohemi juve, pra Institutit Meteorologjik për të ditur se si do të jetë moti?

Prof. Petrit Zorba: Ky është mendimi më i gabuar që ekziston edhe në kokat e vendimmarrësve. Mendojnë se ju mjafton një celular për të ditur se se çfarë do të ndodhë me motin. Por unë mund t’iu them me bindje se të dhënat që ju shikoni nga celulari nuk janë të dhëna reale. Këtu nga zyra ime ku jemi, mund të futemi në internet, të marrim të dhëna për Vietnamin dhe të bëjmë parashikimin e motit për Vietnamin, por kjo është shumë larg realitetit atje. Të dhënat satelitore, apo ata që prodhohen nga modele të ndryshme kompjuterike, në të gjitha rastet kanë nevojë për kolaudim tokësor. Pra duhet medeomos marrja e të dhënave konkrete, manuale, nga ai vend.  Shto këtu që ne nuk bëjmë vetëm parashikimin e motit, por edhe parashikimin e rrisqeve të mundshme që mund të vijnë si pasojë e ndryshimeve të temperaturave.

Flitet gjithnjë e më shumë se moti ka ndryshuar, nuk ka më dimër, vera është zgjatur…janë thjesht perceptime, apo ka ndryshuar vërtetë?

Nëse do të shohësh se çfarë ka ndodhur me motin, atëherë duhet medeomos t’i referohesh institutit tonë, që disponon të dhëna konkrete dhe jo fanstastiko- shkencore kompjutrerike sa për të prodhuar një lajm, se sa kanë qenë temperaturat apo se sa kanë qenë reshjet për çdo muaj të vitit. Po i‘u marr një rast: nëse do ndjekim logjikën e lajmeve të internetit do shikojmë se reshjet për muajin qershor të këtij viti kanë qenë -10%, por në fakt, shifrat tona, që janë marrë nga plot 45 stacione në të gjithë vendin, tregojnë se niveli i reshjeve për muajin qershor mezi kanë arritur tek 28%, pra as një e treta e reshjeve që duhet të ketë vendi ynë…

Thuhet se vendi ynë është i bekuar me klimën që ka, është kështu edhe për ju që studioni çdo lëvizje të ajrit?

Klima e Shqipërisë është një ndër klimat më të mira në rruzullin tokësor, për shkak të komfortit që ofron. Sa i takon qoftë lagështisë, qoftë tempraturave, qoftë reshjeve, është një klimë që ofron efektivitetin më të lartë të punës mendore dhe fizike për pjesën më të madhe të vitit. Vetëm për një pjesë të shkurtër kohore, të verës apo të dimrit, ne mund të na duhet të përdorim kondicionerin pë të siguruar temperaturat normale. Jemi vërtetë të bekuar.

Kjo verë është konsideruar si përvëluese, kështu ka qenë vërtetë?

Ka pasur ditë me temperatura të larta, por nuk është thyer asnjë rekord. Disa matje eksperimentale që bëmë ne në fund të qershorit, sipërfaqja e rrugëve, e asfaltit, e pistave me beton kapën shifrën e 82-85 gradë, ndërkohë që  në stacionet meterologjike, që kanë një tokë të mbuluar me bar, në verë shënuan der në 65 gradë celcius, imagjinoni një pistë aerodromi…

Temperaturat maksimale të regjistruara në Shqipëri.
Temperaturat maksimale të regjistruara në Shqipëri.

A ndihet më shumë vapa në Tiranë, për shkak të dendësisë dhe sipërfaqes së madhe të betonit?

Të dhënat e marra nga stacioni i Tiranës tregojnë se kryeqyteti ka efektin e ishullit urban. Për shkak të ndërtimeve të mëdha, Tirana ka 2-3 gradë celcius më shumë se sa periferia. Në veçanti Tirana dallohet në numrin e netëve tropikale, që janë rritur së tepërmi në vitet e fundit. Krahasuar me fundin e viteve 60-70’, tani në Tiranë kemi deri në katërfish më shumë netë tropikale.

Në ditët e sotshme, sa e është e vështirë të merresh me parashikimin e motit?

Sigurisht që pas viteve 90-të pati ndryshime thelbësore. Ne aktualisht kemi rreth 135 stacione manuale dhe 10 stacione automatike, por ne priremi t’u besojmë më shumë të dhënave që marrim nga stacionet tradicionale. Sigurisht që kemi shumë vështirësi, për shumë arsye. 135 vrojtuesit tanë kanë masën e shpërblimit shumë të ulëta, kanë ngelur në kohën e monizmit në masën 2200 lekë në muaj, madje as ata nuk i marrin çdo muaj… Imagjino një pikë vrojtimi që është në Vermosh, ka vrojtues që e bëjnë këtë punë që prej 40-45 vite dhe merr këtë shpërblim qesharak. Dikur, sa herë që dilte vendimi për rritjen e pagës së administratës, në fund të fletës ishte edhe një paragraf i vogël që thoshte që indeskoheshin edhe pagat e vrojtuesve. Këtë shënim e hoqi qeveria Berisha që në 2010-ën dhe që atëherë nuk është përfshirë fare kjo kategori në paga. Mungojnë totalisht investimet, nëse atij i prishet një instrumet nuk bëhet fjalë për ta zëvëndesuar….

Përse  preferoni t’u besoni të dhënave nga stacionet manuale dhe jo atyre automatike?

Në shumë raste gjërat edhe ekzagjerohen. Një termometër është një mjet klasik për matjen e temperaturës dhe nuk ka ndryshuar që nga koha e shpikjes së tij, ndërkohë që pajisjet elektonike nëse nuk verifikohen, nuk mirëmbahen apo nuk kolaudohen ata mund të devijojnë dhe të japin të dhëna jo reale. Konkretisht unë për muajin qershor bëra një analizë të të dhënave të 10 stacioneve ku kemi edhe aparatura të digjitalizuara, dhe më rezultoi se temperatura ishte më shumë se 5 gradë më e lartë se norma shumëvjeçare dhe 3 gradë më e lartë se sa e tregonte stacioni klasik me termometër manual. Pra shumë herë teknologjia është më e lehtë për t’u përdorur, por nëse nuk mirëmbahen, testohen, mund të na japin të dhëna për lajm, por që janë joreale.

Ju shohim rrallë të shfaqeni në media, ama në media qarkullojnë plot lajme nga agjenci private për mot ekstrem. Janë të besueshme këto të dhëna?

Kemi shumë infromacione që dalin në media, por nuk janë të bazuara në standardet e Organizatës Botërore të Meteorologjisë. Të vetmit të certifikuar dhe që japin të dhëna të besueshme, janë Instituti i Gjeoklimës dhe Mjedisit, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe ai i Aeroportit të Rinasit. Privatët që operojmë në Shqipëri nuk janë të certifikuar nga ne që jemi i vetmi institucion, që Organizata Botërore e Meteorologjisë i ka dhënë të drejtën të certifikojë çdo operator brenda territorit shqiptar. Me lirinë e fituar pas viteve 90-të, ka individë që pretendojnë se mund të bëjnë gjithçka. Në një shtet me rregulla, duhet të zbatohen ca standarde, qoftë për kualifikimin e personelit që merret me këtë gjë, por edhe për vetë stacionet ku bëjnë matjet. Sot, çdokush mund të ketë një termometër, ta vendosë në ballkon, apo në tarracë, por kjo nuk e bën atë të besueshëm….Pa plotësuar disa standarde dhe pa marrë lejet përkatëse, nuk mund të prodhosh të dhëna të besueshme.

Në fund të kësaj bisede, a mund të themi se ju jeni lënë vetëm në betejën me motin. Çfarë e mban ende në këmbë këtë shërbim?

Ne kemi shpresa që gjërat do ndryshojnë dhe qeveria do i kthejë sytë nga ne. Nëse synojmë integrimin në BE, herët a vonë, do të jenë të detyruar të kërkojnë zbatimin me përpikmëri rritjen e shërbimit Meteorologjik në vendin tonë. Organizata e Botërore e meteorologjisë u ka dërguar disa herë instuticioneve më të larta të vendimmarrjes, shkresa për të ndikuar në fuqizimin e Meteorologjisë në Shqipëri, që është një nga kushtet nëse duam të integrohemi në BE.

Intervistoi: E.K / Citzens Channel

Debati mbi fotot me ushqimet e prishura / Lahi: Nuk mund të ushqehemi si njerëz të botës së tretë

Disa eksperienca të pakëndshme të tij ose të miqve, me produkte ushqimore të pasigurta, e kanë kthyer Rezart Lahin, profesor dhe gazetar, në njeriun denoncues të ditës në rrjetet sociale.  Ai ka dokumentuar me fotografi dhe video, krimba që gjenden në pako orizi dhe krimba në frutat e thata.

Prej më shumë se dy ditësh, këto materiale të shpërndara në llogarinë personale të Facebook-ut të Rezartit, kanë ngjallur reagime të shumë njerëzve të tjerë që kanë denoncuar gjithashtu eksperienca vetiake. Por nuk kanë munguar edhe reagimet e kompanive të denoncuara ose kërcënimet për prishje imazhi.

Në një intervistë për Citizens Channel, denoncuesi Lahi thekson që më e rëndësishme në të gjithë këtë situatë është mungesa e sigurisë ushqimore dhe jo kërcënimet që ka marrë gjatë orëve të fundit.

Rezart, ke ndarë me miqtë e tu së fundmi fotografi dhe video ku shihen qartazi krimba brenda paketimeve të orizit dhe frutave të thata. Pse zgjodhe rrjetet sociale?

Në profilin tim personal kam shokë e miq që kanë fëmijë dhe kanë pasur shumë fatkeqësi nga sëmundje të ndryshme. Ne nuk mund të durojmë që për faj të dikujt të ushqehemi si njerëz të botës së tretë (duke pasur respekt edhe për këta të fundit). Ne kemi heshtur pa i kërkuar asnjë llogari këtyre kompanive që prodhojnë, atyre që bëjnë shpërndarjen, transportin, atyre që i magazinojnë dhe së fundmi atyre që i shesin. Unë jam një ndër qytetarët më të thjeshtë të këtij vendi dhe bëj timen tek miqtë e mi. Reagimi është përgjegjësi ndërsa heshtja është bashkëpunim.

Rezart Lahi. Foto: Private sigura ushqimore citizens channel
Rezart Lahi. Foto: Private

Si kanë reaguar njerëzit pas këtyre publikimeve?  

Në fakt postimi ishte vetëm për disa miq të mitë, por siç e pamë kishte shumë konsumatorë që kishin pasur të njëjtin shqetësim. Reagimi u bë viral dhe u bë lajm kryesor në shumë media. Gjithsesi ngeli vetëm reagimi qytetar pasi nuk pamë ndonjë reagim shtetëror. Në vende “normale” kompanitë dhe i gjithë zinxhiri deri tek konsumatori do të analizohej në qelizë dhe do të hiqej menjëherë licensa për kompanite që do të ishin përgjegjëse për këtë situatë. Gjobat do të ishin aq të rënda sa çdokush do të kishte frikë të neglizhonte me produktet ushqimore.

Po nga kompanitë që denoncove, pati ndonjë reagim?

Nga 3-4 kompani, kompania e orizit ka reaguar me një kujdes të jashtëzakonshëm për të zbuluar se në cilin segment produkti kishte probleme. Jam telefonuar disa herë prej tyre dhe janë zotuar për një hetim të çështjes. Mua dhe shumë konsumatorëve na kanë ftuar në fabrikën e tyre për të nxitur besimin. Une nuk e di se përse kishte ndodhur një situatë e tillë në produktin që hapa, por angazhimi i tyre për të parë çdo hallkë deri tek edhe marketi që i tregtonte, ishte nje veprim që la shije të mirë në fund. Ndërsa nga një tjetër kompani që për arsye për të mos u shndërruar në një debat personal s’po i përmend emrin, më mori pronari duke bërtitur e duke kërcënuar. Në fakt une mendova se po telefononte për të biseduar problemin dhe në mos për të kërkuar të falur, të hetonte çështjen. Ishte e kundërta. Ishte formati i tregtarit që bërtiste dhe kërkonte fajin tek konsumatori e jo tek stafi i tij apo produktet e tij. Për asnjë moment nuk u ndal tek produkti, por tek ajo se çfare ai mund të më bënte mua. Besoj se është e tepert t’iu them për këtë mënyrë menaxhimi të një pakënaqësie të klientëve. Domethënë sipas këtyre tregtarëve të fortë ne duhet të heshtim e të mos flasim? Nëse e marrim ligjërisht, ndaj këtij personi rëndojnë tre akuza: 1) dëmtim të shëndetit, 2) kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj meje, 3) prishje imazhi, sepse më thote gjobëvënes në vend që të kuptojë që jam një klient i shqetësuar. Nuk po i hyj aspak çështjes së kuponave. Majde frika ime është që duke u marrë me emra të përveçëm, humbim sensin: që kemi të bëjmë me PASIGURI USHQIMORE. Kur unë blej apo konsumoj një produkt të pasigurt, nuk më bëhet vonë kush është aksioner apo pronar. Dua vetëm që nëse shteti licenson një kompani ta mbajë atë nën kontroll. Licensat nuk janë të bizneseve por të shtetit, dhe shteti është i yni. Janë ata në shërbimin tonë e jo ne në shërbim të tyre. Në vende të tjera kompanitë do ishin skuqur nga turpi. Këtu të shantazhojnë. Unë nuk u kam kërkuar asgjë më shumë se kaq, ndërsa këta kanë kërkuar të tërhiqem. Kush është ai që do të tërhiqej, para ushqimit të pasigurt që i servir në pjatë familjes? E pastaj merren me politikë, kur ne kancerin e kemi në ushqim. Mendojeni pak më thellë e jo me tituj gazetash. Edhe një gjë! Unë nuk kam autorizuar e nuk autorizoj asnjë media të marrë statuset e mia e t’i bëjë çështje publike. Unë në Facebook flas për miqtë e mi dhe kjo është hapësira ime. Dhe mua më shqetëson kjo situatë. Së fundmi: do të ishte e pafalshme që të ndalemi para ushqimeve të pasigurta që kemi në tavolinat tona. Pavarësisht të fortëve…

Intervistoi: El.El / Citizens Channel

Murgesha çeke Michaela: Unë jam shqiptare, mua më takon ta ndërtoj Shqipërinë time.

A ju kujtohet murgesha çeke Michaela Kubickova që deklaroi se “Vrasja nuk ka komb”? Ajo nuk e ka braktisur Shqipërinë madje fton edhe sot bashkatdhetarët e saj nga Çekia që ta vizitojnë këtë vend me natyrë të mahnitshme.

Ishte ndër të paktët zëra të arsyeshëm kur shqiptarët pas vrasjes mizore të çiftit të turistëve nga Çekia u përfshinë nga një histeri vetëfshikulluese dy vjet më parë. Përmes  punës dhe angazhimit të përditshëm në këtë intervistë ajo na fton ta duam vendin dhe të impenjohemi cdo ditë me seriozitet për të ndërtuar të ardhmen.

Në  mënyrë të veçantë ajo ju drejtohet të rinjve dhe atyre që helmojnë opinionin publik me dëshpërimin që ushqejnë: “Është e lehtë të kritikosh gjërat. Është e lehtë të largohesh dhe kështu të mënjanosh probleme.”

Duke e konsideruar veten krejt shqiptare (shkodrane) ajo thotë: “Vendi ynë ka nevojë për njerëz me cilësi, njerëz të guximshëm dhe të fortë të cilët nuk tregojnë dashurinë e tyre ndaj Shqipërisë vetëm kur shikojnë të valëvitet flamuri nëpër stadiume, por për njerëz që e tregojnë dashurinë  duke ndërtuar vendin e tyre – me angazhim, me seriozitet në punë, me korrektësinë, ditë pas dite.”

Citizens Channel: Motër Michaela, misioni apo kureshtja ju ka sjellë në Shqipëri?

Motër Michaela: Misioni në fakt. Unë jam motër saleziane. Dhe si çdo rregulltar dhe rregulltare, nëse shkoj në një vend apo tjetër, nuk shkoj, sepse dua apo vendosa unë, por sepse jam e dërguar për një mision. Mund të tingëllojë e çuditshme në këtë kohë: a dmth që njeri nuk vendos për veten e vet? A e dini, është si puna e çfarëdo zgjedhjeje: në zanafillë është vendimi juaj dhe nga kjo pastaj rrjedhin pasojat që merrni përsipër: psh. Vendimi që të regjistroheni për një shkollë është i juaji. Normal që me këtë vendim keni marrë përsipër të shkoni në shkollë në orar të caktuar, të përgatiteni për mësime dhe kështu me radhë.

Prej sa vitesh jetoni në Shkodër dhe a keni ndonjë peng pse latë vendin tuaj dhe erdhët të jetonit këtu?

Jetoj në Shqipëri tash 20 vite dhe ndihem këtu si në shtëpinë time, midis njerëzve të mi. Qysh e vogël, edhe pse e dua me gjithë shpirt vendin tim dhe familjen time, kam ndier që u përkas të gjithëve. Shtëpia ime nuk është këndej apo andej, njerëz të mi nuk janë të një tipi apo tjetër, besoj dhe e ndiej kështu që të gjithë jemi një familje e vetme, kështu që kudo që të jem, midis të mive jam. Vazhdoj të dua vendin tim dhe familjen time, por këtu ndihem në shtëpi. Gjithmonë duke patur parasysh, që nesër mund të më ketë nevojë kongregata ime për mua në një vend tjetër të botës dhe kam të qartë që do të shkoj edhe atje pa problem, sepse edhe atje – shtëpia ime dhe njerëz të mi janë.

Shqiptarët shpesh i shohin me dyshim të huajt me gjithë mikpritjen e fillimit. A ju ka ndodhur ju kjo gjë?

Unë e di që disa mirësjellje janë më shumë  nga “edukata e mirë” sesa prania e sinqertë dhe pa kushte e personit që keni përpara. Por kjo nuk ndodh vetëm me shqiptarët, kjo ndodh në çdo vend e botës. Me disa persona, thjesht, ne njerëzit ndihemi të lirë sepse e dimë që jemi të pranuar prej tyre dhe me disa sillemi në  mënyrë të edukuar por mbajmë distancat tona. Por unë duhet të them që ndihem e pranuar në këtë vend dhe besoj që nuk jam e konsideruar si e huaj.

Nuk e di a e kam të drejtë, por më duket që një “letër” që është duke luajtur në favor tim është që flas gjuhën shqipe mjaft mirë nga një anë por nga ana tjetër sigurisht me gabime. Besoj që pikërisht këto gabime krijojnë midis meje dhe jush  një lidhje simpatie. Më pëlqen kur jam e konsideruar një prej jush dhe e kërkoj edhe ta shpreh. Besoj që edhe ky qëndrim më lejoi që më keni pranuar midis jush; kështu që nuk jam më midis “të huajve që shikohen me dyshim” si thoni ju.

Motër Michaela Kubickova gjatë një aktiviteti. Citizens Channel
Motër Michaela Kubickova gjatë një aktiviteti

Ka qënë e vështirë për ju të njihni të folmen dhe zakonet e shkodranëve dhe çfarë ju bën më fort përshtypje?

Gjuha e përdorur në Shkodër ishte në fillim pak e vështirë. Sepse ndryshonte nga gjuha zyrtare dhe zakonisht kur mëson gjuhë, mëson atë zyrtaren. Pastaj, shumë njerëz në atë kohë kur erdha, flisnin gjuhën italiane dhe i pëlqente të komunikonim përmes saj.

Unë e kisha brenda meje të qartë që nuk do të bëhem kurrë një prej jush, nëse nuk do të përvetësoj gjuhën. Por me ndihmën e njerëzve që kishin durim me mua sidomos në fillim, ia dola.

Ajo që më bën përshtypje, nëse mund të thuhet kështu, dmth. ajo që shikoj me gëzim është aftësia të dimë të jetojmë me miqësi pavarësisht nga tradita fetare e secilit prej nesh. Nga ana tjetër më dhemb nëse shikoj që përbuzet ndonjë njeri për shkak të prejardhjes së tij, gjë që herë pas here shikoj. Por ky problem të racizmit nuk është problem ndonjë kombi, është problem njerëzor, që shfaqet edhe këtu.

Ju u vutë në qendër të vëmendjes mediatike sidomos pas vrasjes së çiftit te ri çek ne malet e Dukagjinit, ende mendoni se shqiptarët nuk e vlerësojnë veten sa duhet?

Besoj që çdo shoqëri ndërtohet nga individët. Kështu që duke folur për një person,  në fakt jam duke përgjigjur edhe për një grup, një komb.

Sipas meje është sfida e tërë jetës sonë të shikojmë vetveten në vërtetësi. Të shikojmë aftësitë, talentet, mundësitë tona, si edhe gabimet dhe dobësitë tona, kështu si janë. Besoj që vërtetësia jep njeriut mundësi të nxjerrë nga vetvetja më të mirën e tij.

Janë dy rreziqe që nuk na lejojnë ta bëjmë: nga një anë “mbivlerësim”,  që shkakton të ëndërrojmë kështjellat në ajër dhe të mos jetojmë në realitet dhe nga ana tjetër “nënvlerësim”, i cili nuk na lejon të vemë në praktikë aftësitë dhe talentet tona dhe vetëm “shtyjmë”.

Në Shqipëri më duket që si komb vuajmë më shumë nga nënvlerësimi. Disa shprehjet tipike që dëgjoj shpesh herë: “Motër, ne nuk do bëhemi kurrë shtet”, në lidhje me korrupsionin: “Ça don, këtu jetojmë, këtu nuk do bëhet kurrë ndryshe”, më dhembin dhe më bëjnë me dyshu nëse e njohim mirë vlerën tonë dhe aftësitë tona dhe ti vëmë në punë për të mirën e vendit tonë. 

Çeket, duket se janë të magjepsur pas natyrës shqiptare e në veçanti pas Alpeve, madje mund t’i përcaktoja si populli më besnik ndaj natyrës shqiptare megjithë incidentet e ndodhura?

Nesër shkoj me familjen e kusherinit tim në Theth. Një prej vendeve ku njeriu nuk mund  të humbë nëse vjen në Shqipëri. Të paktën unë jam e bindur kështu. Natyra e mahnitshme, besoj, është një prej dhuratave të mëdha që Shqipëria ka nga duart e Zotit.

Po, me gojë të plotë mund të them që natyra juaj neve çekëve na pëlqen dhe na mahnit. Incidentet mund të ndodhin kudo ata s’kanë lidhje me bukurinë e natyrës dhe me zemërgjerësinë e njerëzve që gjenden në ato vende. Të dorëzohesh mbi këtë bukuri për shkakun e incidentit është si me thënë – nuk do të ulem kurrë më në makinë sepse dje dëgjova që një makinë bëri aksident.

Ju vetë keni një vend të preferuar ku shkoni herë pas here për të medituar?

Mua më pëlqen natyra, sidomos malet. Ata më bëjnë të meditoj. Por edhe duke vëzhguar njerëz më nxis për meditim. Dhe më bën të meditoj edhe muzika dhe mundësia të marr kitarë dhe të këndoj. Këngët janë për mua mundësia e lutjes që përjetoj me shumë forcë. Ndonjë preferencë? Besoj jo, gjithçka  që e nxit njeriun të komunikojë me Zotin, ta falënderojë, ta lavdërojë dhe të lutet.

Ju punoni prej shumë kohësh me të rinjtë dhe besoj e dini se ata preken më shumë nga fenomeni i emigracionit. U është dashur ndonjëherë që t’iu jepni motive për të mos u larguar?

Mua më dhemb çdo herë kur dëgjoj që dikush dëshiron të largohet nga Shqipëria. Jam e bindur që të rinj tanë e kanë në duar e tyre të ardhmen e vendit tonë. Duke u larguar janë duke hequr dorë nga kjo mundësi dhe detyrë që e kanë ndaj vendit e tyre. Është e lehtë të kritikosh gjërat. Është e lehtë (edhe nëse e di që nuk është gjithmonë shumë e lehtë) të largohesh dhe kështu të mënjanosh probleme.

Vendi jonë ka nevojë për njerëz me cilësi, njerëz të guximshëm dhe të fortë të cilët nuk tregojnë dashurinë e tyre ndaj Shqipërisë vetëm kur shikojnë të valëvitet flamuri nëpër stadiume, por të cilët tregojnë dashurinë duke ndërtuar vendin e tyre – me angazhim, me seriozitet në punë, me korrektësinë, ditë pas dite. Besoj që e kemi këtë detyrë ndaj vendit tonë. Këto janë motivimet që une u jap.  

Cilat do të ishin arsyet pse shqiptarët nuk duhet të largohen nga Shqipëria në optikën e një murgeshe çeke?

Arsye? Dashuria ndaj vendit tim. Dëshira ta shikoj gjithmonë e më të bukur, dëshira të përgatis për fëmijët e mi një vend ku mund të jetojnë në harmoni dhe në gëzim. Dhe bindje që kjo dëshirë realizohet vetëm nëse edhe unë të bëj pjesën time të detyrës.

Unë jam shqiptar, mua më takon ta ndërtoj Shqipërinë time. Të gjithë kemi tundim të themi: Unë jam vetëm një pikë uji në oqean, çfarë mund të bëj unë?

Më pëlqen shumë thënie që thotë: po të kishin thënë të gjitha pikat e ujit që janë të padobishëm, nuk do të kishim oqeanin. Kemi shumë të rinj, me forca dhe mundësinë e entuziazmit rinor. Të rinjtë ishin shpesh herë motori i ndryshimeve në historinë e popujve. Cili popull në Evropë është aq “i ri” sa populli jonë? Mjafton vetëm të kuptojmë që e kemi në duar të realizojmë këto ëndrra tona pastaj të vendosim që vërtet duam ta bëjmë, të organizohemi dhe të nisim punë.

A kanë shqiptarët më tepër nevojë për përmasën hyjnore sot?

Çdo njeri ka gjithmonë nevojë për përmasën hyjnore, dhe kurrë nuk e ka në përmasën e mjaftueshme. Më shumë mësojmë të lexojmë jetën tonë nga optika e Zotit, më shumë do të  mësojmë të jetojmë si njerëz dhe më shumë do të ndërtojmë jetën e bazuar në vlerat që na propozon Zoti dhe të cilat edhe i gjejmë në zemrat tona: kush prej nesh nuk ka nostalgji të jetoj në paqe, harmoni, gëzim, lumturi, duke dashur dhe duke qenë të dashur? Të gjithë këto nostalgjitë e zemrës na mëson Zoti t’i bëjmë realitet. Më shumë mësojmë prej tij, më shumë bëhemi promotorët e tyre dhe më shumë do të përhapen rreth nesh. 

Intervistoi: Mira Tuci*

Mira Tuci është gazetare kulture pranë Televizonit Publik Shqiptar.